Dhiata e Re 2023
Një Model për Mësimdhënien


“Një Model për Mësimdhënien”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“Një Model për Mësimdhënien”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

të reja duke studiuar shkrimet e shenjta

Një Model për Mësimdhënien

Çdo përvijim në këtë material burimor ndjek një model që i fton njerëzit të tregojnë dhe të japin mësim doktrinën. Në shumë raste, teksa jepni mësim, elementet e këtij modeli mund të mbivendosen ose të ndodhin në një rend të ndryshëm. Për shembull, merrni parasysh që të treguarit është një mundësi për të dhënë mësim doktrinën dhe mësimdhënia e doktrinës duhet të përfshijë ftesa për të treguar. Lejoni që përshtatjet në këtë model të ndodhin natyrshëm, duke ndjekur nxitjet e Shpirtit që të plotësohen nevojat e njerëzve të cilëve u jepni mësim.

Ftojini të Tregojnë

Si pjesë e çdo ore mësimore, ftojini anëtarët e klasës që të tregojnë ide dhe përvoja që i patën gjatë javës së shkuar, ndërkohë që i studionin shkrimet e shenjta si individë e familje dhe kur e vunë në jetë atë që mësuan. Ndihmojini anëtarët e klasës të kuptojnë se të mësuarit e tyre vetjak jashtë orës mësimore është i rëndësishëm. Kthimi i tyre individual në besimin tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të vijë jo vetëm nëpërmjet të mësuarit të dielën, por edhe nëpërmjet përvojave të tyre të përditshme. Kur anëtarët e klasës i dëgjojnë përvojat dhe dëshmitë e njëri‑tjetrit për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, ata kanë më shumë të ngjarë që të kërkojnë përvoja të ngjashme për veten e tyre.

Jo çdo njeri do t’i ketë lexuar kapitujt për secilin mësim, madje edhe disa që i lexuan, mund të mos ndihen rehat për të treguar. Sigurohuni që të gjithë anëtarët e klasës të ndihen se janë një pjesë e çmuar e orës mësimore, pavarësisht nëse ata kanë diçka për të treguar ose jo.

Jepeni Mësim Doktrinën

Ju dhe anëtarët e klasës suaj duhet të përqendroheni te Jezu Krishti dhe doktrina e Tij – të vërtetat e përjetshme të ungjillit – që gjenden në fragmentet e caktuara të shkrimeve të shenjta. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë ta kuptoni më mirë doktrinën që do të jepni mësim. Teksa diskutoni për doktrinën nga shkrimet e shenjta, çfarë vargjesh, citimesh, përvojash, pyetjesh dhe burimesh shtesë mund të tregoni? Si mund t’i përdorni këto burime për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të zbulojnë dhe kuptojnë parime të ungjillit? Si mund t’i ndihmoni që ta ndërtojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?