Seminari
1 Nefi 2: “Më Ke Kërkuar me Zell”


“1 Nefi 2: ‘Më Ke Kërkuar me Zell’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“1 Nefi 2: ‘Më Ke Kërkuar me Zell’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

1 Nefi 2

“Më Ke Kërkuar me Zell”

Nefi duke u lutur buzë një përroi

Zoti ndonjëherë na urdhëron të bëjmë gjëra që mund të na duken të vështira për t’u kuptuar apo bërë. Pasi i bëri thirrje popullit të Jerusalemit që të pendohej, Lehi iu bind zbulesës për ta shpërngulur familjen e vet në vendin e shkretë. Në vend që të murmuritnin si Lamani dhe Lemueli, Nefi iu drejtua Zotit për të kuptuar më tej dhe për t’ia zbutur zemrën. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ndiesh një dëshirë më të madhe për t’iu drejtuar Zotit kur Ai të kërkon të bësh gjëra të vështira.

Të përgjigjemi ndaj këshillës së Zotit

Imagjino sikur po dëgjon konferencën e përgjithshme dhe Presidenti i Kishës jep një këshillë që ti mendon se do të jetë e vështirë për t’u ndjekur. Pas konferencës, fillon të dëgjosh anëtarë të tjerë të Kishës duke u ankuar rreth këshillës së tij dhe duke pyetur se pse profeti do të na kërkonte ta bënim këtë gjë. Ndërsa i dëgjon këto argumente, fillon të pyesësh veten se çfarë duhet të bësh.

  • Cilat mund të jenë disa mënyra negative për të reaguar ndaj ankesave dhe kritikave të anëtarëve?

  • Cilat janë disa qasje pozitive ndaj kësaj situate? Çfarë do ta kënaqte Zotin?

Te 1 Nefi 2, do të shihni fëmijët e Lehit duke iu përgjigjur në mënyra të ndryshme një urdhërimi sfidues që Perëndia u dha atyre nëpërmjet profetit të Tij. Ndërsa studion, kërko parimet që mund të të ndihmojnë nëse të duket ndonjëherë e vështirë për ta ndjekur profetin.

Zoti e urdhëron Lehin të largohet nga Jerusalemi

Mund të të kujtohet që Lehi u urdhërua nga Zoti t’i paralajmëronte njerëzit e Jerusalemit se ata do të shkatërroheshin nëse nuk do të pendoheshin. Lexo te 1 Nefi 2:1–5, duke kërkuar këshillën e Zotit për Lehin pasi ai kishte predikuar pendim.

2:27
hartë e itinerarit të mundshëm të udhëtimit të Lehit në vendin e shkretë

Distanca që mund të ketë përshkuar familja e Lehit nga Jerusalemi për në kufijtë e Detit të Kuq ishte përafërsisht 320 kilometra. Udhëtimi i tyre do të ketë zgjatur shumë ditë dhe i çoi ata drejt një vendi të nxehtë dhe djerrë që ishte i njohur që kishte hajdutë të cilët prisnin të plaçkitnin udhëtarët e papërgatitur.

  • Po të ishe njëri nga fëmijët e Lehit, si mendon se do të kishte reaguar në këtë situatë? Përse?

  • Çfarë pyetjesh mund të kesh pasur?

  • Si e sheh mëshirën e Zotit të demonstruar në urdhërimin e Tij për t’u larguar nga Jerusalemi?

Në këtë çast sfidues në historinë e familjes së Lehit, ne shohim përgjigje të ndryshme nga fëmijët e tij. Krahasimi dhe ballafaqimi i individëve në shkrimet e shenjta është një aftësi e studimit të shkrimeve të shenjta që mund të të ndihmojë ta përvetësosh më mirë mënyrën se si të përgjigjesh siç duhet në situata të caktuara. Gjej një çast për ta ushtruar këtë aftësi duke krijuar një tabelë të ngjashme me atë në vijim në ditarin tënd të studimit, duke lexuar vargjet e çdo kolone dhe duke i shënuar gjetjet e tua në tabelë.

Përgjigjja e Lamanit dhe Lemuelit

Përgjigjja e Nefit dhe Samit

Përgjigjja e Lamanit dhe Lemuelit

1 Nefi 2:11–13

Përgjigjja e Nefit dhe Samit

1 Nefi 2:16–21

6:2
ikonë, shënoni
  1. Përgjigju për pyetjet vijuese:

    • Çfarë vure re kur i krahasove veprimet e Lamanit dhe Lemuelit me veprimet e Nefit dhe Samit?

    • Me një fjali, si do ta përmblidhje atë që mësove nga shembujt e Lamanit dhe Lemuelit? Si do ta përmblidhje atë që mësove nga shembujt e Nefit dhe Samit?

Gjej një çast për ta rishikuar atë që ke shkruar. Merr parasysh se cilat veprime ose shtysa janë më të ngjashme me të tuat. Çfarë dëshirash, mendimesh ose ndjenjash të erdhën ndërsa e bëre këtë krahasim?

Nga Lamani dhe Lemueli mund të kesh zbuluar që kur nuk i dimë punët e Zotit dhe nuk kemi besim te profetët e Tij, kjo mund të bëjë që ne të murmuritim. Nga Nefi mund të kesh mësuar se kur kërkojmë me zell t’i kuptojmë urdhërimet e Zotit, Ai mund të na i zbutë zemrat për të na ndihmuar të besojmë dhe bindemi.

Komenti i Nefit që Zoti “[ia] zbuti zemrën” (1 Nefi 2:16) tregon se, ngjashëm me Lamanin dhe Lemuelin, ky nuk ishte një urdhërim i lehtë për të që t’i bindej. Mendo rreth asaj se si vendimi i Nefit për t’iu drejtuar Zotit në këtë situatë mund të ketë ndikuar te gjithë pjesa tjetër e jetës së tij. Mendo rreth asaj se si mund të kishte rezultuar e ndryshme jeta e Lamanit dhe Lemuelit po ta kishin ndjekur shembullin e Nefit.

ikonë, shënoni
  1. Përgjigju për pyetjet vijuese:

    • Cilat janë disa situata me të cilat po përballesh ose mund të përballesh në të cilat do të përfitoje nga ndjekja e shembullit të Nefit?

    • Si mund të ndikojë në jetën tënde tani dhe në të ardhmen, kërkimi me përulësi i Zotit në këto rrethana në vend të mosbesimit dhe murmuritjes?

    • Çfarë kupton rreth Perëndisë që mund të të pengojë të murmuritësh kur Ai të kërkon të bësh diçka të vështirë?

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi se çfarë mund të bëjmë kur mund të mos e kuptojmë ose të jemi dakord fillimisht me këshillën nga profeti i Zotit.

“Mos u habitni nëse me raste pikëpamjet tuaja vetjake fillimisht nuk janë në harmoni me mësimet e profetit të Zotit. Këto janë çaste mësimi, përuljeje, kur ne biem në gjunjë për lutje. Ne ecim përpara me besim, duke mirëbesuar te Perëndia, duke e ditur se me kohën, do të marrim më shumë qartësi shpirtërore nga Ati ynë Qiellor. Një profet e përshkroi dhuratën e pakrahasueshme të Shpëtimtarit si ‘vullneti[n e] Birit duke u shkrirë në vullnetin e Atit’ [Mosia 15:7]. Nënshtrimi i vullnetit tonë ndaj vullnetit të Perëndisë nuk është, në fakt, aspak nënshtrim, por fillimi i një fitoreje të lavdishme.” (Nil L. Andersen, “Profeti i Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 26)

  • Çfarë bekimesh të kanë ardhur kur ke kërkuar t’ia dorëzosh vullnetin tënd Atit Qiellor, ashtu siç bënë Jezusi dhe Nefi?

Gjej një çast për t’i mbajtur shënim mendimet dhe mbresat e tua shpirtërore. Çfarë ke mësuar që do ta mbash mend? Çfarë përshtatjesh ndihesh i frymëzuar të bësh në jetën tënde duke u bazuar tek ajo që ke studiuar sot?