Mësimi i Studimit në Shtëpi
Joseph Smith – Historia 1:1–65; Doktrina e Besëlidhje 2 (Njësia 2)
Hyrje
Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët që ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për Vegimin e Parë të Jozef Smithit. Ai gjithashtu u jep atyre një mundësi që të mësojnë për përpjekjen që duhet për të kërkuar përgjigje për pyetjet dhe për ta vlerësuar rolin e tyre në të mësuarin e ungjillit. Studentët do të mësojnë mënyra për ta forcuar besimin e tyre ndaj përndjekjes dhe kundërshtimit që mund të përjetojnë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Joseph Smith – Historia 1:5–20
Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, i shfaqen Jozef Smithit
Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth një kohe kur dëshiruan një përgjigje ndaj një pyetjeje shpirtërore ose lidhur me ungjillin. Më pas bëni pyetjen vijuese:
-
Çfarë bëtë që ta gjenit përgjigjen për pyetjen tuaj?
Kujtojuni studentëve që Jozef Smithi ishte në moshën e shumë prej studentëve të seminarit kur u shqetësua rreth një pyetjeje të rëndësishme dhe filloi të kërkonte një përgjigje. Ndërkohë që përvoja e Jozefit ishte e pashoqe, ngjarjet që çuan drejt saj, janë një model që secili prej nesh mund ta ndjekë për të marrë ndihmë dhe përgjigje nga Perëndia.
Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “kam mësuar vetë” te Joseph Smith – Historia 1:20.
Ndajini studentët në grupe me nga dy ose tre veta. Kërkojini secilit grup të lexojë Joseph Smith – Historinë 1:8, 11–12, 14–15, duke kërkuar të kuptojë se çfarë bëri Jozef Smithi për të marrë një përgjigje për pyetjet e tij. Ftojeni secilin grup të dërgojë një përfaqësues/e në tabelë për të shënuar një element të rëndësishëm që e gjeti grupi i tij ose i saj. Thojini klasës të mos e dyfishojë ndonjë element në tabelë. Nëse studentët kanë vështirësi ta gjejnë atë që bëri Jozefi, ju mund t’i ndihmoni duke sugjeruar disa nga gjërat që vijojnë: Jozefi u përfshi në reflektim (të menduar) serioz, ndoqi mbledhje të kishës, studioi mësimet e dhëna nga grupet e ndryshme fetare, studioi shkrimet e shenjta, u lut me vendosmëri.
Bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë parimi mund të mësoni nga Jozef Smithi rreth asaj që kërkohet për të mësuar gjëra shpirtërore? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Të mësuarit shpirtëror kërkon përpjekje nga ana jonë. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.)
-
Si mendoni ju, përse është e domosdoshme që ne të bëjmë përpjekje për të mësuar të vërteta shpirtërore?
-
Si mund t’ju ndihmojë zbatimi i këtij parimi në studimin tuaj vetjak të Doktrinës e Besëlidhjeve këtë vit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:16–17 dhe kërkojuni studentëve të klasës ta ndjekin në shkrimet e tyre të shenjta dhe të kërkojnë atë që përjetoi Jozefi ndërkohë që bëri përpjekje për të fituar njohuri.
-
Sipas vargut 17, çfarë pa Jozef Smithi? (Sigurohuni që të jetë e qartë se Jozef Smithi pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.)
-
Çfarë mësoi ai gjatë këtij vegimi rreth këtyre dy personave?
Kërkojini një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef F. Smith, i cili shpjegoi rëndësinë e Vegimit të Parë:
“Ngjarja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në botë, që prej ringjalljes së Birit të Perëndisë nga varri dhe ngjitjes së tij lart në qiell, ishte ardhja e Atit dhe Birit te djaloshi Jozef Smith” (Gospel Doctrine, bot. i 5-të [1939], f. 495).
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të keni një dëshmi që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti me të vërtetë iu shfaqën Jozef Smithit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:18–20 dhe kërkojuni studentëve të gjejnë atë që Jozefi e mësoi vetë për shkak të përpjekjes së tij për të vepruar me besim. Më pas bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë mësoi Jozefi për veten e tij?
-
Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Jozef Smithit rreth asaj që mund të ndodhë kur ne e studiojmë fjalën e Perëndisë dhe më pas veprojmë sipas asaj që lexojmë? (Përgjigjet mund të përfshijnë të vërtetën vijuese: Nëse e studiojmë me zell fjalën e Perëndisë dhe veprojmë sipas saj me besim, atëherë ne mund të arrijmë t’i dimë të vërtetat e ungjillit për veten tonë. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë dhe t’i ftoni studentët ta shkruajnë atë në anë të faqes së shkrimeve të tyre të shenjta.)
-
Si mund ta ndihmojë kjo e vërtetë një shok ose një pjesëtar të familjes, i cili ka pyetje rreth ungjillit?
-
Si mund t’ju ndihmojë kjo e vërtetë me pyetjet ose shqetësimet tuaja?
Joseph Smith – Historia 1:20–65; Doktrina e Besëlidhje 2
Jozef Smithi martohet me Ema Hejlin, merr fletët e arta dhe fillon përkthimin
Vërini studentët të shqyrtojnë atë që i ndodhi Jozef Smithit pas Vegimit të tij të Parë. Sigurohuni që ata e kuptojnë se Profeti përjetoi përndjekje të ashpër pasi u tregoi të tjerëve për vegimin. Ftojini ata të lexojnë vetë fundin e vargut Joseph Smith – Historia 1:20, duke filluar me frazën “duket sikur. …” Pastaj bëjini studentëve pyetjen vijuese:
-
Sipas Jozef Smithit, përse përjetoi ai përndjekje të madhe në një moshë kaq të re? (Përndjekja erdhi nga ndikimi i Satanit, sepse ai e kuptoi që Jozef Smithi do të ishte “një shqetësues dhe një mërzitës i mbretërisë së [Satanit]”.)
-
Cilat janë disa situata në të cilat ju ose të tjerët që i njihni, mund të përjetoni përndjekje sot?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:24–25. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që mund të bëjmë për të fituar forcë gjatë kohëve të vështira.
-
Çfarë mund të bëjmë gjatë kohëve të vështira për të fituar forcë që të jemi besnikë? (Studentët mund të japin shumë përgjigje të ndryshme. Sigurohuni që ata përcaktojnë parimin vijues: Gjatë kohëve të vështira, ne mund të marrim forcë nga shembujt e individëve besnikë në shkrimet e shenjta. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë dhe t’i ftoni studentët ta shkruajnë atë në anë të faqes së shkrimeve të tyre të shenjta.)
Ftojini studentët të shqyrtojnë Joseph Smith – Historinë 1:24–25, duke kërkuar fjalë ose fraza që mund t’iu japin kurajë ose forcë për të bërë atë që është e drejtë në kohët e përndjekjes. Teksa studentët raportojnë frazat që gjejnë, ju mund të doni të sugjeroni që ata të shenjojnë frazën: “Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja”.
Bëjuni studentëve pyetjet vijuese:
-
Çfarë ju mëson kjo frazë rreth dëshmisë së Jozef Smithit për Vegimin e Parë?
-
Si mund t’ju ndihmojë kjo frazë kur dikush e sfidon mendimin tuaj ose ju përndjek për shkak të bindjeve tuaja fetare?
Përfundojeni këtë mësim duke dhënë dëshminë tuaj për parimet e diskutuara në këtë mësim. Ftojini studentët të tregojnë përvojat ose ndjenjat e tyre rreth këtyre të vërtetave.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 3–7; 10; Joseph Smith – Historia 1:66–67)
Si humbën dhe kurrë nuk u morën sërish 116 faqet e para të Librit të Mormonit që Jozef Smithi i përktheu? Teksa studentët studiojnë njësinë tjetër, ata do të mësojnë rreth Martin Harrisit dhe dorëshkrimit të humbur. Ata do të mësojnë gjithashtu rreth këshillës së Zotit për ata që dëshirojnë t’i shërbejnë Perëndisë.