“Si të flas me fëmijën tim rreth seksualitetit të shëndetshëm?” Ndihmë për Prindërit (2021)
“Si të flas me fëmijën tim rreth seksualitetit të shëndetshëm?” Ndihmë për Prindërit
Si të flas me fëmijën tim rreth seksualitetit të shëndetshëm?
Shumë prindër ndihen ngurrues ose në siklet për të folur me fëmijët e tyre rreth seksualitetit, ose kanë frikë se biseda me fëmijët e tyre rreth seksualitetit do të zgjojë sjelljen e tyre seksuale. E vërteta është që, nëse ju nuk flisni me fëmijët tuaj për seksualitetin, ata do të mësojnë për të nga një burim tjetër. Duke pasur bashkëbisedime të rregullta me fëmijët tuaj për tema të rëndësishme si seksualiteti i shëndetshëm, ju i ndihmoni ata të kuptojnë se jeni dikush i sigurt për t’iu drejtuar.
Shumica e fëmijëve janë nga natyra kureshtarë dhe duan të kuptojnë ndjenjat që përjetojnë, të cilat janë të natyrshme e të dhëna nga Perëndia. Ju mund të përgatiteni për të folur me fëmijët tuaj rreth seksualitetit duke sjellë ndër mend se si ishit në moshën e tyre. Cilat ishin disa nga ndjenjat që përjetuat? Çfarë mendimesh, pyetjesh apo shqetësimesh kishit? Ku e kërkuat informacionin? Çfarë do të donit të kishit dëgjuar ose t’ju kishin mësuar?
Është normale nëse ndiheni të pasigurt për mënyrën se si t’i trajtoni më së miri këto bashkëbisedime. Ju mund ta përdorni cenueshmërinë tuaj për të ndërtuar marrëdhënien tuaj me fëmijët tuaj. Fëmijët mund ta ndiejnë dashurinë tuaj kur jeni të sinqertë dhe të çiltër në komunikimin me ta, pavarësisht nga çdo parehati që mund të ndieni.
Për të ushqyer komunikim të hapur, ju mund të:
-
Filloni kur fëmijët tuaj janë të vegjël duke i quajtur pjesët e trupit me emrat e tyre të saktë. Kjo u mëson fëmijëve për trupin e tyre dhe u siguron atyre të termat që u nevojiten për të qenë të shëndetshëm dhe të informuar.
-
Lërini fëmijët tuaj të dinë se mund t’ju bëjnë çfarëdo pyetjeje, dhe më pas përpiquni të mos e teproni me reagimin tuaj ose mos ua bashkëngjitni turpin pyetjeve apo rrëfimeve të tyre. Ngazëllehuni që ata po flasin me ju, tregojuni atyre dashuri e përkrahje dhe bëni më të mirën që të vazhdoni të komunikoni.
-
Shmangeni përdorimin e metaforave për seksualitetin. Fëmijët kanë nevojë për informacion të paraqitur në mënyrë të qartë e të sinqertë. Për shembull, disa të rinj e të reja tregojnë për mësimet ku shkelja e ligjit të dëlirësisë krahasohet me çamçakëz ose ushqim të përtypur që kalon nga personi në person në dhomë dhe për këtë arsye nuk është më i dëshirueshëm. Ndonëse me qëllim të mirë, këto lloj metaforash shpesh nxitin frikë ndaj seksualitetit ose ndjenja vetëvlerësimi të ulët ose të pariparueshëm.
-
Zhvilloni mësime në mbrëmjen e shtëpisë për tema që lidhen me seksualitetin dhe lërini fëmijët tuaj të japin mësim kur ndihen gati. Temat mund të përfshijnë pubertetin, mënyra se si e shohin trupin dhe aspektet pozitive të seksualitetit.
-
Diskutoni se si përjetimi i ndjenjave seksuale dhe i reagimeve të trupit ndaj tyre janë normale. Fëmijët nuk kanë nevojë të veprojnë sipas atyre ndjenjave dhe ndjesive, por mund të jenë të ndërgjegjshëm për to. Kjo do të thotë t’i vënë re ndjenjat seksuale, por të mos i gjykojnë ato negativisht. Kërkimet kanë treguar se ushtrimi i ndërgjegjësimit mund t’i ndihmojë fëmijët të bëjnë zgjedhje më të mira që janë në përputhje me vlerat dhe synimet e tyre.
-
Përpiquni të mos reagoni me neveri apo zemërim kur fëmijët përfshihen në prekjen e vetvetes ose kur të rinjtë/të rejat pranojnë se masturbohen. Mënyra se si reagojnë prindërit ndaj këtyre sjelljeve ndikon në mënyrën se si ndihen fëmijët dhe të rinjtë e të rejat rreth vetes së tyre dhe seksualitetit të tyre.
-
Mësojuni fëmijëve tuaj arsyen e cila qëndron pas standardeve që kanë lidhje me marrëdhëniet dhe seksualitetin. Ndërsa i jepni mësim këto standarde dhe arsyet pse ato janë me vlerë, mbani mend se është e rëndësishme ta bëni këtë pa imponuar turp ose frikë.1