“Ju Jeni një Mësues në Kishën e Jezu Krishtit”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“Ju Jeni një Mësues në Kishën e Jezu Krishtit”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
Ju Jeni një Mësues në Kishën e Jezu Krishtit
Ju jeni thirrur nga Perëndia për t’u dhënë mësim fëmijëve të Tij sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Ju u veçuat në këtë thirrje nga autoriteti i priftërisë së Tij të shenjtë. Edhe nëse nuk jeni një mësues me përvojë, kur jetoni me denjësi, luteni çdo ditë dhe i studioni shkrimet e shenjta, Ati Qiellor do t’ju japë ndikimin dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë për t’ju ndihmuar që t’ia dilni mbanë (shih 2 Nefi 33:1).
Ata që i besohen përkujdesjes suaj, janë fëmijë të Atit Qiellor dhe Ai e di se çfarë u nevojitet dhe cila është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar. Ndërsa e kërkoni me lutje ndikimin e Frymës së Shenjtë, Ai do t’ju udhërrëfejë teksa përgatiteni dhe ndërkohë që jepni mësim. Ai do t’ju zbulojë se çfarë duhet të thoni dhe çfarë duhet të bëni (shih 2 Nefi 32:5).
Qëllimi thelbësor i mësimdhënies dhe të mësuarit të ungjillit është që të thellohet kthimi në besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Synimi juaj si mësues është t’i ndihmoni ata, të cilëve u jepni mësim, të bëjnë gjithçka munden që të bëhen më të kthyer në besim – një përpjekje që shtrihet përtej orës mësimore. Ftojini ata të cilëve u jepni mësim, të marrin pjesë aktivisht në të mësuarit rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, si dhe të veprojnë sipas asaj që mësojnë. Nxitini që ta bëjnë studimin e tyre individual dhe familjar jashtë klasës burimin parësor të të mësuarit të ungjillit. Teksa veprojnë me besim duke studiuar si individë e familje, ata do ta ftojnë Shpirtin në jetën e tyre dhe është Shpirti që sjell kthimin e vërtetë në besim. Çdo gjë që bëni si mësues, duhet të drejtohet drejt këtij synimi të shenjtë.
Jepni mësim vetëm doktrinën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, siç gjendet në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme. Doktrina e pastër – e vërteta e përjetshme, e pandryshueshme, e dhënë mësim nga Perëndia dhe shërbëtorët e Tij – e fton Shpirtin dhe ka fuqinë për ta ndryshuar jetën e njerëzve.
Thirrja për të dhënë mësim është një mirëbesim i shenjtë dhe është normale që të ndiheni të mbingarkuar ndonjëherë. Por mos harroni që ju u thirrët nga Ati juaj Qiellor dhe Ai kurrë nuk do t’ju braktisë. Kjo është vepra e Zotit dhe teksa shërbeni “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj” (Doktrina e Besëlidhje 4:2), Ai do t’i zgjerojë aftësitë, dhuntitë e talentet tuaja dhe shërbimi juaj do ta bekojë jetën e atyre të cilëve u jepni mësim.