Thirrjet në Mision
7. Shtojca


7

Shtojca

7.0

Hyrje

Kur të jetë e nevojshme dhe si të jetë e përshtatshme për misionin dhe rrethanat tuaja, ndiqni orientimet shtesë të përvijuara në këtë shtojcë.

7.1

Përgjegjësitë Udhëheqëse të Misionarëve në Moshë të Re

Detyrat dhe përgjegjësitë e udhëheqësve misionarë në moshë të re përfshijnë, por mund të mos kufizohen, tek ato të renditura më poshtë.

Shoku apo Shoqja më e Vjetër në Detyrë

Një misionar/e në çdo dyshe misionare caktohet si shoku apo shoqja më e vjetër në detyrë. Shoku apo shoqja më e vjetër në detyrë:

  • Udhëheq shokun apo shoqen e misionit që të përmbushë punën në një zonë të caktuar për mësimdhënie.

  • Nxit shokun apo shoqen e misionit që të studiojë, të lutet, të ndjekë programin ditor dhe të mbajë shënime të sakta.

  • E ndihmon shokun apo shoqen e vet të misionit që të bëhet një misionar/e më i/e mirë.

  • Dallon dhe nxjerr në pah aftësitë, talentet dhe përpjekjet e efektshme të shokut apo shoqes së vet.

  • Demonstron se si të punojnë me efektshmëri me udhëheqësit vendorë dhe anëtarët për të bashkërenduar përpjekjet misionare.

Trajnuesi/ja

Një misionar/e caktohet që të shërbejë si trajnues/e dhe si shok apo shoqe më e vjetër në detyrë për çdo misionar/e të ri/e. Një trajnues/e:

  • Punon me një misionar/e të ri/e dhe e trajnon atë me dashuri, durim, dashuri hyjnore dhe dashamirësi.

  • Respekton ndihmesat dhe idetë e misionarit/es të/së ri/e si një shok apo shoqe e barabartë.

  • Shpenzon kohë shtesë trajnimi çdo ditë për studimin si dyshe misionare (shih “For New Missionaries: Additional Companion Study” [“Për Misionarët e Rinj: Studimi Shtesë me Shokun apo Shoqen Misionare”] te “Introduction: How Can I Best Use Preach My Gospel?” [“Parathënia: Si Mund ta Përdor sa më Mirë Manualin ‘Predikoni Ungjillin Tim’?”] te Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] [2018], f. ix–x).

  • Studion çdo ditë standardet në këtë manual me shokun apo shoqen e vet të misionit.

  • E trajnon misionarin/en e ri/e mbi temat që gjenden te burimet Masat Mbrojtëse për Përdorimin e Teknologjisë dhe Përshtatja ndaj Jetës Misionare.

  • Demonstron se si t’i bashkërendojnë me efektshmëri përpjekjet e misionarëve me udhëheqësit vendorë dhe anëtarët.

Udhëheqësi i Distriktit

Një plak [elder] caktohet të shërbejë si udhëheqës distrikti në një distrikt, që përbëhet nga zona të shumta për mësimdhënie. Udhëheqësi i distriktit:

  • Udhëheq, trajnon dhe këshillohet me misionarët në këshillat javore të distriktit.

  • Kryen intervistat për pagëzimet (shih 2.3.6).

  • Kryen shkëmbimet e shokëve misionarë me pleqtë [elderat] në distriktin e tij (shih 2.3.1).

  • Punon me udhëheqësit vendorë dhe anëtarët e lagjes për të bashkërenduar përpjekjet misionare.

  • Raporton drejtpërsëdrejti tek udhëheqësi i zonës.

Udhëheqëset Trajnuese Motra dhe Udhëheqësit e Zonës

Dy motra caktohen të shërbejnë në një dyshe misionare si udhëheqëse trajnuese motra në një ose më shumë zona. Ato janë përgjegjëse për trajnimin dhe mirëqenien e motrave misionare që iu janë caktuar. Ato gjithashtu janë anëtare të distrikteve e zonave dhe ndihmojnë presidentin e misionit, udhëheqësit e zonës dhe udhëheqësit e distriktit në mbledhjet e trajnimit dhe konferencat e zonës.

Dy pleq [eldera] caktohen që të shërbejnë në një dyshe misionare si udhëheqës zone në një zonë të vetme. Ata janë përgjegjës për trajnimin dhe mirëqenien e të gjithë misionarëve që caktohen në zonën e tyre. Ata gjithashtu ndihmojnë presidentin e misionit në mbledhjet e trajnimit dhe konferencat e zonës.

Udhëheqëset trajnuese motra dhe udhëheqësit e zonës:

  • Udhëheqin, trajnojnë dhe kryejnë shkëmbime të dysheve misionare në zonën ose zonat e tyre të caktuara. Udhëheqëset trajnuese motra kryejnë shkëmbime midis motrave dhe udhëheqësit e zonës kryejnë shkëmbime midis pleqve [elderave].

  • Punojnë me udhëheqësit dhe anëtarët vendorë për të bashkërenduar përpjekjet misionare.

  • Marrin pjesë në këshillin e udhëheqjes së misionit.

  • Raportojnë drejtpërsëdrejti te presidenti i misionit.

Udhëheqësit e zonës gjithashtu kryejnë intervista për pagëzime (shih 2.3.6).

Ndihmësit e Presidentit

Dy pleq [eldera] caktohen që të shërbejnë në një dyshe misionare si ndihmës të presidentit të misionit. Ndihmësit:

  • Kryejnë shkëmbimet e shokëve misionarë me udhëheqës të zonës dhe pleq [eldera] të tjerë (shih 2.3.1).

  • Sigurojnë trajnim në këshillat e udhëheqjes së misionit dhe konferencat e zonës, siç kërkohet nga presidenti i misionit.

  • Mund të japin këshillë lidhur me transferimet e misionarëve ose detyrat e udhëheqjes, por ata nuk marrin vendimet përfundimtare.

  • Raportojnë drejtpërsëdrejti te presidenti i misionit.

7.2

Orientimet për Shërbimin

Ndiqni orientimet për shërbimin të përvijuara te nënpjesët në vijim.

7.2.1

Aktivitete Shërbimi të Organizuara në Mënyrë Formale

Ju mund të gjeni mundësi shërbimi nëpërmjet organizatave si JustServe.org (atje ku është në dispozicion), siç drejtoheni nga udhëheqësit tuaj të misionit.

Kur merrni pjesë në një ngjarje të organizuar shërbimi, mbajini në mendje standardet në vijim:

  • Kufizojeni shërbimin gjatë orëve të ditës.

  • Shmangeni shërbimin gjatë kohëve më produktive të gjetjes së kërkuesve dhe mësimdhënies, në qoftë se nuk ju kërkohet nga presidenti juaj i misionit.

  • Merrni pjesë në projekte shërbimi të komunitetit kur është e mundur.

  • Shmangini aktivitetet e shërbimit në ditën e përgatitjes ose gjatë kohëve që ka përplasje me këshillat e distriktit ose konferencat e zonës.

  • Mos i anuloni ose riplanifikoni takimet e mësimdhënies për projekte shërbimi, në qoftë se nuk ju kërkohet nga presidenti juaj i misionit.

  • Qëndroni me shokun ose shoqen tuaj të misionit ndërkohë që shërbeni.

  • Mbajeni etiketën me emrin nëse lejohet dhe është e përshtatshme, edhe në qoftë se jeni të veshur me rroba pune.

  • Mos merrni pjesë në aktivitete që ju kushtojnë para ose për të cilat paguheni.

  • Mos u angazhoni në projekte afatgjata pa miratimin nga udhëheqësit tuaj të misionit.

7.2.2

Siguria gjatë Mundësive për Shërbim

Për sigurinë tuaj gjatë mundësive për shërbim, përdorni logjikën praktike dhe ndiqni nxitjet e Frymës së Shenjtë dhe orientimet në vijim:

  • Bëni vetëm ato aktivitete që jeni fizikisht në gjendje që t’i përfundoni.

  • Mos përdorni vegla dore elektrike ose ngitni apo vini në veprim ndonjë mjet makinerie (të tilla si traktorë, rimorkio ose pjesën e prapme të kamionçinës).

  • Vishni veshje të përshtatshme (të tilla si dorashka apo bluza me mëngë të gjata).

  • Mos punoni në vende ku mund të bini nga lartësi të mëdha (të tilla si mbi çatitë ose në pemë).

  • Mos punoni në vende ku mund të ngecni ose të dëmtoheni brenda hapësirave të mbyllura (të tilla si hendekë të thellë).

  • Mos shërbeni në shkolla, qendra kujdesi për fëmijët e vegjël ose ndonjë vend tjetër ku do të ishit vetëm me fëmijët, përfshirë në Fillore ose çerdhe (shih 3.5.2).

Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth dhënies së shërbimit.

7.3

Respekti për të Tjerët

Gjithmonë trajtojini të tjerët me mirësi dhe respekt. Gjithashtu ndiqni orientimet shtesë në këtë pjesë.

7.3.1

Tema Bashkëbisedimesh të Cilave u Shmangeni

Për të treguar respekt për të tjerët dhe për të mbrojtur sigurinë tuaj, shmangini temat me mundësi problematike të bashkëbisedimeve. Temat të cilave iu shmangeni, përfshijnë politikën vendore dhe kombëtare të zonave ku shërbeni; gjithashtu shmangeni bërjen e deklaratave politike privatisht ose publikisht. Për më tepër, asnjëherë:

  • Mos bëni shaka me terrorizmin ose aktet terroriste.

  • Mos sugjeroni që njerëzit të shpërngulen në një vend tjetër – qoftë për punë apo shkollë.

  • Mos jepni as mos bëni premtime lidhur me përkrahje financiare ose viza për njerëzit në zonën e misionit tuaj, përfshirë për punë, shkollë, strehim ose birësime.

7.3.2

Ligjet dhe Kultura e Vendit

Bindjuni ligjeve dhe rregullave të vendit për shpërndarjen e materialeve, rregulloreve doganore dhe kufitare, si dhe kërkesave për pasaportë e vizë. Nëse nuk i njihni ligjet, traditat dhe sjelljet e pranueshme të vendit, kërkojuni ndihmë udhëheqësve tuaj të misionit.

Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth sjelljes së përshtatshme.

7.4

Frekuentimi i Tempullit

Kur frekuentoni tempullin, mbani mend sa vijon:

  • Qëndroni me shokun apo shoqen tuaj të misionit.

  • Merrni pjesë në cilëndo nga ordinancat që kryhen në tempull. Megjithatë, për t’i shmangur keqinterpretimet e ndjenjave shpirtërore si ndjenja romantike, mos veproni si mëkëmbës/e për një bashkëshort ose bashkëshorte në një ceremoni vulosjeje ose si dëshmitar/e në një sesion dhurimi.

  • Mos u shqetësoni që të merrni me vete veshje të tempullit; veshja e tempullit iu sigurohet misionarëve/eve në tempull pa pagesë.

  • Ndiqni rregullat e mirësjelljes për sa i përket telefonit celular. Ju mund ta merrni brenda në tempull telefonin celular për të shtypur karta për ordinancat. Gjithsesi, nuk duhet ta përdorni aparatin tuaj fotografik, të flisni në telefon apo të dërgoni mesazhe ndërsa jeni brenda në tempull.

  • Mos sillni aparate fotografike ose materiale për lexim, përfshirë bekimet patriarkale, që t’i përdorni brenda tempullit.

  • Mos u mblidhni si misionarë/e ose të gjunjëzoheni në lutje në dhomën çelestiale.

Mbani mend që gjithmonë t’i vishni veshjet e brendshme të tempullit siç udhëzoheni. Nëse keni pyetje rreth veshjes së veshjeve të brendshme ose rreth frekuentimit të tempullit, pyetini udhëheqësit tuaj të misionit.

7.5

Teknologjia

Ndiqni standardet për teknologjinë të përvijuara te nënpjesët në vijim.

7.5.1

Ndjekja e Standardeve të Përgjithshme për Teknologjinë

Përqendrohuni te njerëzit, jo te teknologjia. Kur takoheni ballë për ballë, kushtojuni vëmendje të plotë njerëzve. Kontrollimi i postës elektronike, kthimi i përgjigjes për mesazhet në celular ose hedhja një sy te mediat shoqërore kur jeni me të tjerët e shkëput vëmendjen dhe tregon mungesë respekti.

Ju mund të përdorni:

  • Wi-Fi-n në shtëpitë e mbledhjeve dhe ndërtesa të tjera të Kishës.

  • Kompjuterët publikë, të tillë si ata në biblioteka dhe lokale me shërbim interneti.

  • Kompjuterin personal të një personi për mësimdhënie nëse personi ju jep leje.

  • Kufjet mund të përdoren për veprimtari të miratuara për misionarët, të tilla si komunikimi me familjen tuaj ose bërja e kurseve për misionarët.

Mos administroni teknologjinë, faqet e internetit, ditarët në rrjet ose llogaritë e mediave shoqërore të lagjes ose kunjit vendor.

Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth përdorimit të pajisjeve elektronike në punën misionare.

7.5.2

Përdorimi i Teknologjisë në Mënyrë të Sigurt

Ju duhet të përfundoni kursin në internet Masat Mbrojtëse për Përdorimin e Teknologjisë ndërkohë që jeni në qendrën e trajnimit të misionarëve. Standardet e mëposhtme gjithashtu do t’ju ndihmojnë që ta përdorni teknologjinë në mënyrë të sigurt dhe me qëllim misionar:

  • Përdoreni teknologjinë plot qëllim. Planifikoni aktivitete që ju ndihmojnë t’i ftoni të tjerët të vijnë te Shpëtimtari.

  • Mos e përdorni teknologjinë për të lehtësuar stresin ose mërzinë.

  • Mbani vesh për nxitjet nga Fryma e Shenjtë dhe ndiqini ato. Një lidhje e fortë me Shpirtin e Zotit është mbrojtja juaj më e mirë kundër përdorimit në mënyrë të papërshtatshme të teknologjisë.

  • Gjithmonë jini në një pozicion ku ju dhe shoku apo shoqja juaj e misionit mund t’i shihni ekranet e njëri‑tjetrit. Mos i përdorni pajisjet elektronike kur jeni vetëm, si ndërkohë që jeni në tualet.

  • Punoni me shokun apo shoqen tuaj kur gjeni [kërkues] ose jepni mësim nëpërmjet internetit. Rishikojini komentet dhe mesazhet e njëri‑tjetrit përpara se të publikoni ose dërgoni një mesazh, kështu që së bashku të mund të jepni ide dhe të jeni përgjegjës/e për rezultatin e komunikimit. Shënim: Kjo nuk gjen zbatim për komunikimet me familjen tuaj (shih 3.9.1), me zyrën e misionit ose presidentin e misionit.

  • Referojuni rregullisht pjesës Masat Mbrojtëse për Përdorimin e Teknologjisë gjatë studimit vetjak dhe me shokun apo shoqen e misionit.

7.5.3

Shmangia e Pornografisë

Pornografia mund të vijë në shumë forma. Planifikimi që më përpara dhe bërja e zgjedhjeve të drejta mund t’ju ndihmojnë që ta shmangni pornografinë (shih Masat Mbrojtëse për Përdorimin e Teknologjisë). Kur ta hasni atë, largohuni, fikeni pajisjen ose ikni nga situata. Më poshtë janë disa sugjerime për t’ju ndihmuar që ta shmangni pornografinë:

  • Shmangini faqet e internetit, materialet dhe vendet ku ka të ngjarë të dëgjoni, lexoni ose shihni materiale sugjeruese ose pornografi.

  • Mësoni t’i njihni rastet kur tundoheni më shumë për ta përdorur teknologjinë në mënyrë të papërshtatshme, të tilla si kur jeni të lodhur ose të mërzitur.

  • Në vend të kësaj, kini një plan për atë që do të bëni. Udhëheqësit tuaj të misionit mund t’ju vijnë në ndihmë. Gjithashtu mund të gjeni informacion te faqja ChurchofJesusChrist.org/addressing-pornography.

Çdokush që kërkon ta shmangë ose mposhtë pornografinë, mund të gjejë ndihmë dhe shërim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Nëse po hasni vështirësi, flisni me presidentin tuaj të misionit, i cili duhet të sigurojë përkrahje, këshillë dhe ndihmë me dashuri.

7.5.4

Mësimdhënia me Anë të Teknologjisë

Atje ku miratohet, përdorni teknologjinë e internetit me anëtarët dhe njerëzit të cilëve u jepni mësim, që të lidheni me ta, t’i ndihmoni dhe t’u përhapni atyre mesazhet e ungjillit.

  • Ndihmojini të tjerët të mësojnë mënyra të efektshme për ta përhapur ungjillin dhe përkrahini anëtarët e Kishës ndërsa ata e përdorin teknologjinë në përpjekjet e tyre misionare.

  • Punoni nëpërmjet internetit me njerëzit të cilëve po u jepni mësim, që jetojnë jashtë zonës suaj të caktuar dhe ndihmojini gjatë gjithë kthimit të tyre në besim.

  • Kur i jepni mësim dikujt që jeton jashtë zonës suaj, punoni ngushtësisht me misionarët që janë caktuar në zonën ku jeton personi të cilit po i jepni mësim. Së bashku, ndihmojeni atë person të vijë më afër Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

  • Përdorni fotografi, materiale filmike dhe mjete të tjera informimi nga Mjete Informimi për Ungjillin e Kishës dhe faqe të tjera zyrtare të Kishës në përpjekjet tuaja për mësimdhënie si të jetë e përshtatshme. Në komunikimet tuaja, mos përdorni mjete informimi që nuk janë miratuar nga Kisha (për shembull, materiale filmike të krijuara nga anëtarët ose njësitë vendore).

  • Kur publikoni në mediat shoqërore, përhapni mesazhe për ungjillin dhe përvojën tuaj misionare në vend që të përqendroheni tek udhëtimet tuaja.

Zbatojini orientimet në vijim për të mbrojtur privatësinë dhe informacionin vetjak të njerëzve:

  • Dijeni se emrat e plotë, fotografitë (shih 3.7), informacioni i kontaktit dhe situatat vetjake të njerëzve të cilëve iu jepni mësim, janë private. Shpërndarja ose publikimi i këtij informacioni mund të shkelë ligjet për privatësinë e të dhënave. Jini veçanërisht të kujdesshëm se çfarë iu shkruani pjesëtarëve të familjes, pasi ata mund t’i publikojnë në internet letrat dhe mesazhet tuaja të postës elektronike.

  • Merrni leje nga cilido që shfaqet në një fotografi ose material filmik, përpara se t’ia dërgoni dikujt ose ta publikoni në internet. Merrni leje nga një prind përpara se të dërgoni fotografi ose materiale filmike të fëmijëve (shih 3.7).

Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth mbrojtjes së privatësisë së të tjerëve.

7.5.5

Përdorimi i Postës Elektronike

Gjatë misionit tuaj, iu është caktuar një llogari individuale e postës elektronike që të përdoret në vend të të gjitha llogarive të tjera vetjake të postës elektronike. Përdoreni këtë llogari të postës elektronike për të gjitha komunikimet përveç letrës tuaj javore për presidentin e misionit, të cilën do ta dërgoni nëpërmjet faqes Portali i Misionarëve.

7.5.6

Përdorimi i Mediave Shoqërore

Mediat shoqërore mund të përdoren për ta përhapur ungjillin. Sigurohuni që të përdorni vetëm faqe të mediave shoqërore të miratuara për misionin tuaj, duke qenë se ligjet për mediat shoqërore ndryshojnë nga vendi në vend.

Ndiqni çdo standard specifik të misionit për mediat shoqërore si dhe standardet në vijim:

  • Sigurohuni që llogaritë tuaja të mediave shoqërore pasqyrojnë qëllimin dhe thirrjen tuaj si misionar/e.

  • Sigurohuni që fotografia e profilit tuaj, si dhe individët dhe grupet që ndiqni, tregojnë se ju jeni njëri/a nga misionarët/et e Zotit.

  • Mos krijoni një llogari të dytë në një faqe të mediave shoqërore për të shmangur bërjen e ndryshimeve te një llogari ekzistuese. Kjo është shkelje e marrëveshjes së përdoruesit për shumë faqe të mediave shoqërore.

  • Mos e përdorni titullin “Plak” [“Elder”] ose “Motër” në emrin e llogarisë tuaj. Titujt si këto nuk lejohen nga disa platforma të mediave shoqërore.

  • Përqendrohuni te ndërveprime kuptimplota me njerëz ballë për ballë në vend që të merrni “pëlqime” ose që mesazhi që keni publikuar, të shpërndahet nga të tjerët në internet.

  • Publikimet tuaja nuk duhet të lënë të kuptohet se janë komunikime zyrtare të Kishës.

  • Mbrojeni privatësinë tuaj. Jini të kujdesshëm kur tregoni planifikimin dhe vendndodhjen tuaj në internet. Jini të kujdesshëm se cilët njerëz pranoni në rrjetin tuaj shoqëror; disa individë do t’i shfrytëzojnë misionarët.

  • Mbrojeni privatësinë e të tjerëve. Nëse dëshironi të publikoni diçka rreth dikujt me të cilin/ën po punoni, duhet të kërkoni lejen e tij ose të saj (me gojë ose me shkrim) përpara se të publikoni ndonjë gjë që përmend emrin e tij ose të saj apo përfshin fotografinë e tij ose të saj (shih 3.7). Për shkak të ligjeve vendore për privatësinë, në disa misione misionarët nuk lejohen të shpërndajnë publikisht fotografi të njerëzve të cilëve po u japin mësim.

Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth mbrojtjes së privatësisë së të tjerëve.

7.6

Situata të Vështira

Ndiqni orientimet më poshtë kur përballeni me situata të vështira.

7.6.1

Përballja me Situata Negative

Ashtu si Shpëtimtari, profetët dhe shumë misionarë përpara jush, ju do të përjetoni refuzim dhe ndoshta edhe forma të tjera mosrespektimi si misionar/e. Orientimet në vijim do t’ju ndihmojnë ta përballoni refuzimin:

  • Mos i shpërfillni emocionet tuaja.

    • Kuptojeni që është në rregull të shprehësh mërzitje dhe shkurajim ndaj shokut apo shoqes tuaj të misionit, udhëheqësve misionarë në moshë të re, udhëheqësve të misionit dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes.

    • Kuptojeni se ndonjëherë të folurit për një situatë negative, mund të ndihmojë që ta kaloni atë ndjenjë.

    • Mos qëndroni në një situatë negative, as mos e lejoni atë të ndryshojë sjelljen tuaj për shumë kohë.

  • Vendoseni refuzimin në perspektivë.

    • Dijeni se situatat negative nuk përcaktojnë se kush jeni, se çfarë jeni thirrur të bëni ose sa mirë jeni në gjendje ta bëni atë.

    • Përpiquni të mos bëni deklarata përgjithësuese si “Njerëzit kurrë nuk dëgjojnë”.

    • Kuptojeni se liria e zgjedhjes i lejon individët ta pranojnë ose refuzojnë mesazhin tuaj.

    • Kuptojeni se jeta dhe rrethanat e njerëzve ndryshojnë. Refuzimi nuk do të thotë gjithmonë që njerëzit nuk do të jenë kurrë të interesuar për ungjillin e rivendosur.

  • Trajtojeni veten dhe të tjerët me dhembshuri.

    • Kërkoni ngushëllim në lutje. Kujtoni se Zoti ju njeh ju, situatën tuaj dhe nevojat tuaja.

    • Mos e kritikoni veten, situatën ose njerëzit e përfshirë.

    • Bëni më të mirën që të jeni pozitivë.

  • Mësoni nga përvoja. Merrni parasysh se çfarë mund të bëni ndryshe herën tjetër.

7.6.2

Përballja me Njerëz Kundërshtues

Ju mund të ndesheni me njerëz që janë negativë ose agresivë. Nëse dikush është i pasjellshëm, jini i sjellshëm dhe largohuni nga situata. Nëse e ndjeni rrezikun, largohuni menjëherë. Siguria juaj dhe e shokut apo shoqes suaj (shih 4.5) është përparësia juaj e parë.

Njerëzit kundërshtues dhe ndërveprimet negative janë stresuese. Ndërmerrni hapat që ju duhen për ta përballuar stresin (shih 4.3) dhe për t’u kujdesur për veten emocionalisht dhe shpirtërisht.

Dijeni se çdo lloj keqtrajtimi verbal, emocional ose fizik nga dikush, përfshirë një shok apo shoqe misioni, është i papranueshëm. Ky mund të përfshijë fjalë, gjeste ose veprime që e alarmojnë ose keqtrajtojnë personin tjetër.

Menjëherë vihuni në kontakt me presidentin tuaj të misionit, bashkëshorten e tij ose një udhëheqës tjetër të besuar nëse përjetoni, shihni ose dëgjoni për ndonjë ngacmim, sulm ose kërcënim seksual apo fizik (shih 7.8.2–7.8.4).

7.7

Probleme të Shëndetit Fizik dhe Mendor

Ndiqni orientimet për shëndetin të përvijuara te nënpjesët në vijim.

7.7.1

Vënia në Kontakt me Zyrën e Misionit për Problemet Mjekësore

Mos u mbështetni te vetëdiagnostikimi ose opinionet e të tjerëve. Ndonëse këshilla mjekësore nga shoku ose shoqja juaj e misionit, anëtarë të tjerë të Kishës, familja ose miqtë mund të jetë e dobishme, vihuni në kontakt me bashkërenduesin mjekësor të misionit kur keni pyetje ose shqetësime, sidomos për lëndime serioze ose probleme shëndetësore. Presidenti juaj i misionit do të komunikojë me presidentin e kunjit dhe familjen tuaj për lëndime serioze dhe shqetësime shëndetësore.

Vihuni në kontakt me bashkërenduesin mjekësor të misionit nëse përjetoni ndonjë nga problemet shëndetësore në vijim:

  • Sëmundje përtej ftohjeve normale dhe simptomave afatshkurtra.

  • Lëndim të rëndë.

  • Puls të shpejtë (mbi 100 rrahje për minutë) kur nuk jeni duke bërë ushtrime fizike.

  • Ndonjë temperaturë më të lartë se 38.3°C, një temperaturë 38.3°C për më shumë se dy ditë ose temperaturë që nuk reagon ndaj mjekimit.

  • Humbje ose shtim të shpejtë apo ekstrem në peshë.

  • Etje ose urinim shumë të shpeshtë.

  • Vjellje të vazhdueshme, dhimbje kohe, marrje mendsh, kollë apo skuqje të lëkurës.

  • Ënjtje të shputave, të këmbëve, të barkut ose fytyrës.

  • Humbje të gjakut ose jashtëqitje të zeza.

  • Kapsllëk ose diarre për më shumë se dy ditë.

  • Dhimbje të dhëmbëve.

  • Thonj të këmbëve që hyn në mish.

7.7.2

Kujdesi për Shëndetin Fizik

Ju do të keni një përvojë më të kënaqshme misioni dhe do të jeni më mirë në gjendje që t’i shërbeni Zotit kur kujdeseni për shëndetin tuaj fizik. Jini të zellshëm në përpjekjet tuaja misionare, por mos e shtyni veten më shumë se ç’duhet.

Që të ndihmoni për të ruajtur shëndetin tuaj fizik, sigurohuni që:

  • Të bëni ushtrime fizike rregullisht.

  • Të flini mjaftueshëm.

  • Të hani vakte të shëndetshme plot me perime, fruta dhe drithëra.

  • Të pini shumë ujë.

  • Të lani duart rregullisht.

  • Të vini krem për t’u mbrojtur nga dielli dhe të përdorni lëndë kundër insekteve kur të jetë e përshtatshme.

  • Të gjeni mënyra për t’u çlodhur.

  • Të shijoni argëtime të shëndetshme në ditët e përgatitjes.

7.7.3

Kujdesi për Shëndetin Mendor

Është normale të ndjeni trishtim, ankth, mall për shtëpinë dhe shkurajim me raste ndërkohë që shërbeni në mision. Megjithatë, është e nevojshme të raportohen emocionet dhe sjellja që ju pengon të veproni në mënyrë të efektshme. Këto kushte mund të përfshijnë:

  • Ndryshime të shpeshta të gjendjes shpirtërore.

  • Shqetësim ose fajësim të tepërt.

  • Gjendje shpirtërore të dëshpëruar.

  • Mënyra jo të shëndetshme të ushqyeri.

  • Vështirësi në kontrollimin e ndjenjave seksuale.

Kuptojeni se nuk është aspak turp ta njihni dhe trajtoni cilindo problem shëndetësor, përfshirë shqetësimet emocionale ose mendore. Nëse ndjeni që ju ose shoku apo shoqja juaj e misionit keni nevojë për ndihmë, flisni me presidentin tuaj të misionit, bashkëshorten e tij ose bashkërenduesin mjekësor. Ata kanë qasje në përdorimin e burimeve për shëndetin mendor. Ju gjithashtu mund të gjeni këshilla të dobishme te pjesa Përshtatja ndaj Jetës Misionare.

7.7.4

Kujdesi ndaj Kafshimit nga Kafshët dhe Pickimit nga Insektet

Kafshimi nga kafshët dhe pickimi nga insektet mund të shkaktojnë sëmundje të rënda dhe ndonjëherë vdekjeprurëse. Nëse pickimi nga një insekt enjtet ose bëhet jashtëzakonisht i dhimbshëm, merrni në telefon menjëherë zyrën e misionit.

Parandalimi

Ju mund të ndihmoni në parandalimin e pickimeve nga këpusha, mushkonja dhe insekte të tjerë duke ndjekur këto orientime:

  • Shmangeni ujin e amullt dhe të ndenjur, ku shpesh jetojnë mushkonjat.

  • Shmangeni vendin e pyllëzuar dhe të mbuluar me shkurre, ku shpesh jetojnë këpushat.

  • Vishni veshje që jua mbulojnë krahët dhe këmbët, edhe në mot të ngrohtë.

  • Shihni materialin filmik “Parandalimi i Sëmundjeve të Lindura nga Mushkonjat”.

  • Vendosni një krem kundër insekteve në lëkurën e ekspozuar dhe një ilaç spërkatës kundër insekteve në sipërfaqet e jashtme të veshjeve të jashtme.

Trajtimi

Nëse jeni pickuar ose gërvishtur nga një këpushë, mushkonjë, insekt ose kafshë tjetër, ndiqni këto orientime:

  • Trajtojini pickimet nga insektet e vogla me akull ose mjekime pa recetë.

  • Shkoni te një mjek që t’i hiqni në mënyrë të sigurt këpushat që ju janë ngjitur në lëkurë dhe që të bëni analizën për sëmundjen Lyme.

  • Lajeni pjesën e pickuar ose plagën e shkaktuar nga një kafshë me sapun dhe ujë (për 15 minuta, mundësisht) dhe merrni në telefon zyrën e misionit. Identifikoni pronarin e kafshës, nëse është e mundur, kështu që zyra e misionit të mund të ndihmojë në përjashtimin e sëmundjes së tërbimit ose sëmundjeve të tjera të rënda.

  • Nëse pickimi nga një këpushë ose insekt apo kafshimi nga një kafshë tjetër enjtet, bëhet jashtëzakonisht i dhimbshëm ose krijon një skuqje në formën e syrit të demit ose të pazakontë, merrni në telefon menjëherë zyrën e misionit.

Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth mbrojtjes së vetes nga pickimi i insekteve dhe kafshimi i kafshëve të tjera.

7.8

Situata të Rrezikshme

Ndiqni orientimet për sigurinë të përvijuara te nënpjesët në vijim.

7.8.1

Përgatitja për Situatat e Rrezikshme

Orientimet në vijim mund t’ju ndihmojnë të përgatiteni dhe t’u përgjigjeni situatave të rrezikshme:

  • Lutuni për mbrojtjen e Zotit çdo ditë.

  • Dëgjojini dhe ndiqini nxitjet e Shpirtit, të cilat mund t’ju paralajmërojnë për rrezikun.

  • Njihuni me planin e veprimit të misionit tuaj për urgjencat. Ndiqni hapat për mënyrën se si të veproni gjatë situatave urgjente.

  • Vendoseni në telefonin tuaj informacionin e kontaktit për urgjencat në zonën dhe vendin tuaj. Mbajeni telefonin me bateri të mbushur dhe gjithë kohën me vete.

  • Shmangini zonat të cilat misioni juaj i ka përcaktuar si të rrezikshme.

  • Mos jepni përshtypjen sikur keni sende me vlerë (për shembull, duke mbajtur një çantë të rëndë).

  • Jini të vëmendshëm ndaj çdo gjëje që është e pazakontë, si për shembull dikush që ju vështron nga afër, që ju bën pyetje personale ose ju ndjek.

  • Përpiquni të përdorni gjuhën e gjesteve dhe lëvizjeve që të jepni mesazhin se keni vetëbesim dhe nuk keni frikë.

  • Kini një fjalë ose frazë kod që ta përdorni me shokun ose shoqen tuaj të misionit për të sinjalizuar që doni të largoheni. Përdoreni atë nëse gjendeni në një situatë në të cilën ndiheni të pasigurt.

Praktikojeni zbatimin e këtyre orientimeve vazhdimisht, edhe sikur të tjerët (përfshirë misionarë të tjerë) t’ju nxitin që ta vini sigurinë tuaj në rrezik me qëllim që të përmbushni punën tuaj misionare.

7.8.2

Njohja e Situatave të Rrezikshme

Menjëherë vihuni në kontakt me një nga udhëheqësit tuaj të misionit ose ndonjë udhëheqës tjetër të besuar nëse përjetoni, jini dëshmitar ose dëgjoni për ndonjë sjellje të keqe fizike ose seksuale të çfarëdo lloji. Kjo mund të përfshijë sulme, kërcënime ose ngacmime. Edhe pse rreziqet në vijim mund të përcaktohen ndryshe nga ligjet vendore, raportojeni çdo gjë që ju shkakton shqetësim:

  • Sulmi përfshin çdo akt fizik ose seksual që ushtrohet me forcë ndaj dikujt. Shembujt përfshijnë çdo kontakt të padëshiruar të trupit, prekje të papërshtatshme apo dhunë fizike.

  • Kërcënimi fizik ndodh kur dikujt i shkaktohet frikë për një dëmtim të trupit ose për vdekje. Shembujt përfshijnë kërcënimet me fjalë ose sjellje kërcënuese të çfarëdo lloji.

  • Ngacmimi seksual përfshin fjalë ose gjeste të pahijshme, kërkesa për favore seksuale ose çdo veprim të padëshiruar seksual. Shembujt mund të përfshijnë ndjekjen (veprimi i vënies pas me qëllim që të alarmojë ose bezdisë) ose zbulimin e pjesëve intime të trupit.

7.8.3

Përgjigjja ndaj Sulmeve, Kërcënimeve ose Ngacmimeve

Bëni sa vijojnë nëse ju ose shoku apo shoqja juaj e misionit po plaçkiteni:

  • Jepini menjëherë sendet tuaja. Kjo mund të bëjë që hajduti të largohet pa ju lënduar. Jeta dhe mirëqenia juaj vlejnë më shumë sesa zotërimet tuaja.

  • Përpiquni që të mos e humbisni kontrollin ose të reagoni negativisht. Kjo mund t’i përkeqësojë gjërat.

Bëni sa vijon nëse ju ose shoku apo shoqja juaj e misionit ndiheni të kërcënuar ose të ngacmuar dhe kur rrezikohen më shumë se zotërimet tuaja:

  • Vetëm ju mund të vendosni për mënyrën më të mirë të përgjigjes ndaj situatës. Mund të zgjidhni të vraponi, të vetëmbroheni ose bindeni. Për shembull:

    • Nëse vraponi, mund të shmangni sulmin.

    • Nëse vetëmbroheni, mund të jeni në gjendje ta ruani trupin tuaj duke bërtitur, duke goditur, duke gërvishtur, duke kafshuar, duke shkelmuar ose duke u lutur.

    • Nëse ngecni në vend ose zgjidhni të bindeni, të cilat mund të jenë reagime normale, ju lutemi mos e fajësoni veten më vonë.

  • Merreni parasysh të kërkoni ndihmë ose të tërhiqni vëmendjen e dikujt tjetër. Për shembull:

    • Ju mund të kërkoni ndihmë nga të tjerët, sidomos nga dikush që ka autoritet (si shoferi i autobusit) në vendin ku jeni.

    • Nëse jeni në një vend publik me njerëz përreth dhe nuk mund të largoheni nga një sulm fizik ose seksual (për shembull, kur jeni duke udhëtuar me transport publik), merrni parasysh të flisni me vendosmëri që të përpiqeni t’ia ndërroni mendjen personit për veprim ose ngacmim të mëtejshëm. Për shembull, ju mund të përdorni një gjuhë të fortë gjestesh dhe lëvizjesh, ta shihni shkelësin drejt e në sy dhe të flisni me zë të lartë. Mund t’i drejtoheni personit, ta shprehni sjelljen fyese dhe të thoni atë që doni që të bëjë personi, si për shembull: “Ore, ti me bluzë të verdhë, mos më prek! Largohu nga unë!”

    • Nëse askush nuk është shumë afër, mund të bërtitni, të lëshoni britma ose të përpiqeni të tërhiqni vëmendjen; dikush mund t’ju vërë re dhe të jetë në gjendje t’ju ndihmojë.

7.8.4

Raportimi i Sulmeve, Kërcënimeve ose Ngacmimeve

Nëse jeni sulmuar, kërcënuar ose ngacmuar (shih 7.8.2) nga dikush, menjëherë vihuni në kontakt me udhëheqësit tuaj të misionit, me dikë nga zyra e misionit ose një udhëheqës tjetër të besuar. Udhëheqësit tuaj të misionit i kanë burimet që t’ju përkrahin me kujdes mjekësor, këshillim profesional, shpërngulje ose ndihmë tjetër të nevojshme. Kuptojeni se mund të jeni të tronditur pas ngjarjes dhe gjithashtu mund të përjetoni shenja të traumës. Sapo të ndiheni të sigurt, përpiquni të regjistroni çdo gjë që mund të mbani mend nga incidenti.

Kuptojeni se nëse jeni sulmuar, pavarësisht se çfarë po bënit, sulmi nuk është për fajin tuaj. Ju gjithmonë keni zgjedhjen për t’u këshilluar me dikë që e mirëbesoni dhe ndiheni rehat me të, si presidentin tuaj të misionit, bashkëshorten e tij, autoritetet civile ose njerëzit e familjes. Është vendimi juaj nëse do ta përfshini policinë.

Është diçka normale që të keni dyshim te vetja dhe tek ajo që ju ose shoku apo shoqja juaj mund ta kishit bërë ndryshe. Kini besim se bëtë më të mirën që mundët në çastin e krizës. Njerëzit i përpunojnë ndryshe përvojat traumatike. Zoti do t’ju ndihmojë ndërsa shëroheni.

Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth përgatitjes, njohjes dhe trajtimit të situatave dhe kërcënimeve të rrezikshme.

7.9

Siguria e Banimit

Ndiqni orientimet më poshtë për ta mbajtur vendin tuaj të banimit privat, të sigurt dhe të pastër.

7.9.1

Privatësia dhe Siguria

Zbatojini orientimet në vijim për t’u siguruar që vendi juaj i banimit është privat dhe i sigurt:

  • Instaloni dhe mirëmbani pajisje që zbulojnë monoksidin e karbonit dhe tymin. Kontrollojini dhe zëvendësojini bateritë siç është planifikuar nga bashkërenduesi i misionit për banesat. Mos i çaktivizoni këto pajisje jetëshpëtuese.

  • Mos digjni asnjë lloj qiriri.

  • Mbyllini dyert e jashtme dhe dritaret. Nëse nevojitet, udhëheqësit tuaj të misionit mund të sugjerojnë mundësi që lejojnë futjen e ajrit nga jashtë.

  • Mbyllini gjithmonë perdet ose grilat pasi errësohet.

  • Mos ua tregoni adresën tuaj njerëzve të ndryshëm ose atyre që po u jepni mësim.

  • Mos e hapni derën nëse nuk e njihni personin mbrapa saj ose nëse nuk ndiheni rehat me të.

  • Asnjëherë mos u jepni mësim njerëzve në banesën tuaj dhe as mos i ftoni njerëzit të hyjnë brenda, në qoftë se nuk janë misionarë ose udhëheqës vendorë të Kishës, vizita e të cilëve është miratuar nga udhëheqësit tuaj të misionit.

  • Kurrë mos jetoni në një shtëpi ku jetojnë njerëz të pamartuar të gjinisë së kundërt ose ku bashkëshorti/ja me të njëjtën gjini si ju mungon shpesh.

  • Raportojeni menjëherë te zyra e misionit çdo shqetësim për sigurinë, përfshirë cilindo që po e vëzhgon banesën tuaj ose që ju bën të ndiheni të pasigurt.

  • Lejoni vetëm misionarët e tjerë të së njëjtës gjini në shkëmbime të miratuara që ta kalojnë natën në banesën tuaj.

  • Shpenzoni fonde të nevojshme për ta mbajtur banesën tuaj të sigurt. Për shembull, zëvendësojini llambat e djegura sipas nevojës.

7.9.2

Pastërtia dhe Mirëmbajtja

Mbajeni banesën tuaj të pastër dhe të rregullt:

  • Pastroni në ditën e përgatitjes (shih 2.5.1) dhe përditë sipas nevojës.

  • Ndërmerrni masa për të parandaluar futjen e insekteve (shih 7.7.4) brenda banesës tuaj.

  • Mësoni se si t’i përdorni në mënyrë të sigurt pajisjet elektroshtëpiake, veçanërisht sobat dhe ngrohësit.

  • Mos mbani asnjë lloj kafshe shtëpiake.

Banesa juaj do të inspektohet rregullisht për t’u siguruar që është e përshtatshme, e sigurt dhe e mirëmbajtur.

Shihni këto dy materiale filmike për më shumë informacion rreth sigurisë së banimit.

7.10

Siguria e Transportit

Ndiqni orientimet për sigurinë të përvijuara te nënpjesët në vijim.

7.10.1

Ecja

Kur ecni:

  • Nëse është e mundur, ecni në drejtim të kundërt me trafikun rrugor.

  • Qëndroni në zona të ndriçuara kur është errësirë.

  • Ndryshojini itineraret dhe oraret që lëvizni rreth zonës tuaj. Ndiqni nxitjet shpirtërore për ta ndryshuar itinerarin ose rutinën tuaj.

Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth sigurisë kur ecni.

7.10.2

Ngarja e Biçikletave

Kur ngitni një biçikletë:

  • Ndiqni ligjet dhe orientimet për sigurinë e biçikletave, përfshirë mbajtjen e një kaske mbrojtëse me certifikatë sigurie, përdorimin e jelekut fosforeshent dhe përdorimin e sinjaleve të dorës si të jetë e përshtatshme.

  • Asnjëherë mos hamendësoni se keni përparësi.

  • Përpiquni të shmangni udhëtimin me biçikletë gjatë motit të keq, në trafik të rënduar ose pasi është errësuar. Shmangeni ngarjen krah për krah apo shumë afër.

  • Qëndroni në një largësi të sigurt nga shoku apo shoqja juaj e misionit, por jo ta humbisni nga sytë.

  • Mbajeni biçikletën tuaj në gjendje të mirë pune, përfshirë fenerin e përparmë, dritën e pasme dhe reflektuesit anash dhe mbrapa.

  • Lidheni me kyç ose sigurojeni biçikletën tuaj kur nuk e ngitni.

Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth sigurisë së përdorimit të biçikletës.

7.10.3

Përdorimi i Automjeteve

Nëse jeni caktuar që të ngitni një automjet gjatë misionit tuaj, përdorni vetëm automjete të misionit. Për të ngarë një automjet të misionit, ju duhet të keni marrë në mënyrë ligjore patentën në vendin ku po shërbeni, të demonstroni se i kuptoni standardet për automjetet e misionit dhe të keni miratimin e udhëheqësve të misionit. Gjithashtu ndiqni këto orientime:

  • Kuptoni se si ju, ashtu edhe shoku apo shoqja juaj e misionit, jeni përgjegjës/e për sigurinë, pavarësisht se kush po e nget makinën.

  • Vini rripat e sigurimit, ngiteni makinën në mënyrë mbrojtëse, përdorni dritat natën e ditën dhe jini vigjilent dhe të vetëdijshëm qofshi pasagjeri ose shoferi.

  • Nëse po i jepni automjetit, mos lejoni aspak t’ju tërhiqet vëmendja, përfshirë përdorimin e një pajisjeje elektronike ose kasetofonin në makinë.

  • Nëse jeni pasagjeri/ja, ndihmojeni shoferin/en duke qenë vigjilent/e.

  • Nëse jeni pasagjeri/ja, qëndroni në një largësi të sigurt jashtë automjetit për ta drejtuar shoferin/en sa herë që ai ose ajo po ecën mbrapsht.

  • Për arsye sigurie dhe përgjegjësie, nuk mund të futni në makinë askënd përveç misionarëve kohëplotë të së njëjtës gjini.

  • Ngiteni makinën brenda kufirit të lejuar të shpejtësisë.

  • Mos e prekni aparatin e kilometrazhit ose cilëndo pajisje sigurie të instaluar në makinë.

  • Mbajeni automjetin të pastër dhe në gjendje të mirë.

  • Nëse pësoni aksident, referojuni paketës Çfarë të Bëni Nëse Pësoni Aksident, e cila duhet të jetë në syzën e makinës. Vihuni në kontakt me bashkërenduesin e misionit për automjetet sapo të jetë e sigurt kjo gjë.

Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth sigurisë së automjeteve.

7.10.4

Përdorimi i Transportit Publik

Kur përdorni transportin publik:

  • Përdorni vetëm transportin publik të miratuar për misionin tuaj.

  • Njihuni me itinerarin e transportit publik dhe zonat ku udhëtoni.

  • Uluni afër shoferit kur është e mundur. Vendosini çantat përpara vetes nëse është e sigurt për ta bërë këtë.

7.11

Ordinancat dhe Bekimet e Priftërisë

Përdorni këto orientime të përgjithshme për kryerjen e ordinancave dhe bekimeve të priftërisë. Informacioni në këtë pjesë është përmbledhur nga kapitulli 20 i Handbook 2: Administering the Church [Manuali 2: Administrimi i Kishës] (2010).

Shënim: Siç shpjegohet te pjesët në vijim, disa ordinanca duhet të autorizohen nga autoriteti kryesues që mban çelësat e duhur.

7.11.1

Administrimi në Priftëri: Orientime të Përgjithshme për Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke

Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke gjithmonë duhet të përpiqen fort që të jenë të denjë dhe të udhërrëfehen nga Shpirti i Shenjtë. Ata duhet ta kryejnë çdo ordinancë dhe bekim në një mënyrë dinjitoze, duke u siguruar që ajo i plotëson kërkesat në vijim:

  1. Duhet të kryhet në emrin e Jezu Krishtit.

  2. Duhet të kryhet nëpërmjet autoritetit të priftërisë.

  3. Duhet të kryhet me çdo procedurë të nevojshme, të tillë si përdorimi i fjalëve të specifikuara ose përdorimi i vajit të përkushtuar.

  4. Duhet të autorizohet nga autoriteti kryesues i cili mban çelësat e duhur (normalisht peshkopi, presidenti i kunjit ose presidenti i misionit), nëse është e nevojshme në përputhje me udhëzimet në këtë pjesë.

Ata të cilët japin bekime priftërie, thonë fjalët e bekimit (“Unë [ose ne] të bekoj[më] ty që …”) në vend që të thonë një lutje (“Atë Qiellor, të lutem[i] bekoje këtë person që …”).

Kur disa vëllezër marrin pjesë në një ordinancë ose bekim, secili e vendos dorën e tij të djathtë lehtë mbi kokën e personit (ose nën foshnjën që po bekohet) dhe dorën e tij të majtë në shpatullën e vëllait në të majtë të tij.

Vetëm vëllezërit që mbajnë priftërinë e nevojshme dhe janë të denjë, mund të kryejnë një ordinancë ose bekim. Siç udhërrëfehen nga Shpirti, peshkopët dhe presidentët e kunjeve kanë të drejtën për t’i ftuar vëllezërit e priftërisë, të cilët nuk janë plotësisht të denjë për në tempull, që të kryejnë ose të marrin pjesë në disa ordinanca dhe bekime (shih Handbook 2: Administering the Church [Manuali 2: Administrimi i Kishës], 20.1.2).

Të ftuarit e një numri të madh familjarësh, miqsh dhe udhëheqësish për të ndihmuar në një ordinancë ose bekim nuk inkurajohet, sepse disave mund t’ju duket e çuditshme dhe mund të bëhet fizikisht e vështirë për ta kryer ordinancën.

7.11.2

Pagëzimi

Presidenti i misionit mban çelësat për pagëzimin e të kthyerve në besim. Nën drejtimin e autoritetit kryesues, një prift i denjë ose një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke mund ta kryejë ordinancën e pagëzimit. Për ta bërë këtë, ai:

  1. Qëndron në këmbë në ujë bashkë me personin që do të pagëzohet.

  2. Mban kyçin e dorës së djathtë të personit me dorën e tij të majtë (për lehtësi dhe siguri); personi që po pagëzohet mban kyçin e dorës së majtë të mbajtësit të priftërisë me dorën e vet të majtë.

  3. Ngre krahun e djathtë në formën e skuadrës.

  4. Shqipton emrin e plotë të personit dhe thotë: “Duke qenë i autorizuar nga Jezu Krishti, unë të pagëzoj në emër të Atit dhe të Birit, dhe të Frymës së Shenjtë. Amen” (Doktrina e Besëlidhje 20:73).

  5. E lejon personin të mbajë hundën e vet me dorën e djathtë (për lehtësi). Mbajtësi i priftërisë e vendos dorën e tij të djathtë lart në kurrizin e personit dhe e zhyt atë plotësisht, përfshirë veshjen e personit.

  6. E ndihmon personin të dalë nga uji.

Siç përshkruhet te Handbook 2: Administering the Church [Manuali 2: Administrimi i Kishës], 20.3.7, dy dëshmitarë sigurohen që çdo pagëzim të kryhet në mënyrën e duhur. Pagëzimi duhet të përsëritet nëse fjalët nuk janë thënë saktësisht siç jepen te Doktrina e Besëlidhje 20:73 ose nëse pjesë e trupit apo e veshjes së personit nuk zhytet plotësisht.

7.11.3

Konfirmimi

Presidenti i misionit mban çelësat për konfirmimin e të kthyerve në besim. Megjithatë, peshkopi mbikëqyr kryerjen e të gjitha konfirmimeve. Ai sigurohet që të kthyerit në besim konfirmohen në një mbledhje sakramenti të lagjes së Kishës atje ku banojnë, mundësisht të dielën pas pagëzimit të tyre. Të kthyerit në besim nuk konfirmohen në shërbesën e pagëzimit.

Një ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke mund të marrin pjesë në konfirmim. Ata i vënë duart e tyre lehtë mbi kokën e personit. Më pas personi që kryen ordinancën:

  1. Thotë emrin e plotë të personit.

  2. Thotë se ordinanca kryhet me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.

  3. E konfirmon personin anëtar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

  4. Përdor fjalët “Merre Frymën e Shenjtë” (jo “Merre dhuratën e Frymës së Shenjtë”).

  5. Jep një bekim siç e drejton Shpirti.

  6. E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.

7.11.4

Përkushtimi i Vajit

Një ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke duhet ta përkushtojnë vajin e ullirit përpara se ai të përdoret për të vajosur të sëmurët ose të munduarit. Nuk mund të përdoret asnjë vaj tjetër. Për ta përkushtuar vajin, një mbajtës i priftërisë:

  1. Mban një enë të hapur me vaj ulliri.

  2. I drejtohet Atit Qiellor.

  3. Thotë se ai po vepron me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.

  4. E përkushton vajin (jo enën) dhe e veçon për vajosjen dhe bekimin e të sëmurëve dhe të munduarve.

  5. E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.

7.11.5

Administrimi ndaj të Sëmurëve dhe të Munduarve

Jezusi iu dha autoritetin e priftërisë Apostujve të Tij “[për] të shër[uar] sëmundjet dhe [për] të dëb[uar] demonët” (Marku 3:15). Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke kanë të njëjtin autoritet. Përdoreni këtë dhuratë në mënyrë të përshtatshme dhe shpesh.

Vetëm mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund të administrojnë ndaj të sëmurëve ose të munduarve. Zakonisht dy ose më shumë mbajtës të priftërisë administrojnë ndaj të sëmurit, por njëri mund ta kryejë i vetëm edhe vajosjen edhe vulosjen e bekimit nëse është e nevojshme.

Nëse nuk ka në dispozicion vaj të përkushtuar, mund të jepet një bekim me anë të autoritetit të priftërisë pa vajosje.

Një bashkëshort ose baba i denjë që mban Priftërinë Melkizedeke, normalisht duhet të administrojë ndaj pjesëtarëve të sëmurë të familjes së vet.

Vëllezërit duhet të administrojnë ndaj të sëmurit me kërkesën e personit të sëmurë ose të atyre që janë shumë të afërm me personin, me qëllim që bekimi të jetë në përputhje me besimin e tyre. Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke që vizitojnë spitalet, nuk duhet të kërkojnë mundësi për të administruar ndaj të sëmurëve.

Nëse një person kërkon më shumë se një bekim për të njëjtën sëmundje, mbajtësi i priftërisë nuk ka nevojë ta vajosë me vaj pas bekimit të parë. Në vend të kësaj, ai i jep një bekim me anë të vendosjes së duarve dhe me anë të autoritetit të priftërisë.

Administrimi ndaj të sëmurëve ka dy pjesë: 1) vajosjen me vaj të përkushtuar dhe 2) vulosjen e vajosjes.

Vajosja me Vaj të Përkushtuar

Vajosja me vaj bëhet nga një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke. Ai:

  1. Vendos një pikë vaji të përkushtuar mbi kokën e personit.

  2. I vendos duart e tij lehtë mbi kokën e personit dhe e thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.

  3. Thotë se ai po vepron me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.

  4. Thotë se po vajos me vaj i cili është përkushtuar për vajosjen dhe bekimin ndaj të sëmurëve dhe të munduarve.

  5. E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.

Vulosja e Vajosjes

Zakonisht, dy ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke i vendosin duart e tyre lehtë mbi kokën e personit për ta vulosur vajosjen; megjithatë, një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke mund ta kryejë i vetëm bekimin, nëse është e nevojshme. Kur vulos vajosjen, mbajtësi i Priftërisë Melkizedeke:

  1. E thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.

  2. Thotë se ai po e vulos vajosjen me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.

  3. Jep fjalët e bekimit siç e drejton Shpirti.

  4. E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.

7.11.6

Dhënia e Bekimeve për Ngushëllim dhe Këshillim

Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund t’u japin bekime ngushëllimi dhe këshillimi atyre që i kërkojnë. Për bekime të tilla, një ose më shumë mbajtës të priftërisë i vendosin duart e tyre lehtë mbi kokën e personit. Pastaj mbajtësi i priftërisë i cili jep bekimin:

  1. E thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.

  2. Thotë se bekimi po kryhet me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.

  3. Jep fjalët e bekimit siç e drejton Shpirti.

  4. E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.

Misionarët të cilët u japin bekime anëtarëve, duhet t’ia raportojnë bekimin drejtpërdrejt peshkopit të anëtarit ose nëpërmjet presidentit të kuorumit të pleqve apo udhëheqësit të misionit të lagjes, i cili më pas i tregon peshkopit.

Shtyp në Letër