“Nefi dhe Fletët prej Tunxhi”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)
Nefi dhe Fletët prej Tunxhi
Të mësuarit se si ta ndjekim Shpirtin
Lamani, Lemueli, Sami dhe Nefi u kthyen përsëri në Jerusalem gjatë natës. Nefi shkoi te shtëpia e Labanit ndërkohë që vëllezërit e tij u fshehën jashtë qytetit.
Nefi e lejoi Shpirtin që ta udhërrëfente. Ai nuk e dinte se çfarë duhej të bënte, por e dinte se Zoti do ta ndihmonte që të merrte fletët prej tunxhi.
Kur Nefi ishte pranë shtëpisë së Labanit, ai e gjeti Labanin përtokë. Labani ishte i dehur. Nefi pa shpatën e Labanit dhe e mori atë.
Kur Nefi e pa shpatën, Shpirti i tha që ta vriste Labanin. Por Nefi nuk donte ta vriste atë. Shpirti i tha Nefit se ishte më mirë që Labani të vdiste sesa familja e Nefit të mos i kishte shkrimet e shenjta. Atyre iu nevojiteshin urdhërimet e Perëndisë që ishin të shkruara në fletët prej tunxhi.
Nefi e dinte se Labani ishte përpjekur ta vriste atë. Labani gjithashtu kishte vjedhur sendet e tyre dhe nuk do t’u bindej urdhërimeve të Perëndisë.
Shpirti i tha Nefit sërish që ta vriste Labanin. Nefi e dinte se Zoti kishte përgatitur një mënyrë për të që t’i merrte fletët prej tunxhi. Ai zgjodhi që t’i bindej Shpirtit. Nefi e vrau Labanin dhe u vesh me rrobat e Labanit.
Nefi më pas shkoi në vendin ku Labani mbante thesarin dhe u takua me shërbëtorin e Labanit, Zoramin. Nefi veproi dhe foli si të ishte Labani.
Nefi i tha Zoramit se i nevojiteshin fletët prej tunxhi. Më pas Nefi i tha Zoramit të shkonte me të. Zorami mendoi se Nefi ishte Labani, kështu që ai bëri siç dëshironte Nefi.
Kur Nefi dhe Zorami dolën nga qyteti, Lamani, Lemueli dhe Sami menduan se Nefi ishte Labani. Ata patën frikë dhe filluan të largohen me vrap.
Nefi i thirri vëllezërit. Kur e njohën që ishte Nefi, ata e ndalën vrapin. Por atëherë Zorami u frikësua dhe u përpoq të kthehej prapë në Jerusalem.
Nefi e ndali Zoramin. I tha Zoramit se Zoti i kishte urdhëruar që të merrnin fletët. Ai e ftoi Zoramin që të shkonte me ta drejt tokës së premtuar. Zorami e dinte se mund të ishte një njeri i lirë, jo një shërbëtor, dhe premtoi të shkonte me Nefin dhe familjen e tij.
Ata u kthyen te Lehi dhe Saria. Lehi dhe Saria ishin shumë të lumtur që i panë bijtë e tyre. Saria kishte menduar se bijtë e tyre kishin vdekur. Ngaqë Zoti i kishte ruajtur të sigurt bijtë e saj, ajo tani mirëbesonte se familja e tyre ishte urdhëruar që të largohej nga Jerusalemi. Familja e Lehit dhe Sarias ofroi flijime për ta falënderuar Zotin.
Lehi lexoi fletët prej tunxhi. Ai e pa se fletët kishin mësimet e profetëve. Ai gjithashtu mësoi se njëri nga paraardhësit e tij ishte Jozefi, të cilin e shitën në Egjipt vëllezërit e tij shumë kohë më parë. Lehi e dinte se fletët prej tunxhi ishin shumë të rëndësishme. Ai e dinte se Zoti dëshironte që familja e tij të kishte urdhërimet.