Seminare dhe Institute
Mësimi 30: Doktrina e Besëlidhje 22–23


Mësimi 30

Doktrina e Besëlidhje 22–23

Hyrje

Gjatë Braktisjes së Madhe, ordinancat e Kishës së Jezu Krishtit u ndryshuan, u hoqën apo u kryen pa autoritetin e duhur. Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 22, Zoti pohoi se ordinanca e pagëzimit duhet të kryhet nga ata me autoritetin për t’u dhënë individëve anëtarësi në Kishë dhe hyrje në mbretërinë e Perëndisë. Seksioni 23 i Doktrinës e Besëlidhjeve përfshin një zbulesë të marrë nga Jozef Smithi për pesë burra që dëshironin të dinin me këmbëngulje vullnetin e Perëndisë për ta: Oliver Kaudëri, Hajrëm Smithi, Samuel Smithi, Jozef Smith Plaku dhe Jozef Najti.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 22

Pagëzimi duhet të kryhet nga ata që kanë autoritetin e duhur

Ftojini tre studentë që të marrin pjesë në një interpretim me role. Ftojeni një student të luajë rolin e një kërkuesi që beson se Kisha është e vërtetë. Kërkuesi është pagëzuar me anë të zhytjes në një kishë tjetër dhe nuk e kupton përse është i nevojshëm një pagëzim tjetër. Kërkojuni dy studentëve të tjerë të luajnë rolin e misionarëve që po përpiqen t’i përgjigjen pyetjes së kërkuesit. Ftojeni klasën të marrë parasysh se si mund të përgjigjeshin nëse do të ishin vetë në këtë situatë.

Pas interpretimit me role, shpjegoni se zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 22 u nxit nga një situatë e ngjashme. Shumë prej atyre që kërkonin anëtarësi në Kishë, ishin pagëzuar në besimet e tyre fetare të mëparshme. Ata habiteshin përse duhej të pagëzoheshin përsëri.

Jozef Smithi e pyeti Zotin në lidhje me pyetjen e tyre. Në përgjigje, Zoti dha mësim një doktrinë të rëndësishme të Rivendosjes së ungjillit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 22:1. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar një frazë që lidhet me Rivendosjen e ungjillit.

  • Cila frazë në këtë varg lidhet me Rivendosjen e ungjillit? (“Një besëlidhje e re dhe e pafundme.”)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë frazë, ftojeni njërin prej tyre të lexojë thënien vijuese me zë të lartë.

Presidenti Jozef Filding Smith

Besëlidhja e re dhe e përjetshme është plotësia e ungjillit. [Shih DeB 66:2.] Ajo përbëhet nga ‘gjithë besëlidhjet, marrëveshjet, kontratat, detyrimet, betimet, zotimet, kryerjet, lidhjet, shoqërimet ose shpresat’, që vulosen mbi anëtarët e Kishës nga Shpirti i Shenjtë i premtimit ose Fryma e Shenjtë, me anë të autoritetit të Presidentit të Kishës, i cili mban çelësat. [Shih DeB 132:7.] Presidenti i Kishës mban çelësat e Priftërisë Melkizedeke. Ai u delegon autoritet të tjerëve dhe i autorizon ata të kryejnë ordinancat e shenjta të priftërisë.

Martesa për përjetësinë është një besëlidhje e re dhe e përjetshme. Pagëzimi gjithashtu është një besëlidhje e re dhe e përjetshme [shih DeB 132:22], dhe po ashtu shugurimi në priftëri dhe çdo besëlidhje tjetër është e përjetshme dhe një pjesë e besëlidhjes së re dhe të përjetshme, e cila i përfshin të gjitha gjërat” (Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. [1957–1966], 1:65).

Kërkojuni studentëve të përmbledhin me vetë fjalët e tyre kuptimin e frazës besëlidhje e re dhe e përjetshme.

  • Si mund t’i ndihmojë të mësuarit rreth besëlidhjes së re dhe të përjetshme ata që janë pagëzuar pa autoritetin e priftërisë?

  • Me çfarë autoriteti administrohen ordinancat nën besëlidhjen e re dhe të përjetshme? (Me autoritetin e priftërisë.)

Shkruani në tabelë doktrinën vijuese: Pagëzimi duhet të kryhet nga një njeri që e ka autoritetin nga Perëndia.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 22:2–4. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë fraza që tregojnë se Zoti nuk i pranon pagëzimet e kryera pa autoritetin e priftërisë. Në këtë zbulesë Zoti iu drejtua ordinancës së pagëzimit si të hysh nga “dera e ngushtë” (shih DeB 22:2). Më pas ftojini studentët të raportojnë atë që kanë gjetur.

  • Në çfarë kuptimi pagëzimet e paautorizuara janë “vepra … të vdekura”? (Ato nuk sigurojnë përfitim të përjetshëm për ata që marrin pjesë në to.)

  • Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 22:3, çfarë bëri Shpëtimtari për shkak të veprave të vdekura që po kryheshin në atë kohë? (Ai bëri që të rivendosej besëlidhja e Tij dhe të ngrihej Kisha e Tij.)

  • Si jeni bekuar ngaqë i përkisni Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – e vetmja kishë që ka autoritetin për të kryer ordinancat themelore?

Doktrina e Besëlidhje 23

Pesë burra thirren për të forcuar Kishën

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur ata dëgjuan disa fjalë nxitjeje apo udhëzimi shumë të nevojshëm nga një person tjetër. Ju mund t’u kërkoni disa studentëve të tregojnë përvojat e tyre.

Ftojini studentët të shohin te hyrja e Doktrinës e Besëlidhjeve 23 dhe të përcaktojnë të pesë burrat për të cilët flitet në këtë seksion. Shpjegoni se në këtë zbulesë, secili prej këtyre burrave mori udhëzime të veçanta nga Zoti. Nxitini studentët të kërkojnë se çfarë mësimesh mund të mësojnë kur studiojnë fjalët e Zotit drejtuar këtyre burrave. Portretizimet e mëposhtme biografike japin kontekste ndihmuese për Doktrinën e Besëlidhjet 23.

Hajrëm Smithi, një vëlla më i madh i Profetit, ndihmoi në botimin e Librit të Mormonit duke punuar drejtpërdrejtë me tipografin. Ai shërbeu si president i degës së parë të Kishës në Kollsvill të Nju-Jorkut. Hajrëmi ishte besnik ndaj Zotit dhe Kishës gjatë gjithë jetës së tij.

Samuel Smithi, një vëlla më i vogël se Profeti, u pagëzua në maj 1829. Në qershor 1830, ai u nis për në mision dhe dha një Libër Mormoni që më së fundi do të çonte në kthimin në besim të Brigam Jangut dhe shumë prej pjesëtarëve të familjes së tij. Samueli ishte besnik ndaj familjes së tij dhe Kishës gjatë gjithë jetës së tij. Samueli nuk ishte gati që të predikonte kur u dha kjo zbulesë, por dy muaj më vonë ai do të fillonte shërbimin e tij misionar.

Jozef Smith Plaku, babai i Profetit, u bashkua me Kishën ditën që ajo u organizua. Verën pasuese, ai dhe biri i tij, Don Karlosi, shkuan në një mision në rrethin e gjerë të familjes së tyre në Nju-Jork. Ai u bë një prift i lartë dhe patriarku i parë i Kishës. Jozef Smith i Riu e përshkroi babain e tij si “një njeri besnik ndaj Perëndisë së tij dhe Kishës në çdo situatë, dhe nën të gjitha rrethanat përmes së cilave ai u thirr të kalonte” (History of the Church, 4:192).

Jozef Najt Plaku ishte një mik i ngushtë i Jozef Smith të Riut, dhe i kishte treguar shumë dashamirësi. Ai i siguroi Profetit ndihmë ndërkohë që punonte për përkthimin e Librit të Mormonit. Ai kishte ndier dëshirë që të pagëzohej me të tjerët ditën që u organizua Kisha, por u përmbajt ngaqë donte ta studionte më tej Librin e Mormonit. Më vonë ai shkroi: “Do të [isha] ndier më mirë nëse do të kisha … shkuar përpara” për t’u pagëzuar (siç citohet te Larry Porter, “The Joseph Knight Family”, Ensign, tetor 1978, f. 40; shkrimi me germa të mëdha i standardizuar).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 23:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar një paralajmërim që Zoti ia dha Oliver Kaudërit.

  • Çfarë paralajmërimi i dha Zoti Oliverit? Si mund të çojë krenaria në tundim?

  • Cilat janë disa mënyra se si mund ta shmangim ndjenjën e krenarisë që do të na çonte në tundim?

  • Sipas vargut 2, çfarë bekimi do të kishte Oliveri? (Aftësinë për të “predikuar të vërtetën”.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 23:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar ngjashmëritë në udhëzimet që Zoti ua dha Hajrëm Smithit, Samuel Smithit dhe Jozef Smith Plakut.

  • Në ç’mënyrë ishin të ngjashme udhëzimet e Zotit për këta burra? (Secili u thirr për ta këshilluar dhe forcuar Kishën. Ju mund të doni të shpjegoni se thirrja për të këshilluar i drejtohet përgjegjësisë për t’ua mësuar ungjillin të tjerëve.)

Ftojini tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë portretizimet biografike të Hajrëm Smithit, Samuel Smithit dhe Jozef Smith Plakut. Përpara se të lexohen portretizimet, kërkojini klasës të dëgjojë mënyrat në të cilat këta burra e përmbushën thirrjen për të këshilluar dhe forcuar Kishën. Pasi të lexohet çdo portretizim, kërkojuni studentëve të tregojnë atë që kanë mësuar.

  • Cilat janë ngjashmëritë dhe ndryshimet midis udhëzimeve për Hajrëm Smithin dhe Samuel Smithin?

  • Cilat janë disa mënyra që ne mund ta këshillojmë dhe forcojmë Kishën?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë portretizimin biografik të Jozef Najt Plakut. Pastaj kërkojini një studenti tjetër të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 23:6–7, e cila përmban këshillën e Zotit për Jozef Najt Plakun. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti e urdhëroi të bënte.

  • Çfarë u urdhërua Jozef Najti të bënte? (Të lutej me zë në fshehtësi, me familjen dhe miqtë e tij, dhe përpara botës; të bashkohej me Kishën e vërtetë; dhe të këshillonte të tjerët.)

  • Çfarë prove shikoni te Doktrina e Besëlidhje 23:7 që tregon se Zoti dëshironte ta bekonte Jozef Najt Plakun?

Shpjegoni se pak kohë pasi Zoti e dha këtë zbulesë, Jozef Najt Plaku zgjodhi të pagëzohej. Ai mbeti i përkushtuar ndaj Kishës gjatë gjithë jetës së tij, duke e mbrojtur Profetin Jozef Smith në fshehtësi dhe publikisht. Më vonë Profeti e përshkroi Jozef Najt Plakun, si “besnik e i vërtetë, dhe i paanshëm e shembullor, dhe i virtytshëm e i sjellshëm, pa u shmangur kurrë djathtas apo majtas” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 494).

Ftojini studentët të thonë një parim që e kanë mësuar nga studimi i Doktrinës e Besëlidhjeve 23. Studentët mund të përmendin parime të tilla si më poshtë:

Kur dëshirojmë t’i shërbejmë Zotit, ne mund të marrim udhëzim vetjak prej Tij.

Zoti do të na bekojë kur ndjekim udhëheqjen që Ai na jep.

Ftojini studentët të përsiatin udhëheqjen që kanë marrë nga Zoti nëpërmjet Frymës së Shenjtë, fjalëve të profetëve të gjallë apo shkrimeve të shenjta. Jepuni atyre pak minuta për të menduar mbi mënyrën se si do t’i binden këshillës që kanë marrë. Ju mund të doni t’i ftoni ata të shkruajnë çdo nxitje që marrin në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Sigurojini ata se do të bekohen me ndihmë dhe udhëheqje nga Zoti kur bëjnë atë që Ai kërkon.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 22:1. “Madje ajo që ishte që nga fillimi”

Te Doktrina e Besëlidhje 22:1 fraza “madje ajo që ishte që nga fillimi” është tërësisht e vërtetë: Ungjilli iu mësua Adamit dhe Evës, dhe ata u pagëzuan (shih Moisiu 5:58–59; 6:52–68); Enoku u urdhërua të pagëzonte pasuesit e Zotit (shih Moisiu 7:11); dhe Noeu u mësoi njerëzve se ata duhej të pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit, madje siç ishin pagëzuar etërit e tyre (shih Moisiu 8:24). Pagëzimi u dha mësim edhe në Librin e Mormonit përpara ardhjes së Krishtit. Një artikull në revistën Ensign të shtatorit 1974, vë në dukje se pagëzimi u praktikua edhe midis judenjve të lashtë:

“Edhe pse nuk është plotësisht e qartë qoftë nga historia laike apo nga shkrimet e shenjta se judenjtë vërtet e pagëzonin njëri-tjetrin [në kohën e Jezu Krishtit], ishte një praktikë zakonshme midis tyre të pagëzoheshin johebrenj të kthyer në fenë e judaizmit. …

Kjo vihet re se, kur Gjoni erdhi midis njerëzve, ata nuk e pyetën: ‘Ç’gjë e re është kjo që po bën?’ Por përkundrazi e pyetën: ‘Kush je ti?’ Ata nuk e vunë në dyshim ordinancën” (Robert J. Matthews, “I Have a Question”, Ensign, shtator 1974, f. 16.)

Doktrina e Besëlidhje 22:2. “Ju s’mund të hyni nga dera e ngushtë nëpërmjet ligjit të Moisiut”

Ligji i Moisiut, me sistemin e tij të urdhërimeve materiale, ceremonive, riteve dhe simboleve, u dha për t’i ndihmuar izraelitët që ta kujtonin Perëndinë dhe të shikonin me shpresë drejt Shlyerjes së Jezu Krishtit. Shpëtimtari e përmbushi këtë ligj nëpërmjet Shlyerjes (shih Alma 34:13–14). Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti dhe Apostujt e Tij punuan për t’u mësuar judenjve se shpëtimi nuk mund të vinte vetëm nga bindja ndaj ligjit, por nëpërmjet fuqisë shpëtuese të Shlyerjes. Siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 22:2, Zoti e krahasoi një person që kishte bërë pagëzime të paautorizuara me ata që mbështeten në ligjin e Moisiut pa pasur besim te Jezu Krishti. Ky krahasim thekson nevojën për t’i braktisur praktikat fetare “të vdekura” që nuk mund të na shpëtojnë dhe të përqafojmë besëlidhjen e re dhe të përjetshme të ungjillit, ashtu siç bënë të kthyerit e hershëm judeas që u kthyen te krishterimi.

Doktrina e Besëlidhje 22:1–4. Rëndësia e rivendosjes së autoritetit të priftërisë

Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Plaku Xhejms E. Talmixh

“Kur Zoti themeloi Kishën e tij midis nefitëve mbi këtë kontinent, ai u tha atyre që ishin zgjedhur dhe shuguruar, të cilëve u qe dhënë autoriteti, se si të administronin ordinancën e pagëzimit. Ata duhej të thoshin: ‘Duke pasur autoritetin që më është dhënë nga Jezu Krishti, unë të pagëzoj ty në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Frymës së Shenjtë’. Kjo nuk na jep në këtë kohë asnjë autoritet të tillë. Fjalët që Krishti ua tha apostujve të vjetër, nuk do të kishin autoritet për apostujt sot, as për ndonjë nga pleqtë e Kishës. E përsëris, fjalët që ai, Zoti, ua tha dishepujve që ishin zgjedhur midis nefitëve, nuk do të kishin autoritet për ne; por në këtë ditë dhe kohë ai ka folur sërish, dhe ka dhënë të njëjtën fuqi dhe autoritet për të folur në emrin e tij dhe për të administruar ordinancat e ungjillit, sipas modelit që ai ka vendosur; dhe prandaj, pleqtë dhe priftërinjtë që i marrin kandidatët, që e kanë treguar besimin e tyre dhe janë penduar për mëkatet e tyre, në ujërat e pagëzimit sot, shpallin se atyre u është dhënë autoritet; dhe duke qenë të autorizuar nga Jezu Krishti, ata pagëzojnë në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Frymës së Shenjtë” (në Conference Report, prill 1924, f. 68; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2001] , f. 46).

Disa të kthyer në besim të hershëm të Kishës nuk e kuptuan që Zoti nuk e pranon një pagëzim, në qoftë se nuk kryhet nga dikush që mban autoritetin e priftërisë. Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Menjëherë pasi u organizua Kisha, pati të kthyer në besim. Disa nga këta kishin bërë pjesë në kisha që besonin te pagëzimi me anë të zhytjes. Në fakt, shumë prej të kthyerve në besim të hershëm të Kishës e kishin pranuar më parë këtë mënyrë, duke besuar se ishte e drejtë. Çështja e autoritetit hyjnor, megjithatë, nuk ishte ngulitur fort në mendjen e tyre. Kur donin që të futeshin në Kishë, pasi e kishin marrë dëshminë se Jozef Smithi [ishte një profet i vërtetë], ata pyetnin veten përse ishte e nevojshme që të pagëzoheshin sërish kur i ishin bindur një ordinance të pagëzimit me anë të zhytjes” (Church History and Modern Revelation [1953], 1:109).

Doktrina e Besëlidhje 22:4. “Hyni nga porta”

Pagëzimi është porta ose gjëja e kërkuar për hyrje në mbretërinë çelestiale, për këdo që ka arritur moshën e përgjegjshmërisë (shih 2 Nefi 31:15–21). Ordinanca e pagëzimit, edhe pse është tërësisht thelbësore, bëhet e vlefshme vetëm kur shoqërohet nga një ndryshim përkatës i zemrës që çon drejt një jete të re.

Plaku Xhon A. Uidso, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi një jetë të tillë të ndryshuar:

Plaku Xhon A. Uidso

“Më kujtohet burri që më pagëzoi në Kishë, një burrë i thjeshtë i zakonshëm … me një kanë birrë dy ose tri herë në ditë, një gotë uiski pak më vonë, … duhan pothuaj gjatë gjithë ditës, duke jetuar një jetë të padobishme, pa qëllim, përveç tre vakteve në ditë dhe kënaqësisë së disa prej dëshirave mishtore. Ai e dëgjoi Ungjillin dhe e pranoi atë. Ishte i mirë. Ishte diçka të cilën e kishte dëshiruar fort. Burri u rrit në fuqi dhe detyra në Kishë. Me sa më kujtohet, ai kreu pesë apo gjashtë misione dhe kryesoi mbi një prej misioneve të Kishës. Ai ishte i njëjti burrë, me të njëjtat krahë, të njëjtat këmbë, me të njëjtin trup, me të njëjtën mendje, por ndryshoi për shkak të Shpirtit që vjen me pranimin e së vërtetës së përjetshme” (në Conference Report, prill 1952, f. 34; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2001], f. 46–47)