“Jezusi Bekon Fëmijët”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)
Jezusi Bekon Fëmijët
Duke treguar dashurinë e Tij për ta
Jezu Krishti u kishte mësuar njerëzve shumë gjëra. Ai e pa se atyre u duhej kohë për të menduar për atë që kishin mësuar. Ai u kërkoi atyre të shkonin në shtëpi dhe t’i luteshin Atit Qiellor për të kuptuar atë që Ai u kishte mësuar. Pastaj Jezusi u premtoi se do t’i vizitonte përsëri të nesërmen.
Njerëzit qanë sepse donin që Jezusi të qëndronte më gjatë. Jezusi i donte njerëzit. Ai mund ta shihte se besimi i tyre ishte shumë i fortë. Ai u kërkoi atyre që të sillnin tek Ai këdo që ishte i sëmurë ose i lënduar në ndonjë mënyrë. Ai donte ta shëronte secilin prej tyre.
Njerëzit erdhën tek Ai me pjesëtarët e familjes dhe miqtë e tyre të sëmurë. Jezusi e shëroi secilin prej tyre. Ata ishin shumë të lumtur. U gjunjëzuan dhe puthën këmbët e Tij.
Jezusi u kërkoi atyre t’i sillnin fëmijët e tyre të vegjël tek Ai. Njerëzit i sollën fëmijët e tyre dhe i ulën në tokë rreth Jezusit.
Pasi të gjithë fëmijët ishin atje me Të, Jezusi u kërkoi njerëzve të gjunjëzoheshin në tokë. Edhe ai u gjunjëzua. Pastaj Ai iu lut Atit Qiellor. Ai tha gjëra kaq të mahnitshme saqë fjalët e Tij nuk mund të shkruheshin. Njerëzit u mbushën me gëzim.
Jezusi u tha njerëzve se ata ishin të bekuar për shkak të besimit të tyre tek Ai. Jezusi ndjeu aq shumë gëzim sa filloi të qante.
Pastaj Jezusi e bekoi çdo fëmijë një nga një. Ai iu lut Atit Qiellor për secilin prej tyre. Pastaj u kërkoi njerëzve të shikonin fëmijët e tyre.
Engjëjt erdhën nga qielli dhe u mblodhën rreth fëmijëve. Ndërsa engjëjt i bekonin fëmijët, u rrethuan nga drita qiellore. Një ditë tjetër, Jezusi u takua me fëmijët dhe i bekoi përsëri. Ai gjithashtu i bekoi fëmijët që të mund të flisnin. Edhe foshnjat folën. Fëmijët u mësuan prindërve gjëra të mahnitshme.