Zgjedhja e Lilës
Autorja jeton në Korientes, Argjentinë.
“Trupi im ësht’ tempulli që ma dha Ati im” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 73).
Lila donte që të zgjidhte të drejtën.
“Është koha e shkrimeve të shenjta!” tha Lila.
Lilës i pëlqente tʼu lexonte motrës së saj të vogël, Anikës, dhe vëllait të saj foshnjë, Svetanit. Së shpejti Lila do të pagëzohej! Që të ishte gati, ajo donte t’i lexonte shkrimet e shenjta çdo ditë.
Lila e hapi librin e historive të shkrimeve të shenjta në faqen e parë. Anika dhe Svetani iu ngjeshën pranë që të mund të shihnin figurat.
“Dëgjoni me kujdes sepse do t’ju bëj pyetje më pas”, tha Lila. Pastaj ajo filloi të lexonte kapitullin e parë.
“Përpara se të lindnim në tokë, ne jetonim në qiell”, lexoi Lila. “Nuk kishim ende trupa. Ne ishim shpirtra.”
Lila, Anika dhe Svetani i panë figurat e njerëzve të veshur në të bardha.
“Gati për pyetjen tënde të parë?” Lila iu kthye Anikës. “Nga erdhe përpara se të lindeshe?”
Anika përplasi duart. “Qielli!”
“Ashtu është”, tha Lila. “Dhe nga erdhi Svetani?”
“Edhe ai erdhi nga qielli”, tha Anika. Svetani buzëqeshi dhe e futi grushtin e vet në gojë. Lila dhe Anika qeshën. Svetani ishte njëvjeçari më i bukur në Argjentinë!
“E gjithë familja jonë erdhi nga qielli”, tha Lila. “Jezusi po ashtu. Ai erdhi të na ndihmonte që ne të mund të jetojmë përsëri me Atin Qiellor.” Lila tregoi me gisht figurën e Jezusit në faqen e librit.
Pasi e mbaroi leximin, Lila vazhdoi të mendonte se si duhej të kishte qenë që të jetoje me Jezusin në qiell. Ajo donte të ishte si Ai. Lila donte që të zgjidhte gjithmonë të drejtën!
Të nesërmen në shkollë, Lilës po i gërryenin zorrët teksa priste në rresht për të marrë mëngjesin. Gati po i shijonte empanadhat teksa senjora Ruiz po ia vendoste në pjatë. Mbanin aromë kaq të mirë!
Më pas senjora Ruiz i mbushi Lilës një gotë me qumësht. Obobo, mendoi Lila. Qumështi u duk më i errët se zakonisht. Nganjëherë shkolla e saj u shtonte kafe ose çaj pijeve.
“A ka ndopak kafe ose çaj në qumësht sot?” pyeti Lila.
Senjora Ruiz tundi dorën. “Pak kafe”, tha ajo. “A nuk do ta shijosh pak?”
Lila mendoi për një çast. Ajo solli ndër mend se si donte të ishte si Jezusi dhe të zgjidhte të drejtën. E dinte se pirja e kafes ishte diçka që profetët thanë të mos e bënim.
“Jo, faleminderit. Nuk do ta marr qumështin sot”, tha Lila. Ajo i buzëqeshi senjorës Ruiz. Pastaj u ul të hante.
Atë natë, Lila e ndihmoi babin të lante pjatat në kuzhinë. Ende po mendonte për historinë e shkrimit të shenjtë. Po mendonte për qumështin gjithashtu.
“Babi?”
“Po?” tha babi.
“Pse dëshiron Ati Qiellor që ne të kemi trupa?”
Babi mendoi teksa shpëlau një pjatë tjetër. “Epo, Ai na dha trupa që të mund të bëheshim si Ai”, tha ai. “Trupi yt është një shtëpi për shpirtin tënd. Kjo është çfarë nënkuptojmë kur themi se trupat tanë janë tempuj.”
Lila pohoi me kokë. Ajo këndonte një këngë për këtë në Fillore nganjëherë. “Pra, kjo është përse Ati Qiellor dëshiron që ne të kujdesemi për trupat tanë?”
“Pikërisht”, tha babi.
“Sot në shkollë hodhën ca kafe në qumësht”, tha Lila. “Nuk e piva, sidoqoftë. Po përpiqem të kujdesem për tempullin tim.”
“Jam krenar për ty”, tha babi. Ai i fshiu duart me peshqir dhe e përqafoi Lilën.
Lila e përqafoi fort babin. Ishte e lumtur që po kujdesej për trupin që Ati Qiellor ia kishte dhënë.