Liahona
Shpirti Plotësoi Boshllëkun
Shtator 2024


“Shpirti Plotësoi Boshllëkun”, Liahona, shtator 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Shpirti Plotësoi Boshllëkun

Mund ta ndieja dashurinë e anëtarëve të lagjes teksa kënduan pa shoqërimin tim në organo.

ilustrim i një gruaje duke luajtur në organo dhe duke u ngushëlluar nga dy njerëz

Ilustrimi nga Katy Dockrill

Ne po jetonim në një qytet të vogël në Xhorxhia të SHBA‑së, kur babai im vdiq në moshën vetëm 55 vjeç. Shumica e familjarëve tanë jetonin në një shtet tjetër. Kurrë nuk na ishin dukur aq larg ato 3 200 km midis nesh sesa në atë kohë.

Bashkëshorti im ishte peshkopi dhe unë organistja e lagjes sonë të vogël. Me gjithë emocionet dhe stresin e ndihmës për planifikimet e shërbesës mortore, ndihesha tejet e rraskapitur atë të diel, kur erdhi koha e himnit të mbylljes në sakrament: “Per’ndia me Ju Qoft’ kur Prap’ t’Tako’emi” (Himne, nr. 86).

Nga gjysma e vargut të dytë më pushtoi pikëllimi për vdekjen e tij. E çova disi deri në fund atë varg, por po më dridheshin duart dhe sytë m’u mbushën plot me lot saqë m’u desh të ndalesha kur kishte ngelur edhe një varg i tërë. Nuk mund ta ndaloja të qarit.

Pasoi një ndërprerje e shkurtër ndërkohë që bashkësia kuptoi se organoja kishte ndaluar. Por më pas anëtarët e lagjes filluan të këndonin pa muzikë. Të kënduarit nuk ishte i përkryer. Ishim pak veta, në fund të fundit. Por Shpirti plotësoi boshllëkun. Përmes lotëve dhe sikletit tim, unë mund ta ndieja dashurinë e shumë vetave teksa këndonin.

“Per’ndia me ju qoft’ kur prap’ t’tako’emi;

Dashuria e Tij k’tu qoft’;

Kërc’nimin e vdekjes largoft’.

Per’ndia me ju qoft’ kur prap’ t’tako’emi.”

Kur himni mbaroi, drejtuesja e muzikës më përqafoi teksa derdhja lot gjatë lutjes së mbylljes. Më pas, disa njerëz erdhën pranë organos me lot në sytë e tyre për të më thënë se u vinte shumë keq për babanë tim.

Më vonë i thashë drejtueses së muzikës se do të luaja në piano në shërbesën mortore. Mbase u duk si ide e keqe pas asaj që sapo kishte ndodhur, por babait tim i pëlqente shumë kur më dëgjonte duke luajtur në piano. Doja të luaja për të në piano. Më pas e kuptova se sa afër e kisha ndier atë gjatë himnit të mbylljes.

Jam shumë mirënjohëse për himnet. Unë dëshmoj se muzika mund të na mësojë dhe ngushëllojë në mënyra që fjalët shpesh nuk mund ta bëjnë dot. Siç shkroi edhe Presidenca e Parë në pjesën e hyrjes së librit të himneve: “Himnet … qetësojnë të lodhurin, ngushëllojnë vajtuesin dhe na frymëzojnë për të duruar deri në fund”. Jam gjithashtu mirënjohëse për dashurinë e një lagjeje të mirë kur isha aq larg familjes sime. E di njëmend se babai im dhe unë do të takohemi përsëri.