Shkrimet e Shenjta
2 Nefi 13


Kapitulli 13

Juda dhe Jeruzalemi do të ndëshkohen për mosbindjen e tyre—Zoti paraqet dhe gjykon popullin e tij—Të bijat e Sionit mallkohen dhe mundohen për jetën e tyre mondane—Krahaso Isaia 3. Rreth 559–545 para K.

1 Pasi vini re, Zoti, Zot i Ushtrive, i heq Jeruzalemit dhe Judës mbështetjen dhe përkrahjen, çdo mundësi buke dhe çdo burim uji—

2 Të fuqishmin dhe luftëtarin, gjykatësin dhe profetin dhe të maturin dhe të moshuarin;

3 Kapitenin e pesëdhjetëve dhe njeriun e nderuar, dhe këshilltarin, dhe mashtruesin dhe oratorin e shkathët.

4 Dhe unë do t’u jap fëmijë atyre, që të jenë princat e tyre dhe foshnjat të sundojnë mbi ta.

5 Dhe njerëzit do të jenë të shtypur, çdo njeri nga një tjetër dhe çdo njeri nga fqinji i tij; fëmija do të sillet me krenari ndaj të moshuarit dhe i pandershmi ndaj të ndershmit.

6 Kur një njeri do të kapë të vëllanë në shtëpinë e atit të tij dhe do t’i thotë: Ti ke veshje, ji sundimtari ynë, dhe mos e lër këtë shkatërrim të ndodhë nën dorën tënde—

7 Atë ditë, ai do të betohet, duke thënë: Unë nuk do të jem një shërues; pasi në shtëpinë time nuk ka as bukë as veshje; mos më bëni një sundimtar të popullit.

8 Pasi Jeruzalemi është rrënuar dhe Juda ka rënë, për shkak se gjuhët e tyre dhe punët e tyre kanë qenë kundër Zotit, për të provokuar sytë e lavdisë së tij.

9 Dukja e tyre dëshmon kundër tyre dhe shpall se mëkati i tyre është njësoj si i Sodomës, dhe ata nuk mund ta fshehin atë. Mjerë shpirtrat e tyre, sepse ata e kanë merituar të keqen vetë.

10 U thoni të drejtëve se do t’u bëhet mirë; pasi ata do të hanë frytin e veprave të tyre.

11 Mjerë të liqtë, pasi ata do të mbarojnë; sepse shpërblimi i duarve të tyre do të bjerë mbi ta!

12 Dhe për njerëzit e mi, fëmijët janë sundimtarët e tyre dhe gratë sundojnë mbi ta. O, populli im, ata që të udhëheqin bëjnë që të gabosh dhe shkatërrojnë udhën e shtigjeve të tua.

13 Zoti ngrihet për të paditur dhe qëndron për të gjykuar njerëzit.

14 Zoti do të hyjë në gjykim me të moshuarit e popullit të tij dhe me princat e tij; pasi ju keni përpirë vreshtën dhe plaçkat e të varfërit në shtëpitë tuaja.

15 Ç’doni të thoni? Ju rrihni mizorisht popullin tim dhe shtypni fytyrat e të varfërve, thotë Zoti Perëndia i Ushtrive.

16 Për më tepër, Zoti thotë: Sepse të bijat e Sionit janë kryelarta dhe ecin qafëpërpjetë, përpara dhe me sy lozonjarë, duke ecur dhe folur me naze ndërsa duke shkaktuar një tringëllimë me këmbët e tyre—

17 Prandaj, Zoti do të godasë me një zgjebe kurorën e kokës së vajzave të Sionit dhe Zoti do të zbulojë pjesët e fshehta të tyre.

18 Atë ditë, Zoti do të heqë shkëlqimin e stolisjeve të tyre tingëlluese dhe të zbukurimeve dhe rrathëve të rrumbullaktë si hëna;

19 Zinxhirët dhe byzylykët dhe shallet;

20 Beretat dhe stolisjet e këmbëve dhe rripat e kokës dhe kutitë e parfumit dhe vathët;

21 Unazat dhe xhevahiret në hundë;

22 Veshjet e shumëllojshme dhe mantelet, dhe shamitë e kokës, dhe karficat e ndryshme;

23 Pasqyrat dhe të linjtat shumë të mira dhe kapuçat dhe robdëshambret.

24 Dhe do të ndodhë që në vend të erës së mirë, do të ketë qelbësirë; dhe në vend të një brezi, një reckë; dhe në vend të flokëve të krehur bukur, shogëti; dhe në vend të shamisë së brezit, një rrip prej thesi; djegie në vend të bukurisë.

25 Burrat e tu do të bien nga shpata dhe të fuqishmit e tu në luftë.

26 Dhe portat e tij do të ankohen dhe do të mbajnë zi; dhe ai do të jetë i shkretuar dhe do të qëndrojë përdhe.

      • HEB lidhës (i një plage); dmth., unë nuk mund t’i zgjidh problemet e tua.

      • DMTH duke ecur me hapa të shkurtër, të shpejtë, në një mënyrë të shtirë.

      • HEB nxjerrë haptazi; idiomë që do të thotë “i bëj me turp”.

      • Ndoshta rrjeta për flokët. Autoritetet jo gjithmonë bien dakort lidhur me natyrën e zbukurimeve femërore të renditura në vargjet 18–23.

      • DMTH zbukurime në formën e një gjysmëhëne.

      • HEB vellot.

      • HEB rroba të shkëlqyeshme.

      • OSE rroba të tejdukshme.

      • HEB rrogozë.

      • OSE një robë.

      • OSE damkosje (një shenjë skllavërie).