Liahona
Rasëll M. Nelsoni: Një Profet për Kohën Tonë
Shtator 2024


“Rasëll M. Nelsoni: Një Profet për Kohën Tonë”, Liahona, shtator 2024.

Rasëll M. Nelsoni: Një Profet për Kohën Tonë

Me një profet që na udhërrëfen në këto ditë të mëvonshme, ne jemi vërtet një popull i bekuar.

Presidenti Nelson duke përshëndetur njerëz

Presidenti Rasëll M. Nelson përshëndet njerëz pas një takimi shpirtëror në Singapor më 20 nëntor 2019.

Kur një intervistues e kritikoi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si “një kishë që drejtohet nga burra të moshuar”, – Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) iu përgjigj: “A nuk është e mrekullueshme të kesh një burrë plot pjekuri në krye, një burrë me gjykim të urtë që nuk shkundet nga çdo erë doktrine?”

Presidenti Rasëll M. Nelson, profeti i gjallë më i vjetër në moshë që shërben në këtë periudhë ungjillore, është njëri nga ata burra. Ai do ta plotësojë vitin e tij të 100-të më 9 shtator 2024. Ai është një udhëheqës me dhembshuri dhe dashuri të jashtëzakonshme, me largpamësi dhe gjallëri, me ngrohtësi dhe urtësi.

E dua Presidentin Nelson. Kemi qenë miq prej 60 vjetësh dhe Apostuj së bashku prej 40 vjetësh. Nga muaji janar 2018, kam qenë i bekuar që të shërbej nën drejtimin e tij në Presidencën e Parë të Kishës.

I thirrur për ta udhëhequr Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit dhe për të qenë mësuesi i saj i spikatur, Presidenti Nelson e njeh Shpëtimtarin, sepse ai është profeti i Tij. Gjatë një shekulli të të jetuarit dhe të mësuarit, ai ka shkëlqyer në shërimin e vet të shquar profesional dhe ushtarak. Me familjen e tij të madhe, ai ka qenë një udhëheqës i dashur dhe i efektshëm i familjes. Nëpërmjet thirrjeve në Kishë, përfshirë gjashtë vitet e kaluara si profeti i Zotit, ai ka qenë një udhëheqës shembullor në Kishën e rivendosur të Zotit.

Presidenti Rasëll M. Nelson

Gjatë një shekulli jetese, Presidenti Nelson ka mësuar dhe ushtruar çelësat për lumturinë në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë, atë që ai e ka quajtur “mësimet më vendimtare” të jetës.

Ai na ka mësuar se ne duhet të “fillojmë me përfundimin në mendje”.

Ai e do shtëpinë e Zotit. Gjatë viteve të tij si President i Kishës, ai ka njoftuar 153 tempuj të rinj, përafërsisht gjysma e 335 tempujve të Kishës që janë ndërtuar, janë në proces ndërtimi ose janë njoftuar në këtë periudhë ungjillore.

Ai na ka mësuar se i gjithë ndërtimi i tempujve tanë po i sjell tempullin dhe bekimet e besëlidhjeve të tempullit, më afër te më shumë fëmijë të Perëndisë. Ky është plani i Perëndisë.

Presidenti Nelson ka dhënë mësim: “Kam mësuar që plani i Atit Qiellor për ne është i mahnitshëm, që ajo që bëjmë në këtë jetë, ka vërtet rëndësi dhe që Shlyerja e Shpëtimtarit është ajo që e bën të mundur planin e Atit tonë”. “Një kuptueshmëri për planin e mahnitshëm të Perëndisë”, – tha ai, – “ia heq misterin jetës dhe ia heq pasigurinë së ardhmes sonë. Ajo i lejon secilit prej nesh të zgjedhë se si do të jetojë këtu në tokë dhe ku do të jetojë përgjithmonë.”

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne jemi vërtet një popull i bekuar që udhëhiqemi nga shërbëtori i përulur i Zotit, Presidenti Nelson, që është i përkushtuar për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Vazhdofshim të gjithë të lutemi, të dëshmojmë, ta mbështetim dhe falënderojmë Perëndinë për profetin tonë, Presidentin Rasëll Marion Nelson.