“Veshja e Brendshme e Priftërisë së Shenjtë”, Liahona, shtator 2024.
Veshja e Brendshme e Priftërisë së Shenjtë
Si pjesë e ordinancës së dhurimit në tempull, na është dhënë një kujtues i shenjtë fizik i besëlidhjeve tona – një simbol i Vetë Shpëtimtarit.
Pavarësisht nga përgatitja që padyshim iu bë Adamit dhe Evës dhe nga sigurimet që ata u përpoqën t’i mbanin mend, duhet të ketë qenë një tronditje befasuese për ata që ta linin parajsën në Kopshtin e Edenit dhe të hynin në një botë të rënë.
Me vetëdije solemne, ata kuptuan se ç’do të thoshte të shkëmbenin jetën e tyre të qetë dhe pa kokëçarje me një botë kundërshtimi dhe mundi, gjembash dhe pikëllimi, e ndjekur në fund nga diçka që quhet vdekje. Ata nuk mund ta dinin në fillim se çfarë do të thoshte e gjithë kjo, por shpejt mësuan se çdo ditë mund të sillte dhembje të reja. Në fakt, gjëja më e dhimbshme nga të gjitha ishte të kuptuarit se ata do të përballeshin me të gjitha këto të ndarë prej Atit të tyre në Qiell – të “larguar nga prania e tij”, do të shkruante më vonë Moisiu.
Duke pasur parasysh këtë ndarje dhe vetmi në një botë të ftohtë e të zymtë, sa ngushëlluese duhet të ketë qenë për Adamin dhe Evën të kujtonin një gjë: se ishin bërë premtime – diçka e shenjtë dhe e përjetshme që quhet “besëlidhjet”. Ata kishin premtuar se do t’i bindeshin Atit gjithë ditët e jetës së tyre dhe Ai kishte premtuar se do të siguronte një Shpëtimtar, i cili do t’ua lehtësonte dhembjen e pikëllimin, do të shlyente për gabimet e tyre dhe do t’i kthente të sigurt në praninë e Tij.
Por, si do t’i kujtonin këta njerëz të vdekshëm ato që kishin premtuar? Si do të qëndronin të vetëdijshëm për situatën e tyre të rrezikshme – të vetëdijshëm gjatë gjithë kohës, ditë e natë?!
Një Kujtues i Besëlidhjeve të Tyre
Për një kujtues të tillë, Ai u bëri atyre “rroba lëkure”. Çfarë dhurate që ishte dhe sa në kohë! Pasi hëngrën frutën e ndaluar, Adami dhe Eva u bënë pothuajse menjëherë të vetëdijshëm se ishin lakuriq. Së pari, ata u përpoqën ta mbulonin lakuriqësinë e tyre me gjethe fiku. Pastaj, nga frika se mos kjo ishte e papërshtatshme, ata u përpoqën të fshiheshin nga Zoti. (Një përpjekje e marrë si kjo, ishte provë se jeta e vdekshme po zinte vend!) Që nga ai çast e deri më sot, një Atë i dashur i ka ftuar fëmijët e Tij që të dalin nga vendi i fshehjes e të vijnë tek Ai. Dhe ashtu si me rrobat e lëkurës asokohe dhe artikujt e ndryshëm të veshjeve që nga ajo kohë, Ai në mëshirën e Tij nuk na ka lënë lakuriq, por e ka veshur të bindurin me “mantelin e drejtësisë”, një kujtues i premtimeve dhe besëlidhjeve tona. Këto “rroba… [të] shpëtimit” simbolizojnë dhuratën më të madhe nga të gjitha, Shlyerjen e Jezu Krishtit.
Veshja e Brendshme Është një Simbol i Shpëtimtarit
Pra, të gjitha këto mendime rreth Adamit dhe Evës, besëlidhjeve dhe veshjes, janë sigurisht, më shumë sesa thjesht një ushtrim mendor. Nuk është e vështirë të përfytyrohet se si u ndien Adami dhe Eva, sepse edhe ne hasim probleme në këtë botë të rënë. Edhe ne jemi ndarë nga prania e Perëndisë dhe distancohemi edhe më shumë sa herë që bëjmë shkelje. Ashtu si me Adamin dhe Evën, neve na është dhënë i njëjti Shpëtimtar, Jezu Krishti i Nazaretit, Alfa dhe Omega, Biri i Perëndisë të gjallë. Ashtu si Adami dhe Eva, ne kemi bërë besëlidhje me Perëndinë. Dhe, si pjesë e ordinancës së dhurimit në tempull, na është dhënë një kujtues i shenjtë fizik i atyre besëlidhjeve, një simbol i Vetë Shpëtimtarit. Në periudhën tonë ungjillore ajo quhet veshja e brendshme e priftërisë së shenjtë.
Ne e veshim këtë veshje të brendshme nën veshjen tonë të jashtme. Çfarëdo përgjegjësie që kam, çfarëdo roli që luaj në jetë, çfarëdo që të kërkojnë detyrat e jetës së përditshme, nën të gjitha ato janë besëlidhjet e mia, përherë e përgjithmonë. Nën të gjitha ato janë ato premtime të shenjta tek të cilat kapem fort dëshpërimisht. Veshja e brendshme nuk reklamohet apo ekspozohet para botës dhe as besëlidhjet e mia. Por të dyja i mbaj pranë vetes, sa më afër të mundem. Ato janë tepër personale dhe tejet të shenjta.
Në kujtim të atyre besëlidhjeve, atyre premtimeve të dyanshme, ne e veshim veshjen e brendshme gjatë gjithë jetës sonë. Kjo praktikë pasqyron dëshirën tonë që Shpëtimtari të jetë një ndikim i vazhdueshëm në jetën tonë. Simbole të tjera të dashura janë periodike. Ne pagëzohemi një herë në jetën tonë. Ne e marrim sakramentin një herë në javë. Ne e frekuentojmë tempullin si të na e lejojnë rrethanat. Por veshja e brendshme e priftërisë së shenjtë është ndryshe: këtë simbol ne e nderojmë ditë e natë.
Kështu janë edhe besëlidhjet – nuk lihen mënjanë sipas leverdisë apo pakujdesisë, nuk modifikohen për t’iu përshtatur stileve dhe modave të shoqërisë. Në jetën e një dishepulli të Jezu Krishtit, udhët e botës duhet të modifikohen për t’i përputhur me besëlidhjet tona, jo anasjelltas.
Kur e veshim veshjen e brendshme, ne, siç na ka mësuar Presidenca e Parë, po veshim një simbol të shenjtë të Jezu Krishtit. Duke qenë kështu, pse do të kërkonim ndonjëherë një justifikim për ta hequr atë simbol? Pse do t’ia hiqnim vetes të drejtën e premtimit të fuqisë, mbrojtjes dhe mëshirës që përfaqëson veshja e brendshme? Përkundrazi, sa herë që duhet ta heqim përkohësisht veshjen e brendshme, duhet të jemi të etur ta veshim përsëri atë, sa më shpejt të jetë e mundur, sepse ne kujtojmë si premtimet, ashtu edhe rreziqet që u japin kuptim besëlidhjeve tona. Mbi të gjitha, ne kujtojmë kryqin dhe varrin bosh të Krishtit.
Disa mund të thonë: “Kam mënyra të tjera për ta kujtuar Jezusin”. Dhe unë do t’u përgjigjesha se kjo është e mrekullueshme. Sa më shumë aq më mirë. Le të mendojmë të gjithë për sa më shumë mënyra që të mundemi se si ta mbajmë zotimin tonë që “gjithmonë ta kujtoj[m]ë atë”. Për rrjedhojë, do të ishte e pandershme ta shpërfillnim qëllimisht kujtuesin që Vetë Zoti u dha atyre që e kanë marrë dhurimin, veshjen e brendshme të priftërisë së shenjtë.
Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij janë gjithçka për mua. Të gjitha shpresat dhe aspiratat e mia të përjetshme, çdo gjë e shtrenjtë që kam, varen prej Tij. Ai është “shkëmbi i shpëtimit tim”, mënyra ime e qasjes tek Ati im Qiellor, e vetmja rrugë e kthimit për tek ajo që kisha dikur dhe që tani dua ta kem sërish, bashkë me shumë e shumë të tjera. Dhurata e Tij për ne është më bujarja që kam marrë ndonjëherë, më bujarja e dhënë ndonjëherë – e blerë ashtu siç u ble, me vuajtje të pafundme, e shtrirë te një numër i pafundmë njerëzish, e dhënë me dashuri të pafundme. Gjembat dhe bimët gjembore, dhembja dhe pikëllimi, brengat dhe mëkati i kësaj bote të rënë, të gjitha janë “gëlltitur në Krishtin”.
Kështu që e kam veshur veshjen e brendshme të priftërisë së shenjtë ditë e natë, në mënyrë sa më të përshtatshme, qëkurse mora dhurimin 64 vjet më parë, në moshën 19‑vjeçare, sepse e dua Atë dhe sepse kam nevojë për premtimet që ajo përfaqëson.
Pyetje rreth Veshjes së Veshjes së Brendshme?
Disa prej jush mund të jenë duke e lexuar këtë artikull duke shpresuar se do t’i përgjigjem një pyetjeje të veçantë rreth veshjes së brendshme. Mund të shpresoni për diçka të tillë si: “Kështu thotë Zoti”, ose madje, “Kështu thonë shërbëtorët e Tij”, për një çështje që e keni për zemër. Pyetja juaj mund të vijë nga një rrethanë personale që lidhet me punësimin, ushtrimet fizike, higjienën, klimën, modestinë, vendet për nevoja sanitare ose madje edhe një gjendje mjekësore.
Disa përgjigje për këto lloj pyetjesh mund të gjenden në faqen temples.ChurchofJesusChrist.org dhe në pjesën 38.5 te Manuali i Përgjithshëm. Mund të këshilloheni edhe me udhëheqës e pjesëtarë të besuar të familjes për një çështje vetjake. Megjithatë, ka një drejtim shumë të qartë të dhënë në ordinancat nistore, po ashtu keni përherë e përgjithmonë edhe Atin tuaj në Qiell, i cili ju njeh, ju do dhe kupton gjithçka në lidhje me rrethanat tuaja. Ai do të gëzohej shumë po t’ia bënit Atij personalisht këto pyetje.
Ju lutem, mos më keqkuptoni. Ndërsa kërkoni udhërrëfim hyjnor, Shpirti nuk do t’ju frymëzojë të bëni më pak sesa të ndiqni udhëzimin e marrë në tempull dhe këshillën profetike të dhënë nga Presidenca e Parë në deklaratën e tyre të fundit. Një Atë i dashur nuk do t’ju ndihmojë ta arsyetoni situatën duke bërë më pak se ç’mundeni për t’u përputhur me standardet e Tij të përkushtimit dhe modestisë që do t’ju bekojnë tani dhe përgjithmonë. Por, a i kupton Ai pyetjet tuaja dhe a do t’ju ndihmojë të merrni bekimet ngaqë e keni respektuar veshjen e brendshme dhe i keni mbajtur besëlidhjet tuaja? Po! A duhet të këshilloheni edhe me profesionistë mjekësorë e shëndetësorë të fushës kur është e nevojshme? Sigurisht! A duhet ta shpërfillni gjykimin e shëndoshë apo të shihni përtej shenjës? Unë lutem që jo.
Nuk mund t’i përgjigjem çdo pyetjeje që keni. Nuk mund t’i përgjigjem as edhe çdo pyetjeje që kam vetë. Por unë, si Apostull i Zotit Jezu Krisht, mund t’ju premtoj ndihmën e një Perëndie të dashur, i cili kërkon çdo sukses dhe bekim tuajin, në mënyra që tani nuk mund t’i kuptoni apo parashikoni, ndërsa mbani besëlidhjet që keni bërë me Të.