Liahona
Perëndia Kishte Diçka më të Mirë për Ne
Shtator 2024


“Perëndia Kishte Diçka më të Mirë për Ne”, Liahona, shtator 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Perëndia Kishte Diçka më të Mirë për Ne

Kur misionarët më mësuan që unë isha fëmijë i Perëndisë, e dija se Ai kishte më shumë bekime që më prisnin mua dhe familjen time.

fotografia e autorit duke drejtuar një kor

Fotografia nga autori

Unë u rrita në një fshat të vogël rural në Filipine. Familja ime qe e varfër. Në Filipine, nëse nuk ke para, nuk shkon dot në shkollë. Pavarësisht nga ajo pengesë, isha një djalë me ambicie.

U thashë prindërve të mi se doja të bëhesha mjek apo mësues ose të kisha njëfarë profesioni, por ata gjithnjë më thoshin që ta lija ëndërrimin. Nuk kishim para që unë të shkoja në universitet. Prindërit e mi donin që të isha i kënaqur dhe të mos zhgënjehesha nga jeta ime.

“Nuk bën për ne pasja e një profesioni”, – thanë ata. Ata nuk e besonin se familjen tonë e priste ndonjë gjë më e mirë nga ajo që kishim tashmë.

Por kjo qe përpara se të bashkoheshim me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Jetonim shumë larg prej qyteteve, por misionarët na gjetën dhe vazhduan të vinin te ne. Ata bënë shumë sakrifica për t’i dhënë mësime familjes sime, por na e ndryshuan jetën përgjithmonë.

Kur iu bashkuam Kishës, mësova se isha një fëmijë i Perëndisë me potencialin për t’u rritur, për të mësuar dhe për t’u bërë (shihni te Moisiu 1:39; “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Në saje të njohurisë së ungjillit, e dija se qe koha ta ngrija pozitën e familjes sime. Tani nuk ishim më thjesht njerëz të varfër nga një fshat i vogël – ne ishim bij dhe bija të denja të Perëndisë që i meritonin bekimet që Ai ua ka premtuar pasuesve të Tij besnikë.

Misionarët e sollën ungjillin në jetën time, ungjilli solli muzikën në jetën time dhe muzika më mundësoi një bursë për të shkuar në universitet. Mora një diplomë universitare si mësues për arsimin e ulët dhe më pas një diplomë për muzikë, me specializim si dirigjent koresh. Tani jap mësime muzike në Liceun e Universitetit Kagajan dhe dirigjoj “Klubin Gli” në Liceun “U”. Drejtoj gjithashtu një kor anëtarësh të Kishës. Misioni ynë është ta shpërndajmë të vërtetën e Perëndisë nëpërmjet muzikës.

Diplomimi në universitet më dha një jetë të re. Nuk e di se ku do të isha sot pa ungjillin e Jezu Krishtit.

Të gjithë e meritojnë mundësinë për të mësuar, si unë, që ata kanë një Atë Qiellor dhe se Ai i ka bekuar me potencialin për t’u rritur, për të mësuar dhe për t’u bërë.