“Si më Ndihmoi të Qenit e Ligështuar që të Rindërtoja Themelin Tim të Besimit” Liahona, shtator 2024.
Të Rinjtë në Moshë Madhore
Si më Ndihmoi të Qenit e Ligështuar që të Rindërtoja Themelin Tim të Besimit
Pas disa sfidave të rënda mendore, fizike dhe shpirtërore, zbulova se ç’do të thotë të gjesh shërim nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.
Po shërbeja si misionare në Francë kur në botë ra epidemia dhe COVID-19 e çoi të gjithë vendin në një izolim të rreptë. Kam vuajtur nga depresioni gjithë jetën time, prandaj shqetësohesha se mos rrethanat kufizuese do të bënin që unë të bija në ndonjë krizë depresioni. Por java e parë e karantinës, java që i parapriu konferencës së përgjithshme historike të prillit 2020, ishte një nga javët më shpirtërore të jetës sime.
Kur kthej vështrimin pas, përvojat që pata atë javë dukeshin sikur Zoti po më fortifikonte për një stuhi.
Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një bisedë në atë konferencë rreth riparimeve që do t’u bëheshin themeleve të Tempullit të Solt-Lejkut. Ai e krahasoi me rimodelimin e jetës sonë dhe na kërkoi të shqyrtonim këtë pyetje:
“Cilët janë elementet themelore të karakterit tim shpirtëror dhe emocional, që do të më lejonin mua dhe familjen time që të mbetemi të palëkundur dhe të qëndrueshëm, madje që t’u bëjmë ballë ngjarjeve tronditëse dhe të trazuara sizmike, të cilat sigurisht do të ndodhin në jetën tonë?”
Ndërsa po dëgjoja bisedën e tij, Shpirti më nguliti mbresën që, ashtu si tempulli, unë do të ligështohesha në mënyra të caktuara gjatë periudhës vijuese të jetës sime. Por ndjeva gjithashtu se nëse i drejtohesha Zotit gjatë këtyre sfidave, Ai do të më ndihmonte të forcoja themelin tim të besimit.
Të Ndierit e Ligështuar
Siç pritej, shpejt rashë në depresion dhe nuk zgjati shumë para se të ndihesha e mbërthyer në një cikël të pafundmë idesh për të vrarë veten. Ndihesha e dërrmuar mendërisht, emocionalisht e shpirtërisht.
Pas dy muajsh karantine, gjërat u bënë pak më mirë. Falë ndryshimeve në rrethanat e mia, si ilaçet kundër depresionit dhe përfundimi i izolimit, unë fillova të ndihesha më mirë mendërisht. Por shpejt, fillova të ndihesha e sëmurë dhe vura re tri gunga të mëdha poshtë grykës.
Në fillim i shpërfilla gungat, por kur simptomat u përkeqësuan, u bë më e qartë që nuk mund të qëndroja më në fushën e misionit. U ktheva në shtëpi, ku u diagnostikova menjëherë me kancer në gjak, limfomë e Hodgkinit.
Për shkak se ilaçet e mia kundër depresionit kishin paksa një efekt mpirës emocional, ndihesha shumë e plogësht ndërsa fillova një kimioterapi gjashtëmujore.
Krahas kësaj, fillova të ligështohesha nga ana fizike.
Rindërtimi i Themelit Tim Shpirtëror
Një vit pasi mbaroi kurimi im i kimioterapisë, fillova të ndihesha më mirë fizikisht. U ktheva në kolegj dhe po bëja plane. Por dhembja dhe mpirja therëse shpirtërore që kisha ndier në mision dhe gjatë kimioterapisë tani ishin kthyer në një ndjenjë të përgjithshme shpërfilljeje ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
Po luftoja me ndjenjat e mia rreth asaj që kalova dhe ndihesha sikur Ata më kishin braktisur kur isha në gjendjen time më të keqe.
Por Ati Qiellor i dinte shtigjet që duhej të ndiqja që të mund të shërohesha.
Më dukej sikur po kacafytesha me rrënojat dhe mbetjet e besimit tim dikur të fortë dhe të personalitetit tim dikur të gjallë. Ndihesha shumë e shkëputur nga vetvetja. Zemra po më zbutej përballë përpjekjeve të Zotit për të m’u afruar, por shpirtërisht ndihesha në faj, në ankth dhe e padenjë për shkak të shpërfilljes sime ndaj ungjillit.
Pasi përsiata për shëndetin tim shpirtëror për disa muaj, pata nxitjen të bëja ndryshime të vogla shpirtërore në jetën time. E kisha lënë pas dore dhembjen për ca kohë, por doja të shëroja lëndimin që ndieja në shpirt për shkak të sfidave që kisha përjetuar.
Shpejt munda ta shihja dorën e Atit Qiellor në jetën time. Pa e ditur se sa e mpirë po ndihesha shpirtërisht, miqtë dhe njerëzit e mi të dashur më përmendën temën e shërimit. Një prej tyre madje më tregoi për një bisedë prej një takimi shpirtëror nga Ilejn S. Marshalli.
E lexova me gjysmë zemre.
Si infermiere, Ilejna e krahasoi shërimin fizik me shërimin shpirtëror, duke thënë: “Shërimi nuk është kurimi. Kurimi është i qartë, i shpejtë dhe mbaron – shpesh i kryer nën efektin e anestezisë. … Shërimi … është shpesh një proces riaftësimi dhe rritjeje që zgjat gjithë jetën, pavarësisht nga, ndoshta për shkak të lëngata e zgjatur fizike, emocionale apo shpirtërore. Shërimi do kohë.”
Nuk mendoj se ishte rastësi fakti që për trajtimin e kancerit tim u deshën gjashtë muaj kimioterapi. Efektet e kimioterapisë janë të ashpra, dramatike dhe të mundimshme. Për çudi, fakti që mësova ta lija trupin tim të shërohej fizikisht, më mësoi një parim kyç të shërimit shpirtëror – se si të mbështetem te hiri i Jezu Krishtit dhe t’i lejoj kohë dhe hapësirë vetes sime për ta shëruar marrëdhënien time me Të dhe Atin Qiellor.
Marrja e Hirit të Shpëtimtarit
Hiri është ndihmë hyjnore, fuqi aftësuese e forcuese dhe shërim shpirtëror. Hiri është një dhuratë nga Ati ynë Qiellor “që na jepet nëpërmjet Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht”.
Shembulli im i parapëlqyer i dikujt që e përdor fuqinë shëruese të Jezu Krishtit nëpërmjet Shlyerjes së Tij është Alma i Riu. Ndërsa ishte në një gjendje kllapie për tri ditë, i torturuar nga “dhembjet e një shpirti të mallkuar”, ai çoi nëpër mend mësimet e atit të tij për Jezu Krishtin (shihni tek Alma 36:16–17). Ai fillimisht dëshiroi ndihmë dhe pastaj iu drejtua Krishtit, gjë e cila ia ndryshoi trajektoren dhe i dha mundësinë që të shërohej shpirtërisht (shihni tek Alma 36:18–22).
Hapi i parë që hodha drejt shërimit shpirtëror ishte gjetja e dëshirës për t’u lidhur me Perëndinë. Alma më mësoi se si t’ia filloja kur ai tha: “Ushtroni një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të mia” (Alma 32:27).
Unë dëshmoj nga përvoja vetjake se ky mësim është i vërtetë.
Ne mund të zhvillojmë një dëshirë, të mbjellim një farë (fjalën e Perëndisë) dhe ta ushqejmë atë farë derisa ajo të bëhet diçka reale dhe konkrete. Si përfundim, frytet e besimit tonë te Jezu Krishti prodhohen kur ne shohim ndryshime në veprimet tona, në mendimet tona, në bindjet tonë, në zemër, në mendje dhe më pas në shpirt. Themeli ynë ndërtohet tek Ai (shihni te Helamani 5:12).
Ngjashëm me përvojën e Almës, dëshira ime për ta ndier Shpirtin dhe gëzimin e ungjillit përsëri, solli një devijim të plotë të trajektores, e cila më futi në procesin e shërimit. Që nga ajo kohë Shpëtimtari më ka ndihmuar të bëj paqe me ndjenjat e mia të së kaluarës teksa kam mësuar t’i heq mllefet e mia ndaj Perëndisë, ndaj Atij dhe ndaj vetë dobësive të mia.
Për shkak të Tij, pjesë nga vetja që mendoja se i kisha humbur në mjegullat e sprovave të mia – si personaliteti im, dëshirat e mia dhe dashuria ime për ungjillin – më janë kthyer dhe më kanë bërë të ndihem e plotë, e përtërirë dhe e rimëkëmbur.
Një Themel më i Fortë
Dhembja dhe sfidat më kanë ndryshuar, por ndërsa gjeta shërim nëpërmjet Jezu Krishtit, e rindërtova me të vërtetë themelin tim të besimit tek Ai. Teksa koha kalon dhe shërohem, e shoh që për shkak të Jezu Krishtit, unë mund të mësoj të kem gëzim pavarësisht prej mundimeve të mia. Tani unë e kuptoj se pjesa më e rëndësishme e kalimit përmes një sprove nuk është ajo që na ligështon ose dhimbja që ndiejmë – është ajo që vjen më pas ndërsa përjetojmë shërim dhe rindërtim nëpërmjet hirit të Shpëtimtarit.
Plaku Patrik Kirën, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Të dashur miq e mikesha që [k]eni … duruar padrejtësitë e jetës, ju mund të keni një fillim të ri dhe një nisje të re. Në Gjetseman dhe në Kalvar, Jezusi ‘mori mbi Vete … gjithë ankthin dhe vuajtjen që u përjetua ndonjëherë nga ju dhe unë’ [Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 88], dhe Ai i ka mposhtur të gjitha!”
Pra, të gjithë atyre që janë të ligështuar, ju kërkoj me lutje që të jeni të guximshëm, të mbaheni fort dhe t’i mirëbesoni Zotit dhe fuqisë së Tij shëruese. Me kalimin e kohës, me durim, dhe qoftë edhe me dëshirën më të vogël, hiri i Tij mund t’ju shndërrojë, mund ta rindërtojë themelin tuaj dhe mund t’ju ndihmojë të ndiheni të shëruar sërish.
Kjo është dhurata që Ai ia ofron secilit prej nesh.
Autorja është nga Karolina e Veriut, SHBA.