Mësimi 101
Doktrina e Besëlidhje 98:1–22
Hyrje
Më 20 korrik 1833, një grup prej 400-500 misurianësh kërkuan që asnjë shenjtor të mos shpërngulej më në kontenë Xhekson dhe ata që tashmë jetonin atje, duhej të largoheshin. Përpara se shenjtorët në Misuri të mund të përgjigjeshin, një turmë filloi të shkatërronte pronat e tyre dhe të kërcënonte jetën e tyre. Më 6 gusht 1833, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 98, në të cilën Zoti i udhëzoi shenjtorët rreth mënyrës se si t’i përgjigjeshin përndjekjes. Ndonëse disa lajme për problemet në Misuri ndofta i kishin mbërritur Profetit në Kirtland të Ohajos, rreth 1450 kilometra larg, ai mund ta ketë kuptuar rëndësinë e situatës vetëm me anë të zbulesës. Në këtë zbulesë, Zoti i pranoi mundimet e shenjtorëve në Misuri dhe Ohajo. Ai i këshilloi ata që të ndiqnin ligjin kushtetues të vendit dhe të mbanin besëlidhjet e tyre.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 98:1–3
Zoti i siguron shenjtorët gjatë mundimeve të tyre
Përpara se të fillojë ora e mësimit, shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: Si do të ndiheshit juve?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë paragrafin vijues. Kërkojini klasës të mendojë rreth mënyrës se si do të ndiheshin ata nëse do të ishin në këtë situatë.
Të shtunën, më 20 korrik 1833, [një numër] nga 400 në 500 qytetarë të zemëruar të Misurit, u takuan në gjykatë në Indipendëns të Misurit. Ata zgjodhën një komitet për të hartuar një dokument që përvijonte kërkesat e tyre për mormonët. Ata kërkuan që asnjë shenjtor i ditëve të mëvonshme të mos lejohej më që të shpërngulej për në kontenë Xhekson dhe thanë se ata që tashmë jetonin atje, duhej të betoheshin se do të largoheshin sa më shpejt që të ishte e mundur. Veç kësaj, ata kërkuan që gazeta e Kishës ta ndalte botimin. Kur këto kërkesa iu paraqitën udhëheqësve të Kishës në Misuri, udhëheqësit e Kishës u befasuan dhe kërkuan tre muaj që ta shqyrtonin propozimin dhe të këshilloheshin me udhëheqësit e Kishës në Ohajo. Grupi i qytetarëve të Misurit që paraqiti kërkesat, e mohoi kërkesën e udhëheqësve të Kishës. Atëherë shenjtorët kërkuan 10 ditë kohë, por atyre iu lejuan vetëm 15 minuta kohë për të dhënë përgjigje. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 132–133.)
Drejtojini studentët te pyetja në tabelë dhe bëni pyetjen e mëposhtme:
-
Si do të ndiheshit po të ishit njëri prej shenjtorëve që jetonte në Indipendëns të Misurit, në këtë kohë?
Pasi studentët të përgjigjen, ftojeni një student tjetër ta lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:
Misurianët e takimit në gjykatën e Indipendënsit, shpejt u kthyen në një turmë dhe vendosën ta shkatërronin shtypshkronjën dhe makinën e shtypit. Ata hynë me forcë në shtypshkronjë, i flakën orenditë në rrugë e kopsht, e prishën makinën e shtypit, i shpërndanë germat dhe shkatërruan pothuaj të gjithë punën e shtypur, duke përfshirë shumicën e fletëve të palidhura të Librit të Urdhërimeve. Më pas turma vijoi që të shkatërronte dyqanin Gilbert dhe Uitni. Megjithatë, Sidni Gilberti e takoi turmën përpara se ata të mund ta zbatonin planin e tyre dhe premtoi se do t’i mblidhte mallrat dhe do të largohej për tre ditë. (Shih Church History in the Fulness of Times, f. 133.)
Kërkojuni studentëve të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjen në tabelë lidhur me këtë rrëfim. Pasi studentët të kenë treguar mendimet e tyre, ftojeni një student të tretë të lexojë paragrafin vijues:
Tre ditë më vonë, më 23 korrik, një turmë u shfaq sërish në kontenë Xhekson të Misurit, këtë herë të armatosur me pushkë, pistoleta, kamxhikë dhe kopaçe. Ata u vunë zjarrin mullarëve me bar e fushave me drithë dhe shkatërruan disa shtëpi, hangarë dhe biznese. Ata përfundimisht u përballën me gjashtë udhëheqës të Kishës, të cilët, duke parë që prona dhe jeta e shenjtorëve qe në rrezik, ofruan jetën e tyre në këmbim. Duke mos e pranuar këtë ofertë, udhëheqësit e turmës kërcënuan se çdo burrë, grua dhe fëmijë do të fshikullohej me kamxhik nëse nuk binin dakord të largoheshin nga konteja. Duke qenë nën trysni, vëllezërit nënshkruan një marrëveshje për t’u larguar nga konteja Xhekson. Gjysma e anëtarëve të Kishës dhe shumica e udhëheqësve do të largoheshin deri më 1 janar 1834 dhe pjesa tjetër do të largohej deri më 1 prill 1834. Turma e lejoi Xhon Korillin dhe Sidni Gilbertin të qëndronin për të shitur pronat e shenjtorëve që qenë dëbuar. (Shih Church History in the Fulness of Times, f. 134.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 98. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar për atë që e nxiti këtë zbulesë. Ftojini studentët të raportojnë përgjigjet e tyre.
-
Sipas hyrjes së seksionit, çfarë është e jashtëzakonshme rreth kohës së kësaj zbulese?
Shpjegoni se gjatë kësaj kohe edhe shenjtorët në Ohajo po përjetonin përndjekje. Parimet në këtë zbulesë u zbatuan për ata dhe mund të zbatohen edhe për ne. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:1–2. Vëreni klasën të kërkojë këshillat që Zoti u dha shenjtorëve. (Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se Sabaoth, në vargun 2, është një fjalë nga hebraishtja që do të thotë “armatë” ose “ushtri”. Përdorimi i saj këtu nënkupton që Zoti urdhëron ushtritë engjëllore ose armatat, dhe ushtritë e Izraelit apo shenjtorët. [Shih Bible Dictionary, “Sabaoth”.])
-
Çfarë këshille u dha Zoti shenjtorëve? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)
-
Përse është e rëndësishme që shenjtorët të japin falënderime gjatë kohëve të vështira?
-
Çfarë mendoni se do të thotë ta presësh me durim Zotin?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë se çfarë do të thotë ta presësh me durim Zotin.
“Atëherë, çfarë do të thotë të presësh nga Zoti? Në shkrimet e shenjta, fjala pres do të thotë të shpresosh, të parashikosh dhe të mirëbesosh. Të shpresosh e të mirëbesosh te Zoti, kërkon besim, durim, përulësi, zemërbutësi, durueshmëri, zbatim të urdhërimeve dhe durim deri në fund” (“Të Presësh nga Zoti: U Bëftë Vullneti Yt”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 72).
-
Përse këshilla për të pritur me durim Zotin do të ishte e rëndësishme për shenjtorët në Misuri?
-
Çfarë fjalësh ngushëllimi shihni te vargu 2?
Shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse japim falënderime për të gjitha gjërat dhe e presim me durim Zotin, atëherë …
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti u premtoi shenjtorëve nëse ata do t’i bindeshin këshillës së Tij.
-
Si do ta plotësonit parimin në tabelë, bazuar në vargun 3? (Në vijim është një mënyrë se si studentët mund ta plotësojnë parimin: Nëse japim falënderime për të gjitha gjërat dhe e presim me durim Zotin, atëherë Zoti mund t’i bëjë mundimet tona të veprojnë së bashku për të mirën tonë.)
Ftojini studentët të mendojnë rreth dikujt që e njohin, i cili e ka pritur me durim Zotin gjatë kohëve të vështira dhe ka gjetur arsye për të qenë mirënjohës.
-
Në çfarë mënyrash mundimet sollën gjëra të mira në jetën e atij personi?
Doktrina e Besëlidhje 98:4–10
Zoti i këshillon shenjtorët të mbështetin ligjin e tokës
Shpjegoni se, përveç këshillimit të shenjtorëve për të pritur me durim, Zoti u tha atyre t’i binden të gjitha urdhërimeve të Tij (shih DeB 98:4) dhe tha se ata ishin të shfajësuar “në mbështetjen [ose përkrahjen] e atij ligji që është ligji kushtetues i tokës” (DeB 98:6). Ai shpjegoi se ligji kushtetues i tokës mbështeste “atë parim të lirisë në ruajtjen e të drejtave dhe privilegjeve” dhe i përkiste të “gjithë njerëzimit” (DeB 98:5).
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:9–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth udhëheqësve të qeverisë. Ftojini studentët të raportojnë gjetjet e tyre.
-
Si mund të na ndihmojë sot këshilla e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 98:4–10, në çfarëdo vendi ku ne jetojmë?
Doktrina e Besëlidhje 98:11–18
Zoti i udhëzon shenjtorët që t’i mbajnë besëlidhjet e tyre, madje edhe gjatë kohëve të vështira
Kërkojuni studentëve të përsiatin pyetjen vijuese:
-
Çfarë shpërblimi u vjen atyre që e japin jetën e tyre për kauzën e Krishtit dhe emrin e Tij?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:11–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e asaj pyetjeje dhe atë që Zoti u tha shenjtorëve rreth të qenit të sprovuar ose të provuar.
-
Çfarë urdhërimi u dha Zoti shenjtorëve? (Shih DeB 98:11–12.)
-
Sipas vargjeve 13–15, cila është një arsye pse Zoti na sprovon? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Zoti na sprovon për të parë nëse ne do t’i mbajmë besëlidhjet tona, madje edhe kur është e vështirë për ta bërë këtë.)
-
Përse mund të ketë qenë e rëndësishme për shenjtorët që jetonin në Misuri në vitin 1833, që ta dinin këtë të vërtetë? Përse mund të jetë e rëndësishme që ne ta kujtojmë këtë të vërtetë sot?
Kërkojuni studentëve të mendojnë për dikë që ata e njohin, i cili është një shembull i mirë i mbajtjes së besëlidhjeve gjatë kohëve të vështira. Ftojini disa studentë që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
Ftojini studentët të marrin në shqyrtim atë që do të bëjnë për të qëndruar të fortë dhe për t’i mbajtur besëlidhjet e tyre, madje edhe kur është e vështirë për ta bërë këtë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:16–18. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që Zoti u tha shenjtorëve që të bënin. Ftojini studentët të raportojnë gjetjet e tyre.
Doktrina e Besëlidhje 98:19–22
Zoti u thotë shenjtorëve në Kirtland të pendohen
Shpjegoni se në kohën që Zoti e dha këtë zbulesë edhe shenjtorët në Kirtland të Ohajos, po përjetonin vështirësi. Te Doktrina e Besëlidhje 98:19–22, ne lexojmë mesazhin e Zotit për ta.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:19–22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth shenjtorëve në Kirtland. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
-
Si lidhen fjalët e Zotit rreth shenjtorëve në Kirtland me atë që Ai u tha shenjtorëve në Misuri? (Shih DeB 98:11.)
-
Si mund të gjejë zbatim për ne mesazhi i Zotit në vargun 11? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se të “kape[sh] pas” mirësisë është të zotohesh ndaj saj në mënyrë të patundur.)
Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për doktrinat dhe parimet e diskutuara sot. Nxitini studentët të braktisin mëkatet e tyre dhe të kapen pas së mirës.