Histori nga Shkrimet e Shenjta
Jezusi Shpërndan Sakramentin


“Jezusi Shpërndan Sakramentin”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)

3 Nefi 18; 20

Jezusi Shpërndan Sakramentin

Duke e kujtuar gjithmonë Atë

Jezu Krishti i flet një grupi të madh njerëzish dhe dishepujt e Tij i sjellin bukë dhe shtamba me verë

Pasi Jezusi shëroi të sëmurët dhe bekoi fëmijët e vegjël, Ai ua paraqiti sakramentin të gjithë njerëzve që ishin mbledhur për ta dëgjuar Atë. Ai u kërkoi dishepujve të Tij të sillnin pak bukë dhe verë.

3 Nefi 17; 18:1–2

Jezu Krishti e thyen bukën në gjysmë dhe ua jep bukën dishepujve të Tij

Jezusi e theu bukën dhe e bekoi. Ai ua dha dishepujve për ta ngrënë. Ai u kërkoi dishepujve që t’ua jepnin bukën gjithë njerëzve.

3 Nefi 18:3–4, 6

Jezu Krishti mban copat e bukës dhe figura e kryqit dhe e varrit të zbrazët janë pas Tij

Jezusi tha se kushdo që besonte tek Ai dhe ishte pagëzuar, duhet ta hante bukën. Kur ta bënin këtë, ata duhet të kujtonin trupin e Tij. Ai u kujtoi njerëzve për çastin kur ata ndien gjurmët e gozhdëve në duart e këmbët e Tij dhe plagën në ijë.

3 Nefi 11:14–15; 18:3–7

Jezu Krishti i jep njërit prej dishepujve të Tij një kupë verë

Pastaj Jezusi ua dha dishepujve verën për ta pirë. Ai u kërkoi dishepujve t’ua jepnin verën të gjithë njerëzve.

3 Nefi 18:8–9

Jezu Krishti gjunjëzohet dhe lutet në Kopshtin e Gjetsemanit

Jezusi tha se kushdo që ishte penduar dhe pagëzuar, duhej ta pinte verën. Ai u kërkoi të gjithë atyre që e pinë verën, që të kujtonin gjakun e Tij. Ai u kujtoi atyre se Ai dha gjakun e Tij kur vuajti dhe vdiq për ta.

3 Nefi 18:11

Jezu Krishti u flet njerëzve

Jezusi tha se ngrënia e bukës dhe pirja e verës ishte një urdhërim. Duke ngrënë bukën dhe duke pirë verën, njerëzit i tregonin Atit Qiellor se dëshironin t’i zbatonin urdhërimet e Tij dhe ta kujtonin Jezusin. Jezusi tha se ata do të bekoheshin me Frymën e Shenjtë po t’i bënin këto gjëra.

3 Nefi 18:7, 10–14

Jezu Krishti u flet njerëzve dhe ata i buzëqeshin Atij

Pasi njerëzit hëngrën bukën dhe pinë verën, ata u mbushën me Frymën e Shenjtë. Pastaj njerëzit e përlëvduan Jezusin.

3 Nefi 18:4–5, 9; 20:9