Liahona
Gjetja e Lehtësimit te Marrëdhënia Jonë Besëlidhëse me Perëndinë
Shtator 2024


“Gjetja e Lehtësimit te Marrëdhënia Jonë Besëlidhëse me Perëndinë”, Liahona, shtator 2024.

Gjetja e Lehtësimit te Marrëdhënia Jonë Besëlidhëse me Perëndinë

Jezu Krishti është burimi i dashurisë së kulluar, shërimit, lumturisë dhe lehtësimit.

Jezusi në kohën e Ardhjes së Dytë

Detaj nga He Comes Again to Rule and Reign [Ai Vjen Përsëri për të Sunduar dhe Mbretëruar], nga Mary R. Sauer

Gjetja e lehtësimit nëpërmjet marrëdhënies sonë besëlidhëse me Perëndinë ka qenë e ngulitur në mendjen dhe zemrën time për ca kohë. Siç na ka dhënë mësim dhe na ka këshilluar profeti i Zotit që të mësojmë rreth besëlidhjeve, tempujve dhe fuqisë së priftërisë, e kam gjetur veten duke hulumtuar, duke dhënë dashuri dhe duke u ushqyer me bollëk me të vërtetat përtëritëse të përmbledhura te besëlidhjet.

Synimi ynë është të bëhemi bashkëpjesëmarrës me Zotin në një mënyrë të fuqishme nëpërmjet besëlidhjeve tona. Ai dëshiron që të jetë me ne në shqetësimet dhe vendimet tona. Nuk kemi pse të manovrojmë të vetëm sfidave, trishtimeve, pasigurive dhe pikëllimeve të jetës. Atë do ta kemi përkrah. Ai tha: “Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju” (Gjoni 14:18).

Presidenti Rasëll M. Nelson përshkroi karakterin e Perëndisë dhe dashurinë e Tij të madhe për ne kur dha mësim se “shtegu i besëlidhjeve është tërësisht rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë”. Ai tha: “Kur ju dhe unë kemi bërë besëlidhje me Perëndinë, marrëdhënia jonë me Të bëhet shumë më e ngushtë sesa përpara besëlidhjes sonë. Tani ne jemi të lidhur së bashku. Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne. Secili prej nesh ka një vend të veçantë në zemrën e Perëndisë. Ai ka shpresa të mëdha për ne.”

Burimi Im më i Madh i Paqes

Si një motër e pamartuar ende, kjo marrëdhënie besëlidhëse e dashur dhe e mëshirshme me Atin tim në Qiell dhe Shpëtimtarin tim ka një vend të fuqishëm në jetën time dhe ka qenë dhe është burimi im më i madh i lehtësimit dhe i paqes. Pavarësisht nga gjendja jonë civile apo historiku i jetës, Zoti dëshiron që ne të jemi bashkëpjesëmarrës me Të në një mënyrë të fuqishme – që të jemi “një” (3 Nefi 19:23) me Të në të “gjitha veprimet [tona]” (Alma 37:37). Kur i bëjmë thirrje Zotit që të na përkrahë dhe kur e “le[më] [të] jetë dashuria e zemrës s[onë] e vendosur përgjithnjë te[k] [Ai]” (Alma 37:36; theksimi i shtuar), jeta jonë mund të mbushet nga kjo lidhje e bukur besëlidhëse.

Nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, ne mund të marrim lehtësim ndërkohë që manovrojmë të vetëm nëpër sfidat e jetës.

Të gjithë ne mund të ndihemi të vetëm në shqetësimet dhe nevojat që kemi. Ai kujdeset për shqetësimet tona sado i madh apo i vogël të jetë ai shqetësim. E kam ndier nevojën për ndihmën e Tij kur shqetësohem për gjëra në dukje të vogla, si për shembull, nevojën e pandashme që unë e quaj “riparimet e shtëpisë”. Pa një bashkëshort për t’u këshilluar, unë shqetësohem e vetme për kontraktuesin e duhur, çmimet e favorshme, kohën e marrë nga puna për të qenë në shtëpi dhe të qenit një kujdestare e mirë e financave të mia dhe e shtëpisë sime. Qe një triumf për mua fakti që dje rregullova derën e garazhit tim! Zoti e dëgjoi shqetësimin tim. Ndonëse gjë e vogël në skemën e madhe të gjërave, Ai iu përgjigj lutjes sime. Në ç’mënyrë? Nëpërmjet një fqinji dashamirës, ndihmës së Shpirtit dhe një materiali filmik nga YouTube, u bekova me njohurinë se çfarë të bëja për ta rregulluar derën.

Nëse Zoti është i vëmendshëm ndaj gjërave të vogla, përfytyrojeni dëshirën e Tij për të na bekuar dhe përkrahur në gjëra më serioze të zemrës dhe shpirtit, të cilat nuk janë të pakta në numër: keqtrajtimi, varësia, marrëdhëniet e vështira familjare, humbja e jetës dhe zhgënjimi, sfidat e vazhdueshme të shëndetit mendor dhe fizik, problemet financiare, shqetësimi i vazhdueshëm si prind, shqetësimi i vazhdueshëm lidhur me përkujdesjen për një prind, vështirësitë me besimin vetjak, një fëmijë ose një bashkëshort/e që zgjedh të mos jetë pjesë e ungjillit.

Gjatë intensitetit dhe problemeve të jetës, jam mbështetur fort dhe jam kapur fort pas marrëdhënies sime besëlidhëse me Perëndinë. Teksa kam mirëbesuar te dashuria e Tij përkujdesëse dhe kam bërë më të mirën për t’ia përkushtuar jetën time Atij, Ai më ka dhënë lehtësim nëpërmjet fuqisë së Tij të priftërisë dhe ka qenë Siguruesi im në nevojat e mia shpirtërore dhe materiale. Ai më ka dhënë lehtësim nga frika, lehtësim nga pasiguritë, lehtësim nga krenaria, lehtësim nga mëkati, lehtësim nga vetmia, lehtësim nga trishtimi.

Presidenti Nelson dha mësim me qartësi dhe siguri se “shpërblimi për mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë është fuqi qiellore, fuqi që na forcon t’u bëjmë ballë më mirë sprovave, tundimeve dhe pikëllimeve tona”.

Nëpërmjet Jezu Krishtit, ne mund të marrim lehtësim ndërkohë që manovrojmë të vetëm nëpër sfidat e jetës.

Motra Ji me dy motra të tjera

Motra Ji me dy motra në Mikronezi, të cilat po rritin fëmijë të braktisur nga prindërit.

Motrat “në Ishujt e Detit”

Ndërsa kam qenë duke përsiatur bekimet e lidhjes besëlidhëse që kemi me Perëndinë, mendova rreth detyrës sime për të vizituar Zonën e Azisë Veriore.

Pata privilegjin të udhëtoja në ishujt e vegjël të Çukut në Mikronezi, rreth 2 400 km në juglindje të Japonisë. Dy nga motrat në Ueno të Çukut ia kanë kushtuar jetën e tyre rritjes së fëmijëve që janë braktisur nga prindërit e tyre. Këto dy motra ndien se ishte e rëndësishme që t’i rritnin këta fëmijë në ungjill. Njëra nga këto motra është beqare dhe punon me kohë të plotë si këshilluese në një shkollë.

U tregova për mesazhin e Presidentit Nelson drejtuar motrave të Kishës, që është se juve, motrave, ju duam, se ju jeni të nevojshme dhe të çmuara.

Motra e bukur beqare që po rrit mbesat dhe nipërit e saj shpërtheu në lot dhe tha se nuk ishte ndier e çmuar kohët e fundit; ajo ndihej e harruar. Por ajo dëshmoi se e kishte ndier dashurinë dhe vëmendjen e Perëndisë ndaj saj te fjalët e profetëve, që ajo ishte vërtet “e çmuar” dhe ajo e dinte se kjo ishte e vërtetë. Ajo ndjeu dashurinë shëruese të Perëndisë; ajo ndjeu lehtësim.

Zoti ka thënë: “A nuk e dini se unë Zoti, Perëndia juaj, kam krijuar të gjithë njerëzit dhe se unë i mbaj mend ata që janë në ishujt e detit?” (2 Nefi 29:7).

Këto motra janë të njohura për Atin e tyre Qiellor dhe Shpëtimtarin. Ato nuk janë vetëm. As ju dhe unë nuk jemi vetëm në sprovat dhe sfidat tona. Zoti më dërgoi gati 13 700 km me avion, tren, makinë dhe varkë për të sjellë dashurinë dhe lehtësimin e Perëndisë te “kjo motër” në ishujt e detit. Kështu pra, Ai do t’ju gjejë ju dhe mua në ishujt tanë vetjakë ku mund të ndihemi të vetëm në shqetësimet dhe barrët që mbartim në zemër. Ai është aty dhe gati për të na bekuar, udhërrëfyer dhe ngushëlluar.

“Unë Mund të Vij tek Ti”

Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) përshkroi një herë përvojën e një zonje të re, “në atë kohë nëna e shtatë fëmijëve, me moshë nga 7 në 16 vjeç. Ajo tha se një mbrëmje kaloi rrugën për t’i dhënë diçka një fqinji.” Këto janë fjalët e saj sipas asaj që ai kujton:

“Ndërsa po kthehesha për të shkuar në shtëpi, unë mund të shihja që dritat e shtëpisë sime ishin ndezur. Unë mund të kujtoja çfarë po më thoshin fëmijët ndërsa po dilja nga dera disa minuta më parë. Ata po thoshin: ‘Mami, çfarë do të hamë për darkë?’ ‘A mund të më çosh në bibliotekë?’ ‘Duhet të blej letër projekti sonte.’ E lodhur dhe e këputur, unë hodha sytë drejt asaj shtëpie dhe pashë dritë në secilën nga dhomat. Mendova për të gjithë ata fëmijë që po më prisnin të shkoja në shtëpi dhe t’u plotësoja nevojat. Barrët e mia m’u dukën më të rënda se sa mund të mbaja.

Më kujtohet se pashë drejt qiellit duke qarë dhe thashë: ‘Atë i dashur, unë thjesht nuk mund t’ia dal dot sonte. Jam shumë e lodhur. Nuk mund ta përballoj. Nuk mund të shkoj në shtëpi dhe të kujdesem e vetme për të gjithë ata fëmijë. A mund të vij tek Ti dhe të qëndroj me Ty vetëm për një natë? …’

Unë nuk i dëgjova në të vërtetë fjalët e përgjigjes, por i dëgjova në mendjen time. Përgjigjja ishte: ‘Jo, e vogla ime, ti nuk mund të vish tek unë tani. … Por unë mund të vij tek ti.’”

“Unë mund të vij tek ti.” Ai shkoi tek ajo dhe Ai do të vijë tek ju dhe unë, ashtu siç erdhi Shpëtimtari tek ajo grua te pusi, ku ajo punonte dhe mundohej gjatë ditëve të saj (shihni te Gjoni 4:3–42). Ai i dha zemër asaj, i dha mësim, i shpalli se Ai ishte Mesia dhe i dha dashuri, atëherë kur ajo mbase nuk donte as veten e saj. Për gruan te pusi, nënën e shtatë fëmijëve, ju dhe mua, Jezu Krishti qëndron gati për të na dhënë lehtësim. Unë dëshmoj se ne mund të marrim lehtësim nëpërmjet lidhjes sonë besëlidhëse me një Perëndi të dashur.

Ndoshta si unë, ju jeni lutur për ndihmë që të mos liheni të vetëm gjatë disa prej periudhave më të mundimshme emocionale, fizike dhe shpirtërore të jetës suaj. Këto periudha intensive të rritjes kanë lënë mbi shpirtin, siç e quaj unë, “shenja të zgjatjes shpirtërore”. Unë jap dëshmi se Ai më ka mbartur mua dhe Ai do t’ju mbartë edhe ju. Ai ju ka gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të Tij (shihni tek Isaia 49:16; 1 Nefi 21:16). Ai ka qenë aty teksa jeni përpjekur që “të [jeni të] drejtë në errësirë”. Ai nuk më ka braktisur mua dhe nuk do t’ju braktisë as ju. Dhe unë do ta dua Atë përgjithmonë për këtë gjë.

Të dashur motra dhe vëllezër, burimi i dashurisë së kulluar, shërimit, lumturisë dhe lehtësimit gjendet te Jezu Krishti. Unë dëshmoj se Jezu Krishti është lehtësim.

Ai dëshiron të kujdeset për ju, t’ju bekojë dhe t’ju falë. Ai erdhi pikërisht për këtë qëllim, për t’ju dhënë lehtësimin e shumënevojshëm që kërkoni. Ai është Shëlbuesi i botës dhe dëshmoj se Ai jeton dhe se Ai ju do.

Nga një fjalim në Konferencën e Grave dhënë më 3 maj 2023 në Universitetin “Brigam Jang”.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 11.

  2. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, f. 6.

  3. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 96.

  4. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Pjesëmarrja e Motrave në Mbledhjen e Izraelit”, Liahona, nëntor 2018, f. 68–70.

  5. Gordon B. Hinkli, “Në Krahët e Dashurisë së Tij”, Liahona, nëntor 2006, f. 117 [në anglisht], [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 158].

  6. Brigam Jang, në Xhejms E. Faust, “Dritë në Sytë e Tyre”, Liahona, nëntor 2005, f. 22 [në anglisht], [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 28].

  7. Shihni te Study Helps [Ndihma për Studimin], Index to the Triple Combination [Indeksi te Kombinimi Tresh], “Forsake, Forsaken” [“Braktis, Braktisur”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  8. Shihni te Kamill N. Xhonson,“Jezu Krishti Është Lehtësim”, Liahona, maj 2023, f. 81–84.