Shkrimet e Shenjta
3 Nefi 2


Kapitulli 2

Ligësia dhe neveritë shtohen mes popullit—Nefitët dhe Lamanitët bashkohen për t’u mbrojtur nga hajdutët e Gadiantonit—Lamanitët që kthehen në besim bëhen të bardhë dhe quhen Nefitë. Rreth 5–16 pas K.

1 Dhe ndodhi që kështu kaloi edhe viti i nëntëdhjetepestë dhe njerëzit filluan të harronin ato shenja dhe çudira që kishin dëgjuar dhe filluan të jenë gjithnjë e më pak të çuditur nga ndonjë shenjë ose çudi nga qielli, kaq sa filluan të ngurtësohen në zemrat e tyre dhe të verbohen në mendjet e tyre; dhe filluan të mos besonin të gjitha ato që kishin dëgjuar dhe parë—

2 Duke imagjinuar gjëra të kota në zemrat e tyre, që ishin bërë nga njerëzit dhe nga fuqia e djallit, për të larguar dhe për të mashtruar zemrat e njerëzve; dhe kështu Satani zotëroi zemrat e njerëzve përsëri, kaq sa u verboi sytë dhe i bëri të besojnë se doktrina e Krishtit ishte një gjë e marrë dhe e kotë.

3 Dhe ndodhi që njerëzit filluan të forcoheshin në ligësi dhe neverira; dhe ata nuk besuan se do të ketë më shenja dhe çudira; dhe Satani vazhdoi punën e tij, duke i larguar zemrat njerëzve, duke i tunduar dhe duke i shtyrë të bënin të liga të mëdha në tokë.

4 Dhe kështu kaloi viti i nëntëdhjetegjashtë; dhe gjithashtu viti i nëntëdhjeteshtatë dhe gjithashtu viti i nëntëdhjetetetë si dhe viti i nëntëdhjetenëntë.

5 Dhe gjithashtu kishin kaluar njëqind vjet nga ditët e Mosias që kishte qenë mbret i popullit të Nefitëve.

6 Dhe gjashtëqind e nëntë vjet kishin kaluar që kur Lehi qe larguar nga Jeruzalemi.

7 Dhe nëntë vjet kishin kaluar nga koha kur u dha shenja që u tha nga profetët, se Krishti do të vinte në botë.

8 Tani Nefitët filluan të numëronin kohën nga koha që u dha shenja, ose që nga ardhja e Krishtit; prandaj, nëntë vjet kishin kaluar.

9 Dhe Nefi, i cili ishte i ati i Nefit, që ishte ngarkuar me mbajtjen e analeve, nuk u kthye në tokën e Zarahemlës dhe nuk u gjet dot në gjithë vendin.

10 Dhe ndodhi që populli vazhdoi të qëndronte akoma në ligësi, me gjithë predikimin dhe profetizimin e shumtë që u dërgua mes tyre; dhe kështu kaloi edhe viti i dhjetë; dhe viti i njëmbëdhjetë gjithashtu kaloi në paudhësi.

11 Dhe ndodhi që në vitin e trembëdhjetë filloi të kishte luftëra dhe grindje në gjithë vendin, pasi hajdutët e Gadiantonit ishin bërë kaq të shumtë; dhe ata vranë kaq shumë njerëz dhe shkretuan kaq shumë qytete dhe përhapën kaq shumë vdekje dhe kërdi në të tërë vendin, saqë u pa e nevojshme që të gjithë njerëzit, si Nefitë ashtu dhe Lamanitë, të merrnin armët kundër tyre.

12 Prandaj, të gjithë Lamanitët që ishin kthyer në besim te Zoti u bashkuan me vëllezërit e tyre, Nefitët dhe qenë të detyruar për sigurinë e jetës së tyre dhe të grave të tyre, dhe të fëmijëve të tyre, të merrnin armët kundër atyre hajdutëve të Gadiantonit, po, dhe gjithashtu që të mbanin të drejtat e tyre dhe privilegjet e kishës së tyre, dhe të adhurimit të tyre, dhe të lirisë së tyre, dhe çlirimit të tyre.

13 Dhe ndodhi që para se të mbaronte ky vit i trembëdhjetë, Nefitët u kërcënuan me shkatërrim të përgjithshëm për shkak të kësaj lufte që ishte bërë jashtëzakonisht e rreptë.

14 Dhe ndodhi që ata Lamanitë që u bashkuan me Nefitët u numëruan mes Nefitëve;

15 Dhe mallkimi që ishte mbi ta u hoq dhe lëkura e tyre u bë e bardhë, sikurse e Nefitëve;

16 Dhe djemtë e tyre të rinj dhe bijat e tyre u bënë jashtëzakonisht të këndshëm. Dhe ata u numëruan mes Nefitëve dhe u quajtën Nefitë. Dhe kështu mbaroi viti i trembëdhjetë.

17 Dhe ndodhi që në fillim të vitit të katërmbëdhjetë vazhdoi lufta mes hajdutëve dhe popullit të Nefit dhe u bë jashtëzakonisht e rreptë; megjithatë, populli i Nefit fitoi njëfarë epërsie mbi hajdutët, kaq sa i dëbuan nga tokat e tyre në male dhe në vendet e tyre të fshehta.

18 Dhe kështu mbaroi viti i katërmbëdhjetë. Dhe në vitin e pesëmbëdhjetë ata erdhën kundër popullit të Nefit; dhe për shkak të ligësisë së popullit të Nefit dhe të grindjeve dhe të përçarjeve të tyre të shumta, hajdutët e Gadiantonit patën shumë përfitime mbi ta.

19 Dhe kështu mbaroi viti i pesëmbëdhjetë dhe kështu njerëzit ishin në një gjendje shumë të mjerueshme; dhe shpata e shkatërrimit varej mbi ta, kaq sa ishin gati të goditeshin prej saj dhe kjo, për shkak të paudhësisë së tyre.