Botime të Mëparshme
Burimet


Burimet

Shit, Shit, Shit

Lexojeni me radhë sa vijon.

TREGIMTARI: Të kujtohet Kuame, personi me banane në shkop? Ai gjeti një biznes që dukej shumë i suksesshëm. Dhe njihej si shitës i shkëlqyer. Pra ishte një përputhje e përkryer, apo jo?

Ai i krijoi ëmbëlsirat me banane dhe vendosi të fillonte shpejt. Shkoi te një qoshe pranë shtëpisë së tij dhe u përpoq me sa mundi. Por askush nuk ndaloi. Sa më shumë përpiqej, aq më keq shkonte. Ai madje filloi t’u bërtiste njerëzve:

“Ej, kjo është një ëmbëlsirë e shkëlqyer! Është aq e shijshme! Pikërisht ajo që doni ju! Mirë, do t’ju jap dy me çmimin e njërës! Ej. …”

Por njerëzit as nuk ia hidhnin sytë fare. Ai ishte aq i shkurajuar saqë shkoi në shtëpi përpara drekës. Çfarë shkoi keq?

Kuame u ul dhe mendoi. A ishte ai një dështak? A ishte një produkt i keq? Si ishte puna me personin që ia dha idenë – a ishte gënjeshtar? Atëherë ai u kujtua se ai person pati folur rreth kërkimit të tij për tregun me klientët – çfarë pëlqenin, orën gjatë ditës, vendndodhjet, mënyrën se si blinin me miqtë – çfarë kishte rëndësi për ta! Kuame kishte dashur aq shumë të shiste saqë kishte harruar çka kishte më shumë rëndësi – të zgjidhte një problem për klientët!

Kështu ai e filloi gjithçka nga e para dhe ja çfarë bëri:

– Ai priti deri pasdite dhe në mbrëmje kur njerëzit donin një ëmbëlsirë.

– Ai zgjodhi një vendndodhje ku shumë njerëz kalonin kohë së bashku.

– Ai vendosi të vinte muzikë të gëzuar për të tërhequr vëmendje dhe madje këndonte bashkë me të – diçka që ishte vërtet unike! Të paktën njerëzit filluan të buzëqeshnin.

– Dhe ai u shpërndau disa kampione pa pagesë disa grave që ishin rrethuar nga mikesha – dhe pastaj i pyeti me zë të lartë si u dukeshin. Kjo dha rezultat!

Ndërsa shitjet u rritën, ai vendosi madje të provonte një çmim më të lartë – dhe askush nuk u ankua! Pastaj ai provoi ulje çmimi për shitje me shumicë, por kjo thjesht i pakësoi fitimin dhe nuk i rriti shitjet, kështu që e ndërpreu. Dhe ai e mësoi gjithashtu nga përvoja jo të mira se për sa kohë mund të rezistonin ëmbëlsirat e tij të ngrira në ftohësin e tij – klientët nuk i pëlqenin bananet e qullura!

Kur shkoi në shtëpi atë natë, ai pati gjithë llojet e ideve rreth reklamave për “Burrin e Bananeve që Këndon” Ai mund të bëjë festa! Ai mund të bëjë festivale! Ai mund … epo, ai e teproi pak. Por a e shihni se si mësoi të shtojë vlera për klientët e tij?

Kthehuni te faqja 148

Marketing?

Zgjidhini dhe interpretojini rolet në vijim.

NAOMI: Ej, Maria. Thjesht donim të ndalonim dhe të thoshim se vërtet na pëlqen që mund të blejmë vezë te ty. Është kaq e volitshme!

MARIA: Faleminderit, Naomi! Është e rëndësishme për mua që t’i bëj klientët të lumtur.

NAOMI: Si po shkon biznesi?

MARIA: Mirë më duket. Unë kam folur me klientët e mi – dhe me disa pronarë të tjerë biznesi. Dhe kam mësuar mjaft. Në fakt, unë mësova se mund të shes qumësht me vezët e mia.

NAOMI: Si po ecën kjo?

MARIA: Mirë, jo keq. Vetëm se nuk mund të tërheq mjaft njerëz që të vijnë këtu. A dëshiron të fillosh të shesësh për mua?

NAOMI: Unë jo! Biznesi ynë po rritet dhe jemi vërtetë të zënë. Unë kisha një mik që na ndihmoi me disa ide marketingu dhe shitjet thuajse u dyfishuan!

MARIA: Marketing?

NAOMI: Po. Ne filluam të mendojmë më shumë rreth klientëve dhe si të gjenim më shumë njerëz si ata. Atëherë provuam disa ide dhe gjetëm tre që vërtet japin rezultat. Ne thjesht vazhdojmë të përpiqemi dhe të provojmë.

MARIA: Unë provova një mënyrë.

NAOMI: Cila është ajo?

MARIA: Një person hyri dhe më bindi që të blej kartëvizita.

NAOMI: A ia vlejti?

MARIA: Jo për mua, por është e sigurt se dha rezultat për personin që i shiti kartëvizitat!

NAOMI: Dëgjo, unë mund të të ndihmoj me disa ide marketingu nëse dëshiron … dhe nuk do të të shes asgjë.

MARIA: Mirë, kjo duket mirë!

Kthehuni te faqja 152

Ju Lutemi, Blini Diçka!

Zgjidhini dhe interpretojini rolet në vijim.

TREGIMTARI: Një klient shkon te tezga e Maries.

MARIA: [Me mendjen e vet] Më në fund, ja një klient. Ju lutem, blini diçka! Ju lutem.

SAMUELI: [Me mendjen e vet] Kjo grua me siguri po m’i ngul sytë. A nuk mundem thjesht të blej pa qenë i vështruar kaq ngultas?

MARIA: [Me mendjen e vet] Ju lutem, blijini këto vezë! Unë kam nevojë për para.

SAMUELI: [Me mendjen e vet] Kjo po bëhet tepër e sikletshme. Po largohem.

MARIA: [Me mendjen e vet] Çfarë? Jo! Unë mund të kisha siguruar goxha para me këtë.

[Me zë të lartë, ajo thërret me zë] A mund t’ju ndihmoj?

SAMUELI: Jo, faleminderit.

TREGIMTARI: Një kliente tjetër shkon te Maria.

LUÇIA: [Me mendjen e vet] Ky vend mund të ketë atë që më nevojitet. Duhet të shoh.

MARIA: [Me mendjen e vet] Mirë, një kliente tjetër. Duket se ajo ka para. Ju lutem, blini diçka!

[Me zë të lartë] A mund t’ju ndihmoj?

LUÇIA: Thjesht po shoh.

MARIA: A doni disa vezë? Këto vezë vijnë nga pulat më të mira … dhe kam gjithashtu qumësht të freskët.

[Me mendjen e vet] Ajo mund ta përballojë këtë. Ndoshta do t’i blejë të gjitha.

LUÇIA: Jo. Kjo … ah … nuk është pikërisht ajo që po kërkoj.

MARIA: Unë kam më shumë qumësht.

LUÇIA: Jo, faleminderit.

MARIA: Ti duhet ta blesh vërtet. Është i freskët dhe i pastër dhe është më i miri në …

LUÇIA: Nuk ka gjë. Faleminderit, po largohem.

Kthehuni te faqja 154

Pyetni, Dëgjoni, Sugjeroni

Zgjidhini dhe interpretojini rolet në vijim:

MARIA: Tungjatjeta, unë jam Maria. Si quheni?

SILVIA: Unë jam Silvia.

MARIA: A jeni këtu për ofertën? Ne ofrojmë një vezë falas kur blini pesë!

SILVIA: Po, faleminderit.

MARIA: Si mësuat për këtë ofertë?

SILVIA: Mikesha ime më foli për këtë. Ajo tha se ju po jepnit vezë dhe qumësht falas dje. Dhe ajo tha se ishin të freskëta!

MARIA: Shumë bukur. Gëzohem që i kanë pëlqyer. Prodhimet tona janë gjithmonë të freskëta dhe të shijshme. Mirë, sa vezë ju nevojiten?

SILVIA: Unë dua … ëëë … ndoshta pesë.

MARIA: Mirë, ja t’i bëj gati për ju. … Por vura re se ngurruat. Po mendoheshit sa të merrnit?

SILVIA: Epo, po. Familja e vëllait tim do të vijë të jetojë me ne nesër. Nuk e di si do t’i ushqej të gjithë. Por ai nuk ka ndonjë variant tjetër.

MARIA: E shoh. Mirë, ju do të bekoheni që e ndihmoni. Çfarë do të gatuani?

SILVIA: Nuk jam e sigurt. Po mendoja të përdor kursimet tona që të blej pak mish që ta gatuaj me vezët. Unë duhet ta bëj vërtet me kursim këtë.

MARIA: E kuptoj. Edhe ne nuk kemi mjaft për shumë mish, prandaj unë thjesht përdor vezët tona. Unë përziej disa perime me to dhe shtoj ca qumësht. Unë kam ca qumësht këtu dhe miku im matanë rrugës ka perime të freskëta. Ju mund të ushqeni më shumë veta me më pak në këtë mënyrë. A do të donit disa vezë të tjera dhe pak qumësht? Kushton pak më shumë … por përsëri është më pak sesa mishi!

SILVIA: Mirë, kjo është ide e mirë. Ju faleminderit! Njëmbëdhjetë gojë për të ushqyer! Po, do të doja të merrja disa vezë të tjera dhe qumështin.

MARIA: Për njëmbëdhjetë veta, do të sugjeroja tetë … dhe ju merrni përsëri një falas!

SILVIA: Oh, ndoshta do të vij përsëri nesër.

MARIA: Në rregull. Unë do të jem këtu për ju. Por, nuk do ta merrni atë vezën falas. A mund t’i vendos në një qese për ju tani?

SILVIA: Në rregull, mirë e ke. Ia vlen. Ju faleminderit.

Kthehuni te faqja 154

Shënime