Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 16: Pranimi me Gatishmëri i Flijimit të Madh Shlyes të Shpëtimtarit
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 16: Pranimi me Gatishmëri i Flijimit të Madh Shlyes të Shpëtimtarit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 16”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 16
Pranimi me Gatishmëri i Flijimit të Madh Shlyes të Shpëtimtarit
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi: “Ngjarja më e madhërishme dhe arritja më e rëndësishme në kursin e gjithë historisë njerëzore është flijimi shlyes i Zotit Jezu Krisht” (“Testify of the Restoration”, New Era, prill 2017, f. 3). Teksa studioni, mendoni se çfarë duroi Zoti që të përfundonte flijimin e Tij shlyes. Gjithashtu merreni parasysh se si mund të tregoni mirënjohje për atë që Ai ka bërë për ju.
Pjesa 1
Përse më nevojitet Shlyerja e Shpëtimtarit?
Rënia e Adamit dhe e Evës ishte një hap i domosdoshëm përpara në planin e Atit Qiellor për përparimin tonë të përjetshëm. Ajo na dha mundësi për të ardhur në tokë, për të ushtruar lirinë e zgjedhjes, për të krijuar familje, për të përjetuar gëzim dhe për të mësuar e për t’u rritur (shih 2 Nefi 2:19–25).
Por ky hap përpara solli edhe një hap të drejtuar poshtë. Për shkak të Rënies, secili prej nesh trashëgon një gjendje të rënë dhe i nënshtrohet vdekjes shpirtërore dhe fizike (shih Alma 42:5–9, 14). Ne nuk mund t’i kapërcejmë këto kushte nëpërmjet vetë përpjekjeve ose meritave tona (shih 2 Nefi 2:5, 8). Profeti Jakob dha mësim se pa “shlyerje[n e] pafundm[e]” të Zotit ne nuk do të “ngri[heshim] më” dhe do të largoheshim përgjithmonë nga prania e Perëndisë (shih 2 Nefi 9:7–9).
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për mënyrën se si Shlyerja e Shpëtimtarit na ndihmon t’i kapërcejmë pasojat e Rënies:
Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson
“Shëlbimi i Shpëtimtarit ka dy pjesë. Së pari, shëlbimi shlyen për shkeljen e Adamit dhe Rënien rezultuese të njeriut duke i kapërcyer ato që mund të quhen pasojat e drejtpërdrejta të Rënies – vdekja fizike dhe vdekja shpirtërore. Vdekja fizike kuptohet mirë; vdekja shpirtërore është ndarja e njeriut nga Perëndia. … Ky shëlbim nga vdekja fizike dhe shpirtërore është si universal, ashtu edhe pa kushte.
Aspekti i dytë i Shlyerjes së Shpëtimtarit është shëlbimi nga ajo që mund të quhet pasojat jo të drejtpërdrejta të Rënies – vetë mëkatet tona kundrejt shkeljes së Adamit. …
Për shkak se jemi të përgjegjshëm dhe i bëjmë zgjedhjet, shëlbimi nga vetë mëkatet tona është me kusht – i kushtëzuar nga rrëfimi e braktisja e mëkatit dhe kthimi te një jetë e perëndishme ose, me fjalë të tjera, i kushtëzuar nga pendimi [shih Doktrina e Besëlidhje 58:43].” (“Shëlbimi”, Liahona, maj 2013, f. 109, 110)
Pamja
ikonë, përsiatni
Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore
Çfarë mendimesh dhe ndjenjash keni për Jezu Krishtin, duke e ditur që Ai është mënyra e vetme se si mund të shpëtoheni nga vdekja shpirtërore, vdekja fizike dhe pasojat e vetë mëkateve tuaja? (Shih Mosia 3:17.)
Pjesa 2
Si mund ta rritë mirënjohjen time për Të përsiatja për vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman dhe në kryq?
Pas ngrënies së Darkës së Fundit me Apostujt e Tij dhe paraqitjes së sakramentit për ta, Jezusi i çoi ata në Kopshtin e Gjetsemanit. Atje Shpëtimtari u lut dhe vuajti për mëkatet tona.
Pasi vuajti dhembje të papërfytyrueshme në Gjetseman, Jezusin e tradhtuan. “Ai u arrestua dhe u dënua me akuza të rreme” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org). Ndërkohë që ndodhej nën mbikëqyrjen e udhëheqësve fetarë judeas, Shpëtimtarin e tallën, e pështynë, e goditën me shuplakë dhe e akuzuan në mënyrë të rreme (shih Mateu 26:47–68).
Ngaqë u mungonte autoriteti për ta dënuar Jezusin me vdekje, udhëheqësit judeas e çuan Atë te Pilati, guvernatori romak. Nga frika e njerëzve, Pilati e dënoi Jezusin me vdekje nëpërmjet kryqëzimit. Gjatë përgatitjes për kryqëzimin, ushtarët romakë e rrahën Krishtin me kamxhik, më pas e përqeshën me egërsi. Ata ngulën gozhdë në duart dhe këmbët e Tij dhe e ngritën lart në kryq midis dy kriminelëve (shih Mateu 27:11–38). Merreni parasysh të shihni materialin filmik “Jesus Is Scourged and Crucified” [“Jezusin e Rrahin me Kamxhik dhe e Kryqëzojnë”] (04:49) si pjesë të studimit tuaj.
Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se ndërkohë që Jezusi ishte i varur në kryq, “ndodhën të gjitha agonitë e pafundme dhe dhembjet e pamëshirshme të Gjetsemanit” (“The Purifying Power of Gethsemane”, Ensign, prill 2011, f. 58). Pas rreth gjashtë orësh, “Jezusi bërtiti me zë të lartë: ‘Eloi, Eloi; lama sabaktani?’, që e përkthyer do të thotë: ‘Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?’” (Marku 15:34.)
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha sa vijon rreth kësaj thirrjeje plot ankth (ose, në vend që të lexoni thënien vijuese, mund të shihni materialin filmik “None Were with Him” [“Askush Nuk Ishte me Të”] [02:28]):
Pamja
Plaku Xhefri R. Holland
“Që ajo sakrificë supreme e Birit të Tij të mund të ishte po aq e plotë saç ishte e vullnetshme dhe e veçuar, Ati hoqi për pak [çaste] nga Jezusi ngushëllimin e Shpirtit të Tij, mbështetjen e pranisë së Tij personale. … Që Shlyerja e Tij të ishte e pafundme dhe e përjetshme, [Jezu Krishti] duhej të ndiente se si ishte të vdisje jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, të ndiente se si ishte të të largohej Shpirti hyjnor, duke e lënë njeriun të ndihej i vetëm tërësisht, dëshpërimisht, shpresëhumbur. …
… Ngaqë Jezusi bëri krejtësisht i vetëm një rrugë kaq të gjatë e të vetmuar, për ne nuk është e nevojshme të bëjmë kështu.” (“Askush Nuk Ishte me Të”, Liahona, maj 2009, f. 87–88)
Pamja
ikonë, shënoni
Shënojini Mendimet Tuaja
Reflektoni për çmimin që pagoi Shpëtimtari në Gjetseman e në kryq për t’ju shëlbuar dhe mbajini shënim mendimet e ndjenjat tuaja. Merreni parasysh të ofroni një lutje për të shprehur mirënjohjen tuaj ndaj Atit Qiellor për flijimin shlyes të Jezu Krishtit për ju.
Pjesa 3
Çfarë mund të bëj që ta pranoj me gatishmëri flijimin shlyes të Zotit?
Është e rëndësishme që të kuptoni dhe shprehni mirënjohje për vuajtjen e Zotit në emrin tuaj. Por mund të bëni madje më shumë që ta tregoni besimin tuaj për realitetin e Shlyerjes së Tij kur zgjidhni të pendoheni për mëkatet tuaja. (Mund të shihni një shembull për këtë te 3 Nefi 9:12–13, 21–22, ku Zoti i ftoi nefitët dhe lamanitët të pendoheshin përpara se Ai t’i vizitonte.)
Pamja
ikonë, studioni
Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore
Lexoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 18:10–14 dhe kërkoni lidhjen midis vlerës suaj individuale, Shlyerjes së Zotit dhe pendimit.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha për dhuratën e pendimit që na e jep Zoti:
Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson
“Shumë njerëz e konsiderojnë pendimin si ndëshkim – diçka që duhet shmangur përveçse në rrethanat më të rënda. Por kjo ndjenjë e të qenit i ndëshkuar shkaktohet nga Satani. …
Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes. Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.” (“Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67)
Cili është qëndrimi juaj kundrejt pendimit? Çfarë mund të bëni për ta bërë pendimin një përvojë më të përqendruar te Krishti dhe më të gëzueshme në jetën tuaj? Merreni parasysh të vendosni e shënoni një synim dhe rishikojeni atë shpesh. (Mund të shihni materialin filmik “Repentance: A Joyful Choice” [“Pendimi: Një Zgjedhje e Gëzueshme”] [04:36], me Plakun Dejll G. Renland, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për ta thelluar të mësuarit tuaj.)