Seminare dhe Institute
Mësimi 105: Doktrina e Besëlidhje 101:17–42


Mësimi 105

Doktrina e Besëlidhje 101:17–42

Hyrje

Më 16 dhe 17 dhjetor 1833, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë lidhur me shenjtorët në Misuri, të cilët kishin lënë shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar përndjekjes së ashpër. Shumë prej atyre shenjtorëve ishin detyruar të linin prapa të gjitha zotërimet e tyre. Zbulesa që mori Profeti, e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 101, diskutohet në tre mësime në këtë manual. Ky mësim i dytë përfshin përshkrimin e Zotit për disa prej kushteve të Mijëvjeçarit. Ai përfshin fjalë ngushëllimi dhe këshille për shenjtorët.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 101:17–34

Zoti përshkruan disa prej kushteve të Mijëvjeçarit

Kërkojuni studentëve të përmendin disa ngjarje të ardhshme për të cilat po përgatiten. Renditini këto ngjarje në tabelë. Pyetini studentët se çfarë po bëjnë që të përgatiten për ngjarjet.

  • Përse bëni përpjekje për të qenë të përgatitur?

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 101, përmban udhëzime mbi përgatitjen për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe për Mijëvjeçarin. Përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 101:17–21, duke shpjeguar se premtimi i Zotit për t’i mbledhur shenjtorët në qytetin e Sionit në kontenë Xhekson të Misurit, “mbahet pezull, ndërsa njerëzit kënaqen me dhuratën e madhe dhe me përgjegjësitë që lidhen me të. Ndërkohë, të ndershmit në zemër janë duke u mbledhur në luginat e Maleve Shkëmbore [dhe në kunjet kudo në botë]. … Tempuj janë ngritur. … Por Sioni ende do të ngrihet në vendin e zgjedhur” (James E. Talmage, The Articles of Faith, bot. i 12-të, [1924], f. 353; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të, [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 240).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:22–23. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë diçka që Zoti u tha shenjtorëve të bënin, që të përgatiteshin për Ardhjen e Tij të Dytë.

  • Sipas vargjeve 22 dhe 23, çfarë mund të bëjmë që të përgatitemi për Ardhjen e Dytë? (Studentët duhet të shprehin se ne mund të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit duke thirrur në emrin e Tij, duke jetuar sipas parimeve të ungjillit, duke u mbledhur së bashku dhe duke qëndruar në vende të shenjta. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Çfarë do të thotë për ju të “qëndro[sh] në vende të shenjta”? Kur keni ndier se ishit në një vend të shenjtë?

  • Si ju ndihmon mbledhja në vende të shenjta me shenjtorë të tjerë të ditëve të mëvonshme, që të përgatiteni për Ardhjen e Dytë të Zotit?

Që t’i përgatitni studentët për t’i kuptuar fjalët e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 101:24–34, shpjegoni se këto vargje i referohen shkatërrimit të të ligjve në kohën e Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit dhe kushteve që do të ekzistojnë në tokë gjatë Mijëvjeçarit. Ndajini studentët në dyshe. Ftojini dyshet që ta studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 101:24–34, duke kërkuar kushtet që do të ekzistojnë gjatë Mijëvjeçarit. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni atyre të raportojnë gjetjet e tyre. Ftojeni një student t’i renditë përgjigjet në tabelë.

  • Cilin nga kushtet në tabelë do të ishte veçanërisht emocionuese për ju ta përjetonit? Përse?

Doktrina e Besëlidhje 101:35–38

Zoti i siguron shenjtorët në Misuri se nëse durojnë me besim, ata do të marrin së fundi nga lavdia e Tij

Kujtojuni studentëve se kur Zoti dha zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 101, shenjtorët në Misuri kishin përjetuar vështirësi të tmerrshme. Ju mund të doni t’i ftoni studentët që të përmbledhin disa nga vështirësitë që ata mësuan në mësimin e mëparshëm.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:35–38. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar të vërtetat që dha mësim Zoti dhe këshillat që Ai dha për t’i ngushëlluar dhe forcuar shenjtorët në sprovat e tyre.

  • Cilat të vërteta dhe këshilla te vargjet 35–38 mund t’u kenë sjellë ngushëllim shenjtorëve që po vuanin në Misuri? (Ndërsa studentët përgjigjen, pyetini ata se në ç’mënyrë çdo e vërtetë ose këshillë e veçantë që përmendin, mund t’u ketë sjellë ngushëllim shenjtorëve.)

  • Si do ta shprehnit me vetë fjalët tuaja premtimin e Zotit në vargun 35? (Studentët duhet të përgjigjen duke thënë një parim të ngjashëm me sa më poshtë: Ata që vuajnë përndjekje për emrin e Shpëtimtarit dhe durojnë me besim, do të marrin nga lavdia e Perëndisë. Ju mund të doni ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.)

Shpjegoni se dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit e ndjekin Atë gjithmonë, edhe kur ata përndiqen për besimin e tyre. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues, të treguar nga Presidenti Xhejms E. Faust i Presidencës së Parë. Përpara se ai apo ajo të lexojë, shpjegoni se rrëfimi është rreth Rafael Monroit dhe Visente Moralesit, dy shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të cilët jetuan në Meksikë në fillim të viteve 1900. Në vitin 1915 ata u kapën nga një bandë e dhunshme ushtarësh. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mënyrën se si qenë besnikë Vëllai Monroi dhe Vëllai Morales ndërsa duruan përndjekje.

Presidenti Xhejms E. Faust

“Rafael Monroi ishte president i degës së vogël “San-Marko” në Meksiko dhe Vicente Moralesi ishte këshilltari i tij i parë. … Atyre iu tha se do t’u kursehej jeta, nëse do të lëshonin armët e tyre dhe do të hiqnin dorë nga feja e tyre e çuditshme. Vëllai Monroi u tha rrëmbyesve të tij që nuk kishte asnjë armë dhe thjesht nxori nga xhepi i tij Biblën dhe Librin e tij të Mormonit. Ai tha: ‘Zotërinj, këto janë armët e vetme që mbaj gjithmonë; ato janë armët e së vërtetës kundër gabimit’.

Kur nuk u gjet asnjë armë, vëllezërit u torturuan mizorisht për t’i bërë që të tregonin se ku ishin fshehur armët. Por armë nuk kishte. Më pas, nën mbikëqyrjen e rojeve ata u çuan në periferinë e qytetit të vogël, ku rrëmbyesit e tyre i vendosën te një pemë e madhe frashëri përballë një toge ekzekutimi. Oficeri në detyrë u ofroi atyre liri nëse do ta braktisnin fenë e tyre dhe do të bashkoheshin [me ushtarët], por Vëllai Monroi u përgjigj: ‘Feja ime është më e shtrenjtë se jeta për mua dhe nuk mund ta braktis’.

Më pas atyre iu tha se do t’i pushkatonin dhe i pyetën nëse kishin ndonjë kërkesë për të bërë. Vëllai Rafael kërkoi që ta lejonin të lutej para se të ekzekutohej. Aty, në praninë e ekzekutuesve të tij, ai u gjunjëzua dhe, me një zë që të gjithë mund ta dëgjonin, u lut që Perëndia do t’i bekonte dhe mbronte njerëzit e tij të dashur dhe do të kujdesej për degën e vogël që po kalonte vështirësi, e cila do të mbetej pa udhëheqës. Kur e përfundoi lutjen e tij, ai përdori fjalët e Shpëtimtarit kur Ai qe varur në kryq dhe u lut për ekzekutuesit e Tij: ‘O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë’. [Lluka 23:34.] Pas kësaj, toga e ekzekutimit i qëlloi që të dy, Vëllain Monroi dhe Vëllain Morales” (“Discipleship”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 21–22; bazuar në Rey L. Pratt, “A Latter-day Martyr”, Improvement Era, qershor 1918, f. 720–726; [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, “Të Jesh Dishepull”, f. 27–28]).

Ftojini studentët të mendojnë për rastet kur ata janë përndjekur (tallur ose përqeshur) për shkak të besimit të tyre te Jezu Krishti dhe Kisha e Tij. Ju mund të doni të ftoni disa studentë që të tregojnë përvojat e tyre.

  • Kur ju përndiqeni për bindjen tuaj ndaj Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij, çfarë mund të bëni për t’u përgjigjur me besim?

Doktrina e Besëlidhje 101:39–42

Zoti shpall se populli i besëlidhjes së Tij janë kripa e tokës

Për t’i përgatitur studentët që të kuptojnë mësimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 101:39–42, paraqitni dy mostra të kripës: një mostër me kripë të kulluar dhe një mostër me kripë që është e përzier me substanca të tjera, të tilla si dheu.

Drejtojeni vëmendjen e studentëve te mostra e parë e kripës.

  • Cilat janë disa prej përdorimeve të kripës? (Përgjigjet mund të përfshijnë që kripa mund të përdoret për t’i dhënë shije ushqimit e për ta ruajtur atë dhe për t’i shëruar plagët si dezinfektues.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:39 dhe kërkojini klasës të përcaktojë njerëzit që Zoti i krahasoi me kripën.

  • Kush tha Zoti se është “si kripa e tokës”?

Shpjegoni se fjala shije i referohet ndijimit ose cilësisë së dallueshme.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jesh shija e njerëzve?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë të jesh shija e njerëzve, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Karlos E. Asaj, i Të Shtatëdhjetëve:

Plaku Karlos E. Asaj

“Kur Zoti përdori shprehjen ‘shija e njerëzve’, ai po fliste për ata që e përfaqësojnë atë. Ai po u referohej atyre që janë penduar, që janë bërë të pastruar në ujërat e pagëzimit dhe që kanë besëlidhur të marrin mbi vete emrin e tij dhe kauzën e tij. Për më tepër, ai po fliste për ata që do të ndanin me anë të besëlidhjes fuqinë e tij të priftërisë. Ai po fliste për ju dhe mua” (“Salt of the Earth: Savor of Men and Saviors of Men”, Ensign, maj 1980, f. 42).

  • Çfarë mund të na mësojnë frazat “kripa e tokës” dhe “shija e njerëzve” rreth përgjegjësive tona ndaj të tjerëve?

Ndihmojini studentët të kuptojnë që si populli i besëlidhëjes së Perëndisë, ne kemi përgjegjësi që t’i ndihmojmë të gjithë njerëzit e tokës t’i marrin bekimet e Tij (shih Abraham 2:8–11). Shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Për t’i ndihmuar njerëzit në tokë që të marrin bekimet e Perëndisë, ne duhet …

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:40–42. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar paralajmërimet dhe premtimet e Zotit.

Vini në dukje se vargu 40 përfshin frazën “në qoftë se kripa e tokës e humbet shijen e saj”. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë domethënien e kësaj fraze, drejtojeni vëmendjen e tyre te mostra e dytë e kripës. Shpjegoni se kripa nuk e humbet shijen e saj me kalimin e kohës. Ajo e humbet shijen e saj kur përzihet me substanca të tjera dhe ndotet prej tyre.

  • Sipas vargut 41, çfarë na bën ta humbasim shijen tonë si kripa e tokës? (Mëkatet.) Si mendoni ju, përse mëkatet tona na e bëjnë të vështirë që t’i ndihmojmë të tjerët të marrin bekimet e Perëndisë?

  • Si do ta rishprehnit me vetë fjalët tuaja vargun 42? (Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, shpjegoni se dikush që e lartëson veten e tij ose të saj është krenar/e, ndërsa dikush që e ul veten e tij ose të saj është i/e përulur përpara Zotit.)

  • Bazuar në paralajmërimet dhe premtimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 101:40–42, si do ta plotësonit parimin në tabelë? (Plotësojeni parimin në tabelë duke përdorur përgjigjet e studentëve. Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Për t’i ndihmuar njerëzit në tokë që të marrin bekimet e Perëndisë, ne duhet të pendohemi për mëkatet tona dhe të jemi të përulur.)

  • Çfarë mund të bëjmë çdo ditë që do të na ndihmojë të shmangim të qenit të ndotur nga mëkati?

Ftojini studentët të marrin parasysh në heshtje nëse mëkatet po e ndotin jetën e tyre. Nxitini ata të pendohen për ato mëkate kështu që të mund të bëhen të kulluar përpara Zotit dhe në këtë mënyrë ata të mund të bëhen më të efektshëm për t’i ndihmuar të tjerët të marrin bekimet e Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 101:17–21. Ndërtimi i qytetit të Sionit

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi për kohën kur Zoti do t’i urdhërojë shenjtorët e ditëve të mëvonshme të ndërtojnë qytetin e Sionit:

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Nuk është rasti të kemi pasiguri apo ankth rreth ndërtimit të Sionit – domethënë Jerusalemit të Ri – në ditët e fundit. Zoti dikur i dha popullit të tij mundësinë që ta ndërtonte atë Sion, nga ku ligji do të shkojë në të gjithë botën. Ata dështuan. Përse? Sepse ata qenë të papërgatitur dhe të padenjë, ashtu siç është rasti me ata prej nesh që tashmë janë pjesë e mbretërisë. Kur ne si popull të jemi të përgatitur dhe të denjë, Zoti do të na urdhërojë sërish dhe puna do të shkojë përpara – sipas planit, përpara Ardhjes së Dytë dhe nën drejtimin e Presidentit të Kishës. Deri atëherë, asnjë prej nesh nuk ka nevojë të bëjë ndonjë hap vetjak drejt mbledhjes për në Misuri ose përgatitjes për të marrë një trashëgim të tokës atje. Për më tepër, le të mësojmë konceptet e mëdha të lidhura me të dhe ta bëjmë veten tonë të denjë për çdo punë që Zoti mund të na ngarkojë në ditët dhe kohën tonë. Disa gjëra duhet ende të paraprijnë ndërtimin e kontesë Xhekson” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 586).

Doktrina e Besëlidhje 101:23–25. Shenjat dhe ngjarjet mbarëbotërore të shoqëruara me Ardhjen e Dytë

Te Doktrina e Besëlidhje 101:23–25, ne lexojmë për tri shenja dhe ngjarje mbarëbotërore që shoqërohen me Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Në citimet vijuese, Apostuj të ditëve të mëvonshme japin pikëpamje profetike rreth atyre shenjave dhe ngjarjeve:

1. “Gjithë mishi do t[a] … shohë [Atë] së bashku” (DeB 101:23). Plaku Orson Prat, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Ardhja e dytë e Birit të Perëndisë do të jetë diçka krejtësisht e një natyre të ndryshme nga çdo gjë që ka ndodhur deri tani në sipërfaqen e tokës, e shoqëruar me fuqi dhe lavdi të madhe, diçka që nuk do të bëhet në një pjesë të vogël të tokës … dhe që do të shihet vetëm nga disa; por do të jetë një ngjarje që do të shihet nga të gjithë, i gjithë mishi do ta shohë lavdinë e Zotit; kur ai ta shfaqë veten e tij herën e dytë, çdo sy, jo vetëm ata që jetojnë në mish në atë kohë, në vdekshmëri në tokë, por edhe vetë të vdekurit … do ta shohin atë gjithashtu në atë kohë” (në Deseret News: Semi-Weekly, 25 prill 1876, f. 1).

2. “Çdo gjë e korruptuar … do të konsumohet” (DeB 101:24). Plaku Brus R. Mek-Konki i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shpjegoi: “Për sa i takon fillimit të epokës së mijëvjeçarit, toka (vreshti i Zotit) do të digjet. Çdo gjë e korruptuar do të konsumohet (DeB. 101:24); të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë ligësi, do të digjen si kallamishtet (Malakia 4:1; DeB. 29:9; 64:23–25; 133:63–64); mëkatarët do të shfarosen (Isaia 13:9–14); dhe do të ketë një ndarje të plotë të të drejtëve dhe të të ligjve. (DeB. 63:54.) Vetëm ata që janë të denjë për të jetuar në një sferë qiellore ose terrestriale do të jenë në gjendje t’i bëjnë ballë asaj dite” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 494).

3. “Gjithë gjërat do të bëhen të reja” (DeB 101:25). Për këtë risi Plaku Parli P. Prat, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi: “Një qiell i ri dhe një tokë e re na janë premtuar nga shkruesit e shenjtë. Ose, me fjalë të tjera, sistemet planetare duhet të ndryshohen, pastrohen, përmirësohen, ekzaltohen dhe lëvdohen, në ngjashmëri me ringjalljen, me anë të së cilës e gjithë e keqja ose papërsosmëria fizike do të zhduken” (Key to the Science of Theology, bot. i 10-të [1965], f. 61.)

Doktrina e Besëlidhje 101:29–31. Vdekja në Mijëvjeçar

Presidenti Jozef Filding Smith

Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim se gjatë Mijëvjeçarit “nuk do të ketë vdekje derisa njerëzit të jenë pleq. Fëmijët nuk do të vdesin, por do të jetojnë deri në moshën e një peme. Isaia thotë se kjo është 100 vjet [shih Isaia 65:20–22]” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie [1954–1966], 1:86–87).

Presidenti Smith gjithashtu shpjegoi se vdekja gjatë Mijëvjeçarit do të jetë një kalim paqësor:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Kur Krishti të vijë, shenjtorët që janë në tokë do të gjallërohen dhe do të merren lart për ta takuar atë. Kjo nuk do të thotë se ata që po jetojnë në vdekshmëri në atë kohë do të ndryshohen dhe do të kalojnë përmes ringjalljes, sepse të vdekshmit duhet të mbeten në tokë derisa të përfundojnë të njëmijë vitet. Një ndryshim, megjithatë, do të vijë mbi të gjithë ata që mbeten në tokë; ata do të gjallërohen që të mos jenë të nënshtruar ndaj vdekjes derisa të jenë pleq. Njerëzit do të vdesin kur të jenë njëqind vjeç dhe ndryshimi për në gjendjen e pavdekshme do të bëhet menjëherë. Nuk do të hapen varre gjatë këtyre njëmijë viteve” (The Way to Perfection [1931], f. 298–299).

Doktrina e Besëlidhje 101:35–38. Durimi i përndjekjes për emrin e Krishtit

Profeti Jozef Smith i nxiti shenjtorët që të ushtronin besim ndërsa duronin sprovat e tyre:

Profeti Jozef Smith

“Ne kundrojmë një popull që ka përqafuar një sistem fetar, që nuk gëzon popullaritet dhe besnikëria ndaj të cilit u ka sjellë atyre përndjekje të vazhdueshme. Një popull që, për dashurinë e tij ndaj Perëndisë dhe kapjes pas kauzës së Tij, ka vuajtur uri, lakuriqësi, rreziqe dhe pothuajse mungesë të çdo gjëje. Një popull që, për hir të fesë së tij, i është dashur të vajtojë vdekjen e parakohshme të prindërve, bashkëshortëve, bashkëshorteve dhe fëmijëve. Një popull që ka parapëlqyer vdekjen para skllavërisë e hipokrizisë dhe e ka mbajtur me nder karakterin e tij, dhe ka qëndruar i vendosur e i palëkundur, në kohët kur shpirtrat e njerëzve janë sprovuar. Qëndroni të palëkundur, ju shenjtorë të Perëndisë, duroni edhe pak dhe stuhia e jetës do të kalojë, dhe ju do të shpërbleheni nga ai Perëndi shërbëtorë të të cilit jeni, dhe që do të vlerësojë siç duhet gjithë mundimet e vuajtjet tuaja për hir të Krishtit dhe të Ungjillit. Emrat tuaj do t’u kalohen pasardhësve si shenjtorë të Perëndisë dhe njerëz të virtytshëm” (në History of the Church, 4:337).

Doktrina e Besëlidhje 101:40. “Ata thirren për të qenë shija e njerëzve”

Plaku Karlos E. Asaj, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

Plaku Karlos E. Asaj

“Një kimist me famë botërore më tha se kripa nuk e humbet shijen e saj me kalimin e kohës. Shija humbet nëpërmjet përzierjes dhe ndotjes. …

Shija dhe cilësia i largohen një njeriu kur ai e ndot mendjen e vet me mendime të papastra, e përdhos gojën e vet duke folur më shumë të pavërteta dhe e keqpërdor forcën e vet duke kryer vepra të liga” (“Salt of the Earth: Savor of Men and Saviors of Men”,Ensign, maj 1980, f. 42).