Liahona
Dy Urdhërimet e Para
Shtator 2024


Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Dy Urdhërimet e Para

Atij që Merr, Unë do t’i Jap më Shumë

Ndërkohë që shërbeja si misionar kohëplotë në Francë shumë vite më parë, shokun tim misionar dhe mua na ftuan në shtëpinë e një zonje të krishterë, të mirë dhe besnike. Gjatë një bashkëbisedimi të këndshëm, ajo shprehu shqetësimet e veta rreth pakësimit të besimit në shoqëri. Sipas mendimit të saj, një pjesë e terminologjisë fetare, fjalë të tilla si “pendim” ose “bindje”, po luanin rol në një pakësim të tillë. “Njerëzit frikësohen nga këto fjalë”, – këmbënguli ajo, – “dhe largohen nga feja.”

Që nga ajo kohë, kam reflektuar shpesh rreth fjalëve që përdorim në bashkëbisedimet tona për ungjillin. Ndërkohë që është e vërtetë se shoqëria në përgjithësi mund t’i shohë negativisht disa terma që lidhen me ungjillin, është po ashtu e vërtetë se fjalët mund të kenë domethënie dhe fuqi të thellë. Studimi i shkrimeve të shenjta zbulon se Zoti është i qëllimshëm rreth fjalëve që Ai zgjedh. Kur shpenzojmë kohë për ta kuptuar domethënien e tyre, ne fillojmë t’i kuptojmë më thellësisht mesazhin dhe qëllimet e Tij.

Bindja Është rreth Mirëbesimit dhe Dashurisë

Një fjalë e tillë, e cila ka domethënie dhe fuqi të thellë, është fjala “bindje”. Ligji i bindjes iu dha Adamit dhe Evës pas rënies së tyre. Ligji ishte hapi i parë drejt të drejtës së përdorimit të fuqisë shëlbuese të Shpëtimtarit. Në të kundërt të asaj që mendon bota, bindja nuk është rreth detyrimit; përkundrazi, është rreth të mësuarit se si të mirëbesojmë te Perëndia dhe këshilla e Tij: “Të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia dhe që i vënë veshin këshillës sime, pasi ata do të mësojnë urtësi; pasi atij që merr, unë do t’i jap më shumë”. Teksa mësojmë t’i mirëbesojmë Zotit, ne fillojmë të zhvillojmë një marrëdhënie vetjake me Të dhe të përjetojmë efektet e mrekullueshme të bekimeve të Tij. Mirëbesimi tek Ai sjell dashuri dhe dashuria vazhdon të kultivojë mirëbesim. Kur i bindemi zërit të Tij, dashuria jonë bëhet më e thellë dhe marrëdhënia jonë me Të bëhet e fortë dhe plot gëzim.

Një Ndryshim i Zemrës

E gjej interesante që përpara se t’i udhëzonte farisejtë rreth dy urdhërimeve të para, të mëdha për të dashur Perëndinë dhe të afërmin tonë, Shpëtimtari dha mësim shëmbëlltyrën e dasmës së birit të mbretit, të cilën e përfundoi duke thënë: “Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur”. Në zbulesën moderne, Zoti shton shpjegim të mëtejshëm për këtë thënie, pasi Ai dha mësim: “Përse nuk zgjidhen ata? Sepse zemrat e tyre vihen kaq shumë mbi gjërat e kësaj bote dhe aspirojnë nderet e njerëzve”. Kur i bindemi Zotit dhe mësojmë t’i mirëbesojmë Atij dhe ta duam Atë, zemra jonë dalëngadalë ndryshon dhe dëshirat tona e zhvendosin përqendrimin drejt marrëdhënies sonë të besëlidhjeve me Të. Në procesin e të mësuarit të bindjes, ne gjithashtu mësojmë si t’i ruajmë si thesar dhe si të kujdesemi për gjërat e mira që vërtet kanë rëndësi.

Bërja më Pak të Përqendruar te Vetja

Teksa përqendrimi ynë ndryshon, ne dalëngadalë e pakësojmë prirjen tonë të natyrshme për të qenë të përqendruar te vetja. Ligji i bindjes nuk kishte kurrë si qëllim që të krijonte marioneta, por përkundrazi që të zhvillonte dishepuj të cilët mirëbesojnë nëpërmjet zgjedhjes dhe zgjedhin t’i duan Zotin dhe njerëzit e tjerë. Ati ynë Qiellor është i përsosur sepse zemra e Tij ka ndryshuar. Perëndia është Perëndi sepse Ai vazhdimisht zgjedh të mirën; zemra e Tij nuk strehon më asnjë dëshirë të ligë, duke zgjedhur vazhdimisht që të ketë dashuri dhe të bëjë atë që është më e mira për ne. Sipas fjalëve të Plakut Xhefri R. Holland: “Urdhërimi i parë i madh i gjithë përjetësisë është që ta duam Perëndinë me të gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë – ai është urdhërimi i parë i madh. Por e vërteta e parë e madh[ërishme] e gjithë përjetësisë është që Perëndia na do me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij. Ajo dashuri është guri themeltar i përjetësisë dhe duhet të jetë guri themeltar i jetës sonë të përditshme.”

Gjetshim forcën për t’i mirëbesuar Zotit dhe për ta dashur Atë nëpërmjet bindjes ndaj zërit të Tij. Atëherë zemrat tona do të ndryshojnë dhe do të përjetojnë gëzimin e thellë që vjen nga të pasurit e një marrëdhënieje vetjake me Të.

Shënime

  1. 2 Nefi 28:30.

  2. Mateu 22:36–40; Lluka 10:25–37.

  3. Mateu 22:14.

  4. DeB 121:34–35.

  5. 2 Nefi 26:24.

  6. “Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Plaku Xhefri R. Holland, konferenca e përgjithshme e prillit 2016; Liahona, maj 2016, f. 126.