Seminare dhe Institute
Hyrje në Manualin e Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet dhe Historinë e Kishës


Hyrje në Manualin e Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet dhe Historinë e Kishës

Qëllimi Ynë

Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë thotë:

“Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatisin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell”.

Për të arritur qëllimin tonë, ne u mësojmë studentëve doktrinat dhe parimet e ungjillit siç gjenden në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve. Këto doktrina e parime u jepen mësim në një mënyrë që çon drejt kuptueshmërisë dhe ngritjes shpirtërore. Ne i ndihmojmë studentët të përmbushin rolin e tyre në procesin e të mësuarit dhe i përgatitim ata për t’ua mësuar ungjillin të tjerëve.

Për të ndihmuar në përmbushjen e këtyre synimeve, ju dhe studentët të cilëve u jepni mësim, nxiteni që të përfshini Bazat e Mësimdhënies dhe të të Mësuarit që janë në vijim, ndërkohë që i studioni shkrimet e shenjta së bashku:

  • Të japin mësim dhe të nxënë me anë të Shpirtit.

  • Të kultivojnë një mjedis nxënieje të mbushur me dashuri, respekt e qëllim.

  • T’i studiojnë shkrimet e shenjta çdo ditë dhe ta lexojnë tekstin e kursit. (Tabelat e gjurmimit të leximit të shkrimeve të shenjta mund të gjenden te shtojca në fund të këtij manuali, në LDS.org dhe në store.lds.org [artikulli nr. 10494].)

  • Të kuptojnë kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta dhe të fjalëve të profetëve.

  • Të dallojnë, të kuptojnë, të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e saj, si dhe t’i zbatojnë doktrinat dhe parimet e ungjillit.

  • Të shpjegojnë, të tregojnë e të dëshmojnë për doktrinat dhe parimet e ungjillit.

  • Të zotërojnë fragmentet kyç të shkrimeve të shenjta dhe Doktrinat Bazë.

Ky manual i mësuesit është përgatitur për t’ju ndihmuar të jini të suksesshëm në përmbushjen e këtyre synimeve.

vajzë duke lexuar shkrimet e shenjta

Programi Mësimor i Seminarit dhe Programi Mësimor i Rinisë për të Dielën

Të ndihmuarit e rinisë që të bëhen të kthyer në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit

Një Përpjekje e Përbashkët

Presidenca e Parë u ka bërë thirrje prindërve, mësuesve dhe udhëheqësve që t’i “ndihmojnë të rinjtë të mësojnë ungjillin me anë të vetë studimit dhe besimit të tyre, të zbulojnë vërtetësinë e ungjillit për veten e tyre dhe t’i forcojnë familjet e tyre dhe të tjerët nëpërmjet ndarjes së përvojave, ideve dhe dëshmisë së tyre”. Të bërit kështu do t’i ndihmojë ata ta ndjekin shtegun që “do t’i çojë drejt kthimit në besim” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2012], f. 2).

Nën drejtimin e priftërisë, organizatat e Të Rinjve, të Të Rejave, të Shkollës së të Dielës dhe të Seminarit, duke punuar në një përpjekje bashkërenduese, kanë zhvilluar programin mësimor për ta ndihmuar rininë që t’i përmbushë këto synime. Ndërkohë që secila organizatë ka një rol të pashoq në forcimin e rinisë, qëllimi qendror i të gjithë programit mësimor për rininë është ta udhëheqë rininë drejt Shpëtimtarit dhe të bëjë të ndodhë kthimi i tyre në besim tek ungjilli i Tij. Programi mësimor për secilën organizatë të rinisë është krijuar për të punuar në harmoni me atë të organizatave të tjera të rinisë. Për shembull:

  • “Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit” (një seksion i botuar si në materialet e seminarit dhe të programit mësimor të së dielës për rininë) u zhvillua në mënyrë të bashkërenduar nga organizatat e rinisë për t’i ndihmuar mësuesit, prindërit dhe udhëheqësit që të mësojnë rreth mënyrës se si dha mësim Shpëtimtari (shih Gospel Teaching and Learning: A Handbook for Teachers and Leaders in Seminaries and Institutes of Religion [2012], f. v–vii; Teaching the Gospel in the Savior’s Way [2012], f. 4–5). “Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit” shqyrton mënyrën se si Shpëtimtari i ndihmoi të tjerët që të përvetësonin të vërtetat e shenjta që Ai i dha mësim nëpërmjet nxitjes së tyre për të vepruar me besim dhe për të luajtur një rol aktiv në procesin e të mësuarit. Këto parime të mësimdhënies dhe të mësuarit të ungjillit janë të përfshira në programin mësimor për të gjitha organizatat rinore.

  • Programi mësimor për të gjitha organizatat rinore thekson të njëjtat doktrina themelore. Doktrinat Bazë, të theksuara në programin mësimor të seminarit, përputhen me Parimet Bazë Doktrinore, të dhëna mësim në programin mësimor të rinisë. Në klasat e së dielës, programi mësimor i rinisë përqendrohet te një prej këtyre doktrinave çdo muaj. Në seminar, këto doktrina theksohen ndërkohë që të rinjtë studiojnë secilën nga veprat standarde. Kjo përpjekje e bashkuar ndihmon për t’i përforcuar të vërtetat që rinia i mëson të dielave, me ato që i mësojnë në klasat e seminarit dhe anasjelltas. Theksimi i këtyre doktrinave të njëjta themeltare në të gjithë programin mësimor të rinisë lejon për një përpjekje më të efektshme për rininë, mësuesit dhe prindërit.

  • Programi mësimor për secilën organizatë krijohet për t’i ndihmuar të rinjtë që ta thellojnë kuptueshmërinë dhe dëshminë e tyre për ungjillin dhe që të mësojnë se si t’ua mësojnë ungjillin të tjerëve. Për ta realizuar këtë, si materialet e seminarit ashtu edhe programi mësimor i rinisë kanë si synim ta ndihmojnë rininë të ndërmarrë një rol më aktiv si nxënës të ungjillit, të zbulojnë të vërteta të ungjillit për veten e tyre dhe të shpjegojnë, tregojnë e dëshmojnë për këto të vërteta me njerëz të tjerë.

  • Ata që janë thirrur për të dhënë mësim në Shkollën e së Dielës, te Të Rinjtë, Të Rejat ose në Seminar, ka të ngjarë që do të shohin njëtrajtshmëri në mënyrën e mësimdhënies dhe të mësuarit të ungjillit. Si materialet e seminarit ashtu edhe programi mësimor i rinisë përqendrohen tek të ndihmuarit e të rinjve që ta thellojnë kthimin e tyre në besim. Si rrjedhim i këtij objektivi të përbashkët, shumë materiale trajnimi dhe mjete të medias, të zhvilluara për mësuesit duke përdorur programin mësimor të së dielës për rininë, përdoren edhe nga seminari dhe përfshihen te LDS.org.

Aspektet e Veçanta

Çdo organizatë e rinisë ka një rol të pashoq për ta ndihmuar rininë që të bëhet e kthyer në besim në ungjill (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 12–13). Për shembull, programi mësimor i përdorur në klasat e Shkollës të së Dielës, të Të Rinjve dhe Të Rejave përqendrohet çdo muaj mbi një parim bazë doktrinor. Në dallim, studentët e seminarit i mësojnë doktrinat dhe parimet e ungjillit teksa i studiojnë veprat standarde nga fillimi deri në fund.

Duke e studiuar ungjillin sipas temave në klasat e së dielës, të rinjtë mund ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për doktrina të veçanta nëpërmjet shqyrtimit të aspekteve të ndryshme të atyre të vërtetave dhe duke ia mësuar ato njëri-tjetrit. Në seminar, të rinjtë janë në gjendje t’i zbulojnë e kuptojnë po ato doktrina në kontekstin e të vërtetave që lidhen me to në shkrimet e shenjta dhe i shohin ato të ilustruara në jetën dhe mësimet e individëve në shkrimet e shenjta. Për më tepër, nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta nga fillimi deri në fund, të rinjtë mund të rriten në vetëbesimin e tyre se “Ati i tyre Qiellor po u flet vërtet atyre nëpërmjet shkrimeve të shenjta dhe [të fitojnë] vetëbesim se ata mund t’iu drejtohen shkrimeve të shenjta dhe të gjejnë përgjigje për problemet e tyre dhe lutjet e tyre” (Howard W. Hunter, “Eternal Investments” [bisedë drejtuar arsimtarëve fetarë të Sistemit Arsimor të Kishës, 10 shkurt 1989], f. 2; LDS.org). Të rinjtë gjithashtu bëhen të njohur me shkrimet e shenjta me qëllim që të mund t’i përdorin ato me efektshmëri si misionarë, udhëheqës dhe prindër të ardhshëm. Që të dy mënyrat e studimit të doktrinës së ungjillit veprojnë së bashku për t’i ndihmuar të rinjtë ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për ungjillin dhe t’i përgatitin ata për t’ua mësuar atë të tjerëve.

Përgatitja e Mësimit

Zoti i urdhëroi ata që e japin mësim ungjillin e Tij, që të japin “mës[im] parimet e ungjillit tim, të cilat janë në Bibël dhe në Librin e Mormonit, në të cilin është plotësia e ungjillit” (DeB 42:12). Ai udhëzoi më tej që këto të vërteta duhet të jepen mësim siç “drejtohen me anë të Shpirtit”, i cili “do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit” (DeB 42:13–14). Ndërsa përgatitni çdo mësim, kërkoni me lutje udhëheqjen e Shpirtit për t’ju ndihmuar të kuptoni shkrimet e shenjta dhe doktrinat e parimet që ato përmbajnë. Në të njëjtën mënyrë, ndiqni nxitjet e Shpirtit kur planifikoni mënyrën se si t’i ndihmoni studentët tuaj që t’i kuptojnë shkrimet e shenjta, të mësohen nga Fryma e Shenjtë dhe të ndiejnë dëshirë për ta zbatuar atë që mësojnë.

Në këtë kurs, Doktrina e Besëlidhje është teksti juaj parësor teksa përgatiteni dhe jepni mësim. Studiojini me lutje seksionet apo vargjet që do të jepni mësim. Përpiquni që ta kuptoni kontekstin dhe përmbajtjen e bllokut të shkrimit të shenjtë, përfshirë radhën e ngjarjeve, njerëzit, vendet dhe ndodhitë. Ndërsa njiheni me kontekstin dhe përmbajtjen e secilit bllok të shkrimit të shenjtë, përpiquni të dalloni doktrinat dhe parimet që ai përmban, dhe të vendosni se cilat prej këtyre të vërtetave janë më të rëndësishmet për studentët tuaj që t’i kuptojnë e t’i zbatojnë. Pasi të keni përcaktuar se ku do të përqendroheni, ju mund të vendosni se cilat metoda, qasje dhe veprimtari do t’i ndihmojnë më mirë studentët tuaj që t’i mësojnë e t’i zbatojnë të vërtetat e shenjta që gjenden në shkrimet e shenjta.

Ky manual hartohet që t’ju ndihmojë në këtë proces. Shqyrtojeni me kujdes materialin mësimor që përputhet me bllokun e shkrimit të shenjtë që do të jepni mësim. Ju mund të zgjidhni t’i përdorni të gjitha sugjerimet ose një pjesë të tyre për një bllok të shkrimit të shenjtë, apo t’ua përshtatni idetë e sugjeruara nevojave dhe rrethanave të studentëve që iu jepni mësim.

Është e rëndësishme që ju t’i ndihmoni studentët ta studiojnë të gjithë bllokun e shkrimit të shenjtë në secilin mësim. Bërja e kësaj do t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë mesazhin e plotë që shkruesi i shkrimit të shenjtë kishte për qëllim të përçonte. Megjithatë, teksa e planifikoni mësimin tuaj, ju mund të zbuloni se nuk keni kohë të mjaftueshme në një orë mësimore që t’i përdorni të gjitha sugjerimet për mësimdhënien në manual. Kërkoni udhëzimin e Shpirtit dhe me lutje merrni parasysh nevojat e studentëve tuaj ndërkohë që përcaktoni cilat pjesë të bllokut të shkrimit të shenjtë t’i theksoni, me qëllim që t’i ndihmoni studentët ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e të vërtetave të ungjillit dhe që t’i zbatojnë ato në jetën e tyre. Nëse keni pak kohë, mund t’ju nevojitet t’i përshtatni fragmentet e tjera të mësimit duke i përmbledhur shkurtimisht një grup vargjesh ose duke i udhëzuar studentët të përcaktojnë me të shpejtë një parim ose doktrinë përpara kalimit te grupi tjetër i vargjeve.

Ndërsa merrni parasysh mënyrën se si t’i përshtatni materialet mësimore, sigurohuni që ta ndiqni këtë këshillë nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Dallin H. Ouks

“Shpesh e kam dëgjuar Presidentin Paker të japë mësim që ne së pari përvetësojmë, pastaj përshtatim. Nëse e njohim mirë mësimin e përshkruar që duhet të japim, atëherë ne mund ta ndjekim Shpirtin për ta përshtatur atë” (“A Panel Discussion with Elder Dallin H. Oaks” [transmetim satelitor i Seminareve dhe Instituteve të Fesë, 7 gusht 2012]).

Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, jini të vëmendshëm ndaj studentëve që kanë nevoja të veçanta. Përshtatini veprimtaritë dhe pritshmëritë që t’i ndihmoni ata t’ia dalin mbanë. Bashkëbisedimi me prindërit dhe udhëheqësit do t’ju ndihmojë të ndërgjegjësoheni për nevojat e studentëve dhe do t’ju ndihmojë t’ia dilni me sukses në sigurimin e një përvoje kuptimplote dhe lartësuese për ta.

Gjatë përgatitjes suaj për mësimin, ju mund të zgjidhni për të përdorur Notes and Journal tools [Mjetet e Shënimeve dhe Ditarit] në LDS.org ose në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për pajisje elektronike. Ju mund t’i përdorni këto mjete për të shenjuar shkrimet e shenjta, bisedat e konferencave, artikujt e revistave të Kishës dhe mësimet. Ju gjithashtu mund të shtoni dhe ruani shënime për përdorim gjatë mësimeve tuaja. Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si t’i përdorni këto mjete, shihni faqen Notes and Journal Help [Ndihma për Shënimet dhe Ditarin] te LDS.org.

Përdorimi i Manualit të Mësuesit që Jep Mësim Çdo Ditë

Hyrje te Blloku i Shkrimit të Shenjtë

Hyrjet te blloku i shkrimit të shenjtë japin një vështrim të përgjithshëm, të shkurtër mbi kontekstin dhe përmbajtjen e bllokut të shkrimit të shenjtë për secilin mësim.

Grupimi i Vargjeve dhe Përmbledhja e Kontekstit

Blloqet e shkrimit të shenjtë shpesh ndahen në segmente më të vogla ose grupe vargjesh që përqendrohen mbi një temë ose veprim të veçantë. Referenca për secilin grupim të vargjeve ndiqet nga një përmbledhje e shkurtër e ngjarjeve ose mësimeve brenda atij grupi vargjesh.

Ndihmat për Mësimdhënien

Ndihmat për mësimdhënien shpjegojnë parime dhe metoda të mësimdhënies së ungjillit. Ato mund t’ju ndihmojnë në përpjekjet tuaja për t’u përmirësuar si mësues.

Struktura e Mësimit

Struktura e mësimit përmban udhëzim për ju ndërsa studioni dhe jepni mësim. Ajo sugjeron ide për mësimdhënie, duke përfshirë pyetje, veprimtari, citate, skica dhe grafikë.

Doktrinat dhe Parimet

Ndërsa doktrinat dhe parimet dalin natyrshëm nga studimi i tekstit të shkrimit të shenjtë, ato vihen në dukje me germa të theksuara për t’ju ndihmuar që t’i përcaktoni dhe t’i theksoni në diskutimin tuaj me studentët.

Fotografitë

Fotografitë e udhëheqësve të Kishës dhe të ngjarjeve nga shkrimet e shenjta përbëjnë mjete ndihmëse pamore që mund t’i paraqitni, nëse i keni në dispozicion, teksa jepni mësim.

Hapësira e Kolonës Bosh

Hapësira e kolonës bosh mund të përdoret për përgatitjen e mësimit, duke përfshirë të shkruarin e shënimeve, parimeve, përvojave ose ideve të tjera, siç ndiheni të nxitur nga Fryma e Shenjtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Citate dhe shpjegime shtesë jepen në fund të disa mësimeve për t’ju dhënë më tepër kuptueshmëri të kontekstit historik, të koncepteve të veçanta ose të fragmenteve të shkrimit të shenjtë. Përdoreni informacionin në këtë nënndarje për t’u përgatitur që t’ju përgjigjeni pyetjeve ose të jepni ide shtesë teksa jepni mësim. Artikuj komentues shtesë mund të gjenden në variantet dixhitale të këtij manuali te LDS.org.

Ide Shtesë për Mësimdhënien

Idetë shtesë për mësimdhënien shfaqen në fund të disa mësimeve. Ato japin sugjerime për mësimdhënien e doktrinave dhe parimeve që mund të mos përcaktohen ose theksohen në strukturën e mësimit. Ato gjithashtu mund të japin sugjerime në përdorimin e mjeteve pamore, të tilla si paraqitjet me DVD dhe materialet filmike në LDS.org. Ide mësimdhënëse shtesë mund të gjenden në variantet dixhitale të këtij manuali te LDS.org.

Programi i Përditshëm i Seminarit (Gjatë Orëve të Lira Mësimore dhe Herët në Mëngjes)

Ky manual përmban elementet vijuese për mësuesit e seminarit të përditshëm: 160 mësime të përditshme të mësuesit, ndihmat për mësimdhënien dhe burime për mësimdhënien e zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe të Doktrinave Bazë.

Mësimet e Mësuesit që Jep Mësim Çdo Ditë

Formati i Mësimit

Çdo mësim në këtë manual përqendrohet te një bllok i shkrimit të shenjtë në vend që të përqendrohet te një koncept, doktrinë apo parim i veçantë. Ky format do t’ju ndihmojë ju dhe studentët tuaj që t’i studioni shkrimet e shenjta në mënyrë të njëpasnjëshme dhe të diskutoni për doktrinat dhe parimet ndërsa ato dalin natyrshëm nga teksti i shkrimit të shenjtë. Teksa studentët e mësojnë kontekstin në të cilin gjendet një doktrinë apo parim, kuptueshmëria e tyre për atë të vërtetë mund të thellohet. Përveç kësaj, studentët do të jenë akoma më në gjendje ta shohin dhe ta kuptojnë qëllimin e plotë të mesazheve që kishin ndërmend të përçonin shkruesit e frymëzuar të shkrimit të shenjtë. Mësimdhënia e shkrimeve të shenjta në këtë mënyrë gjithashtu do t’i ndihmojë studentët që të mësojnë se si t’i zbulojnë e zbatojnë të vërtetat e përjetshme gjatë studimit të tyre vetjak të shkrimeve të shenjta.

Në secilin mësim, nuk theksohen të gjitha segmentet e një blloku të shkrimit të shenjtë. Disa segmenteve iu kushtohet më pak vëmendje ngaqë janë më pak thelbësore kundrejt mesazhit të përgjithshëm të shkruesit të frymëzuar ose ngaqë mund të gjejnë më pak zbatim për rininë. Ju keni përgjegjësinë që t’i përshtatni këto materiale në përputhje me nevojat dhe interesat e studentëve që u jepni mësim. Ju mund t’i përshtatni idetë mësimore në këtë manual duke zgjedhur që t’i vini më shumë theks një doktrine apo parimi të veçantë, nga sa i është vënë në materialin mësimor, ose duke zgjedhur që t’i vini më pak theks një segmenti të bllokut të shkrimit të shenjtë i cili është shtjelluar me thellësi në manual. Kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që t’ju ndihmojë t’i bëni këto përshtatje ndërsa përgatiteni dhe jepni mësim.

Doktrinat dhe Parimet

Në strukturën e secilit mësim, do të zbuloni që disa doktrina dhe parime kyç janë vënë në dukje me germa të theksuara. Këto doktrina e parime përcaktohen te programi mësimor pasi: 1) ato pasqyrojnë një mesazh kryesor të bllokut të shkrimit të shenjtë, 2) ato gjejnë veçanërisht zbatim për nevojat dhe rrethanat e studentëve, ose 3) ato janë të vërteta kyçe që mund t’i ndihmojnë studentët të thellojnë marrëdhënien e tyre me Zotin. Kini parasysh që Doktrina e Besëlidhje na mëson mjaft të vërteta përtej atyre të përcaktuara në programin mësimor. Presidenti Bojd K. Paker na mësoi se shkrimet e shenjta përmbajnë “ndërthurje të pafundme të vërtetash që do të përputhen me nevojën e çdo individi në çdo rrethanë” (“The Great Plan of Happiness” [CES Symposium on the Doctrine and Covenants/Church History, 10 gusht 1993], LDS.org; shih edhe Teaching Seminary: Preservice Readings [2004], f. 69, LDS.org).

Ndërsa jepni mësim, jepuni vazhdimisht studentëve mundësi të përcaktojnë doktrina e parime në shkrimet e shenjta. Ndërsa studentët i shprehin të vërtetat që zbulojnë, ata shpesh mund të përdorin fjalë që ndryshojnë nga mënyra se si një doktrinë apo parim përmendet në këtë manual. Ata gjithashtu mund të zbulojnë të vërteta që nuk përcaktohen në planin mësimor. Kini kujdes të mos sugjeroni që përgjigjet e studentëve janë të gabuara thjesht ngaqë fjalët që ata përdorin për t’i shprehur ato, ndryshojnë nga fjalët e përdorura në manual ose ngaqë ata përcaktojnë një të vërtetë që nuk përmendet në programin mësimor. Gjithsesi, nëse thënia e një studenti është e pasaktë nga ana doktrinore, është përgjegjësia juaj ta ndihmoni studentin me të butë që ta korrigjojë thënien e tij ose të saj, ndërkohë që ruani një mjedis dashurie e mirëbesimi. Bërja e kësaj mund të sigurojë një përvojë të rëndësishme të të mësuarit për studentët në klasën tuaj.

Ritmi

Ky manual përmban 160 mësime të përditshme të seminarit. Ju mund t’i përshtatni mësimet dhe ritmin sipas nevojës për periudhën e kohës që duhet ta jepni mësim këtë kurs. Shihni shtojcën në fund të këtij manuali për një model të udhëzuesit të ritmit. Udhëzuesi i ritmit bazohet mbi një vit shkollor me 36 javë ose 180 ditë dhe përfshin 20 “ditë të ndryshueshme” që ju mund t’i përdorni për t’i përshtatur mësimet e përditshme, për t’i ndihmuar studentët që t’i zotërojnë fragmentet kyçe të shkrimeve të shenjta dhe Doktrinat Bazë, për ta rishikuar materialin e mëparshëm dhe për të lejuar për ndërprerje të programit mësimor.

Detyra për Shlyerje

Udhëzuesi i Studimit të Doktrinës e Besëlidhjeve dhe Historisë së Kishës për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi mund të përdoret në programet e përditshme të seminarit si burim për t’u dhënë studentëve detyra për shlyerje. Mësimet tek udhëzuesi i studimit për studentët e studimit në shtëpi shkojnë paralel me ato të paraqitura në këtë manual. Studentëve që kanë tepër mungesa, mund t’u caktohet që të plotësojnë detyrat tek udhëzuesi i studimit, të cilat përputhen me përmbajtjen e orës mësimore ku munguan. Detyrat mund të shtypen nga LDS.org, kështu që nuk është e nevojshme t’u jepni të gjithë manualin studentëve të cilët duhet të bëjnë detyra për shlyerje. Më shumë informacion lidhur me Udhëzuesin e Studimit të Doktrinës e Besëlidhjeve dhe Historisë së Kishës për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi jepet në seksionin e titulluar “Programi i Studimit të Seminarit në Shtëpi” në këto materiale paraprirëse.

Ndihmat për Mësimdhënien

Ndihmat për mësimdhënien shfaqen në anët e fletëve të këtij manuali. Këto ndihma për mësimdhënien shpjegojnë dhe paraqesin mënyrën se si ju dhe studentët të cilëve u jepni mësim, mund t’i zbatoni Bazat e Mësimdhënies dhe të Të Mësuarit të Ungjillit në studimin tuaj të Doktrinës e Besëlidhjeve dhe të historisë së Kishës. Ato gjithashtu japin sugjerime mbi mënyrën se si të përdorni me efektshmëri një mori metodash, aftësish dhe drejtimesh të mësimdhënies. Ndërsa arrini t’i kuptoni parimet e përmbajtura te ndihmat për mësimdhënien, kërkoni mënyra se si t’i praktikoni e zbatoni vazhdimisht gjatë mësimdhënies suaj.

Përdorimi i Mësimeve të Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studentit

Përmbledhja do t’ju ndihmojë të njiheni vetë me kontekstin dhe doktrinat e parimet që studentët i studiuan gjatë javës tek udhëzuesi i studimit të studentëve.

Hyrja e Mësimit

Hyrja e mësimit do t’ju ndihmojë të dini se cilat pjesë të bllokut të shkrimit të shenjtë do të theksohen në mësim.

Struktura e Mësimit

Struktura e mësimit siguron udhërrëfim për ju ndërsa studioni dhe jepni mësim. Ajo sugjeron ide për mësimdhënie, duke përfshirë pyetje, veprimtari, citate, diagrame dhe tabela.

Grupimi i Vargjeve dhe Përmbledhja e Kontekstit

Vargjet grupohen sipas vendit ku ndodhin ndryshimet në kontekst apo përmbajtje përgjatë bllokut të shkrimeve të shenjta. Referenca për secilin grupim të vargjeve ndiqet nga një përmbledhje e shkurtër e ngjarjeve ose e mësimeve brenda atij grupi të vargjeve.

Doktrinat dhe Parimet

Ndërsa doktrinat dhe parimet dalin natyrshëm nga studimi i tekstit të shkrimit të shenjtë, ato vihen në dukje me germa të theksuara për t’ju ndihmuar që t’i përcaktoni dhe t’i theksoni në diskutimin tuaj me studentët.

Hyrje në Njësinë Tjetër

Paragrafi i fundit i secilit mësim jep një paraqitje të shkurtër të njësisë tjetër. Tregojuani këtë paragraf studentëve tuaj në përfundim të secilit mësim që t’i ndihmoni të presin plot dëshirë studimin e shkrimeve të shenjta gjatë javës së ardhshme.

Programi i Studimit të Seminarit në Shtëpi

Nën drejtimin e udhëheqësve vendorë të priftërisë dhe përfaqësuesve vendorë të SeI-së, klasat e studimit në shtëpi të seminarit mund të organizohen në vende ku studentët nuk mund ta ndjekin një klasë të përditshme për shkak të largësisë ose faktorëve të tjerë (të tillë si një paaftësi fizike). Klasat e studimit në shtëpi të seminarit në përgjithësi nuk janë në dispozicion atje ku klasat e përditshme (gjatë ditëve të javës) sigurohen herët në mëngjes ose nëpërmjet orëve të lira mësimore.

Programi i studimit në shtëpi i lejon studentët që të marrin kredite në seminar nëpërmjet plotësimit të mësimeve të veçanta në shtëpi në vend që të marrin pjesë në orët mësimore të ditëve të javës. Këto mësime gjenden në një manual të veçantë, të titulluar Udhëzuesi i Studimit të Doktrinës e Besëlidhjeve dhe Historisë së Kishës për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi. Një herë në javë, studentët takohen me një mësues të seminarit për të paraqitur punën e tyre dhe për të marrë pjesë në një orë mësimore në klasë. Udhëzuesi i studimit të studentëve dhe mësimet e orës së përjavshme në klasë shpjegohen më tej në vijim.

Udhëzuesi i Studimit për Studentët që Studiojnë në Shtëpi

Udhëzuesi i Studimit të Doktrinës e Besëlidhjeve dhe Historisë së Kishës për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi ka si qëllim ta ndihmojë studentin e studimit në shtëpi të fitojë një përvojë në studimin e Doktrinës e Besëlidhjeve dhe historisë së Kishës të ngjashme me atë të studentit të seminarit që merr pjesë në orët mësimore të ditëve të javës. Si rrjedhim, ritmi që ndjek udhëzuesi i studimit të studentëve, si edhe doktrinat dhe parimet që i thekson, përputhen me materialin në këtë manual. Udhëzuesi i studimit të studentëve përfshin edhe udhëzim për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë përmenden në kontekst ndërsa shfaqen në tekstin e shkrimit të shenjtë dhe shpesh jepen veprimtari për të shkruar në mësimet ku flitet për fragmentet.

Çdo javë, studentët e seminarit që studiojnë në shtëpi, duhet të plotësojnë katër mësime nga udhëzuesi i studimit të studentëve dhe të marrin pjesë në një mësim të përjavshëm që jepet nga mësuesi i tyre i seminarit. Studentët i plotësojnë detyrat me numër të caktuar nga udhëzuesi i studimit në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Studentët duhet të kenë dy ditarë të studimit të shkrimeve të shenjta në mënyrë që të mund t’ia lënë njërin mësuesit të tyre dhe të vazhdojnë të punojnë me tjetrin. Ndërsa studentët takohen me mësuesin e tyre çdo javë, një ditar i dorëzohet mësuesit të studimit në shtëpi dhe tjetri i kthehet studentit për ta përdorur për mësimet e javës së ardhshme. (Për shembull, gjatë një jave, studenti plotëson detyrat në ditarin numër 1. Pastaj studenti e sjell këtë ditar në klasë dhe ia jep mësuesit. Gjatë javës së ardhshme, studenti plotëson detyrat në ditarin numër 2. Kur studenti dorëzon ditarin numër 2, mësuesi do t’ia kthejë ditarin numër 1. Më pas studenti e përdor ditarin numër 1 për të përfunduar detyrat e javës së ardhshme.)

Të gjithë studentët e seminarit nxiten t’i studiojnë shkrimet e shenjta çdo ditë dhe ta lexojnë tekstin për kursin, por studentët që studiojnë në shtëpi, duhet të kuptojnë që prej tyre pritet të harxhojnë 30 deri 40 minuta shtesë me secilin nga katër mësimet e studimit në shtëpi në secilën njësi dhe të marrin pjesë në mësimin e përjavshëm të studimit në shtëpi.

Mësimet e Përjavshme të Mësuesit të Studimit në Shtëpi

Secila njësi tek Udhëzuesi i Studimit të Doktrinës e Besëlidhjeve dhe Historisë së Kishës për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi përputhet me pesë mësime te manuali i mësuesit që jep mësim çdo ditë. Në fund të çdo pesë mësimeve në këtë manual, ju do të gjeni një mësim të përjavshëm të mësuesit të studimit në shtëpi. Mësimet e studimit në shtëpi do t’i ndihmojnë studentët të përsërisin doktrinat e parimet që mësuan gjatë javës kur plotësuan mësimet tek udhëzuesi i studimit i studentëve, të thellojnë të kuptuarin e tyre dhe t’i zbatojnë ato. Këto mësime mund të shqyrtojnë edhe të vërteta shtesë që nuk trajtohen tek udhëzuesi i studimit të studentëve. (Për ndihmë me planifikimin e programit të mësimit tuaj, shihni udhëzuesin e ritmit për mësuesit e studimit në shtëpi te shtojca në fund të këtij manuali.)

Si mësues i studimit në shtëpi, ju duhet të zotëroni një kuptim tërësor të asaj që studentët tuaj po studiojnë në shtëpi çdo javë, në mënyrë që të mund t’iu përgjigjeni pyetjeve dhe të krijoni diskutime kuptimplote kur të takoheni me ta. Kërkojuni studentëve t’i sjellin me vete shkrimet e tyre të shenjta, ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta dhe udhëzuesit e studimit të studentëve në orën e përjavshme mësimore në mënyrë që t’iu drejtohen atyre gjatë mësimit. Përshtatini mësimet sipas nevojave të studentëve të cilëve u jepni mësim dhe sipas udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë. Ju gjithashtu mund të dëshironi t’u drejtoheni mësimeve të mësuesit që jep mësim çdo ditë në këtë manual ndërsa përgatiteni dhe jepni mësim. Një studim i ndihmave dhe metodave për mësimdhënien, të përdorura në mësimet e përditshme mund të ndihmojë në pasurimin e mësimdhënies suaj të përjavshme. Bëni përshtatjet për ndonjë nevojë të veçantë të studentëve që u jepni mësim. Për shembull, nëse një student ka vështirësi në të shkruar, lejojeni atë të përdorë një mjet të regjistrimit të zërit ose t’ia diktojë mendimet një pjesëtari të familjes apo një shoku, që mund t’i shkruajë përgjigjet e tij ose të saj.

Në fund të çdo mësimi të përjavshëm, mblidhni ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta të studentëve dhe nxitini ata që ta vazhdojnë studimin e tyre. Jepuni një ditar të studimit të shkrimeve të shenjta për detyrat e javës së ardhshme, siç shpjegohet më lart në pjesën e titulluar “Udhëzuesi i Studimit për Studentët që Studiojnë në Shtëpi”. (Nën drejtimin e udhëheqësve të priftërisë dhe të prindërve, mësuesit e seminarit [të thirrur nga] kunji mund të komunikojnë në mënyrë elektronike me studentët e seminarit të regjistruar në seminarin e studimit në shtëpi).

Ndërsa i lexoni detyrat në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta të studentëve, reagoni herë pas here për punën e tyre duke shkruar një shënim të vogël ose duke komentuar herën e ardhshme që i takoni. Ju gjithashtu mund të dëshironi të kërkoni mënyra të tjera për të dhënë mbështetje dhe përshtypje kuptimplote. Kjo do t’i ndihmojë studentët të dinë që ju kujdeseni për punën e tyre dhe do të ndihmojë për t’i motivuar ata të jenë tërësorë në përgjigjet e tyre.

Shumica e përpjekjeve të studentëve për t’i zotëruar fragmentet kyçe të shkrimeve të shenjta do të bëhet teksa ata i përfundojnë mësimet e tyre të studimit në shtëpi. Mësuesit e studimit në shtëpi mund t’i ndjekin përpjekjet e studentëve gjatë mësimeve të studimit në shtëpi duke i ftuar studentët që të recitojnë ose përsëritin fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë që dalin në tekst për njësinë e studimit të asaj jave.

Burime të Tjera

Projekti i Shkresave të Jozef Smithit

Shumë prej informacionit historik në këtë manual u mor nga Historia e Kishës dhe Projekti i Shkresave të Jozef Smithit. Të një ndihmese të veçantë ishin vëllimet 1 e 2 të serisë Documents [Dokumentet] të The Joseph Smith Papers [Shkresat e Jozef Smithit], të botuara nga Shtypshkronja e Historianit të Kishës (një shtypshkrim i Departamentit të Historisë së Kishës për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme). Që t’i shikoni pamjet e dixhitalizuara dhe t’i lexoni dorëshkrimet e dokumenteve origjinale te Projekti i Shkresave të Jozef Smithit, vizitoni josephsmithpapers.org.

Mjetet e Shënimeve dhe të Ditarëve

Manualet e mësuesit të seminarit dhe udhëzuesit e studimit të studentëve janë në dispozicion te LDS.org dhe te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për pajisjet elektronike. Mësuesit dhe studentët mund të përdorin mjetet në internet dhe elektronike të Notes and Journal [Shënimeve dhe Ditarit] për të shenjuar e shtuar shënime në variantin në internet të këtyre manualeve teksa ata përgatitin mësime dhe i studiojnë shkrimet e shenjta. Manualet e mësuesit dhe udhëzuesit e studimit për studentët janë gjithashtu në dispozicion për t’u shkarkuar në formate të tjera (të tilla si PDF, ePub dhe skedarët mobi [Kindle]) te LDS.org.

Artikuj Shtesë

Burimet në vijim janë në dispozicion në internet, nëpërmjet mbikëqyrësit tuaj, nëpërmjet qendrave vendore të shpërndarjes së Kishës dhe nëpërmjet dyqanit në internet të Kishës (store.lds.org):