“10–16 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9: ‘Ç’Don Ti të Bëj Unë?’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“10–16 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
10–16 Korrik
Veprat e Apostujve 6–9
“Ç’Don Ti të Bëj Unë?”
Studiojini kapitujt te Veprat e Apostujve 6–9 dhe shënojini mbresat tuaja. Kjo do t’ju ndihmojë të merrni zbulesë lidhur me mënyrën se si t’i ndihmoni anëtarët e klasës t’i afrohen më shumë Jezu Krishtit nëpërmjet studimit të tyre për këta kapituj.
Ftojini të Tregojnë
Në tabelë, shkruajini emrat e disa prej njerëzve të përmendur te Veprat e Apostujve 6–9, të tillë si Stefani, Sauli, Filipi, Anania, Pjetri dhe Tabitha ose Gazela. Ftojini disa anëtarë të klasës të tregojnë diçka që mësuan nga njëri prej këtyre njerëzve në studimin e tyre këtë javë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Të kundërshtuarit e Frymës së Shenjtë mund të çojë drejt mospranimit të Shpëtimtarit dhe shërbëtorëve të Tij.
-
Mund të filloni një diskutim rreth përvojës së Stefanit duke ftuar anëtarë të klasës për të shqyrtuar fjalët e Stefanit te Veprat e Apostujve 7:37–53. Çfarë paralajmërimesh mund të kenë për ne sot fjalët e tij? Mund të përqendroheni te thënia e Stefanit te Veprat e Apostujve 7:51. Çfarë do të thotë të “kundërshto[sh] Frymën e Shenjtë”? Për t’i kuptuar këto fjalë më thellësisht, anëtarët e klasës mund të diskutojnë një ose më shumë prej këtyre fragmenteve: 2 Nefi 28:3–6; 33:1–2; Mosia 2:36–37; Alma 10:5–6 dhe Alma 34:37–38. Përse nganjëherë e “kundërshto[jmë] Frymën e Shenjtë”? Çfarë mund të bëjmë që t’i dallojmë dhe ndjekim më mirë nxitjet e Frymës së Shenjtë?
Zemra jonë ka nevojë të jetë “e drejtë përpara Perëndisë”.
-
Për të studiuar rrëfimin e Simonit si klasë, ju mund të shkruani në tabelë pyetjet: Kush ishte Simoni? Çfarë deshi ai? dhe Si u përpoq ta merrte? Caktojeni secilin anëtar të klasës që t’i lexojë vargjet te Veprat e Apostujve 8:9–24, duke kërkuar përgjigje për këto pyetje. Çfarë të vërtetash nuk i kuptonte ende Simoni? Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Simonit? Si mund të sigurohemi që zemra jonë është e “drejtë përpara Perëndisë”? (Vargu 21.)
-
Gjatë studimit të tyre vetjak, disa anëtarë të klasës mund të kenë vënë re cilësitë e Stefanit dhe Filipit që nuk i kishte Simoni (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Nëse po, mund t’i ftoni të tregojnë atë që gjetën. Anëtarët e klasës mund të tregojë gjithashtu shembuj të tjerë nga Veprat e Apostujve 6–9 të njerëzve, zemrat e të cilëve ishin të drejta përpara Perëndisë, sikurse Filipi dhe burri nga Etiopia (shih Veprat e Apostujve 8:26–40), Sauli (shih Veprat e Apostujve 9:1–22) dhe Tabitha (shih Veprat e Apostujve 9:36–39).
Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë që t’i udhërrëfejmë të tjerët për te Jezu Krishti.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë mënyrën se si mund t’i udhërrëfejnë të tjerët për te Jezu Krishti (shih Veprat e Apostujve 8:31), ju mund të ftoni dy anëtarë të klasës që të ulen përballë njëri-tjetrit dhe të lexojnë bisedën e Filipit dhe njeriut nga Etiopia te Veprat e Apostujve 8:26–39. Një anëtar i tretë i klasës mund të lexojë pjesët që nuk i përkasin bisedës. Çfarë mësojmë nga shembulli i Filipit rreth mësimdhënies së ungjillit ndaj të tjerëve?
-
Për të shqyrtuar shembuj të ditëve të sotme të rrëfimit te Veprat e Apostujve 8:26–39, anëtarët e klasës mund të tregojnë përvojat që kanë pasur në lidhje me përhapjen e ungjillit ose bashkimin me Kishën. Si i ndihmoi Fryma e Shenjtë ata? Si veproi dikush si udhërrëfyesi i tyre? Ftojini anëtarët e klasës të përsiatin se kë mund ta udhërrëfejnë për tek ungjilli.
Kur i nënshtrohemi vullnetit të Zotit, ne mund të bëhemi mjete në duart e Tij.
-
Anëtarët e klasës duke e studiuar përvojën e Saulit, mund të mësojnë të vërteta të fuqishme rreth kthimit të tyre vetjak në besim, përfshirë të vërtetën që nëse është i gatshëm, secili mund të pendohet e ndryshojë. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës ta krahasojnë përvojën e Saulit me përvojat e Almës (shih Mosia 17:1–4;18; 26:15–21) dhe anti-nefi-lehitët (shih Alma 24:7–12). Çfarë bëri Zoti për t’i ndihmuar këta njerëz që të ktheheshin në besim? Si e treguan gatishmërinë e tyre për të ndryshuar? Cilat mesazhe gjejmë për vetë jetën tonë nga këto rrëfime?
-
Për të nxitur diskutim rreth përvojës së Saulit, mund të ftoni disa anëtarë të klasës që të vijnë të përgatitur për të treguar atë që mësojnë nga secila prej pjesëve të mesazhit të Presidentit Diter F. Uhtdorf “Duke Pritur në Rrugën për Damask” (Liahona, maj 2011, f. 70–77). Po ne, si presim ndonjëherë në vetë rrugën tonë për Damask? Sipas Presidentit Uhtdorf, çfarë mund të na ndihmojë që t’ia vëmë më shumë veshin zërit të Perëndisë? Mund të merrni parasysh gjithashtu të shikoni materialin filmik “The Road to Damascus” [“Rruga për Damask”] (ChurchofJesusChrist.org). Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvojat e tyre në lidhje me të kërkuarit e vullnetit të Perëndisë dhe zbatimin e tij.