Seminare dhe Institute
Mësimi 103: Doktrina e Besëlidhje 99–100


Mësimi 103

Doktrina e Besëlidhje 99–100

Hyrje

Më 29 gusht 1832, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 99. Në këtë zbulesë, Zoti e thirri Xhon Murdokun që të vazhdonte të shërbente si misionar. Jozef Smithi e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 100, më 12 tetor 1833, ndërsa ai dhe Sidni Rigdoni po punonin në Nju-Jork si misionarë. Në këtë zbulesë, Zoti i siguroi ata se familjet e tyre në Ohajo ishin mirë. Zoti i ngushëlloi ata edhe lidhur me shenjtorët në Misuri, të cilët po vuanin përndjekje.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 99

Zoti e thërret Xhon Murdokun që të shpallë ungjillin

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shok që nuk është anëtar i Kishës i pyet ata se përse dikush do të ishte i/e gatshëm/me të jepte 2 vjet apo 18 muaj të jetës së tij apo të saj për të shërbyer në një mision.

  • Si do t’i përgjigjeshit kësaj pyetjeje?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë informacionin vijues rreth një burri të quajtur Xhon Murdok. Ftojini studentët të dëgjojnë rreth sakrificave që bëri Vëllai Murdok për t’i shërbyer Zotit.

Xhon Murdoku hetoi shumë kisha dhe arriti në përfundimin se të gjitha fetë e kishin larguar veten e tyre nga Perëndia. Sidoqoftë, nga fundi i 1830-ës, ai lexoi Librin e Mormonit dhe e ndjeu Frymën e Shenjtë t’i dëshmonte për vërtetësinë e tij. Ai u pagëzua më 5 nëntor 1830. Pak pas kësaj, ai shërbeu në një mision, duke pagëzuar rreth 70 njerëz në katër muaj në Orinxh të Ohajos dhe në Uarrensvill të Ohajos.

Më 30 prill 1831, pak pasi Vëllai Murdok qe kthyer nga misioni i tij, gruaja e tij, Xhulia, vdiq pasi lindi binjakë. Në qershor të vitit 1831, Zoti e thirri atë që të shkonte në Misuri dhe të predikonte ungjillin gjatë udhës (shih DeB 52:8–9). Përpara se të largohej, ai duhej të sigurohej se do të kishte përkujdesje për të pesë fëmijët e tij, të gjithë nën moshën shtatë vjeç. Ai mori masa që disa individë të kujdeseshin për fëmijët e tij më të rritur, dhe Jozef e Ema Smithi birësuan binjakët e mitur. Për pjesën tjetër të 1831-it dhe gjysmën e parë të 1832-it, Xhon Murdoku predikoi në Territorin e Miçiganit, në Indiana, Misuri dhe Ohajo. Kur u kthye në Hajrëm të Ohajos, në qershor të 1832-it, ai po vuante nga pasojat e një sëmundjeje të gjatë. Ai mësoi se një nga binjakët e tij ishte sëmurur dhe kishte vdekur për shkak të qëndrimit në të ftohtë gjatë një sulmi ndaj Jozef Smithit.

  • Çfarë ju bën përshtypje nga ky rrëfim për Xhon Murdokun?

Shpjegoni se Jozef Smithi e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 99 më 29 gusht 1832, përafërsisht dy muaj pasi Vëllai Murdok kishte mbërritur në shtëpi nga misioni i tij i dytë.

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 99:1 dhe të kërkojnë atë që Zoti e thirri Xhon Murdokun të bënte.

  • Çfarë e thirri Zoti Xhon Murdokun të bënte?

  • Si mund ta ketë provuar kjo thirrje misioni, besimin dhe bindjen e Vëllait Murdok?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 99:2–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i premtoi Xhon Murdokut.

  • Çfarë doktrinash dhe parimesh mund të mësojmë nga vargjet 2–3? (Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë sa vijon: Ne përfaqësojmë Zotin kur shërbejmë në misione. Kur ne i pranojmë dhe i ndjekim shërbëtorët e Zotit, ne jemi duke e pranuar dhe ndjekur Atë.)

  • Si jeni bekuar ju kur keni ndjekur shërbëtorët e Zotit?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 99:4–5. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar ata që Zoti tha se do t’u ndodhte atyre që nuk do të pranonin mesazhin që Xhon Murdoku do t’u mësonte atyre.

  • Sipas vargut 4, cila është një pasojë e mospranimit të mesazhit të ungjillit të predikuar nga shërbëtorët e Zotit?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 99:6–8. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar provën që Zoti ishte në dijeni të nevojave të Xhon Murdokut dhe të sakrificave që ai po bënte.

  • Çfarë na tregojnë fjalët e Zotit për Xhon Murdokun?

Shpjegoni se Vëllai Murdok e ndoqi këshillën e Zotit. Ai mori masa që tre nga fëmijët e tij më të rritur të jetonin me familje të ndryshme në Misuri, dhe në shtator 1832 ai u largua për të predikuar ungjillin. Ai shërbeu në disa misione të tjera dhe më pas iu bashkua fëmijëve të tij më të rritur në Misuri. Ai i shërbeu Zotit besnikërisht për pjesën tjetër të jetës së tij.

Doktrina e Besëlidhje 100:1–12

Zoti i jep Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit fjalë ngushëllimi dhe udhëzimi

Shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: Cilat janë disa shqetësime që misionarët mund të kenë kur fillojnë misionin e tyre? Ftojeni një student të veprojë si shkrues dhe të shkruajë në tabelë përgjigjet e studentëve. (Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë pyetje të tilla si ato që vijojnë: Si do t’i gjej unë njerëzit për t’i mësuar? Si do ta di se çfarë të them? A do të kaloj mirë me shokët e mi misionarë? A do të jetë mirë familja ime ndërsa do të jem larguar?)

Shpjegoni se në prill të vitit 1833, një burrë i quajtur Friman Nikerson iu bashkua Kishës në Nju-Jork dhe erdhi në Kirtland të Ohajos. Kur Frimani e takoi Jozef Smithin, ai i kërkoi Profetit që të vizitonte familjen Nikerson në Nju-Jork dhe Kanada. Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni ranë dakord me propozimin e tij dhe u larguan me të nga Kirtlandi më 5 tetor 1833. Gjatë rrugës, ata predikuan ungjillin. Pasi arritën në shtëpinë e familjes Nikerson në Perrisburg të Nju-Jorkut, Jozefi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 100.

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 100, duke kërkuar atë për të cilën Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni qenë të shqetësuar kur arritën në Nju-Jork. Pasi studentët të raportojnë për atë që gjejnë, shpjegoni se Jozef Smithi shkroi për shqetësimet e tij në ditarin e tij: “Në mendjen time ndihem shumë mirë se Zoti është me ne, por kam shumë ankth për familjen time” (Journals, Volume 1: 1832–1839, vëll. 1 i serive “Journals” të The Joseph Smith Papers [2008], f. 14).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 100:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit për shqetësimin e Jozef Smithit dhe të Sidni Rigdonit.

  • Çfarë frazash në këto vargje mund ta kenë lehtësuar shqetësimin e Jozef Smithit dhe të Sidni Rigdonit? Si mund t’i ndihmojnë këto vargje misionarët sot?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 100:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i premtoi Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit.

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta kesh “një derë frytdhënëse” të hapur për shpërndarjen e ungjillit?

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si Zoti “hap dyer” që ne të bëjmë punë misionare?

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 100:5–8, duke kërkuar premtime të tjera nga Zoti. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, shkruani në tabelë Nëse , atëherë .

  • Çfarë mund të mësojmë nga vargjet 5–6? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse do t’i ngremë zërat tanë për të folur për ungjillin, atëherë Zoti do të na ndihmojë të dimë se çfarë të themi.)

  • Sipas vargut 7, si do Zoti që misionarët ta predikojnë ungjillin?

  • Sipas vargut 8, çfarë premton Zoti nëse e predikojmë ungjillin me “seriozitetin e zemrës” dhe “në shpirtin e zemërbutësisë”? (Studentët duhet të shprehin parimin vijues: Nëse e ndajmë ungjillin me të tjerët me seriozitetin e zemrës dhe në shpirtin e zemërbutësisë, atëherë Fryma e Shenjtë do të dëshmojë për mesazhin tonë.)

Ftojini studentët të mendojnë rreth një rasti kur Zoti i ka ndihmuar ata të dinin se çfarë të thoshin ndërsa kanë folur për ungjillin. Gjithashtu ftojini ata të mendojnë për një rast kur e kanë ndier Shpirtin t’u dëshmojë për diçka që kanë thënë. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 100:9–12. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar udhëzimet që Zoti i dha Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit.

  • Sipas vargut 12, përse Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni mund t’i “[linin] zemrat [e tyre] të ngazëllehe[shin]”?

  • Çfarë mund të nënkuptojë për ju premtimi te vargu 12 nëse do ishit duke shërbyer në një mision?

Shpjegoni se përpjekjet misionare të Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit patën një ndikim të përhershëm për Kishën. Për shembull, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni i predikuan një grupi të madh njerëzish në shtëpinë e familjes Nikerson dhe grupeve të tjera në Kanada. Misionarët pagëzuan afërsisht 20 individë, duke përfshirë Moisi Nikersonin dhe organizuan një degë të Kishës. Në vitin 1836, Parli P. Prat e vizitoi atë degë kur shërbeu në një mision në Kanada. Moisi Nikersoni e prezantoi Plakun Prat me Xhon Tejlorin. Plaku Prat e pagëzoi Xhon Tejlorin, i cili u bë një misionar i suksesshëm dhe më vonë u bë President i Kishës.

Doktrina e Besëlidhje 100:13–17

Zoti i ngushëllon Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin lidhur me sprovat e shenjtorëve në Misuri

Shpjegoni se rreth dy muaj përpara se Jozef Smithi të nisej në këtë mision, Oliver Kaudëri solli lajmin nga Misuri se armiqtë e Kishës ishin bërë të dhunshëm ndaj shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Jozef Smithi dërgoi Orson Hajdin dhe Xhon Goulldin që t’u jepnin këshillën e tij shenjtorëve në Misuri. Ky udhëtim do të ishte i rrezikshëm për shkak se ata do të udhëtonin përmes zonave që ishin pranë turmave antimormone. Profeti u shqetësua për Vëllain Hajd e Vëllain Goulld dhe të gjithë shenjtorët që po përndiqeshin në Misuri.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 100:13–17. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Zoti i tha Jozef Smithit. Kërkojuni studentëve të përmbledhin atë që gjejnë.

  • Çfarë premtimi shihni te vargjet 15–17? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Të gjitha gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tonë nëse ecim drejt përpara Zotit.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “ec[ësh] drejt” përpara Zotit?

  • Si mund t’ju ndihmojë premtimi te vargjet 15–17 gjatë kohëve të vështira?

Ftojini disa studentë që të japin shembuj të mënyrës se si ata e kanë parë këtë premtim të përmbushet. Ju gjithashtu mund të doni të jepni dëshminë tuaj për këtë të vërtetë. Ftojini studentët të mendojnë për gjëra të veçanta që mund të bëjnë për të “ec[ur] drejt” përpara Zotit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 100:1. “Unë do të bëj me ta si të më duket më mirë”

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim:

Plaku Dallin H. Ouks

“[Zoti] do të bëjë më shumë nga ç’është më e mira për ne. Ai do të bëjë atë që është më e mira për ne dhe për të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor. … Zoti di më shumë sesa ne dimë dhe … Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona në mënyrën që është më e mira për ne dhe për të gjithë fëmijët e Tij të tjerë” (“Faith in the Lord Jesus Christ”, Ensign, maj 1994, f. 99).

Doktrina e Besëlidhje 100:3. “Një derë frytdhënëse do të hapet në krahinat përreth”

Në vitin 1833, përpjekjet misionare e kishin përgatitur zonën përreth liqenit Erie në lindje dhe liqenit Ontario në jugperëndim për rritjen e Kishës. Në verën e atij viti, gazeta Evening and Morning Star botonte letra nga misionarë të ndryshëm që përshkruanin përpjekjet e frytshme për kthimin në besim në zonën ku po predikonin Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni. Silvestër Smithi raportoi që ishin ngritur 15 kisha midis Kirtlandit në Ohajo dhe Çenangos në Nju-Jork, disa prej të cilave përbëheshin nga pothuaj 100 anëtarë. Misionarët po predikonin me sukses edhe në Nju-Jorkun jugperëndimor. Në vitin 1833, Amasa Liman udhëtoi pranë kontesë Kataraugus të Nju-Jorkut. Atje ai mbajti 152 mbledhje dhe pa 100 shpirtra që iu shtuan Kishës.

Doktrina e Besëlidhje 100:5–8. Zoti do të na japë atë që duhet të themi

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rolin e Frymës së Shenjtë në përpjekjet tona për të predikuar ungjillin:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Është Fryma e Shenjtë që dëshmon për fjalët tuaja kur ju jepni mësim dhe dëshmoni. Është Fryma e Shenjtë që, ndërsa flisni në mjedise armiqësore, vendos në zemrën tuaj atë që duhet të thoni dhe përmbush premtimin e Zotit se ‘ju nuk do të ngatërroheni përpara njerëzve’ (DeB 100:5)” (“Fuqia e Besëlidhjeve”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 22).