Liahona
Kurrë Më të Vetmuar: Shtatë Mënyra për të Krijuar Lidhje Shoqërore
Shtator 2024


“Kurrë Më të Vetmuar: Shtatë Mënyra për të Krijuar Lidhje Shoqërore”, Liahona, shtator 2024.

Mplakja me Besnikëri

Kurrë Më të Vetmuar: Shtatë Mënyra për të Krijuar Lidhje Shoqërore

Vetmia është një sfidë që mund të mposhtet me ca përpjekje, energji emocionale dhe ndihmë nga Shpëtimtari.

dy njerëz duke ecur pranë njëri-tjetrit

Të gjithë ne mund ta përjetojmë nganjëherë vetminë. Ndjenjat e herëpashershme të vetmisë në fakt mund të jenë të shëndetshme dhe frytdhënëse, një sinjal biologjik se ne duhet të ndërtojmë marrëdhënie më të forta. Por vetmia e vazhdueshme shpesh është një pengesë madhore për lumturinë.

Plani i Atit Qiellor për lumturinë përfshin grumbullimin tonë në familjet dhe në bashkësitë. Kjo nuk na ndihmon vetëm në përparimin tonë të përjetshëm, por edhe në nevojën tonë njerëzore për të qenë mes njerëzve të tjerë, për t’u ndier sikur kemi përkatësi, për të dhënë e për të marrë mbështetje emocionale. Shkenca po fillon ta pranojë lidhjen shoqërore si një nevojë biologjike që lidhet me shëndetin dhe mbijetesën tonë.

Ajo është edhe një nevojë shpirtërore. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin për mirëqenien dhe rritjen tonë shpirtërore. Një qiell i mbushur me marrëdhënie të përjetshme është një mendim veçanërisht i gëzueshëm (shihni te Doktrina e Besëlidhje 130:2).

Merrni parasysh idetë vijuese për ta luftuar vetminë në jetën tuaj:

  1. Mbështetuni te Shpëtimtari. Ati juaj Qiellor dhe Jezu Krishti e dinë vetminë tuaj dhe duan t’ju ndihmojnë. Dijenia se Shpëtimtari është i njohur me dhembjen e vetmisë, mund t’ju ndihmojë të dini se Ai e kupton atë që po ndieni. Afrimi tek Ati Qiellor dhe Shpëtimtari nëpërmjet lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe adhurimit në ditën e shabatit dhe në tempull, do t’ju ndihmojnë të dini se nuk jeni kurrë vetëm. Siç dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson: “Kur përqendrimi i jetës sonë është te … Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë”.

  2. Jini miqësorë. Vetmia nganjëherë mund të na shkaktojë të dyshojmë se bërja e një përpjekjeje do të ndihmojë për ta pakësuar dhembjen tonë. Bëni një analizë të vetes për të parë nëse jeni pesimist. Ndërsa kërkoni për miqësi, mbani mend se shpesh kërkohet që të jeni miqësor. Thjesht të përshëndetësh një fqinj mund të sjellë ndryshim. Dhe kërkimi i mundësive për të bekuar jetën e të tjerëve që ashtu si ju po hasin vështirësi me vetminë, mund të jetë ndërhyrja më e fuqishme nga të gjitha.

  3. Ndërtoni interesa të përbashkëta. Kërkoni njerëz dhe grupe, interesat, këndvështrimet dhe standardet e të cilëve janë të ngjashme me ato tuajat. Ju mund të kërkoni (ose madje të merrni parasysh të filloni!) një klub librash, klub shërbimi, klub ecjesh në natyrë, grup për të kënduar, grup për mbrëmje familjare ose grup për njerëzit fëmijët e të cilëve janë larg familjes.

  4. Forconi marrëdhëniet ekzistuese. Shumica e njerëzve kanë tashmë marrëdhënie me familjarë, miq, fqinjë dhe anëtarë të lagjes. Kultivimi i këtyre marrëdhënieve ekzistuese është një mënyrë shumë e mirë që t’ia nisim kur luftojmë kundër vetmisë. Miqësitë kërkojnë kohë për t’u ndërtuar natyrshëm, ndaj jini të duruar teksa kultivoni marrëdhëniet. Kujtoni se cilësia e marrëdhënieve tuaja është më e rëndësishme sesa numri i marrëdhënieve që keni.

  5. Kërkoni mundësi që të shërbeni dhe të ofroni talentet dhe dhuntitë tuaja shpirtërore. Ka një mori mundësish të pakufishme për të dhënë shërbesë dhe për të shërbyer në Kishë, në familjet tona dhe në komunitetin tonë. Kur ndiejmë që përpjekjet tona po sjellin një ndikim pozitiv tek të tjerët, kjo mund të sjellë një ndjesi kuptimi dhe qëllimi në jetën tuaj. Ndjesia që jeta jonë ka kuptim për të tjerët, është një parandalues i fortë ndaj vetmisë.

  6. Planifikoni për kohë sfiduese. Ditët e festave dhe datat e shënuara, të tilla si përvjetori i vdekjes së një njeriu të dashur, mund të jenë të vështira. Përpiquni të planifikoni veprimtari me miq ose familjarë në ato ditë që të mos e mbani mendjen te lidhjet që do të donit të kishit.

  7. Merrni pjesë në tempull dhe në punën për historinë familjare. Kjo është një mënyrë e fuqishme për të ndier ngushëllimin dhe ndjenjën e përkatësisë. Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, premtoi bekime të panumërta që mund të marrim, përfshirë “dashuri dhe vlerësim më të madh për paraardhësit dhe të afërmit e gjallë, [që të mos] ndihemi më të vetëm”.

Për shumicën e njerëzve, vetmia është një sfidë që mund të mposhtet me ca përpjekje, me energji emocionale dhe ndihmë nga Shpëtimtari.