Liahona
Një Mbresë Shpirtërore e Krijimit
Shtator 2024


“Një Mbresë Shpirtërore e Krijimit”, Liahona, shtator 2024.

Portrete Besimi

Një Mbresë Shpirtërore e Krijimit

Shlyerja e Jezu Krishtit mori një kuptim më të thellë për mua teksa skalitja historinë e Abrahamit dhe Isakut.

burrë në një karrocë invalidi duke parë një punim në skulpturë

Fotografitë nga Christina Smith

Piktura dhe skulptura është një mënyrë se si unë shpreh vlerësimin tim për bukurinë e tokës. Për mua, arti fillon me një mbresë shpirtërore të krijimit.

“The Covenant Child” [“Biri i Besëlidhjes”]

Kur një mik doli në pension dhe po përgatitej që të shpërngulej, unë bëra një vepër arti për të, të titulluar The Covenant Child [Fëmija i Besëlidhjes]. Ishte një skulpturë e Abrahamit duke mbajtur në krahë Isakun foshnjë. Qysh atëherë kam bërë një seri skulpturash të tjera që portretizojnë Abrahamin dhe Isakun. Ato janë punimet e mia të parapëlqyera dhe disa nga punët e mia më të rëndësishme artistike.

burrë në karrocë invalidi duke parë punimet në skulpturë

Skulpturat e Stivën Sibëllit që portretizojnë Abrahamin dhe Isakun janë më të parapëlqyerat e tij. Ato i kujtojnë dashurinë e Atit për Birin e Tij të Vetëmlindur. Tutje në të djathtë është skulptura e tij e titulluar The Covenant Child [Fëmija i Besëlidhjes].

Vepra më e fuqishme për mua është ajo e Abrahamit duke udhëzuar birin e tij nga rrotullat e papirusit. Abrahami po i mëshon kofshës së tij dhe po i ngre sytë lart me një shprehje të përvuajtur në fytyrë me një mbresë prej Zotit se ai duhet të flijojë birin e tij të vetëm. Isaku po e përqafon Abrahamin por nuk mund ta kuptojë përse i ati nuk i përgjigjet.

skulpturë e Isakut duke përqafuar të atin, Abrahamin

Në këtë skulpturë nga Vëllai Sibëll, të titulluar Take Thy Son, Thine Only Son [Merr Birin Tënd, Birin Tënd të Vetëm], Abrahami merr një mbresë prej Zotit se ai duhet të flijojë birin e tij, Isakun.

Një vepër tjetër në proces paraqet ata të dy duke ndërtuar një altar. Isaku pyet se ku është flija, dhe Abrahami përgjigjet se Zoti do ta sigurojë atë. Në një vepër të mëparshme, Abrahamit i sigurohet një dash në një kaçubë dhe iu tha se nuk është e nevojshme që të flijohej biri i tij. Abrahami po e përqafon Isakun, duke e shtrënguar fort. (Shihni te Zanafilla 22:1–13.)

skulpturë e Abrahamit dhe Isakut

Abrahami e përqafon Isakun në këtë skulpturë nga Vëllai Sibëll, me titull After the Test [Pas Provës].

Çfarë është kaq e çmuar në këtë histori është se ajo është një model ose simbol i flijimit të Birit të Perëndisë. Ati ynë në Qiell, i cili e do Birin e Tij të Vetëmlindur, zgjodhi gjithashtu që ta flijonte Atë, por nuk e kurseu Atë në çastin e fundit. Thënë me fjalët e Plakut Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Nuk kishte asnjë dash në kaçubë atje në Kalvar për ta kursyer Atë, këtë Mik të Abrahamit dhe Isakut” (“O, Divine Redeemer”, Ensign, nëntor 1981, f. 8).

Përkundrazi, Ati e lejoi Birin e Tij të zgjedhur (shihni te Moisiu 4:2) që të kryente Shlyerjen në emrin tonë, që të gjithë ne të mund të rikthehemi në shtëpi për të jetuar përsëri me Ta, nëse e dëshirojmë këtë, dhe të jetojmë të denjë për atë bekim (shihni te Gjoni 3:16–17).

Përvoja ime më tregon se Perëndia është i përfshirë në jetën tonë. Ne jemi që të “mund të ke[mi] gëzim” (2 Nefi 2:25), por ne fitojmë përvojë nga vuajtjet tona. Po ashtu si gjërat e mira ndodhin me siguri, ka, gjithsesi, “një kundërshtim në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11). Sidoqoftë, Perëndia, na gjendet pranë dhe ne mund të mposhtim çfarëdo gjëje që duhet ta mposhtim, pavarësisht nga ajo që na vjen. Ne do të zbulojmë se mund t’i përballojmë sprovat tona teksa vazhdojmë në përpjekjen për të dhënë dashuri, për të shërbyer dhe për t’u bërë më bujarë, si Shpëtimtari ynë.

Jam mirënjohës për ungjillin, familjen time dhe të gjithë njerëzit e bukur në Kishë. Pavarësisht nga vendi se ku shkuam bashkëshortja ime, Kathlini, dhe unë në misione anembanë botës, ne gjetëm shenjtorë të cilët e duan njëri-tjetrin dhe i shërbejnë njëri-tjetrit, e bekojnë njëri-tjetrin dhe sakrifikojnë për njëri-tjetrin. Ati Qiellor na do dhe ne jemi fëmijët e Tij. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa të qenit besnikë ndaj Tij dhe Birit të Tij, të cilët janë kaq besnikë ndaj nesh.

bashkëshorte e bashkëshort të ulur në një tryezë së bashku

Pavarësisht nga vendi se ku Vëllai Sibëll dhe bashkëshortja e tij, Kathlini, shërbyen në misione anembanë botës, ata gjetën shenjtorë të ditëve të mëvonshme “të cilët e duan njëri-tjetrin dhe i shërbejnë njëri-tjetrit, e bekojnë njëri-tjetrin dhe sakrifikojnë për njëri-tjetrin”.