Liahona
Libri i Mormonit më Solli Paqe
Shtator 2024


“Libri i Mormonit më Solli Paqe”, Liahona, shtator 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Libri i Mormonit më Solli Paqe

Arrita të kuptoja se Libri i Mormonit ishte i dëshirueshëm që të ma ndryshonte jetën dhe të më sillte më pranë Jezu Krishtit.

ilustrim i Librit të Mormonit në spanjisht me një kapak blu

Ilustrimi nga Allen Garns

Nga fundi i vitit 2013, dy të rinj të veshur me këmisha të bardha dhe kollare filluan të vizitonin motrën time dy herë në javë. E kuptova përnjëherë që ata ishin nga kisha. Unë nuk e kisha në plan të isha pjesë e një kishe, ndaj vendosa që të mos u flisja atyre.

Në secilën prej vizitave të tyre sigurohesha që të mos isha në shtëpi kur ata të vinin. Megjithatë, diçka më tërhoqi vëmendjen në veçanti. Ata gjithmonë mbanin në dorë një libër blu. Nuk e kisha parë asnjëherë më parë dhe më dukej i çuditshëm.

Një ditë në dhomën e ndenjes, motra ime filloi të më fliste rreth librit. Papritur, erdhën dy djemtë e rinj. Për fat të keq, nuk u fsheha dot prej tyre. Ata na panë me librin blu në duar, Librin e Mormonit, dhe filluan të pyesnin se çfarë dija rreth Jezu Krishtit.

Ndërsa i dëgjoja misionarët nga ajo ditë e tutje, më linte mbresa mënyra se si ata i lidhnin mësimet e tyre me Librin e Mormonit. Si rrjedhojë, libri blu sa vinte e bëhej më pak i çuditshëm për mua.

Kisha ende dyshime të forta rreth tij, por fillova ta lexoja. Arrita të kuptoja se Libri i Mormonit nuk ishte një zëvendësues për Biblën, por ishte i dëshirueshëm që të ma ndryshonte jetën dhe të më sillte më pranë Jezu Krishtit. Mësova se Libri i Mormonit përqendrohet te Shpëtimtari. Mësimet e tij më ndihmuan të dija se cili është Ai dhe se cili është Ati Qiellor.

Shpejt Libri i Mormonit më ndihmoi që të bëhesha një njeri më i mirë, një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit. Më ndihmoi gjithashtu që ta përmirësoja qëndrimin tim teksa përballesha me sfidat e përditshme. Nga ajo që kam studiuar, e di se ai i ndihmon njerëzit të vijnë te Krishti dhe ta jetojnë ungjillin (shihni te Moroni 10:32). Ai na nxit që t’i ndjekim mësimet e Krishtit dhe t’i zbatojmë ato në jetën tonë të përditshme. Ai na jep njohurinë se ne jemi bij dhe bija të Perëndisë. Ai sjell paqe.

Pas disa javë takimesh me misionarët dhe leximi të Librit të Mormonit, u pagëzova. Jap dëshminë time me gjithë zemër se Libri i Mormonit është i vërtetë dhe se leximi sjell shpresë dhe dritë në çastet më të errëta, duke na ndihmuar që ta ndiejmë dashurinë dhe mbrojtjen e Zotit. Jam mirënjohës që e kam Librin e Mormonit në jetën time.