Mësimi 6
Joseph Smith – Historia 1:1–20
Hyrje
Në vitin 1838, Jozef Smithi filloi të punonte për historinë e tij zyrtare. Në të ai përshkroi familjen e tij dhe vendet në të cilat kishin jetuar. Ai gjithashtu tregoi me hollësi për gjallërimin e pazakontë lidhur me besimin fetar që mbizotëronte në Nju-Jorkun perëndimor në vitin 1820. Ky entuziazëm fetar e shtyu që “të mendonte seriozisht dhe nuk gjente rehati” lidhur me cilën kishë të bashkohej (Joseph Smith – Historia 1:8). Pasi i shqyrtoi shkrimet e shenjta, veçanërisht Jakobin [Bibël] 1:5, Jozefi vendosi t’i kërkonte përgjigje Perëndisë në lutje për pyetjet e tij. Në përgjigje të lutjes së tij, Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën atij.
Sugjerime për Mësimdhënien
Joseph Smith – Historia 1:1–4
Jozef Smithi shkruan historinë e Kishës
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë përvojën vijuese të dy misionarëve në Kanada, siç e tregoi Presidenti Tomas S. Monson (pjesa tjetër e rrëfimit gjendet më tej në mësim):
“Dy [misionarë] vizituan shtëpinë e z. Elmer Pollard. … Ata paraqitën mesazhin e tyre dhe i kërkuan nëse do të bashkohej në lutje. Ai ra dakord, por me kusht që të mund ta bënte ai lutjen.
Lutja që bëri ai i habiti misionarët. Ai tha: ‘Atë Qiellor, bekoji këta dy misionarë të ngratë, të dalë nga udha, që të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të mos e çojnë kohën e tyre dëm duke u treguar njerëzve të Kanadasë për një mesazh që është kaq i pabesueshëm dhe për të cilin ata dinë aq pak’.
Kur u ngritën nga të qëndruarit gjunjazi, zoti Pollard u kërkoi misionarëve të mos ktheheshin më kurrë në shtëpinë e tij. Teksa largoheshin, ai u tha me tallje: ‘Nuk mund të më thoni se e besoni vërtet që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë!’ dhe ai përplasi derën” (“The Prophet Joseph Smith: Teacher by Example”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 69).
-
Në qoftë se do të ishit njëri prej atyre misionarëve, çfarë do t’i kishit thënë z. Pollard?
-
Si mundet një person ta dijë vetë se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:1–2. Kërkojini klasës të ndjekë leximin dhe të kërkojë arsyet që dha Jozef Smithi për shkrimin e historisë së tij dhe të historisë së Kishës.
-
Sipas vargut 1, çfarë po qarkullonte mes njerëzve gjatë ditëve të hershme të Kishës? (Shumë artikuj të rremë të cilët kishin qëllim t’i kthenin njerëzit kundër Kishës.)
-
Cilat arsye dha Jozef Smithi për shkrimin e historisë së tij? (Për t’i dhënë publikut një rrëfim serioz dhe të saktë të ngjarjeve të Vegimit të Parë dhe të Rivendosjes.)
Shpjegoni se sot vazhdojnë të gjenden individë dhe grupe që përhapin informacion të rremë dhe çorientues rreth Kishës me qëllim që të sabotojnë besimin.
-
Çfarë mund të mësojmë nga arsyeja përse Jozef Smithi e shkroi historinë e tij që mund të na ndihmojë ta shmangim të qenit të mashtruar nga informacioni i rremë ose çorientues? (Ata që e duan me sinqeritet të vërtetën, duhet të kërkojnë me zell burime të besueshme të informacionit rreth Kishës dhe historisë së saj në vend që thjesht të pranojnë çfarëdo informacioni që dëgjojnë, përfshirë çfarëdo gjëje që del nga një kërkim në internet.)
-
Përse është e rëndësishme që “kërkuesit e së vërtetës” për Rivendosjen t’i drejtohen rrëfimit të Jozef Smithit? (Mbështetja te rrëfimi i Profetit mund t’i ndihmojë individët që të shmangin të qenit të mashtruar prej informacionit të rremë dhe çorientues.)
-
Si mund ta ndihmojë dikë të lexuarit e vetë fjalëve të Jozef Smithit që të dijë të vërtetën për përvojat e tij?
Tregoni paralajmërimin vijues nga Plaku Nil L Andersen:
“Përherë ka pasur disa që duan ta turpërojnë Kishën dhe të shkatërrojnë besimin. Sot ata përdorin internetin.
Disa informacione lidhur me Kishën, sado bindëse qofshin, thjesht nuk janë të vërteta” (“Prova e Besimit Tuaj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 41).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni klasën të mbajë vesh për mënyrën se si ne duhet ta vlerësojmë atë që lexojmë rreth Kishës dhe historisë së saj. (Ju mund të dëshironi t’i jepni secilit student një kopje të thënies në mënyrë që ata të mund të ndjekin leximin.)
“Lexuesit shenjtorë të ditëve të mëvonshme duhet të … jenë … të sofistikuar në vlerësimin e asaj që lexojnë. …
Dëshmitë tona vetjake, personale bazohen te dëshmia e Shpirtit, jo te ndonjë ndërthurje apo grumbullim i fakteve historike. Në qoftë se e kemi këtë themel, asnjë ndryshim i fakteve historike nuk mund t’i lëkundë dëshmitë tona. Ati ynë Qiellor na dha fuqitë e arsyetimit dhe nga ne pritet që t’i përdorim ato tërësisht. Por Ai na dha edhe Ngushëlluesin, për të cilin Ai tha se do të na drejtonte tek e vërteta dhe përmes fuqisë së të cilit ne mund të dimë të vërtetën e të gjitha gjërave. Ai është udhëzimi themelor për shenjtorët e ditëve të mëvonshme që janë të denjë dhe të gatshëm të mbështeten në të” (“Reading Church History” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë së SAK‑ut, 16 gusht 1985], f. 7, LDS.org).
Ftojini studentët të tregojnë se çfarë u bëri përshtypje te këshilla e Plakut Ouks dhe arsyen përse ajo ishte e dobishme.
Ju mund të dëshironi të shpjegoni se Jozef Smithi e shkroi këtë rrëfim të Vegimit të Parë në vitin 1838 si pjesë të një historie zyrtare të Kishës për t’u botuar për botën. Njihen nëntë rrëfime të Vegimit të Parë – katër të shkruara e të diktuara nga Jozef Smithi dhe pesë të shkruara nga të tjerë që e ritreguan përvojën e tij. (Për më shumë informacion rreth katër rrëfimeve të Vegimit të Parë nga Jozef Smithi, shih Milton V. Backman Jr., “Joseph Smith’s Recitals of the First Vision”, Ensign, janar 1985, f. 8–17.)
Ju gjithashtu mund të dëshironi të shpjegoni se rrëfimet e shumta të Vegimit të Parë u përgatitën në kohë të ndryshme dhe për dëgjues të ndryshëm. Në këto rrëfime, Jozef Smithi theksoi aspekte të ndryshme të përvojës së tij të Vegimit të Parë, por rrëfimet që të gjitha përputhen në të vërtetën thelbësore se Jozef Smithit vërtet iu hapën qiejt dhe ai pa lajmëtarë hyjnorë, përfshirë Perëndinë, Atin, dhe Zotin Jezu Krisht. Për shkak se rrëfimi i vitit 1838 ishte pjesë e historisë dhe dëshmisë zyrtare të Jozef Smithit për botën, ai u përfshi te Perla me Vlerë të Madhe si shkrim i shenjtë.
-
Ashtu si Jozef Smithi theksoi aspekte të ndryshme të vegimit të tij në rrëfimet e tij të shumta, Apostulli Pal theksoi aspekte të ndryshme të vegimit të tij të Shpëtimtarit për dëgjues të ndryshëm (shih Veprat e Apostujve 9:1–9; Veprat e Apostujve 22:5–11; Veprat e Apostujve 26:12–20). Si mendoni, përse Jozef Smithi dhe Pali theksuan gjëra të ndryshme sa herë i treguan rrëfimet e vegimeve të tyre?
Përmblidheni Joseph Smith – Historinë 1:3–4 duke shpjeguar se Jozefi lindi në Vermont, por u zhvendos në Palmira të Nju-Jorkut, kur qe dhjetë vjeç.
Joseph Smith – Historia 1:5–13
Në mes të pështjellimit fetar, Jozef Smithi vendos të pyesë Perëndinë se cila kishë është e vërtetë
Shpjegoni se Jozef Smithi jetoi gjatë një kohe të gjallërimit të madh për besimin fetar. Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Joseph Smith – Historia 1:5–7. Vëreni klasën të kërkojë fjalë ose fraza që përshkruajnë situatën me të cilën u përball Jozef Smithi. Ftojeni një student që të shkruajë në tabelë fjalët dhe frazat që ata gjejnë. Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:8, 10. Kërkojini klasës të gjejë përshkrimin e Jozef Smithit të mënyrës se si u ndie ai gjatë kësaj kohe.
-
Si u ndje Jozefi si pasojë e gjallërimit fetar që e rrethonte?
-
Cilat ishin disa nga pyetjet me të cilat ai po ndeshej?
-
A ka bërë ndonjëri prej jush pyetje të ngjashme? Çfarë bëtë për t’i zgjidhur ato?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Joseph Smith – Historinë 1:11 dhe të kërkojnë se çfarë bëri Jozef Smithi për t’i gjetur përgjigjet e pyetjeve të tij.
-
Ku u drejtua Jozefi për ndihmë për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij?
-
Cili parim i dhënë mësim te Jakobi [Bibël] 1:5 e ndihmoi Jozef Smithin të kishte sigurinë se mund t’i gjente përgjigjet e pyetjeve që kishte? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse lutemi me besim, Zoti do t’iu përgjigjet lutjeve tona. Ju mund të doni të shpjegoni se Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve tona në vetë kohën dhe mënyrën e Tij.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:12–13. Kërkojini klasës të përcaktojë se si parimi i dhënë mësim te Jakobi [Bibël] 1:5 ndikoi te Jozef Smithi.
Joseph Smith – Historia 1:14–20
Jozef Smithi sheh Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:14–15.
-
Përse mendoni se Satani u përpoq ta ndalonte Jozef Smithin që të lutej?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:16–17. Kërkojini klasës të përcaktojë se si iu përgjigj Jozef Smithi kundërshtimit që hasi. Gjithashtu kërkojuni atyre që të vërejnë fraza nga dëshmia e Jozefit që janë kuptimplote për ta ose që mund t’i përdorin për t’u mësuar të tjerëve rreth Vegimit të Parë.
-
Cilat fraza në këto vargje janë kuptimplote për ju? Përse?
Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Jozef Smithi pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.
-
Përse është e rëndësishme të kemi dëshmi që Jozef Smithi pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin?
-
Si e dini se Jozef Smithi pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin?
Pasi disa studentë të kenë dhënë dëshmitë e tyre, shpjegoni se Vegimi i Parë ishte ngjarja themeluese e Rivendosjes. Vegimi i Parë gjithashtu siguroi përgjigje për pyetje të rëndësishme doktrinore. Ftojini studentët të përsëritin në heshtje Joseph Smith – Historinë 1:15–17 duke kërkuar të vërtetat që mund të mësojmë nga ky rrëfim. Ju mund të dëshironi të bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga Joseph Smith – Historia 1:15–16 që mund të na ndihmojë ta mposhtim tundimin? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse e kërkojmë me zell ndihmën e Perëndisë kur Satani përpiqet të na shkurajojë, Perëndia mund të na çlirojë.
-
Çfarë na mësojnë këto vargje për natyrën e Perëndisë, Atit, dhe Jezu Krishtit? (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë. Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, janë qenie të ndara dhe të ndryshme.)
-
Cila qe fjala e parë që Perëndia i tha Jozef Smithit? (Jozef.) Pse është e rëndësishme ta dimë këtë? Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga kjo? (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Ati Qiellor e di emrin tonë. Perëndia u përgjigjet lutjeve tona.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë e ta ndiejnë rëndësinë e doktrinave dhe parimeve që kanë përcaktuar në këtë mësim, ju mund të dëshironi të bëni pyetjet vijuese:
-
Përse këto të vërteta për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin janë thelbësore që të dihen dhe të kuptohen?
-
Kur e kanë bekuar jetën tuaj një ose më shumë prej këtyre të vërtetave? (Kujtojuni studentëve që disa përvoja janë tepër të shenjta apo personale për t’u treguar.)
Shpjegoni që Jozef Smithi gjithashtu mori përgjigje për pyetjet e tij gjatë Vegimit të Parë. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Joseph Smith – Historinë 1:18–20.
-
Çfarë mësoi Jozefi në përgjigje të lutjes së tij?
Kujtojuni studentëve rrëfimin rreth misionarëve që u lexua në fillim të mësimit. Ftojeni një student të lexojë pjesën tjetër të rrëfimit.
“Dyshja u kthye te shtëpia e z. Pollard. Z. Pollard iu përgjigj trokitjes dhe tha me zemërim: ‘Mendova se ju thashë juve djelmosha që të mos ktheheshit kurrë!’
Shoku më i ri atëherë tha, me të gjithë guximin që mundi të mblidhte brenda vetes: ‘Zoti Pollard, kur u larguam nga dera juaj, ju thatë se ne nuk e besonim vërtet që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Unë dua të të dëshmoj ty, zoti Pollard, që unë e di se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë, se me anë të frymëzimit ai përktheu analin e shenjtë, të njohur si Libri i Mormonit, se ai vërtet e pa Perëndinë, Atin, dhe Jezusin, Birin.’ Misionarët më pas u larguan nga pragu i derës.
[Zoti Pollard më vonë dëshmoi:] ‘Atë mbrëmje nuk më zinte gjumi. U ktheva e u rrotullova. Pareshtur dëgjoja në mendjen time fjalët: “Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Unë e di këtë. … Unë e di këtë. … Unë e di këtë.” Mezi po prisja të vinte mëngjesi. U telefonova misionarëve. … Ata u kthyen dhe këtë herë gruaja ime, familja ime dhe unë iu bashkuam diskutimit si kërkues të zellshëm të së vërtetës. Për pasojë, ne të gjithë e kemi përqafuar ungjillin e Jezu Krishtit’” (“The Prophet Joseph Smith: Teacher by Example”, f. 69).
Nxitini studentët ta lexojnë vetë Joseph Smith – Historinë dhe t’i kërkojnë Atit Qiellor që t’i ndihmojë të forcojnë dëshminë e tyre se rrëfimi i Jozef Smithit mbi Vegimin e Parë është i vërtetë. Ju gjithashtu mund të dëshironi t’i nxitni që të kërkojnë mundësi për ta ndarë mesazhin e Vegimit të Parë me dikë tjetër. Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat mbi të cilat keni diskutuar sot.