“Jezusi Viziton Njerëzit”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)
Jezusi Viziton Njerëzit
Duke ndihmuar çdo person të besojë tek Ai
Shumë nga njerëzit nuk do t’i dëgjonin profetët e Perëndisë. Por disa njerëz e besuan atë që dhanë mësim profetët. Këta besimtarë prisnin shenjat e vdekjes së Jezu Krishtit.
Pasi Jezusi vdiq në Jerusalem, filluan shenjat. Në kontinentin amerikan, për tri orë pati stuhi, tërmete dhe zjarre. Qytetet u shkatërruan dhe shumë njerëz vdiqën. Pastaj pati errësirë të plotë për tri ditë.
Errësira ishte aq e dendur sa njerëzit nuk mund të shihnin diellin, hënën apo yjet. Ata madje nuk mund të ndiznin as zjarr apo qirinj.
Shumë nga njerëzit që qenë ende gjallë, ishin shumë të trishtuar dhe të frikësuar. Ata qanin dhe u vinte keq që nuk ishin penduar më herët.
Papritur, ata dëgjuan një zë. Ishte Jezusi që po u fliste. Ai premtoi të shëronte të gjithë ata që pendoheshin. Jezusi u tha se Ai kishte vdekur dhe ishte rikthyer në jetë për të ndihmuar të gjithë njerëzit. Njerëzit u mahnitën aq shumë saqë pushuan së qari. Në tokë pati heshtje për shumë orë.
Jezusi foli përsëri. Ai u tha njerëzve se do t’i ndihmonte nëse do të zgjidhnin ta ndiqnin Atë. Errësira u largua dhe toka nuk u drodh më. Njerëzit u lumturuan dhe e përlëvduan Jezusin.
Rreth një vit më vonë, shumë njerëz erdhën në tempull në vendin Begati. Ata folën për Jezusin dhe shenjat e vdekjes së Tij. Ndërsa flisnin, dëgjuan një zë të qetë nga qielli. Në fillim nuk mundën ta kuptonin. Pastaj e dëgjuan përsëri.
Kur e dëgjuan zërin për herë të tretë, panë drejt qiellit. Ishte Ati Qiellor që po fliste. Ai u tha njerëzve që të shihnin dhe të dëgjonin Birin e Tij. Më pas, njerëzit panë një burrë të veshur me rrobë të bardhë duke zbritur nga qielli.
Burri qëndroi mes njerëzve dhe tha: “Unë jam Jezu Krishti”. Njerëzit ranë përtokë. Jezusi u tha atyre se Ai kishte vuajtur dhe kishte vdekur për të gjithë. Ai i ftoi njerëzit që të preknin shenjat te duart, këmbët dhe ija e Tij, në mënyrë që të mund të dinin se Ai është Shpëtimtari i botës.
Njerëzit erdhën te Jezusi një nga një. Ata panë me sytë e tyre dhe ndien me duart e tyre shenjat te duart, këmbët dhe ija e Tij. Ata të gjithë e ditën se Ai është ai që profetët thanë se do të vinte. Ata e dinin se Ai është Shpëtimtari i botës. Njerëzit ranë te këmbët e Jezusit dhe e adhuruan Atë.