Varësia
Shërimi nëpërmjet Shpëtimtarit – Programi për Riaftësimin nga Varësitë: Përkrahja gjatë Riaftësimit


“Shërimi nëpërmjet Shpëtimtarit – Programi për Riaftësimin nga Varësitë: Përkrahja gjatë Riaftësimit”, Programi për Riaftësimin nga Varësitë: Përkrahja gjatë Riaftësimit (2023)

“Përkrahja gjatë Riaftësimit”, Programi për Riaftësimin nga Varësitë: Përkrahja gjatë Riaftësimit

Pamja
burra duke u përqafuar

Shërimi nëpërmjet Shpëtimtarit

Përkrahja gjatë Riaftësimit

Programi për Riaftësimin nga Varësitë

Rëndësia e Gjetjes së Përkrahjes

Përkrahja nga të tjerët është e rëndësishme për të na ndihmuar të gjejmë riaftësim dhe shërim. Pasja e dikujt të cilit mund t’i drejtohemi në kohë dobësie, shpesh del se është thelbësore. Mohimi dhe izolimi janë shenja dalluese të sjelljeve fiksuese dhe varësuese. Është e lehtë të biem sërish pre e këtyre sjelljeve pa përkrahjen dhe këndvështrimin e të tjerëve. Është e rëndësishme që ne të marrim përkrahje sa më shpejt të jetë e mundur në riaftësimin tonë.

Lidhja me të tjerët nuk na siguron vetëm inkurajimin që mund të na nevojitet, por na ndihmon të kujtojmë gjithashtu se jemi të denjë për dashuri si një fëmijë i Perëndisë. Ndërsa u zgjatim një dorë të tjerëve për t’i përkrahur, ne bekohemi; dhe ata që na përkrahin ne, bekohen po ashtu. Ndërsa i përdorim 12 hapat dhe kërkojmë përkrahje nga të tjerët, ne mund të përfitojmë nga burimet vijuese të përkrahjes:

  1. Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë. Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë janë burimet tona më të mëdha të përkrahjes. Ndryshimi bëhet i mundur nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Në Librin e Mormonit, profeti Alma tregon se Krishti “do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12). Ne do të ndihemi të ndihmuar dhe të ushqyer shpirtërisht kur i drejtohemi me përulësi Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Është e rëndësishme të mos e anashkalojmë ndihmën e Shpëtimtarit nëpërmjet Shlyerjes. Ai na ka mësuar: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Fryma e Shenjtë mund të na japë ngushëllim, paqe dhe forcë shpirtërore për të vazhduar që të shkojmë përpara.

  2. Pjesëtarët e familjes. Pjesëtarët e familjes mund të jenë një burim përkrahjeje duke ofruar dashuri dhe pranim. Ata mund të jenë në gjendje ta rritin aftësinë e tyre për përkrahje duke zbatuar parimet e ungjillit të dhëna mësim tek Support Guide: Help for Spouses and Family of Those in Recovery [Udhëzuesi Përkrahës: Ndihma për Bashkëshortet/ët dhe Familjet e Njerëzve që po Riaftësohen] (ChurchofJesusChrist.org). Ndonëse jo të gjithë pjesëtarët e familjes do të jenë në një gjendje emocionale për të dhënë ngushëllim, ata që munden, shpeshherë janë disa nga burimet më të fuqishme të përkrahjes.

  3. Miqtë. Miqtë mund të japin dashuri dhe përkrahje kur ne u flasim atyre rreth gjërave që na mundojnë, qoftë nëse ua rrëfejmë ose jo hollësitë. Kur miqtë kanë guximin të vënë në dukje sjellje që nevojitet t’i ndalojmë, ose kur na nxitin të kërkojmë ndihmë, ne mund të shkojmë përpara në përparimin tonë drejt riaftësimit. Ndërsa përjetojmë dashuri dhe përkrahje nga miqtë, kjo mund të na kujtojë vlerën dhe meritat që kemi.

  4. Udhëheqësit kishtarë. Udhëheqësit kishtarë mund të japin përkrahje thelbësore në procesin e ndryshimit. Këta udhëheqës mund të na ndihmojnë ta ndiejmë dashurinë e Shpëtimtarit dhe luajnë një rol kyç për të na ndihmuar që të pendohemi dhe bëhemi shpirtërisht të pastër nga sjellje fiksuese dhe varësuese.

  5. Garantët. Një garant është dikush që e ka arritur riaftësimin duke punuar me 12 hapat. Për shkak të përvojës së tyre, ata dinë si të na ndihmojnë që të punojmë me hapat dhe t’i vëmë në zbatim ato. Ata zakonisht mund ta dallojnë mungesën e ndershmërisë dhe të kuptojnë vështirësi të tjera edhe kur ne mund të mos jemi në dijeni për to. Një garant na gjendet pranë për të na ndihmuar që ta shohim “jetën tonë nga këndvështrimi i së ardhmes dhe të shmangim teprimin ose minimizimin e përgjegjshmërisë sonë” (Program Riaftësimi nga Varësitë: Një Udhëzues për Riaftësim dhe Shërim nga Varësia [2005], f. 29).

  6. Mbledhjet e riaftësimit. Mbledhjet e përkrahjes janë një vend i sigurt ku mund të gjejmë pranim, dashuri dhe përkrahje. Në këto mbledhje ne tregojmë përvojën tonë si dhe besimin e shpresën tonë për riaftësim nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht dhe zbatimit të 12 hapave në jetën tonë. Të treguarit e përvojave tona mund të na ndihmojë të punojmë kundrejt ndryshimeve që nevojiten dhe të gjejmë shpresë se riaftësimi dhe shërimi janë të mundur.

  7. Profesionistët mjekësorë dhe të shëndetit mendor. Profesionistët shpesh mund të sigurojnë ide dhe zotësi unike të nevojshme për t’u riaftësuar dhe shëruar nga sjellje fiksuese dhe varësuese. Nëse ende po mundohemi nga sjellje fiksuese dhe varësuese madje edhe ndërsa po marrim pjesë në Programin për Riaftësimin nga Varësitë, ne duhet të marrim parasysh kërkimin e ndihmës profesionale nga një profesionist mjekësor ose i shëndetit mendor. Kur kërkojnë ndihmë profesionale, anëtarët e Kishës duhet të zgjedhin dikë që i përkrah parimet e ungjillit.

Zgjedhja e Njerëzve që t’ju Përkrahin

Në Programin e Kishës për Riaftësimin nga Varësitë, juve nuk ju caktohet një garant ose një sistem përkrahjeje. Vendimi se kur dhe kujt t’i kërkoni ndihmë është një vendim vetjak. Merrini parasysh me lutje ata që keni përreth, me të cilët ndiheni më rehat për t’iu kërkuar ndihmë ose se kush do të ishte më i dobishmi për ju. Përgjithësisht, sa më shumë njerëz të keni për përkrahje, aq më të mëdha janë gjasat tuaja për arritjen e riaftësimit. Pasi t’i identifikoni ata të cilët do t’i donit në sistemin tuaj të përkrahjes, mund të jetë diçka përulëse dhe frikësuese t’iu kërkoni ndihmë. Sidoqoftë, ndërsa kërkoni ndihmë, mund të befasoheni nga shkalla e dashurisë dhe e pranimit që do të ndieni. Sa më shumë të lidheni me të tjerët, aq më tepër mundësi do të keni për të marrë dashuri.

Kur zgjidhni njerëz që t’ju përkrahin, kuptojeni se ata duhet të jenë tejet të besueshëm. Disa nga njerëzit më të efektshëm për t’ju përkrahur, janë ata që kanë një lidhje aktuale me ju (të tillë si prindërit, bashkëshorti/ja, familja apo udhëheqësit e Kishës), të cilët dëshirojnë që të jeni të suksesshëm, që janë plotësisht aktivë në Kishë dhe e kuptojnë ose kanë dëshirë për të kuptuar natyrën e saktë të sfidës me të cilën përballeni. Dikush që i ka kapërcyer sfidat e tij ose të saj, shpesh ka ndjeshmëri më të madhe për sfidat që përjetojnë të tjerët. Njerëzit me sfida të ngjashme shpesh kanë një aftësi më të madhe për të pasur ndjeshmëri ndaj vështirësisë suaj.

Ndërsa e filloni procesin e ndryshimit, mund të jeni i/e cenueshëm/me fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. Kini kujdes që të mos zhvilloni marrëdhënie të papërshtatshme me askënd nga ata që ju përkrahin.

Shtyp në Letër