Seminare dhe Institute
Mësimi 20: Doktrina e Besëlidhje 14–16


Mësimi 20

Doktrina e Besëlidhje 14–16

Hyrje

Në fund të majit 1829 Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri duruan kërcënime nga turmat, ndërkohë që përfundonin përkthimin e Librit të Mormonit. Dejvid Uitmeri i ndihmoi të lëviznin nga Harmonia në Pensilvani për në shtëpinë Uitmer në Fajet të Nju-Jorkut, që ata të mund t’i shpëtonin përndjekjes dhe kështu të mund t’ua mësonin ungjillin e rivendosur familjes Uitmer dhe fqinjëve të tyre. Familja Uitmer tregoi shumë interes në ngjarjet që po shpaloseshin për Rivendosjen. Jozef Smithi i përshkroi Dejvid Uitmerin, Xhon Uitmerin dhe Piter Uitmer të Riun si “miq dhe ndihmës të zellshëm për veprën; dhe … plot padurim për të ditur detyrat e tyre përkatëse” (History of the Church, 1:48–49). Profeti u lut dhe mori zbulesa për Dejvid Uitmerin dhe vëllezërit e tij, Xhonin dhe Piterin. Këta vëllezër mësuan rreth roleve të tyre në sjelljen në dritë të veprës së Zotit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 14

Zoti e thërret Dejvid Uitmerin që të ndihmojë në punën e ditëve të mëvonshme

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë sfondin historik të zbulesave që do të studiojnë sot, përmblidhni informacionin e hyrjes së këtij mësimi. Përveç kësaj, ju mund të dëshironi t’i kërkoni një studenti të lexojë tregimin vijues. Përpara se të lexojë studenti, shpjegoni se Dejvid Uitmerit i nevojitej të mbillte farat e grurit në fermën e familjes dhe të përhapte gipsin, që përdorej si plehërues. Ai u ndie i frymëzuar që duhej të ndihmonte Jozefin dhe Oliverin pasi t’i kishte përfunduar ato detyra. Ftojeni klasën të dëgjojë për mrekullitë që e lejuan Dejvid Uitmerin t’i ndihmonte Oliver Kaudërin dhe Jozef Smithin për t’u shpëtuar nga përndjekësit e tyre:

Lusi Mek Smith

“Dejvidi shkoi në fushë dhe mësoi se kishte përpara tij për të bërë punën e rëndë të dy ditëve. … Atëherë i lidhi kuajt e tij te lesa dhe në vend që ta ndante fushën në atë që, nga fermerët, quhej zakonisht parcela, ai i çoi kuajt përreth të gjithë fushës, duke vazhduar në këtë mënyrë deri në mesditë, kur, duke ndaluar për të ngrënë, e hodhi vështrimin përreth dhe zbuloi, për çudinë e tij, se e kishte lesuar tërësisht gjysmën e grurit. Pasi hëngri, ai vazhdoi si më parë dhe deri në mbrëmje e kishte mbaruar tërë punën e dy ditëve.

I ati, duke shkuar në fushë po atë mbrëmje, e pa atë që ishte bërë dhe thirri: ‘Duhet të ketë një dorë të plotfuqishme në këtë punë dhe mendoj se do të ishte më mirë të shkoje në Pensilvani sapo ta kesh shpërndarë gipsin’.

Të nesërmen në mëngjes, Dejvidi mori një matëse druri nën krah dhe shkoi që të shpërndante gipsin, të cilin ai e kishte lënë, para dy ditësh, në pirgje pranë shtëpisë së motrës së tij, por, kur arriti te vendi, zbuloi se gipsi ishte zhdukur! Ai atëherë shkoi me vrap tek e motra dhe e pyeti nëse e dinte se ç’ishte bërë me të. Duke u habitur ajo pyeti: ‘Përse më pyet mua? A nuk u shpërnda i tëri dje?’

‘Jo mesa di unë’, u përgjigj Dejvidi.

‘Po habitem me këtë’, u përgjigj e motra, ‘sepse fëmijët erdhën tek unë para mesditës dhe m’u lutën të dilja jashtë dhe të shihja burrat që po e shpërndanin gipsin në fushë, duke thënë, se ata nuk kishin parë kurrë në jetën e tyre ndonjë që ta shpërndante gipsin aq shpejt. Dhe kështu shkova dhe pashë tre burra që punonin në fushë, siç kishin thënë fëmijët, por, duke menduar që ti i kishe pajtuar për ndihmë, për shkak të nxitimit tënd, unë shkova në shtëpi menjëherë dhe nuk i kushtova çështjes asnjë vëmendje të mëtejshme.’

Dejvidi bëri pyetje të shumta lidhur me çështjen, si midis të afërmve ashtu edhe fqinjëve, por nuk ishte në gjendje të mësonte se kush e kishte bërë atë” (Lucy Mack Smith, History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], f. 148–149).

  • Si mendoni se mund ta kishin ndikuar Dejvid Uitmerin këto përvoja?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 14:1–5 duke shpjeguar se Zoti shpalli ardhjen e punës së Tij dhe bekimet e premtuara atyre që marrin pjesë në të. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 14:6–7. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar udhëzimet drejtuar Dejvidit dhe bekimin që do të merrte Dejvidi si rrjedhim i të dëgjuarit të udhëzimeve të Zotit.

  • Çfarë i premtoi Zoti Dejvid Uitmerit? Çfarë iu kërkua të bënte Dejvidit që ky premtim të përmbushej?

Kërkojuni studentëve të shprehin sërish me fjalët e tyre parimin te Doktrina e Besëlidhje 14:7. Ndërsa përgjigjen studentët, shkruani parimin vijues në tabelë: Nëse i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe durojmë deri në fund, ne do të marrim jetë të përjetshme.

  • Çfarë do të thotë të marrim jetë të përjetshme? (Të marrim jetë të përjetshme është të jetojmë përgjithmonë me familjet tona në praninë e Perëndisë. Jeta e përjetshme është lloji i jetës që jeton Perëndia.)

  • Si mund të na nxitë premtimi i jetës së përjetshme që t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe të durojmë deri në fund?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 14:8. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar bekimet e tjera që mund të merrte Dejvid Uitmeri nëse ishte i bindur. Pasi studentët të raportojnë atë që gjejnë, shpjegoni se pak kohë pasi Jozef Smithi e mori këtë zbulesë për Dejvidin, Dejvidi u bë një nga Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit. Ai pa engjëllin Moroni dhe fletët e arta, si edhe dëgjoi zërin e Perëndisë duke dëshmuar për vërtetësinë e analit.

Shpjegoni se Zoti i dha Dejvid Uitmerit një premtim tjetër të bazuar te besnikëria e Dejvidit. Për t’i përgatitur studentët që të përcaktojnë një parim në fjalët e Zotit drejtuar Dejvidit, shkruani në tabelë sa vijon: Nëse ne , atëherë Zoti do të .

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 14:9–11. Kërkojuni atyre të përcaktojnë një parim që i përshtatet modelit në tabelë. Lejoni disa studentë të tregojnë për atë që gjejnë. Studentët mund të sugjerojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që është e qartë se, në qoftë se e ndihmojmë me besnikëri Zotin në punën e Tij, Zoti do të na bekojë shpirtërisht dhe materialisht.

  • Në çfarë mënyrash ju ka kërkuar Zoti të ndihmoni në punën e Tij? Çfarë bekimesh ju kanë ardhur në jetën tuaj kur keni ndihmuar në punën e Zotit?

Doktrina e Besëlidhje 15–16

Jezu Krishti i mëson Xhon Uitmerit dhe Piter Uitmerit të Riut atë që është më me vlerë për ta

Ftojini dy studentë të dalin përpara klasës. Kërkojini njërit prej tyre të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 15:1 dhe më pas kërkojini studentit tjetër që të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 16:1. Kërkojuni këtyre studentëve të lexojnë vargjet 2–6 të këtyre seksioneve në të njëjtën mënyrë.

Ftojini studentët të përcaktojnë dëshirën që Xhon Uitmeri dhe Piter Uitmeri i Riu patën të përbashkët te Doktrina e Besëlidhje 15:3–4 dhe Doktrina e Besëlidhje 16:3–4.

  • Çfarë dëshiruan si Xhon Uitmeri dhe Piter Uitmeri i Riu? (Të dinin çfarë mund të bënin që do të ishte më me vlerë për ta.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 15:6 dhe 16:6. Kërkojuni atyre të përcaktojnë përgjigjen që Zoti u dha këtyre burrave.

  • Si iu përgjigj Zoti pyetjes së tyre? Çfarë parimi mund të mësojmë nga përgjigjja e Zotit? (Megjithëse studentët mund të përdorin fjalë të tjera, sigurohuni që ata e kuptojnë se përpjekjet tona për t’i sjellë të tjerët te Jezu Krishti janë të një vlere të madhe për ne.)

  • Çfarë mund të bëjmë që të ndihmojmë njerëz të tjerë për të ardhur te Krishti?

  • Përse janë këto përpjekje të një vlere të madhe për ne?

Ftojini studentët të rishikojnë Doktrinën e Besëlidhjet 15 dhe 16, duke kërkuar se si dy zbulesat janë të ndryshme nga njëra-tjetra. (I vetmi ndryshim është se njëra i drejtohet Xhonit dhe tjetra i drejtohet Piterit.)

Shpjegoni se me raste Zoti ua zbulon të njëjtin mesazh individëve të ndryshëm, sepse ata mund të kenë nevoja, rrethana ose dëshira të ngjashme. Megjithatë, ne mund të sigurohemi se Ai na njeh ne në mënyrë individuale. Në këtë shembull, Ai i thirri Xhon Uitmerin dhe Piter Uitmer të Riun me emër dhe u zbuloi atyre vullnetin e Tij veç e veç.

  • Si mund të tregojë një bekim i priftërisë ose një thirrje misioni se Perëndia na njeh personalisht, edhe nëse bekimi ose thirrja e misionit përmban fjalë të ngjashme me ato që u jepen të tjerëve?

Për të dhënë një shembull tjetër që Perëndia na njeh personalisht, kërkojini një studenti të lexojë tregimin vijues nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Ca kohë më parë fola me një udhëheqës të priftërisë që ishte nxitur t’i mësonte përmendësh emrat e të gjithë rinisë nga mosha 13 deri në 21 vjeç në kunjin e tij. Duke përdorur fotografi të të rinjve dhe të të rejave, ai krijoi karta të vogla që i shqyrtonte ndërkohë që udhëtonte për punë dhe në kohë të tjera. Ky udhëheqës i priftërisë me të shpejtë i mësoi të gjithë emrat e rinisë.

Një natë udhëheqësi i priftërisë pati një ëndërr rreth njërit prej të rinjve, të cilin e njihte vetëm nga një fotografi. Në ëndërr ai e pa të riun të veshur me një këmishë të bardhë dhe duke mbajtur një etiketë emri të misionarit. Me një shok të ulur në krah të tij, i riu po i jepte mësim një familjeje. I riu mbante Librin e Mormonit në dorë dhe dukej sikur ai po dëshmonte për vërtetësinë e librit. Udhëheqësi i priftërisë atëherë u zgjua prej ëndrrës së vet.

Në një mbledhje pasuese të priftërisë, udhëheqësi iu afrua të riut që e kishte parë në ëndërr dhe i kërkoi të fliste me të për pak minuta. Pas një prezantimi të shkurtër, udhëheqësi e thirri të riun me emër dhe i tha: ‘Unë nuk jam një shikues ëndrrash. Nuk kam pasur kurrë një ëndërr rreth një anëtari të vetëm të këtij kunji, me përjashtimin tënd. Do të të tregoj rreth ëndrrës sime dhe më pas do të doja të më ndihmoje që ta kuptoj se çfarë do të thotë ajo.’

Udhëheqësi i priftërisë tregoi ëndrrën dhe e pyeti të riun për domethënien e saj. I mbytur nga emocioni, i riu thjesht u përgjigj: ‘Do të thotë që Perëndia e di se cili jam unë’. Pjesa tjetër e bashkëbisedimit midis këtij të riu dhe udhëheqësit të tij të priftërisë ishte shumë kuptimplote dhe ata ranë dakord të takoheshin e këshilloheshin së bashku herë pas here gjatë muajve pasues” (“The Tender Mercies of the Lord”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 100).

  • Përse mund të jetë e dobishme për ne ta kuptojmë se Perëndia na njeh ne personalisht?

Ftojini disa studentë të tregojnë se si e dinë që Perëndia i njeh ata personalisht. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se shembujt e studentëve nuk nevojitet të jenë të jashtëzakonshëm. Kujtojini studentët që nuk nevojitet të tregojnë përvoja që janë tepër vetjake apo të brendshme.)

  • Si mund t’i ndikojë vendimet që merrni çdo ditë, dituria që Perëndia ju njeh personalisht? Si i ka ndikuar kjo dituri vendimet juaja?

Ju mund të doni ta mbyllni këtë mësim duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar dhe duke i ftuar studentët të veprojnë sipas këtyre të vërtetave.