Histori nga Shkrimet e Shenjta
Vegimi i Parë i Jozef Smithit


“Vegimi i Parë i Jozef Smithit”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje (2024)

“Vegimi i Parë i Jozef Smithit”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje

1817–1820

Vegimi i Parë i Jozef Smithit

Një përgjigje ndaj një lutjeje të përulur

Jozef Smithi duke dëgjuar njerëzit që po predikojnë për besimet e tyre të ndryshme fetare.

Në vendin ku jetonte familja e Jozef Smithit, kishte shumë kisha që jepnin mësim rreth Jezu Krishtit. Të gjithë ata jepnin mësim gjëra të ndryshme rreth Tij. Jozefi nuk ishte i sigurt se kush kishte të drejtë. Ai e dinte se kishte nevojë për Shpëtimtarin, por nuk e dinte se me cilën kishë të bashkohej.

Joseph Smith – Historia 1:5–6; Shenjtorët, 1:9

Jozef Smithi duke punuar në fermën e tij.

Jozefi mendoi rreth kësaj për një kohë të gjatë. Ai donte që t’i faleshin mëkatet. Vizitoi shumë kisha, por ndihej ende i ngatërruar.

Joseph Smith – Historia 1:8–10; Shenjtorët, 1:9–12

Jozef Smithi duke e lexuar Biblën nën dritën e qiririt.

Një ditë, Jozefi lexoi te Jakob 1:5 në Bibël. Thoshte se nëse kemi nevojë për urti, mund t’i kërkojmë Perëndisë. Jozefi e dinte në zemër se kjo ishte ajo që duhej të bënte.

Joseph Smith – Historia 1:11–13

Jozef Smithi shkoi në pyllin pranë shtëpisë së tij që të lutej.

Në mëngjesin e një dite të bukur pranvere në vitin 1820, Jozefi shkoi në pyllin pranë shtëpisë së vet. Ai donte të ishte në një vend ku të mund të ishte vetëm për t’iu lutur Atit Qiellor.

Joseph Smith – Historia 1:14–15

Jozef Smithi duke u lutur në pyll.

Jozefi ra në gjunjë dhe filloi të lutej. Ndërsa e bëri këtë, ai ndjeu se e pushtoi një fuqi e keqe. Ndjeu errësirë rreth e rrotull vetes. Dukej sikur dikush po përpiqej ta ndalonte që të mos fliste me Perëndinë. Jozefi përdori të gjithë forcën për t’i kërkuar Perëndisë që ta shpëtonte.

Joseph Smith – Historia 1:15–16

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i shfaqen Jozef Smithit. Ai gjunjëzohet përpara tyre.

Papritur, Jozefi pa një dritë të ndritshme që zbriti nga qielli. Errësira u largua dhe ai ndjeu paqe. Në dritë, Jozefi pa Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin duke qëndruar në ajër. Ati Qiellor tha emrin e Jozefit. Më pas, Ai tregoi me gisht për nga Jezusi dhe tha: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”

Joseph Smith – Historia 1:16–17

Jezusi i thotë Jozef Smithit se mëkatet e tij i janë falur.

Jezusi i tha Jozefit se mëkatet e tij i ishin falur. Jozefi e pyeti Jezusin se me cilën kishë duhej të bashkohej. Jezusi tha se ai nuk duhej të bashkohej me asnjërën prej tyre.

Joseph Smith – Historia 1:18–19; Shenjtorët, 1:16

Jozef Smithi, i gjunjëzuar në një korije pemësh, e dëgjon Shpëtimtarin.

Jezusi tha se të vërteta të rëndësishme rreth ungjillit të Tij kishin humbur. Ai tha se do të dërgonte engjëj për t’ia mësuar këto të vërteta Jozefit, që ai t’ia tregonte botës.

Shenjtorët, 1:16–17

Jozef Smithi duke ecur nga pylli drejt shtëpisë.

Pasi mbaroi vegimi, Jozefi u mbush me dashuri dhe gëzim. Ai nuk ishte më i ngatërruar. E dinte se Perëndia e donte atë. Ndonëse disa njerëz e urrenin ngaqë ai thoshte se kishte parë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, Jozefi e dinte se ishte e vërtetë.

Joseph Smith – Historia 1:20–26; Shenjtorët, 1:16