Liahona
E Mira që më Solli Ungjilli
Shtator 2024


“E Mira që më Solli Ungjilli”, Liahona, shtator 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

E Mira që më Solli Ungjilli

Për shkak të njerëzve në kishë, unë ndjeva Frymën e Shenjtë.

fotografi e autores dhe bashkëshortes së tij

Ndërsa po rritesha, heroi im ishte gjyshi im nga ana e nënës, acheii im. Ai ishte i fortë në besimin e tij. Shkova në shumë kisha të ndryshme me të, por feja nuk bënte për mua.

Kur takova Xhinën, e cila u bë bashkëshortja ime, ajo ishte anëtare besnike e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo donte që unë të mësoja rreth Kishës që të mund të martoheshim në tempull. Por unë nuk e doja këtë gjë. Nuk isha fetar.

Si përfundim, u martuam në gjendjen civile. Pasi lindi fëmija i parë, ende nuk kisha interes për Kishën, por Xhina vazhdonte ta frekuentonte.

Së fundi vendosa t’ia vërtetoja se kisha e saj ishte e gabuar, duke shkuar në kisha të tjera. Kjo vijoi për disa vjet, por pavarësisht se ku shkoja, nuk ndihesha rehat.

Më pas, një të diel teksa Xhina po bënte gati vajzën tonë për të shkuar në kishë, fillova të vishesha edhe unë për në kishë. Ajo më vështroi dhe më pyeti: “Çfarë po bën?” Iu përgjigja: “Do të vij në kishë me ty”. Ajo vështroi vajzën tonë dhe tha: “Bëhu gati shpejt! Nuk duam që ai të ndërrojë mendje!”

Kështu që u nisëm. Ngaqë e ndjeva Frymën e Shenjtë nëpërmjet njerëzve në kishë, ata qenë thelbësorë në kthimin tim në besim. Më vonë misionarët erdhën në shtëpinë tonë. Ata ishin të shkëlqyer, mësimet që dhanë ishin të bukura për mua dhe Shpirti ma mbushi zemrën (shihni te Moroni 10:4–5).

Kur e vizitova gjyshin tim për t’i thënë se çfarë kisha zbuluar, ai nuk qe i lumtur. Por e dija se duhej të ndiqja zemrën time.

U bashkova me Kishën dhe shpejt u vulosa me Xhinën në tempull. Vajza jonë u vulos me ne dhe tani ne kemi edhe tre fëmijë të tjerë që kanë lindur në besëlidhje.

Acheii‑t tim iu deshën 10 vjet që ta respektonte më në fund atë që ne besojmë në Kishë. Në ceremoninë e diplomimit të djalit tim nga shkolla e mesme, ai u tha të gjithëve në gjuhën navaho: “Më pëlqen kjo familje. E përkrah çfarë besojnë ata. Fëmijët e tyre dinë vërtet se si të luten.”

Unë jam anëtari i vetëm i Kishës në rrethin tim të gjerë familjar, por e di se ata e pranojnë që kthimi im në besim ishte i sinqertë dhe ata e shohin të mirën që ungjilli e ka sjellë për bashkëshorten time, fëmijët tanë dhe mua.