“1–7 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11: ‘Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“1–7 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
1–7 Maj
Lluka 12–17; Gjoni 11
“Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur”
Fillojeni përgatitjen tuaj duke i lexuar plot lutje kapitujt te Lluka 12–17 dhe Gjoni 11. Cilat “dele [të] humbura” ju vijnë në mendje nga klasa juaj? Përdorni materialin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe këtë përvijim të mësimit ndërsa kërkoni udhërrëfimin e Zotit mbi mënyrën se si t’i plotësoni më mirë nevojat e anëtarëve të klasës, edhe nëse ata nuk po e frekuentojnë orën mësimore.
Ftojini të Tregojnë
Vënia në zbatim është një pjesë e rëndësishme e të mësuarit, kështu që ftojini anëtarët e klasës të tregojnë se si zgjodhën ata që të jetonin diçka që e mësuan nga shkrimet e shenjta këtë javë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Asnjë shfajësim nuk është i mjaftueshëm për mospranimin e ungjillit.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta studiojnë shëmbëlltyrën e gostisë së madhe, ju mund t’i ftoni ata në një festë imagjinare që do të bëni. Lejojini ata t’ju tregojnë disa arsye përse mund ose nuk mund të marrin pjesë. Lexoni së bashku vargjet te Lluka 14:15–24 dhe diskutoni mbi shfajësimet që dhanë njerëzit në shëmbëlltyrë kur u ftuan në një festë që përfaqësonte bekimet e ungjillit. Çfarë shfajësimesh japin njerëzit sot kur nuk arrijnë t’i pranojnë ftesat e Shpëtimtarit për t’i marrë bekimet e Atit Qiellor? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë për bekimet që kanë marrë kur kanë bërë sakrificat e nevojshme për të jetuar parime të caktuara të ungjillit.
Ne mund t’i kërkojmë ata që kanë humbur, dhe të gëzohemi me Atin kur të kthehen.
-
Si do t’ua jepni mundësinë anëtarëve të klasës që të tregojnë atë që kanë mësuar rreth tri shëmbëlltyrave te Lluka 15? Merrni parasysh t’i caktoni secilit anëtar të klasës njërën nga shëmbëlltyrat për ta shqyrtuar. Ata mund të kërkojnë dhe japin përgjigje ndaj pyetjeve si këto: Cilat fjalë te shëmbëlltyra zbulojnë se si ndihet Ati Qiellor rreth atyre që kanë humbur? Çfarë na sugjerojnë shëmbëlltyrat rreth mënyrës se si duhet t’u shkojmë në ndihmë të gjithë fëmijëve të Perëndisë? Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si Shpëtimtari i ka gjetur ata kur kanë humbur.
-
Këndimi së bashku i himnit “Pranë Zemrës së Bariut” (Himne, nr.138) mund të jetë një [ndihmë] shtesë domethënëse për mësimdhënien e këtyre shëmbëlltyrave.
-
Ndërsa e shqyrtoni së bashku shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës, anëtarët e klasës mund të përfitojnë po të përqendrohen te fjalët, veprimet dhe bindjet e çdo personi në shëmbëlltyrë. Çfarë mësojmë nga secili person? Ndoshta anëtarët e klasës mund të shkruajnë një përfundim të ndryshëm për shëmbëlltyrën, ku qëndrimi i djalit më të madh përkundrejt vëllait të tij është i ndryshëm. Çfarë na mëson këshilla e atit në shëmbëlltyrë rreth mënyrës se si duhet të ndihemi për ata që kanë humbur dhe për ata që kthehen në ungjill? (Shih edhe thënien e Plakut Xhefri R. Holland te “Burime Shtesë”.) Ose ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të përfytyrojnë sikur ata janë babai në këtë shëmbëlltyrë. Çfarë këshillash shtesë do t’i jepnit djalit më të madh për ta ndihmuar atë të gëzohej në përparimin apo suksesin e të tjerëve?
Mirënjohja për bekimet e mia do të më sjellë më pranë Perëndisë.
-
Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë atë që mësuan rreth mirënjohjes nga studimi i tyre te Lluka 17:11–19 dhe nga materiali filmik “Presidenti Rasëll M. Nelson: Një Lutje Mirënjohjeje, Shprese dhe Shërimi e Profetit për Botën” (ChurchofJesusChrist.org). Si u bekua lebrosi mirënjohës ngaqë e shprehu mirënjohjen e tij? Si bekohemi ne kur shprehim mirënjohje? Anëtarët e klasës mund të sugjerojnë mënyra se si ne mund ta tregojmë mirënjohjen ndaj Perëndisë dhe të tjerëve.
Jezu Krishti është Ringjallja dhe Jeta.
-
Një mënyrë për të shqyrtuar vargjet te Gjoni 11:1–46 është që t’u kërkoni anëtarëve të klasës t’i lexojnë me radhë vargjet dhe ftojini ata të ndalojnë dhe të diskutojnë sa herë që gjejnë prova për besimin te Jezu Krishti. Mund të doni edhe që t’u kërkoni anëtarëve të klasës të marrin në konsideratë këndvështrimet e njerëzve të përfshirë – edhe Shpëtimtarin, Apostujt, Martën, Marinë dhe Llazarin. Çfarë mësojmë nga secili prej tyre? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja kur besimi i tyre te Jezu Krishti u forcua gjatë një sprove.
Burime Shtesë
Të mësojmë nga plëngprishësi tjetër.
Plaku Xhefri R. Holland vërejti këtë gjë rreth vëllait tjetër të djalit plëngprishës: “Ky djalë nuk është kaq i zemëruar për arsye se vëllai tjetër ka ardhur në shtëpi, por për faktin se prindërit e tij janë kaq të lumtur për këtë. … Ai ka ende punë për të bërë derisa të arrijë te dhembshuria dhe mëshira, largpamësia kaq e gjerë dashamirëse për të kuptuar se ky nuk është një kthim konkurrues. Ky është vëllai i tij. Ashtu siç iu përgjërua i ati që ta shikonte, ai është dikush që ishte i vdekur dhe tani është i gjallë. Është ai që kishte humbur dhe tani u gjet” (“The Other Prodigal”, Ensign, maj 2002, f. 63).