Mësimi 155
Doktrina e Besëlidhje 138:7–60
Hyrje
Ky është mësimi i dytë i tri mësimeve mbi zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 138. Ndërsa Presidenti Jozef F. Smith përsiaste disa fragmente në Dhiatën e Re, ai pa një vegim të botës së shpirtrave dhe të shpirtrave të drejtë që prisnin çlirimin nga lidhjet e vdekjes. Presidenti Smith pa edhe se Jezu Krishti, midis kohës së vdekjes së Tij dhe kohës së Ringjalljes së Tij, organizoi dhe autorizoi shërbëtorë të drejtë që t’ua mësonin ungjillin shpirtrave në burgun e shpirtrave.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 138:7–37
Presidenti Jozef F. Smith mëson se si u predikua ungjilli në botën e shpirtrave
Thuajuni studentëve që njerëzit anembanë botës kanë bindje të ndryshme rreth asaj që na ndodh pasi vdesim. Pyesni nëse studentët kanë takuar ndonjëherë dikë me bindje të ndryshme lidhur me atë që na ndodh pasi vdesim. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre. (Jini të kujdesshëm të mos flisni negativisht rreth bindjeve të tjera fetare ose t’i nënvlerësoni ato bindje.)
-
Si mund ta dimë se cilat bindje rreth jetës pas vdekjes janë të sakta? (Ju mund të vini në dukje se edhe disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme mund të kenë bindje të pasakta rreth jetës pas vdekjes.)
Për t’u shtuar përgjigjeve të studentëve, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Shkrimet e shenjta janë gur prove për matjen e korrektësisë e të vërtetës” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 34).
Pohoni se ne mund ta dimë saktësinë e bindjeve të ndryshme lidhur me jetën pas vdekjes duke i krahasuar ato bindje me të vërtetat që Zoti ka zbuluar në shkrimet e shenjta, të tilla si te Doktrina e Besëlidhje 138.
Vizatoni skicën shoqëruese në tabelë. Ju mund të doni të shpjegoni shkurtimisht se në disa mënyra, e tërë bota e shpirtrave mund të konsiderohet si burg i shpirtrave, sepse edhe të drejtët e shohin veçimin nga trupat e tyre si një robëri (shih DeB 138:49–50).
Për t’i ndihmuar studentët të rishikojnë shkurtimisht të vërtetat që mësuan në mësimet e mëparshme mbi seksionin 138, caktojeni gjysmën e klasës të kërkojë Doktrinën e Besëlidhjet 138:12–15, 22 për hollësi lidhur me atë se kush do të shkojë në parajsën e shpirtrave kur vdes dhe gjendjen që ata do të përjetojnë atje. Caktojeni gjysmën tjetër të klasës të kërkojë Doktrinën e Besëlidhjet 138:20–22 për hollësi lidhur me atë se kush do të shkojë në burgun e shpirtrave kur vdes dhe gjendjen që ata do të përjetojnë atje. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Vini në dukje se në burgun e shpirtrave shkojnë jo vetëm të ligjtë e rebelët në kohën e vdekjes së tyre, por edhe ata që vdesin në mëkatet e tyre pa njohurinë e ungjillit (shih DeB 138:32). Kujtojuni studentëve se ndërsa Presidenti Jozef F. Smith po përsiaste fragmentet te 1 Pjetër, Zoti i zbuloi atij mënyrën se si njerëzit në burgun e shpirtrave do të kenë mundësinë t’i marrin bekimet e ungjillit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:7–10. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Pjetri tha se bëri Shpëtimtari pasi Ai u “vra në mish”.
-
Çfarë tha Pjetri se bëri Shpëtimtari kur Ai shkoi në botën e shpirtrave?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:25–28. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që e habiti Presidentin Smith ndërkohë që ai mendonte për punën e Zotit në botën e shpirtrave.
-
Cila ishte pyetja e Presidentit Smith? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të shkruani në tabelë pyetjen vijuese: Si ishte e mundur për Zotin që ta predikonte ungjillin tek të gjithë njerëzit në burgun e shpirtrave në vetëm tri ditë?)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:29–32 dhe vëreni klasën të kërkojë përgjigjen që mori Presidenti Smith ndërsa përsiaste.
-
Si ua predikoi Shpëtimtari ungjillin atyre që ishin në burgun e shpirtrave në një kohë kaq të shkurtër?
Kërkojuni studentëve të përdorin atë që mësuan në vargjet 29–32 për të thënë një të vërtetë rreth mënyrës se si u dha mësim ungjilli në botën e shpirtrave. Ata duhet të përcaktojnë diçka të ngjashme me të vërtetën vijuese: Nën drejtimin e Jezu Krishtit, lajmëtarët e drejtë ua mësojnë ungjillin atyre që janë në burgun e shpirtrave. Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shenjojnë frazat në vargun 30 që japin mësim këtë të vërtetë.
Te skema në tabelë, vizatoni një shigjetë nga parajsa e shpirtrave te burgu i shpirtrave, për të përfaqësuar lajmëtarët e drejtë të Zotit duke predikuar ungjillin në burgun e shpirtrave.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:33–34. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që lajmëtarët e drejtë të Zotit u dhanë mësim shpirtrave në burg. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.
-
Si krahasohen këto mësime me atë që u mësohet njerëzve ndërsa ata përgatiten për pagëzim në vdekshmëri?
-
Çfarë është “pagëzimi me mëkëmbës”?
-
Sipas vargut 34, përse këto parime të ungjillit kanë nevojë që t’u predikohen atyre që janë në burgun e shpirtrave? (Juve mund t’ju nevojitet të shpjegoni se të qenit të “gjyk[uar] sipas njerëzve në mish” do të thotë se të gjithë fëmijët e Perëndisë, të gjallë apo të vdekur, kanë nevojë që të kenë mundësinë për të mësuar rreth ungjillit dhe për ta pranuar atë, në mënyrë që ata të mund të gjykohen nga i njëjti standard.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:35–37. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar se sa shumë shpirtra do të kenë mundësinë që ta pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit.
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të dini se të gjithë fëmijët e Atit Qiellor do të kenë mundësinë ta dëgjojnë dhe ta pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë mënyrën se si çdonjëri do ta dëgjojë ungjillin, shpjegoni që megjithëse Shpëtimtari e vizitoi botën e shpirtrave vetëm për pak kohë pas vdekjes e Tij, Ai i organizoi shpirtrat e drejtë që t’u predikonin ungjillin atyre që ishin në burgun e shpirtrave. Kjo përpjekje vazhdon sot. Kur njerëzit që nuk e kanë dëgjuar ose pranuar ungjillin në kohën tonë, vdesin, ata gjithashtu do të kenë një mundësi që ta dëgjojnë dhe ta pranojnë ungjillin në botën e shpirtrave.
Doktrina e Besëlidhje 138:38–60
Presidenti Smith sheh shpirtra fisnikë dhe të mëdhenj që do të predikonin ungjillin në burgun e shpirtrave
Kërkojuni studentëve të mendojnë për pjesëtarët e drejtë të familjes ose paraardhësit e tyre që kanë vdekur.
-
A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë po bëjnë ata në botën e shpirtrave?
U kujtoni studentëve se te Doktrina e Besëlidhje 138:38–49, Presidenti Jozef F. Smith renditi emrat e shumë shpirtrave të “mëdhenj dhe të fuqish[ëm]” që ai pa në botën e shpirtrave, të cilët po prisnin Shpëtimtarin t’u shfaqej atyre pas vdekjes së Tij në kryq. Disa nga shpirtrat që Shpëtimtari vizitoi, ishin profetë të Dhiatës së Vjetër dhe Librit të Mormonit. Duke filluar te vargu 53, ne lexojmë se Presidenti Smith pa edhe shpirtra të zgjedhur që do të vinin në ditët e mëvonshme, përfshirë Profetin Jozef Smith (xhaxhain e tij) dhe Hajrëm Smithin (babain e tij).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:53–56. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyrën se si këta individë kontribuan, ndërkohë që ishin në tokë, për shpëtimin e atyre që ishin në burgun e shpirtrave.
-
Si i kanë ndihmuar udhëheqësit e Kishës të ditëve të mëvonshme shpirtrat në burg?
Pasi studentët të zbulojnë se profetët e ditëve të mëvonshme ndihmojnë në shëlbimin e të vdekurve duke ndërtuar tempuj dhe duke administruar ordinancat e tempullit për të vdekurit, vendosni ose vizatoni një skicë të një tempulli pranë skemës në tabelë.
-
Sipas vargjeve 55–56, kur filluan këta udhëheqës të përgatiten për punën që ata do të bënin këtu në tokë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:57. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që pleqtë besnikë do të vazhdojnë të bëjnë pasi të vdesin.
-
Çfarë do të vazhdojnë të bëjnë këta pleq pasi të vdesin?
Për të qartësuar që puna në botën e shpirtrave nuk kufizohet për ata që mbajnë Priftërinë Melkizedeke, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef F. Smith. Kërkojini klasës që të mbajë vesh për atë që bëjnë gratë besnike në botën e shpirtrave:
“Këto motra të mira që janë veçuar, janë shuguruar për punën, … do të autorizohen dhe fuqizohen plotësisht për të predikuar ungjillin dhe për t’u shërbyer grave ndërsa pleqtë dhe profetët ua predikojnë atë burrave” (Gospel Doctrine, bot. 5-të [1939], f. 461).
Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shenjojnë frazat në vargun 57 që japin mësim të vërtetën vijuese: Pasi largohen nga jeta e vdekshme, shenjtorët besnikë do të vazhdojnë punën e tyre për predikimin e ungjillit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:58–59. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që të vdekurit duhet të bëjnë që të shëlbohen. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.
-
Çfarë do t’u ndodhë atyre që pendohen në botën e shpirtrave? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Shpirtrat që pendohen, do të shpëtohen me anë të bindjes ndaj ordinancave të tempullit, do të pastrohen nëpërmjet Shlyerjes dhe do ta marrin shpërblimin e tyre.)
-
Si mund të ndihmojmë ne në punën e shpëtimit për të vdekurit ndërsa jemi këtu në tokë? (Duke plotësuar punën për historinë familjare dhe duke marrë pjesë në ordinancat e tempullit për të vdekurit.)
Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund të doni të ftoni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Çfarëdo pune që bëni në tempull, është kohë e shpenzuar mirë, por marrja e ordinancave si mëkëmbës për një nga vetë paraardhësit tuaj do ta bëjë kohën në tempull më të shenjtë dhe bekime edhe më të mëdha do të merren” (“Gëzimi i Shëlbimit të të Vdekurve”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 93–94).
Tregoni drejt figurës së tempullit në tabelë. Dëshmoni se, kur shkojmë në tempull për të kryer ordinanca për ata që janë të vdekur, ne i ndihmojmë – nëse ata zgjedhin t’i pranojnë ordinancat – që të shëlbohen nga burgu i shpirtrave dhe të bashkohen me shpirtrat e drejtë në parajsë.
Në skicën në tabelë, vizatoni një shigjetë nga burgu i shpirtrave drejt parajsës së shpirtrave për të përfaqësuar shëlbimin e shpirtrave të penduar nga burgu i shpirtrave.
-
Si mund të ndikojë kjo njohuri në përvojat tuaja kur bëni punën në tempull dhe atë të historisë familjare?
-
Si jeni bekuar ju nëpërmjet pjesëmarrjes në punën e historisë familjare dhe në punën në tempull? (Ju gjithashtu mund të doni të tregoni për një përvojë nga vetja juaj.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:60. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar dëshminë e Presidentit Jozef F. Smith për të vërtetat që ai shkroi.
Nxitini studentët të gjejnë kohë për të bërë ca punë për historinë familjare ose punë në tempull në disa nga javët e ardhshme.
Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për Zotin Jezu Krisht dhe bekimet e Shlyerjes që janë të gjindshme për të gjallë e të vdekur.