Seminari
Njësia 1: Dita 1, Studimi i Shkrimeve të Shenjta


Njësia 1: Dita 1

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Hyrje

Qëllimi i këtij mësimi është t’ju ndihmojë të mësoni se si t’i studioni shkrimet e shenjta dhe si ta ftoni Frymën e Shenjtë t’ju frymëzojë e t’ju mësojë ndërsa e bëni këtë. Ky mësim do t’ju mësojë edhe teknika që do t’ju ndihmojnë t’i kuptoni më mirë shkrimet e shenjta dhe t’i zbatoni mësimet e tyre në jetën tuaj. Ndërsa e studioni këtë mësim, kërkoni mënyrat si mund ta ftoni Frymën e Shenjtë në studimin tuaj të ungjillit.

Mësoni me anë të Studimit dhe me anë të Besimit

Përfytyroni sikur dëshironi të përmirësoni vetë gjendjen tuaj fizike, ndaj ju i kërkoni një miku të bëjë stërvitje për ju. Sa do të ndikojë stërvitja e mikut tuaj në mirëqenien e gjendjes tuaj fizike? Duke e lidhur këtë shembull me rritjen tuaj shpirtërore, ashtu siç një person nuk mund të bëjë stërvitje për dikë tjetër, po ashtu një person nuk mund ta mësojë ungjillin për një tjetër. Çdonjëri prej nesh është përgjegjës për të mësuarin vetjak të ungjillit dhe rritjen shpirtërore.

Te Doktrina e Besëlidhje 88:118, Zoti përshkroi mënyrën se si të mësohet ungjilli. Ndërsa e lexoni vargun, përcaktoni se çfarë duhet të bëni që ta mësoni ungjillin dhe plotësoni shprehjen në vijim: “Kërkoni të mësoni, madje me anë të dhe gjithashtu me anë të ”.

Të kërkosh të mësosh me anë të studimit dhe me anë të besimit duhet përpjekje individuale. Përpjekjet tuaja për të studiuar me lutje ungjillin do të ftojnë Frymën e Shenjtë në procesin e të mësuarit. Disa nga mënyrat për të punuar shumë në studimin tuaj të ungjillit këtë vit janë të luteni për kuptueshmëri, të përmbushni detyrat tuaja të seminarit, të ndani me të tjerët dëshminë dhe përvojat tuaja lidhur me vënien në jetë të ungjillit dhe të zbatoni gjërat që mësoni në jetën tuaj.

Një përpjekje thelbësore që mund të bëni për ta ftuar Frymën e Shenjtë që të jetë pjesë e të mësuarit tuaj shpirtëror, është t’i studioni shkrimet e shenjta përditë. Studimi i përditshëm vetjak i shkrimeve të shenjta ju ndihmon të dëgjoni zërin e Zotit tek ju flet (shih DeB 18:34–36). Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, premtoi: “Kur dëshirojmë që [Perëndia] të na flasë, ne hetojmë shkrimet e shenjta; pasi fjalët e Tij janë thënë nëpërmjet profetëve të Tij. Ai atëherë do të na mësojë ne, ndërsa dëgjojmë nxitjet e Shpirtit të Shenjtë” (“Holy Scriptures: The Power of God unto Our Salvation”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 26–27; “Shkrimet e Shenjta: Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin Tonë”, Konferenca e Përgjithshme, Tetor 2006, nr. art. 01637 101, f. 35).

Ndërkohë që lexoni shkrimet e shenjta dhe ftoni Frymën e Shenjtë në studimin tuaj, ju do të merrni bekimet e një rritjeje më të madhe shpirtërore, një afërsi me Perëndinë, zbulesë më të madhe në jetën tuaj, forcë të shtuar për t’i bërë ballë tundimit dhe një dëshmi më të madhe për ungjillin e Jezu Krishtit.

Studimi i Shkrimit të Shenjtë

Presidenti Marion G. Romni, i Presidencës së Parë, përcaktoi një prej qëllimeve kyçe të shkrimeve të shenjta kur tha: “Shkrimet e shenjta janë shkruar për të ruajtur parimet për dobinë tonë” (“Records of Great Worth”, Ensign, shtator 1980, f. 4). Kur i studiojmë shkrimet e shenjta ne mësojmë parimet dhe doktrinat e ungjillit. Këto parime dhe doktrina do të na drejtojnë ndërsa i zbatojmë në jetën tonë.

gur i çmuar

Gjetja e parimeve dhe doktrinave tepër të çmuara që përmbajnë shkrimet e shenjta, kërkon përpjekje dhe ushtrim. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e krahasoi studimin e shkrimeve të shenjta me punën e gërmimit për gurë të çmuar: “Gjeni diamantët e së vërtetës që ndonjëherë duhet të gërmohen me kujdes nga faqet e [shkrimit të shenjtë]” (“Four Fundamentals for Those Who Teach and Inspire Youth”, në Old Testament Symposium Speeches, 1987 [1988], f. 1). Procesi i studimit, apo gërmimit, të shkrimeve të shenjta ka tri pjesë të rëndësishme: 1) ne duhet të kuptojmë rrethanat dhe mjedisin e shkrimeve të shenjta, 2) ne duhet të dallojmë parimet dhe doktrinat që jepen mësim dhe 3) ne duhet t’i zbatojmë ato të vërteta në vetë jetën tonë.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjes vijuese: Cilat janë ngjashmëritë midis një minatori që kërkon diamantë dhe dikujt që kërkon në shkrimet e shenjta parimet e ungjillit dhe i zbaton ato në jetën e vet?

Kuptoni Rrethanat dhe Mjedisin e Shkrimeve të Shenjta

Kuptimi i rrethanave dhe mjedisit të një fragmenti të shkrimit të shenjtë ju përgatit të dalloni mesazhet e ungjillit që ai përmban. Presidenti Tomas S. Monson këshilloi: “Njihuni me mësimet që na japin shkrimet e shenjta. Mësoni për mjedisin dhe rrethanat. … Studiojini ato sikur po ju flasin juve, sepse kështu është e vërteta” (“Të Jini më i Miri që Mundeni”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 68).

Kur i lexoni shkrimet e shenjta, është me vlerë të bëni pyetje si: “Kush i shkroi këto vargje?” “Për kë u shkruan ato?” “Çfarë po ndodh në këtë rrëfim?” dhe “Përse i shkroi autori këto vargje?” Krerët e kapitujve (përmbledhjet me germa kursive në fillim të çdo kapitulli) ofrojnë një vështrim të përgjithshëm të ngjarjeve kryesore në kapitull dhe shpesh u përgjigjen këtyre pyetjeve.

Gjithashtu është e dobishme të kërkoni fjalë të vështira ose të panjohura në një fjalor. Kur një frazë ose fragment i shkrimit të shenjtë është i pakuptueshëm, të drejtuarit te çfarëdo shënimesh në fund të faqes së gjendur mund t’ju ndihmojë ta kuptoni atë më mirë.

Për t’u ushtruar me përdorimin e këtyre mjeteve, lexoni 3 Nefi 17:1–10 dhe kërkoni përgjigjet për pyetjet e mëposhtme: Kush qe folësi? Kujt po i fliste Ai? Çfarë po ndodhte? Kujtoni që të shihni kreun e kapitullit për një vështrim të shpejtë të përgjithshëm të ngjarjeve që po ndodhin.

  1. ikona e ditaritDuke përdorur shënimin në fund të faqes për 3 Nefin 17:1, përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë donte të thoshte Jezusi kur tha: “Koha ime është e afërt”?

  2. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani me vetë fjalët tuaja atë që ndodhi kur Shpëtimtari po përgatitej të largohej nga turma. Përse qëndroi Ai? Çfarë bëri Ai për njerëzit?

Dalloni Doktrinat dhe Parimet

Doktrinat dhe parimet janë të vërteta të përjetshme e të pandryshueshme të ungjillit që sigurojnë drejtim për jetën tonë. Profetët e lashtë na i mësojnë këto të vërteta përmes ngjarjeve, historive apo predikimeve që shënuan në shkrimet e shenjta.

Sapo të kuptoni rrethanat dhe mjedisin e një fragmenti të shkrimit të shenjtë, ju jeni të përgatitur për t’i dalluar doktrinat dhe parimet që ai jep mësim. Plaku Riçard G. Skot, përshkroi një mënyrë të dobishme për t’i kuptuar parimet: “Parimet janë e vërteta e përqendruar, e mbledhur për zbatim në një mori të gjerë rrethanash. Një parim i vërtetë i bën vendimet të qarta edhe nën rrethanat më të ngatërruara dhe shtrënguese. Ia vlen përpjekja për ta sistemuar të vërtetën që mbledhim në formulime të thjeshta parimesh” (“Acquiring Spiritual Knowledge”, Ensign, nëntor 1993, f. 86).

Disa parime të ungjillit janë bërë të qarta përmes përdorimit të frazave të tilla si “kështu ne shohim” ose “megjithatë”. Prapëseprapë, shumica e parimeve nuk deklarohen drejtpërdrejt. Përkundrazi, ato paraqiten përmes jetës së njerëzve në shkrimet e shenjta. Këto doktrina dhe parime mund të zbulohen duke i bërë vetes pyetje si këto: “Cili është parimi moral ose thelbi i këtij rrëfimi?” “Përse e përfshiu autori këtë rrëfim ose ngjarje?” “Çfarë synonte autori që të mësojmë?” dhe “Çfarë të vërtetash jepen mësim në këtë fragment të shkrimit të shenjtë?”

  1. ikona e ditaritPër t’u ushtruar me dallimin e disa prej parimeve dhe doktrinave të dhëna mësim te 3 Nefi 17:1–10, shkruani një përgjigje ose për veprimtarinë a ose b në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Kujtoni që të lexoni kreun për një vështrim të shpejtë të përgjithshëm të kapitullit.

    1. Kush po flet në këto vargje? Kujt po i flet Ai? Cili është parimi moral ose thelbi i 3 Nefit 17:1–10?

    2. Cilat janë disa nga gjërat që autori i vargjeve 1, 5–6 dhe 9–10 kishte për synim që ne të mësonim nga ky rrëfim? Cilat janë disa të vërteta të rëndësishme që mësuat nga këto vargje?

Një prej të vërtetave të ungjillit që mund të keni përcaktuar nga këto vargje, është: Zoti iu përgjigjet dëshirave tona të sinqerta për t’iu afruar më pranë Atij.

Zbatoni Doktrinat dhe Parimet

Pasi t’i keni përcaktuar doktrinat dhe parimet e ungjillit, ju jeni gati të veproni dhe të bëni diçka lidhur me to. Pasi të veproni sipas asaj që keni mësuar, do të ndieni Shpirtin e Shenjtë të dëshmojë për të vërtetën e parimit (shih Moroni 10:4–5). Çdo mësim i dhënë në shtëpi, në seminar e kishë dhe në çdo përvojë të broshurës “Detyrë ndaj Perëndisë” dhe “Përparimi Personal”, ka për qëllim të na ndihmojë të veprojmë sipas asaj që na është dhënë mësim.

Presidenti Tomas S. Monson

Presidenti Tomas S. Monson tha: “Qëllimi i mësimdhënies së ungjillit … nuk është që të ‘derdhë informacion’ në mendjet e [nxënësve]. … Qëllimi është që ta frymëzojë individin që të mendojë rreth tij, të ndiejë dhe më pas të bëjë diçka për t’i jetuar parimet e ungjillit” (në Conference Report, tetor 1970, f. 107).

Për t’ju ndihmuar t’i zbatoni parimet që mësoni, bëni pyetje si këto: “Çfarë dëshiron Zoti që të bëj me këtë njohuri?” “Çfarë mbresash shpirtërore mora që më ndihmojnë të përmirësohem?” “Çfarë ndryshimi mund të bëjë ky parim në jetën time?” “Çfarë mund të nis ose të ndaloj së bëri tani për të jetuar sipas kësaj të vërtete?” “Si do të jetë jeta ime më e mirë nëse bëj atë që ky shkrim i shenjtë jep mësim?”

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një paragraf të shkurtër duke përshkruar mënyrën se si mund ta zbatoni një parim ose doktrinë që mësuat nga 3 Nefi 17:1–10.

Teknika dhe Metoda për Studimin e Shkrimeve të Shenjta

Përdorimi i teknikave dhe metodave të studimit në vijim do t’ju ndihmojë të kuptoni rrethanat e shkrimeve të shenjta dhe të përcaktoni e zbatoni doktrinat dhe parimet e dhëna mësim në to. Këto metoda do të përmenden gjatë gjithë këtij manuali. Lexojeni secilën teknikë dhe përzgjidhni një ose dy teknika që ju ndieni se duhet t’i përdorni më shpesh në studimin tuaj vetjak të shkrimeve të shenjta.

Shkaku dhe Pasoja. Kërkoni raportet nëse-atëherë dhe sepse-prandaj. Shembuj: 2 Nefi 13:16–26; Alma 34:33.

Referencat-Kryq. Grupojini, lidhini ose grumbullojini shkrimet e shenjta bashkë për të qartësuar domethënien dhe për të zbërthyer kuptimin. Për shembull, krahasoni Mosia 11:2–6, 14 dhe Ligji i Përtërirë 17:14–20. Ju mund të përdorni edhe shënimet në fund të faqeve për të gjetur referencat-kryq të shkrimit të shenjtë. Shembull: 3 Nefi 12:28–29, shënimi në fund të faqes 29a, referencat Doktrina e Besëlidhje 42:23.

Përcaktimi i Mjedisit. Përcaktoni personin, arsyen, kohën dhe vendin e ngjarjeve të shkrimeve të shenjta. Shembull: Alma 31:1, 6–11; 32:1–6 jep mjedisin për Alma 32:21–43.

Fjalët Kyçe. Fjalë dhe fraza të tilla si “megjithatë” ose “kështu ne shohim” janë ftesa për t’u ndalur dhe për të kërkuar shpjegime rreth asaj që sapo u shkrua. Shembuj: Alma 30:60; Helamani 6:35–36; 3 Nefi 18:30–32.

Shenjimi i Shkrimeve të Shenjta. Ngjyrosini, qarkojini ose nënvizojini fjalët dhe frazat e rëndësishme në shkrimet tuaja të shenjta që i japin kuptim të veçantë vargut. Gjithashtu shkruani mendime, ndjenja, pikëpamje apo parime të shkurtra në anë të fletës. Kjo do t’ju ndihmojë të kujtoni se çfarë e bëri shkrimin e shenjtë të rëndësishëm për ju.

Zëvendësimi i Emrit. Vendosni emrin tuaj në vend të një tjetri në shkrimet e shenjta. Shembull: Zëvendësojeni me emrin tuaj emrin e Nefit te 1 Nefi 3:7.

Përsiatja. Përsiatje do të thotë të mendosh thellë rreth diçkaje. Përsiatja përfshin bërjen e pyetjeve dhe vlerësimin e asaj që ju dini dhe asaj që keni mësuar. Përsiatja shpesh çon në dallimin e mënyrës se si ta zbatoni një parim në jetën tuaj.

Fjalët që Përsëriten. Fjalët ose frazat që janë përsëritur mund të jenë të rëndësishme për lexuesin që t’u kushtojë vëmendje. Ato janë të dhëna të asaj që shkruesi mendoi se qenë të rëndësishme. Shembuj: Fjala i tmerrshëm te 2 Nefi 9:10, 19, 26–27, 39, 46–47; fjala mbani mend te Helamani 5:6–14.

Krahasimet e Shkrimeve të Shenjta. Herë pas here, profetët i vendosin rrëfimet e njerëzve, ideve apo ngjarjeve të ndryshme afër njëri-tjetrit në shkrimet e shenjta. Dallimi midis atyre të dyjave e bën më të lehtë përcaktimin dhe kuptimin e parimeve të rëndësishme të ungjillit që jepen mësim. Kërkoni krahasime në vargjet e veçanta, në blloqet e shkrimeve të shenjta apo kapitujt. Shembuj: 2 Nefi 2:27; Alma 47–48.

Listat e Shkrimeve të Shenjta. Gjetja e listave brenda shkrimeve të shenjta mund t’ju ndihmojë ta kuptoni më mirë atë që Zoti dhe profetët e Tij janë duke dhënë mësim. Kur të gjeni lista, mund të dëshironi t’i vini numër secilit element. Shembull: Lista e zakoneve të liga midis nefitëve e gjendur te Helamani 4:11–13.

Simbolika në Shkrimet e Shenjta. Fjalë të tilla si: si, sikurse ose e ngjashme me ndihmojnë të dallohen simbolet. Përpiquni të përcaktoni se çfarë përfaqëson simboli. Përdorni shënimet në fund të faqeve, Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta dhe Udhëzuesin Tematik për t’ju ndihmuar të gjeni kuptimin e simbolit. Shembull: Krahasoni Jakobi [LiM] 5:3, 75–77 me Jakobi [LiM] 6:1–7.

Përfytyrimi. Ndërsa lexoni, përfytyrojeni në mendje atë që po ndodh. Bëni pyetje rreth ngjarjes dhe përfytyroni sikur të ishit të pranishëm kur ajo ndodhi. Shembull: Përpiquni të përfytyroni atë çfarë po ndodh tek Enosi 1:1–8.

Përkufizimet e Fjalëve. Shkrimet e shenjta shpesh përdorin fjalë që nuk janë të njohura për ne. Kur hasni një fjalë të panjohur, përdorni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, shënimet në fund të faqeve ose një fjalor të zakonshëm për t’ia gjetur kuptimin.

  1. ikona e ditaritPërzgjidhni dhe përdorni njërën prej teknikave nga seksioni i mësipërm “Teknika dhe Metoda për Studimin e Shkrimeve të Shenjta”. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth mënyrës se si ajo teknikë ju ndihmoi në studimin tuaj vetjak të shkrimeve të shenjta.

  2. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    E kam studiuar mësimin “Studimi i Shkrimeve të Shenjta” dhe e përfundova më (datë).

    Pyetje, mendime dhe pikëpamje të tjera që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: