Seminare dhe Institute
Mësimi 74: Doktrina e Besëlidhje 68


Mësimi 74

Doktrina e Besëlidhje 68

Hyrje

Më 1 nëntor 1831 Profeti Jozef Smith u takua me një grup pleqsh në Hajrëm të Ohajos për një konferencë të veçantë. Ata diskutuan për botimin e Librit të Urdhërimeve, një përmbledhje e zbulesave që kishte marrë Profeti. Katër nga pleqtë në konferencë i kërkuan Jozef Smithit ta pyeste Zotin rreth vullnetit të Tij për ta. Në përgjigje të kësaj kërkese Profeti mori një zbulesë që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 68. Zbulesa përfshin këshilla për ata që thirren për të predikuar ungjillin, udhëzime rreth thirrjes së peshkopit dhe një urdhërim që prindërit t’u mësojnë fëmijëve të tyre parimet dhe ordinancat e ungjillit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 68:1–12

Shpëtimtari këshillon ata që thirren për të predikuar ungjillin

Nëse ju apo dikush i afërt me ju ka shërbyer në një mision për Kishën, fillojeni orën mësimore duke treguar disa nga ndjenjat që përjetojnë njerëzit ndërsa përgatiten për të lënë shtëpinë dhe për të qenë misionarë kohëplotë. Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë shqetësimesh apo pasigurish mund të ketë dikush rreth të shërbyerit në një mision kohëplotë?

  • Cilat janë disa nga arsyet që njerëzit ndonjëherë ndihen të tensionuar për t’u folur për ungjillin pjesëtarëve të familjes dhe miqve të tyre?

Shpjegoni se gjatë një konference të mbajtur më 1 nëntor 1831, katër pleq që do të shërbenin si misionarë iu afruan Jozef Smithit dhe i kërkuan të dinin vullnetin e Zotit lidhur me ta. Në përgjigje, Zoti zbuloi një model për predikimin e ungjillit. Ftoni pesë studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 68:1–5. Vëreni klasën t’i ndjekë duke kërkuar elementë të atij modeli. Përpara se të lexojnë, vini në dukje se vargjet 2 dhe 3 përmbajnë fjalën model. Një model është një mënyrë ose shembull.

  • Çfarë shihni në këto vargje rreth mënyrës se si ne duhet ta predikojmë ungjillin?

  • vargjet 3–5 çfarë premtimi u jep Zoti shërbëtorëve të Tij?

  • Çfarë do të bëjnë fjalët e frymëzuara të misionarëve për ata që i marrin ato? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur shërbëtorët e Zotit nxiten nga Fryma e Shenjtë, fjalët e tyre do t’i udhëheqin njerëzit drejt shpëtimit. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Çfarë mund të bëjmë për ta ftuar ndikimin e Frymës së Shenjtë teksa përhapim ungjillin?

Shpjegoni se ndërsa ata që shugurohen për të predikuar ungjillin mund t’i ndihmojnë njerëzit të fitojnë një dëshmi të së vërtetës, vetëm Presidenti i Kishës ka të drejtën për të marrë dhe shpallur vullnetin e Zotit për të gjithë Kishën. Nën drejtimin e tij, anëtarët e tjerë të Presidencës së Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve kanë gjithashtu autoritetin për të shpallur vullnetin e Perëndisë për ne.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 68:6. Kërkojini klasës ta ndjekë duke kërkuar nxitjen shtesë që Zoti u dha shërbëtorëve të Tij.

  • Çfarë të vërtetash shihni në këtë varg që mund t’i sjellin ngushëllim një misionari?

  • Përse është e rëndësishme që ju të dini se Zoti qëndron në krah të shërbëtorëve të Tij besnikë?

Vini në dukje se vargu 6 përvijon përgjegjësinë kryesore të shërbëtorëve të Zotit: të dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe misionin e Tij në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen. Pastaj përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 68:7–12 duke shpjeguar se Zoti i thërret pleqtë besnikë të Kishës që të predikojnë ungjillin dhe të pagëzojnë ata që besojnë.

Merreni parasysh të tregoni një përvojë në të cilën ju u udhëhoqët nga Shpirti për të ditur se si t’i flisnit dikujt për ungjillin.

Doktrina e Besëlidhje 68:13–24

Zoti zbulon se Presidenca e Parë duhet të mbikëqyrë thirrjen e peshkopëve

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur një shok i një besimi tjetër pyet: “Si u zgjodh peshkopi juaj?”

  • Si do të përgjigjeshit?

Shpjegoni se Eduard Partrixhi ishte peshkopi i parë i thirrur në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit (më 4 shkurt 1831; shih DeB 41:9). Përpara se Jozef Smithi të merrte zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 68 (në nëntor 1831), Peshkopi Partrixh ishte i vetmi peshkop në Kishë. Peshkopë të tjerë u thirrën pak pasi Profeti mori këtë zbulesë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 68:14–15. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar mënyrën se si zgjidhen peshkopët.

Shënim: Vargjet 15–20 përmbajnë udhëzime në lidhje me pasardhësit e drejtpërdrejtë të Aaronit, të cilët mund të thirren si Peshkopi Kryesues. Fraza “pasardhës të drejtpërdrejtë të Aaronit” u drejtohet pasardhësve të vëllait të Moisiut, Aaronit, në Dhiatën e Vjetër. Një pasardhës i tillë do të kishte të drejtën për detyrën e Peshkopit Kryesues nëse ai thirret dhe miratohet nga Presidenca e Parë. Vargjet 16–20 i takojnë vetëm Peshkopit Kryesues, jo peshkopëve të lagjeve (shih Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:92–93). Literatura e hershme e Kishës shpesh i drejtohet Peshkopit Partrixh si Peshkopi Kryesues. Përgjegjësitë e Peshkopit Kryesues u zhvilluan dhe u ndryshuan gjatë viteve që pasuan. Nën drejtimin e Presidentit Brigam Jang, përgjegjësitë e Peshkopit Kryesues u qartësuan më plotësisht në vitin 1847 në Lagjet Dimërore, kur Peshkopi Njull K. Uitni e mori atë thirrje.

Ju mund të doni të shpjegoni se në ditët e hershme të Kishës, anëtarët e Presidencës së Parë i shuguronin dhe i veçonin të gjithë peshkopët. Sot në Kishë kjo është ende e vërtetë për Peshkopin Kryesues. Megjithatë, thirrja, shugurimi dhe veçimi i peshkopëve bëhet nga presidentët e kunjeve nën udhëheqjen e Presidencës së Parë. Një president kunji, me mbështetjen e këshilltarëve të tij në presidencën e kunjit, kërkon zbulesë për të ditur se kur të thërrasë një peshkop të ri dhe kë të thërrasë. Ai ia dërgon rekomandimin e tij Presidencës së Parë për miratim. Kur Presidenca e Parë e miraton thirrjen, ata e autorizojnë presidentin e kunjit ta shugurojë dhe veçojë peshkopin e ri. (Për më shumë informacion, shih Handbook 2: Administering the Church [Manuali 2: Administrimi i Kishës] [2010], 19.6.)

  • Përse është e rëndësishme që ju të dini se Presidenca e Parë e aprovoi thirrjen e peshkopit tuaj?

Doktrina e Besëlidhje 68:25–35

Zoti i urdhëron prindërit t’u mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth faktit se ata mund të jenë prindër pas ca vitesh. Vini në dukje se Zoti u mirëbeson nënave dhe baballarëve përgjegjësi të mëdha – ata duhet t’ua mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre me anë të fjalës dhe shembullit (shih DeB 29:46–50 dhe “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, e cila është në shtojcën në fund të këtij manuali). Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta tri parime që ata do të duan t’ua mësojnë fëmijëve të tyre.

Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni atyre t’ia lexojnë listat njëri-tjetrit. Pastaj ftojini të lexojnë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 68:25–27 duke kërkuar gjërat që mund t’u shtojnë listave të tyre.

  • Çfarë u ka urdhëruar Zoti prindërve që t’u mësojnë fëmijëve të tyre? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Zoti i ka urdhëruar prindërit t’u mësojnë fëmijëve të tyre të kuptojnë doktrinën e pendimit, besimit në Krisht, pagëzimit dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë. Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shenjojnë frazat te vargu 25 që e japin mësim këtë doktrinë.)

  • Përse mendoni se është e rëndësishme që fëmijët e vegjël ta kuptojnë pendimin? Besimin në Krisht? Pagëzimin? Dhuratën e Frymës së Shenjtë?

Ftojini studentët që të shkruajnë për një rast kur i kanë parë prindërit të japin mësim parimet dhe ordinancat e përmendura te Doktrina e Besëlidhje 68:25. Pasi të kenë pasur kohë për të shkruar, kërkojuni disa studentëve të tregojnë atë që kanë shkruar.

ikona e fletushkësKërkojuni studentëve të vazhdojnë të punojnë në dyshe edhe për veprimtarinë tjetër. Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 68:28–31, Zoti dha këshilla shtesë për prindërit. Jepini çdo çifti një kopje të informacionit të mëposhtëm. Nxitini partnerët të lexojnë çdo fragment të shkrimit të shenjtë dhe t’i diskutojnë pyetjet së bashku. Shpjegoni se kur të mbarojnë, ata do t’ia raportojnë gjetjet e tyre klasës.

  1. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:28 dhe kërkoni atë që Zoti i urdhëron prindërit që t’ua mësojnë fëmijëve të tyre.

    • Si mendoni, përse do të ishte e rëndësishme që ju t’u mësoni fëmijëve tuaj të luten?

    • Si mësuat ju të luteshit? Si ju ka bekuar lutja ju dhe familjen tuaj?

    • Çfarë mendoni se do të thotë të “ec[ësh] drejt përpara Zotit”?

  2. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:29 dhe kërkoni atë që Zoti na urdhëron të bëjmë.

    • Çfarë keni mësuar rreth mbajtjes së shenjtë të ditës së Shabatit?

    • Çfarë mund të bëni për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit?

  3. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:30 dhe kërkoni paralajmërimin e Zotit. Vini re se fjala dembel i referohet dikujt që është përtac.

    • Kur i keni parë bekimet që vijnë nga puna e madhe?

    Lexoni përzgjedhjen vijuese nga broshura Për Forcën e Rinisë.

    “Zoti na ka urdhëruar që të mos jemi dembelë. Dembelizmi mund të çojë në sjellje të papërshtatshme, marrëdhënie të shkatërruara dhe mëkat. Një formë e dembelizmit është shpenzimi i shumtë i kohës në aktivitete që ju mbajnë larg nga puna frytdhënëse të tilla si përdorimi i internetit, luajtja e videolojërave dhe shikimi i televizorit” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 40).

    • Si mund të çojë dembelizmi në ligësi?

    • Çfarë janë disa gjëra që mund ta ndihmojnë një person të mposhtë prirjen për të qenë përtac?

  4. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 68:31–32 dhe kërkoni këshillën e Zotit për shenjtorët në Sion.

    • Si mendoni se lakmia mund të ndikojë te një familje?

    • Çfarë mund të bëjmë ne në jetën tonë për t’l mposhtur egoizmin dhe lakminë?

Pasi studentët ta kenë përfunduar këtë veprimtari, u kërkoni atyre të raportojnë atë që kanë mësuar. (Merreni parasysh t’i kërkoni një studenti t’i shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë.) Një parim që mund të doni të theksoni nga vargjet 31 dhe 32 është që ne duhet ta zhdukim dembelizmin dhe lakminë nga jeta jonë. (Ndërsa studentët diskutojnë këtë parim, ju mund të doni të vini në dukje se ne nuk kemi nevojë të marrim çdo gjë që kanë miqtë tanë me qëllim që të jemi të lumtur.)

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme që prindërit t’i japin mësim dhe t’i jetojnë standardet e ungjillit?

  • Çfarë mund të bëjnë të rinjtë dhe të rejat për t’i ndihmuar familjet e tyre që “të ecin drejt përpara Zotit”?

Nëse jeni prind, merrni parasysh të shprehni mirënjohje për mënyrën se si fëmijët tuaj ju ndihmojnë të ndiqni urdhërimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 68. Pastaj ftojini studentët të shkruajnë një synim që do t’i ndihmojë ata të përgatiten për të qenë prindër të mirë. Ose ftojini ata që të shkruajnë një synim për t’i ndihmuar prindërit me përgjegjësitë e tyre. Nëse e lejon koha, ju mund të doni t’u kërkoni disa studentëve t’ia tregojnë qëllimet e tyre klasës.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 68:3–4. “Çfarëdo që ata do të flasin kur nxiten nga Fryma e Shenjtë”

Presidenti J. Ruben Klark shpjegoi se vetëm anëtarët e Presidencës së Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë të drejtën, fuqinë dhe autoritetin për t’ua shpallur mendjen dhe vullnetin e Perëndisë popullit të Tij:

Presidenti J. Ruben Klark

“[Ne] duhet të [mbajmë] mend se disa prej Autoriteteve të Përgjithshme u është caktuar një thirrje e veçantë; ata zotërojnë një dhuratë të veçantë; ata mbështeten si profetë, shikues e zbulues, gjë që u jep atyre një dhurim të veçantë shpirtëror në lidhje me mësimet që ata u japin njerëzve. Ata kanë të drejtën, fuqinë dhe autoritetin për t’u shpallur mendjen dhe vullnetin e Perëndisë njerëzve të Tij, në varësi të fuqisë së plotë dhe autoritetit të Presidentit të Kishës. Të tjerëve nga Autoritetet e Përgjithshme nuk u është dhënë ky dhurim dhe autoritet i veçantë shpirtëror lidhur me mësimdhënien; ata kanë një kufizim rrjedhues dhe kufizimi rrjedhues në fuqinë dhe autoritetin e tyre në mësimdhënie zbatohet për çdo drejtues dhe anëtar tjetër të Kishës, pasi asnjëri prej tyre nuk e ka marrë dhuratën shpirtërore si profet, shikues e zbulues. Për më tepër, siç u tregua, Presidenti i Kishës ka një dhurim të mëtejshëm e të veçantë shpirtëror në këtë drejtim, sepse ai është Profeti, Shikuesi dhe Zbuluesi për të gjithë Kishën” (“When Are Church Leaders’ Words Entitled to Claim of Scripture?” Church News, 31 korrik 1954, f. 9–10).

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se një profet flet vetëm si profet kur nxitet nga Fryma e Shenjtë:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Duhet mbajtur mend se jo çdo deklarim i bërë nga një udhëheqës i Kishës, në të shkuarën ose në të tashmen, është detyrimisht doktrinë. Është përgjithësisht e kuptueshme në Kishë se një deklarim i bërë nga një udhëheqës në një rast të vetëm, shpesh përfaqëson një opinion vetjak, sado që është i menduar mirë, që nuk është e thënë të jetë zyrtar ose i detyrueshëm për të gjithë Kishën. Profeti Jozef Smith dha mësim se ‘një profet [është] një profet vetëm kur ai [është] duke vepruar si i tillë’ [në History of the Church, 5:265]. Presidenti [J. Ruben] Klark … vëzhgoi: …

‘… Kisha do ta dijë me anë të dëshmisë së Frymës së Shenjtë që u jepet anëtarëve nëse vëllezërit që thonë pikëpamjet e tyre “nxiten nga Fryma e Shenjtë”; dhe në kohën e duhur ajo njohuri do të dëftohet’ [J. Reuben Clark Jr., “When Are Church Leaders’ Words Entitled to Claim of Scripture?” Church News, 31 korrik 1954, f. 10.]” (“Doktrina e Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 88, 89).

Doktrina e Besëlidhje 68:15–21. “Pasardhës të drejtpërdrejtë të Aaronit”

Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim se udhëzimi i Zotit te Doktrina e Besëlidhje 68:15–21 zbatohet vetëm për detyrën e Peshkopit Kryesues të Kishës:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Personi për të cilin flitet në zbulesa si njeriu që ka të drejtën me anë të prejardhjes për peshkopatën është ai që është i parëlinduri. Me anë të lindjes së tij ai ka të drejtën të mbajë ‘çelësat ose autoritetin e saj’. Kjo i drejtohet vetëm atij që kryeson mbi Priftërinë Aarone. Nuk i drejtohet asnjë peshkopi lagjeje. Për më tepër, një i tillë duhet të caktohet nga Presidenca e Parë e Kishës dhe të marrë … shugurimin e tij nën duart e tyre. Zbulesa për të vendosur mbi një pretendim për të drejtën që të kryesojë në këtë detyrë, vjen nga Presidenca, jo nga patriarku. Në mungesë të njohurisë lidhur me një pasardhës të tillë, çdo prift i lartë, i zgjedhur nga Presidenca, mund të mbajë detyrën e Peshkopit Kryesues dhe të shërbejë me këshilltarë” (Doctrines of Salvation, bot. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:92–93; shkrimi kursiv në origjinal).