Mësimi 76
Doktrina e Besëlidhje 72–74
Hyrje
Zgjerimi i Kishës në Misuri dhe zhvendosja atje e Peshkopit Eduard Partrixh krijuan nevojën që një peshkop tjetër të thirrej në Ohajo. Më 4 dhjetor 1831 Profeti Jozef Smith mori tri zbulesa, të cilat janë të ndërthurura te Doktrina e Besëlidhje 72. Këto zbulesa bënë të ditur thirrjen e Njull K. Uitnit si peshkopi i ri në Ohajo, zbuluan disa nga detyrat e Peshkopit Uitni dhe dhanë udhëzime lidhur me mbledhjen e Sionit. Zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 73, dhënë në janar 1832, përmban udhëzimin e Zotit për Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin që të rifillonin punën e tyre për përkthimin e Biblës. Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 74 u mor në vitin 1830, përpara se të rivendosej Kisha. Ajo përmban shpjegimin e Zotit të 1 Korintasve 7:14, një shkrim i shenjtë që ishte përdorur nga disa njerëz për të justifikuar pagëzimin për foshnjet.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 72:1–8
Zoti e thërret Njull K. Uitnin si peshkop në Ohajo
Pyetini studentët se cilat thirrje të Kishës ata do t’i konsideronin të ishin shumë të vështira.
-
A keni marrë ndonjëherë një thirrje ose a ju është kërkuar të bëni diçka të vështirë në Kishë dhe jeni ndier të pamundur ose të paaftë për ta bërë atë? Nëse po, përse?
Vërini studentët të kërkojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 72:1–2 dhe të përcaktojnë thirrjen që duhej të bëhej në Kishë. (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza “në këtë pjesë të vreshtit të Zotit” i referohej Ohajos.)
-
Cila thirrje duhej të bëhej në Ohajo?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë përse nevojitej një peshkop i ri në Ohajo, kërkojuni atyre të kujtojnë se kush ishte thirrur si peshkopi i parë në Kishë (Eduard Partrixhi; shih DeB 41:9). Shpjegoni se me zgjerimin e Kishës në Misuri dhe zhvendosjen e Peshkopit Partrixh në Indipendëns të Misurit (pothuaj 1 600 kilometra nga Kirtlandi), Zoti shpalli se nevojitej një peshkop i ri në Ohajo. Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 72:3–6. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë frazat që shpjegojnë përse shenjtorëve në Ohajo u nevojitej një peshkop.
-
Sipas vargjeve 3 dhe 5, përse shenjtorëve në Ohajo u nevojitej një peshkop? (Që ata të mund të ishin të përgjegjshëm ndaj peshkopit për kujdestaritë e tyre.)
-
Si është e ngjashme kjo me përgjegjshmërinë tonë ndaj peshkopit apo presidentit të degës sot?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 72:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë se kush u thirr si peshkopi i ri në Ohajo dhe kush e zgjodhi atë për ta përmbushur këtë thirrje.
-
Kush u thirr si peshkopi i ri në Ohajo?
-
Kush e përzgjodhi Njull K. Uitnin si peshkopin e ri?
-
Çfarë doktrine mund të mësojmë nga vargu 8 lidhur me thirrjet për të shërbyer në Kishën e Zotit? (Përgjigjet e studentëve mund të pasqyrojnë doktrinën vijuese: Thirrjet për të shërbyer në Kishën e Jezu Krishtit vijnë nga Shpëtimtari.)
Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si do të ndiheshin nëse do të thirreshin në një thirrje të vështirë në Kishë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë historinë vijuese, e cila u tregua nga nipi i Njull K. Uitnit, Plaku Orson F. Uitni, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si u ndie Vëllai Uitni kur u thirr si peshkop dhe çfarë mësoi ai rreth asaj se nga kishte ardhur thirrja e tij.
“Mendimi i marrjes së kësaj përgjegjësie të rëndësishme (detyrës së peshkopit) ishte pothuaj më tepër nga sa [Njull K. Uitni] mund të duronte. … Ai … nuk i besonte aftësisë së tij dhe [u ndie] i paaftë për të kryer mirëbesimin e lartë dhe të shenjtë. Në ankthin e tij, ai iu drejtua Profetit:
‘Vëlla Jozef, nuk mund të shoh te vetja ime një Peshkop; por nëse ju thoni se është vullneti i Zotit, unë do të përpiqem’.
‘Nuk duhet të bazohesh vetëm te fjala ime’, iu përgjigj Profeti me dashamirësi, ‘Shko dhe pyete vetë Atin’.
Njulli … vendosi të bënte ashtu siç e kishte këshilluar [Profeti]. … Lutja e tij e përulur dhe e ndier mori përgjigje. Në heshtjen e natës dhe në vetminë e dhomës së tij, ai dëgjoi një zë nga qielli: ‘Forca jote është në mua’. Fjalët ishin të pakta dhe të thjeshta, por ato ishin shumë domethënëse. Dyshimet e tij ranë si vesa para agimit. Ai e kërkoi menjëherë Profetin, i tha se ishte i kënaqur dhe ishte i gatshëm të pranonte detyrën në të cilën ishte thirrur” (“The Aaronic Priesthood”, Contributor, janar 1885, f. 126).
-
Çfarë e ndihmoi Njull K. Uitnin ta pranonte me gatishmëri thirrjen e tij për të shërbyer si peshkop?
-
Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e tij, që mund të na ndihmojë nëse ndihemi të mbingarkuar nga një thirrje apo detyrë në Kishë?
-
Si mund t’ju ndihmojë të kuptuarit se thirrjet për të shërbyer në Kishë vijnë nga Shpëtimtari, për t’i pranuar thirrjet dhe për t’u përpjekur me zell në përmbushjen e tyre?
Merreni parasysh të tregoni një përvojë që e ka forcuar dëshminë tuaj se thirrjet për të shërbyer në Kishën e Zotit vijnë prej Tij.
Doktrina e Besëlidhje 72:9–26
Zoti shpjegon detyrat e një peshkopi
Shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Peshkopët dhe presidentët e degëve administrojnë çështjet materiale dhe shpirtërore të Kishës në lagjet dhe degët e tyre. (Mund t’ju duhet të shpjegoni se termi materiale u drejtohet gjërave që i përkasin jetës fizike. Për shembull, peshkopët dhe presidentët e degëve administrojnë pronën e Kishës, fondet e Kishës dhe përdorimin e materialeve në shtëpitë e ruajtjes së peshkopëve.)
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 72:9–26 duke shpjeguar se këto vargje përshkruajnë disa nga detyrat e Peshkopit Uitni. Shpjegoni se detyrat e një peshkopi të përshkruara nga Zoti në këtë zbulesë, kryesisht i takojnë rolit të peshkopit nën ligjin e përkushtimit. Gjatë kësaj periudhe, Kisha nuk ishte e ndarë në lagje me peshkopë që kryesonin mbi çdo lagje siç është tani. Në atë kohë kishte vetëm dy peshkopë: Peshkop Uitni ishte peshkopi për shenjtorët në Ohajo dhe Peshkop Partrixh ishte peshkopi për ata në Misuri.
Doktrina e Besëlidhje 73
Zoti i urdhëron Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin që të vazhdojnë përkthimin e Biblës
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 73:1–2 duke shpjeguar se Zoti udhëzoi që pleqtë të cilët kishin qenë duke predikuar, duhej të vazhdonin të bënin kështu deri në konferencën vijuese, e cila do të mbahej në dy javë. Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni kishin qenë duke predikuar që të ndihmonin për të luftuar keqinformimin rreth Kishës, i cili kishte ardhur si pasojë e botimit të letrave të Ezra Buthit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 73:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë se ku Zoti i urdhëroi Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit të përqendroheshin pas konferencës.
-
Ku i kërkoi Zoti Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit t’i përqendronin përpjekjet e tyre? Cilës “vepr[e të] përkthimit” po i referohej Zoti? (Rishikimit të Biblës.)
Doktrina e Besëlidhje 74
Zoti shpjegon kuptimin e 1 Korintasve 7:14
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur po shërbejnë si misionarë kohëplotë për Kishën. Ndërsa flasin me një çift të martuar që po heton Kishën, ata mësojnë se çifti kishte një djalë i cili vdiq kur ishte vetëm pak muajsh. Çiftit iu tha nga një udhëheqës fetar se fëmija nuk mund të ishte në qiell ngaqë nuk ishte pagëzuar përpara se të vdiste. Prindërit ndien pikëllim të thellë për shkak të humbjes së fëmijës së tyre dhe të bindjes se fëmija i tyre e kishte humbur shpëtimin e tij.
Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth mënyrës se si do të përgjigjeshin në këtë situatë dhe i vini në dijeni se do të kenë mundësinë të përgjigjen më vonë gjatë mësimit.
Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 74 përmban shpjegimin e Zotit për 1 Korintasve 7:14. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 74:1, të cilat janë fjalë të Apostullit Pal nga 1 Korintasve 7:14. Informojini studentët se ky varg te 1 Korintasve është përdorur për të mbështetur praktikën e pagëzimit të foshnjave. (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala jobesimtar te vargu 1 u drejtohet judenjve që nuk e kishin pranuar ungjillin e Jezu Krishtit. Pali nuk po thoshte se një person mund të shpëtohet nga drejtësia e bashkëshortit ose bashkëshortes së vet, por se kthimi në besim i njërit prej bashkëshortëve mund të sillte një ndikim shenjtërues në familje.)
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 74:2–6. Vëreni klasën t’i ndjekin dhe të gjejë problemet që ishin krijuar në kohën e Apostullit Pal, kur një nga bashkëshortët në martesë kthehej në besim në ungjillin e Jezu Krishtit dhe bashkëshorti tjetër ende praktikonte ligjin e Moisiut.
-
Çfarë vështirësish po përjetoheshin në këto lloj martesash? (Bashkëshortët grindeshin nëse fëmijët e tyre do të mësoheshin të besonin dhe t’i bindeshin ungjillit të Jezu Krishtit apo ligjit të Moisiut [shih vargun 3]; fëmijët, të cilët u rritën duke iu bindur ligjit të Moisiut, u rritën duke mos besuar në ungjillin e Jezu Krishtit [shih vargun 4].)
-
Si mund të ndikojnë në familjen e një çifti, bindjet e ndryshme fetare brenda një martese?
Shpjegoni se Shlyerja e Jezu Krishtit përmbushi ligjin e Moisiut dhe rrethprerja nuk ishte më e nevojshme. Megjithatë, judenjtë që ndiqnin ligjin e Moisiut besonin se një fëmijë djalë ishte i papastër nëse ai nuk rrethpritej. Kjo bindje shkaktonte probleme në familjet ku një prind besonte në ungjillin e Jezu Krishtit dhe tjetri besonte në ligjin e Moisiut. Konflikte të ngjashme për bindjet dhe praktikat fetare mund të ndodhin sot në familjet ku një bashkëshort është anëtar i Kishës dhe bashkëshorti tjetër nuk është.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 74:7. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar për atë që Zoti dha mësim rreth fëmijëve të vegjël.
-
Çfarë dha mësim Zoti lidhur me fëmijët e vegjël? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë sa vijon: Fëmijët e vegjël janë të shenjtë, duke qenë të shenjtëruar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë doktrinë në shkrimet e tyre të shenjta.)
Kujtojini studentët për skenarin misionar të paraqitur më herët në mësim. Ftojini studentët të shkruajnë Moroni 8:8–12 dhe Doktrina e Besëlidhje 29:46–50 si referenca kryq pranë Doktrinës e Besëlidhjes 74:7. Caktojini studentët të lexojnë me një partner Moronin 8:8–12 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 29:46–50 dhe pastaj të diskutojnë së bashku pyetjen vijuese:
-
Duke përdorur atë që mësuat rreth shpëtimit të fëmijëve të vegjël te Doktrina e Besëlidhje 74:7 dhe Moroni 8:8–12, çfarë do t’i mësonit çiftit të martuar që ndien se fëmija e tyre i vdekur nuk ishte në gjendje të shkonte në qiell?
Ftoni një ose dy dyshe studentësh që të shpjegojnë atë që do të jepnin mësim. Mbylleni duke dëshmuar për fuqinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit për të shëlbuar fëmijët e vegjël.