Mësimi 117
Doktrina e Besëlidhje 109:47–80
Hyrje
Më 27 mars 1836, Profeti Jozef Smith shpalli lutjen e përkushtimit për tempullin e Kirtlandit. Ajo lutje, të cilën Zoti ia kishte zbuluar më parë atij, është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 109. Ky është mësimi i dytë nga dy mësimet rreth lutjes. Ai përfshin kërkesën e Profetit ndaj Zotit për t’i bekuar shenjtorët që ishin shtypur në kontenë Xhekson të Misurit, dhe që Zoti t’i bekonte shtypësit e tyre. Ai gjithashtu përfshin kërkesat e Profetit që njerëzit kudo në botë, veçanërisht Izraeli i shpërndarë, do të kthehej në plotësinë e ungjillit dhe se Ati Qiellor do ta pranonte përkushtimin e tempullit të Kirtlandit dhe do t’i bekonte familjet e Kishës.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 109:47–53
Jozef Smithi i kërkon Atit Qiellor që t’i ndihmojë shenjtorët në Misuri
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shok apo pjesëtar i familjes po has vështirësi ose po vuan në ndonjë mënyrë. Më pas kërkojuni që të përfytyrojnë sikur nuk mund të bëjnë asgjë personalisht për ta ndihmuar këtë shok apo pjesëtar të familjes. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mendojnë, bëni pyetjen vijuese:
-
Në çfarë mënyrash mund të ndihmoni për ta lehtësuar vuajtjen e dikujt, madje edhe kur nuk mund të bëni asgjë personalisht?
Pasi studentët të kenë treguar disa ide, kujtojuni atyre se shenjtorët në Misuri vuajtën shumë për shkak të dhunës së turmave në kontenë Xhekson. Në prill të vitit 1836, Profeti Jozef Smith ishte në Kirtland të Ohajos. Megjithëse në atë kohë ai nuk qe në gjendje të bënte asgjë personalisht për ta lehtësuar vuajtjen e shenjtorëve në Misuri, ai bëri diçka gjatë përkushtimit të tempullit të Kirtlandit për të ndihmuar në forcimin e tyre. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 109:47–49. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë një gjë që mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët gjatë kohëve të vështira.
-
Në përkushtimin e tempullit të Kirtlandit, çfarë bëri Profeti për shenjtorët në Misuri? (Ai u lut për ta.)
Ftojeni një student të veprojë si shkrues në tabelë. Kërkojini klasës të sugjerojë një të vërtetë që ne mund të mësojmë nga fjalët e lutjes së Profetit në këto vargje. Ndërsa studentët përgjigjen, shkruesi mund të shkruajë të vërtetën vijuese: Lutjet tona mund t’u japin ndihmë dhe forcë atyre që janë në nevojë.
-
Kur e keni ndier ose parë fuqinë e lutjes që të ndihmojë dikë në nevojë? (Ju mund të doni të vini në dukje se lutje të tilla ndonjëherë marrin përgjigje nëpërmjet frymëzimit që ne marrim për t’i ndihmuar të tjerët.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 109:50. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar njerëzit e tjerë për të cilët u lut Profeti.
-
Për kë tjetër u lut Profeti?
-
Përse mendoni që ne duhet të lutemi për armiqtë tanë? (Për t’i ndihmuar studentët që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni të sugjeroni që ata të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 109:43 dhe 3 Nefin 12:43–45.)
-
Çfarë mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 109:50 rreth mënyrës se si lutjet tona mund të ndikojnë te të tjerët? (Pasi studentët të përgjigjen, kërkojini shkruesit të shkruajë në tabelë parimin vijues: Lutjet tona mund të jenë të dobishme për të ndikuar te njerëzit që të pendohen. Pastaj ftojeni shkruesin që të ulet.)
Kërkojuni studentëve ta përsiatin pyetjen vijuese:
-
Po nëse njerëzit për të cilët ne lutemi, zgjedhin të mos pendohen?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 109:51–53. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar frazat që e pranojnë vullnetin e Zotit dhe lirinë e zgjedhjes së të tjerëve. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë. (Përpara se studentët t’i lexojnë këto vargje, ju mund të doni të shpjegoni se kur shkrimet e shenjta përfshijnë thënie që Zoti e zhvesh krahun e Tij, ato nënkuptojnë se Ai po tregon fuqinë e Tij.)
Ftojini studentët ta rilexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 109:53, duke kërkuar atë që do të bëjë Ati Qiellor për ata që pendohen. (Juve mund t’ju nevojitet të shpjegoni se zemërimi i Perëndisë shpesh shprehet me ndëshkimin ose vuajtjen që ne përjetojmë për shkak të mëkateve tona, sipas drejtësisë së Tij. Fraza “kur ti sheh mbi fytyrën e të Vajosurit tënd” i referohet gatishmërisë së Atit Qiellor për të dhënë mëshirë për shkak të sakrificës shlyese të Birit të Tij, Jezu Krishtit.)
-
Përse do ta largojë Ati Qiellor zemërimin e Tij nga ata që pendohen? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ndihmojini që të përcaktojnë parimin vijues: Për shkak të sakrificës shlyese të Jezu Krishtit, zemërimi i Atit Qiellor do të largohet nga ata që pendohen.) Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Për t’i ndihmuar studentët që ta përfytyrojnë përshkrimin te vargu 53, ftojini që të bëjnë sa më poshtë:
Përfytyroni një ish-pjesëtar të një turme antimormone duke qëndruar përpara Perëndisë për t’u gjykuar. Tani përfytyroni sikur vite përpara se ky person të vdiste, ai u pendua me të vërtetë dhe kërkoi të falej dhe të shëlbohej nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Për shkak se Jezu Krishti ka vuajtur për mëkatet e këtij personi, Ati Qiellor do ta largojë ndëshkimin dhe do t’i japë mëshirë mëkatarit të penduar.
Nxitini studentët ta zhvillojnë këtë lloj qëndrimi ndaj atyre që i kanë fyer ata ose u kanë shkaktuar vuajtje. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur njerëz të tillë po qëndrojnë të penduar përpara Atit Qiellor. Ftojini studentët të luten, ashtu siç bëri Jozef Smithi, për njerëzit që i fyejnë ata ose që mëkatojnë kundër tyre.
Doktrina e Besëlidhje 109:54–67
Profeti lutet që njerëzit kudo në botë do të kthehen në besim në plotësinë e ungjillit
Ftojini studentët që të ngrenë duart e tyre lart nëse kanë bërë ndonjë nga gjërat e mëposhtme:
-
U lutën për misionarët kohëplotë
-
U lutën për njerëzit që janë kërkues në Kishë
-
U lutën për njerëzit që nuk e kanë dëgjuar ende ungjillin
-
Si mendoni ju, në çfarë mënyrash lutjet tuaja i ndihmojnë këta njerëz?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 109:54–58. Vëreni gjysmën e klasës të kërkojë se për cilët njerëz u lut Jozef Smithi. Vëreni gjysmën tjetër të klasës të shikojë për atë që Profeti i kërkoi Zotit të bënte për ata njerëz. Pastaj ftojeni secilin grup të raportojë atë që ka gjetur.
-
Për çfarë u lut Profeti se do t’u ndodhte të gjithë atyre që e dëgjojnë dëshminë e shërbëtorëve të Zotit?
-
Çfarë parimesh shihni në këto vargje? (Studentët mund të përcaktojnë të vërteta të ndryshme, duke përfshirë sa më poshtë: Adhurimi në tempull na përgatit që t’u dëshmojmë të tjerëve. Nëse lutemi për të tjerët, zemra e tyre mund të zbutet për të pranuar shërbëtorët e Zotit. Ndërsa studentët gjejnë parimet, ju mund të doni t’i renditni ato në tabelë.)
Jepuni studentëve një mundësi që të dëshmojnë për parimet që kanë gjetur. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni dëshminë tuaj dhe një përvojë që lidhet me mësimin.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 109:59–67 duke shpjeguar se Jozef Smithi u lut që Zoti do të themelonte më shumë kunje në Sion, kështu që njerëzit kudo në botë të mund të mblidheshin në to. Ai u lut veçanërisht që pasardhësit e profetit Jakob (Izraelit) të arrinin ta dinin të vërtetën dhe të ktheheshin në besim në plotësinë e ungjillit. Kjo është një mënyrë e rëndësishme si Izraeli mblidhet në ditët e mëvonshme.
Doktrina e Besëlidhje 109:68–80
Profeti lutet për Kishën dhe i kërkon Zotit ta pranojë përkushtimin e tempullit
Ftojini studentët ta shqyrtojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 109:68–69, 71–73, 78–80. Ju mund të doni të shkruani në tabelë numrat e këtyre vargjeve kështu që studentët të mund t’u referohen atyre. Vërini studentët të shohin për kërkesat e tjera që bëri Profeti në lutjen e përkushtimit. Merrni parasysh të sugjeroni që ata t’i shenjojnë ato që gjejnë.
-
Për kë dhe për çfarë u lut Jozefi?
-
Çfarë përfitimesh mund të vijnë nga përfshirja e kërkesave të tilla në lutjet tona?
Ftojini studentët të këndojnë himnin “Shpirti i Per’ndis’”, (Himne, nr. 2). Drejtojeni vëmendjen e studentëve te shpjegimi poshtë tekstit të himnit, i cili thotë se himni u këndua në përkushtimin e tempullit të Kirtlandit. (Një kor e këndoi atë menjëherë pas lutjes së përkushtimit.) Ajo vazhdon të këndohet në përkushtimet e tempujve sot.
Ftojeni një student ta lexojë përmbledhjen vijuese të asaj që ndodhi në tempull në mbrëmjen e 27 marsit 1836, pas përkushtimit të tempullit:
Atë mbrëmje, kuorumet e priftërisë u takuan në tempull. Jozef Smithi tha se ai “u dha atyre udhëzime lidhur me shpirtin e profecisë dhe e ftoi bashkësinë që të fliste. … Xhorxh A. Smith u ngrit dhe filloi të profetizonte, kur u dëgjua një ushtimë si zhurma e një ere që fryn furishëm, e cila mbushi Tempullin, dhe i gjithë kongregacioni u ngrit njëherësh, duke u ngritur si nga një fuqi e padukshme; shumë filluan të flisnin në gjuhë dhe të profetizonin; të tjerë panë vegime të lavdishme; dhe unë pashë që Tempulli qe mbushur me engjëj, fakt të cilin ia shpalla kongregacionit. Njerëzit e zonës përreth erdhën së bashku duke vrapuar (pasi kishin dëgjuar një tingull të pazakontë brenda dhe kishin parë një dritë të shndritshme si një kolonë zjarri që qëndronte mbi Tempull) dhe u mahnitën nga ajo që po ndodhte” (në History of the Church, 2:428). Disa njerëz panë engjëj që qëndronin mbi tempull dhe i dëgjuan të këndonin (shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 167).
Përfundoni duke dëshmuar për bekimet që mund të marrim kur shkojmë në tempull denjësisht.