“22–28 Maj. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13; Lluka 21: ‘Biri i Njeriut do të Vijë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“22–28 Maj. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13; Lluka 21”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës 2023
22–28 Maj
Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13; Lluka 21
“Biri i Njeriut do të Vijë”
Mbani mend ta filloni përgatitjen tuaj për mësimdhënien duke lexuar me lutje te Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13 dhe Lluka 21. Kërkoni frymëzim për veten tuaj dhe më pas rishikojeni këtë përvijim të mësimit për ide shtesë.
Ftojini të Tregojnë
Bëni një listë në tabelë të shëmbëlltyrave të Shpëtimtarit që gjenden në leximin e kësaj jave, të tilla si ajo e pemës së fikut, zotit të shtëpisë dhe vjedhësit, shërbëtorëve besnikë dhe shërbëtorëve të mbrapshtë, dhjetë virgjëreshave, talentave, si dhe e deleve dhe cjepve. Kërkojuni anëtarëve të klasës që të tregojnë për të vërteta që i mësuan nga këto shëmbëlltyra, të cilat mund t’i ndihmojnë të përgatiten për Ardhjen e Dytë të Zotit. Çfarë po bëjnë që t’i zbatojnë këto të vërteta në jetën e tyre?
Jepeni Mësim Doktrinën
Profecitë rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit mund të na ndihmojnë që të përballemi me të ardhmen me besim.
-
Shenjat e Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit mund të jenë të vështira që të kuptohen për disa anëtarë të klasës. Mund t’i ndihmojë ata që të punojnë në grupe dhe të përcaktojnë shenja që i gjejnë te Joseph Smith – Mateu 1:21–37. Mund t’i ndihmojë gjithashtu që ta kuptojnë më mirë rëndësinë e këtyre shenjave nëse i krahasojnë ato me shenjat rrugore. Përse janë të rëndësishme shenjat rrugore? Si janë të ngjashme shenjat e Ardhjes së Dytë me shenjat rrugore? Si janë ato të ndryshme? Ju mund t’i jepni secilit grup fletë letre në formën e shenjave rrugore dhe t’i ftoni të shkruajnë në secilën fletë një shenjë që do ta paraprijë Ardhjen e Dytë. Lejojini të tregojnë për atë që gjetën, dhe ftojeni klasën të diskutojë prova të këtyre shenjave në botë sot.
Joseph Smith – Mateu 1:26–27, 38–55; Mateu 25:1–13
Ne duhet të jemi gjithmonë gati për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.
-
Shëmbëlltyrat te Joseph Smith – Mateu 1:26–27, 38–55 dhe Mateu 25:1–13 mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës që të dallojnë rëndësinë e të qenit të përgatitur për Ardhjen e Dytë. Ftojini anëtarët e klasës që t’i shqyrtojnë këto vargje dhe të tregojnë atë që mendojnë se po na fton Shpëtimtari të bëjmë. Plaku Dejvid A. Bednar dha një interpretim të shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave që mund të ndihmojë (shih “Burime Shtesë”). Përse secili prej nesh duhet të përjetojë kthimin në besim për veten tonë? Si e bëjmë ne këtë? Çfarë i shton Doktrina e Besëlidhje 45:56–57 të kuptuarit tonë për këtë shëmbëlltyrë?
-
Teksa mësoni për kthimin e Shpëtimtarit, ju mund të lexoni ose të këndoni së bashku himne rreth Ardhjes së Dytë (shih “Jezu Krishti – Ardhja e Dytë” tek treguesi i temave në fund të librit të himneve).
Në Gjykimin e Fundit, ne vërtet do t’i japim Zotit llogari për jetën tonë.
-
Shëmbëlltyra e talentave dhe shëmbëlltyra e deleve dhe cjepve mund të na frymëzojnë që të mendojmë rreth llogarisë për jetën tonë të cilën do t’ia japim Zotit në Gjykimin e Fundit. Ju mund t’i lexoni shëmbëlltyrat së bashku dhe ta ftoni secilin anëtar të klasës që të thotë një pyetje që mund të bëjë Shpëtimtari rreth jetës sonë kur të gjykohemi. Jepuni kohë anëtarëve të klasës që të planifikojnë mënyra se si do të veprojnë sipas mbresave që kanë marrë gjatë diskutimit.
-
Që të frymëzoni një diskutim rreth vargjeve te Mateu 25:34–40, ju mund të ftoni anëtarë të klasës që të tregojnë shembuj të njerëzve që e paraqesin dhembshurinë e përshkruar në këto vargje. Jepuni kohë të përsiatin se kush mund të ketë nevojë për shërbimin e tyre. Cilat janë disa mënyra praktike se si mund t’i ushqejmë të uriturit, t’i veshim të zhveshurit dhe t’i vizitojmë të sëmurët?
Burime Shtesë
Vaji i kthimit në besim.
Plaku Dejvid A. Bednar sugjeroi këtë interpretim të mundshëm të shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave:
“Vajin konsiderojeni si vaji i kthimit në besim [shih Mateu 25:4–9]. …
A qenë pesë virgjëreshat e mençura egoiste dhe jo të gatshme për të ndarë vajin, apo ato po vinin në dukje me të drejtë se vaji i kthimit në besim nuk mund të merret hua? A mund t’i jepet një njeriu tjetër forca shpirtërore që vjen si pasojë e bindjes së vazhdueshme ndaj urdhërimeve? A mund t’i kalohet dikujt që ka nevojë, njohuria e fituar nëpërmjet studimit të zellshëm dhe meditimit mbi shkrimet e shenjta? A mund t’i përçohet një individi që po përjeton fatkeqësi ose sfidë të madhe, paqja që i sjell ungjilli një shenjtori besnik të ditëve të mëvonshme? Përgjigjja e qartë për secilën prej këtyre pyetjeve është jo.
Sikurse e përforcuan siç duhej virgjëreshat e mençura, secili prej nesh duhet ‘të shko[jë të] ble[jë]’. Këto gra të frymëzuara nuk po përshkruanin një transaksion biznesi; përkundrazi, ato po theksonin përgjegjësinë tonë individuale për ta mbajtur ndezur llambën tonë të dëshmisë dhe për të marrë një furnizim të mjaftueshëm me vajin e kthimit në besim. Vaji i çmuar merret pikë pas pike – ‘rresht pas rreshti [dhe] parim pas parimi’ (2 Nefi 28:30), me durim dhe këmbëngulje” (“Të Kthyer në Besim te Zoti”, Liahona, nëntor 2012, f. 109).