Shkrimet e Shenjta
3 Nefi 3


Kapitulli 3

Gidianhi, kryetari i hajdutëve të Gadiantonit, kërkon që Lakoneusi dhe Nefitët të dorëzohen vetë dhe të dorëzojnë tokat e tyre—Lakoneusi cakton Gidgidonin kryekapiten të ushtrive—Nefitët mblidhen në Zarahemla dhe në Begati për t’u mbrojtur. Rreth 16–18 pas K.

1 Dhe tani ndodhi që në vitin e gjashtëmbëdhjetë nga ardhja e Krishtit, Lakoneusi, guvernatori i vendit, mori një letër nga udhëheqësi dhe guvernatori i kësaj bande hajdutësh; dhe këto ishin fjalët që ishin shkruar, duke thënë:

2 Lakoneus, më fisniku dhe kryeqeveritar i vendit, vër re, unë po të shkruaj këtë letër dhe po të jap lavdërime jashtëzakonisht të mëdha për shkak të vendosmërisë tënde dhe gjithashtu të vendosmërisë së popullit tënd, në mbajtjen e asaj që ju mendoni se është e drejta dhe liria juaj; po, ju qëndroni trimërisht, sikurse të përkraheni nga dora e një perëndie, në mbrojtjen e lirisë suaj dhe të pronës suaj dhe atdheut tuaj ose të atij që ju e quani kështu.

3 Dhe është për të ardhur keq, më fisniku Lakoneus, që të jesh kaq i marrë dhe i kotë, saqë të mendosh se mund t’u bësh ballë kaq shumë burrave të guximshëm që janë nën urdhrin tim, të cilët në këtë çast janë me armë në dorë dhe po presin me padurim fjalën—Shkoni e bini mbi Nefitët dhe i shkatërroni ata.

4 Dhe unë, duke njohur shpirtin e papushtueshëm të tyre, pasi i kam provuar ata në fushën e luftës dhe pasi di për urrejtjen e tyre të pashuar kundër jush, për shkak të padrejtësive të shumta që ju u keni bërë atyre, prandaj, në qoftë se do të hidhen në luftë kundër jush, ata do t’ju vizitonin ju me shkatërrim të plotë.

5 Prandaj, unë kam shkruar këtë letër, duke e vulosur me vetë dorën time, i shqetësuar për mirëqenien tuaj, për shkak të vendosmërisë suaj në atë që besoni se është e drejtë dhe të shpirtit tuaj fisnik në fushën e betejës.

6 Prandaj unë të shkruaj, duke dëshiruar që ti t’i dorëzosh këtij popullit tim qytetet tuaja, tokat tuaja dhe pronat tuaja, në vend që ata t’ju vizitojnë me shpatë dhe që shkatërrimi të bjerë mbi ju.

7 Ose me fjalë të tjera, dorëzohuni te ne dhe bashkohuni me ne dhe njihuni me punët tona të fshehta, dhe bëhuni vëllezërit tanë, që të jeni sikurse ne—jo skllevërit tanë, por vëllezërit dhe ortakët tanë në çdo gjë që kemi.

8 Dhe vër re, unë ju betohem me be se në qoftë se ju do ta bëni këtë, nuk do të shkatërroheni; por, në qoftë se nuk do ta bëni këtë, unë ju betohem me be se muajin e ardhshëm do t’i urdhëroj ushtritë e mia, që të zbresin kundër jush dhe ata nuk do ta përmbajnë dorën e tyre, dhe nuk do të kursehen, por do t’ju vrasin dhe do të lënë që shpatat të bien mbi ju, madje derisa të shuheni.

9 Dhe vër re, unë jam Gidianhi; dhe unë jam guvernatori i kësaj shoqërie të fshehtë të Gadiantonit; shoqëri, punët e së cilës unë e di se janë të mira; dhe ato janë prej një kohe të lashtë dhe ato na janë pasuar neve.

10 Dhe unë po ta shkruaj këtë letër ty, Lakoneus, me shpresë se do të dorëzosh tokat e tua dhe zotërimet e tua, pa gjakderdhje, që ky populli im të mund të rifitojë të drejtat e tij dhe qeverinë, pasi ai u shkëput prej jush për shkak të paudhësisë suaj, duke iu mohuar të drejtat e tyre të qeverisjes; dhe, në qoftë se ti nuk e bën këtë gjë, unë do të marr hak për padrejtësitë e tyre. Unë jam Gidianhi.

11 Dhe tani ndodhi që kur Lakoneusi e mori këtë letër, ai u çudit jashtëzakonisht shumë për shkak të guximit të Gidianhit që kërkonte zotërimin e tokës së Nefitëve, si edhe për kërcënimin kundër popullit dhe se do të hakmerrej për paudhësitë ndaj atyre të cilëve nuk u ishte bërë ndonjë paudhësi, veçse i kishin bërë paudhësi vetes, duke u shkëputur dhe duke u bashkuar me ata hajdutë të ligj dhe të urryer.

12 Tani vini re, ky Lakoneus, guvernatori, ishte njeri i drejtë dhe nuk mund të frikësohej nga kërkesat dhe kërcënimet e një hajduti; prandaj, nuk ia vuri veshin letrës së Gidianhit, guvernatorit të hajdutëve, por bëri që populli i tij duhej t’i lutej Zotit, që t’u jepte fuqi, në kohën kur hajdutët të vinin kundër tyre.

13 Po, ai dërgoi një shpallje mes gjithë njerëzve që të mblidhnin gratë e tyre dhe fëmijët e tyre, kopetë e tyre dhe grigjat e tyre, dhe të gjitha sa kishin tok në një vend, me përjashtim të tokës.

14 Dhe bëri që rreth e përqark tyre të ngriheshin fortifikata, kështu që fuqia e tyre të ishte jashtëzakonisht e madhe. Dhe ai bëri që ushtritë, si të Nefitëve, ashtu dhe të Lamanitëve, ose të të gjithë atyre që numëroheshin mes Nefitëve, duhej të vendoseshin si roja rreth e përqark, që t’i mbikqyrnin dhe t’i ruanin ata ditë e natë nga hajdutët.

15 Po, ai u tha atyre: Ashtu si Zoti jeton, në qoftë se nuk pendoheni për të gjitha paudhësitë tuaja dhe t’i luteni Zotit, ju nuk do të shpëtoni në asnjë mënyrë nga duart e atyre hajdutëve të Gadiantonit.

16 Dhe kaq të mëdha dhe të mrekullueshme qenë fjalët dhe profecitë e Lakoneusit, sa bënë që frika erdhi mbi të gjithë njerëzit; dhe ata vunë në veprim të gjitha mundësitë, që të bënin sipas fjalëve të Lakoneusit.

17 Dhe ndodhi që Lakoneusi caktoi kryekapitenë mbi të gjithë ushtritë e Nefitëve, që t’i komandonin në kohën kur hajdutët të dilnin nga vendi i shkretë kundër tyre.

18 Tani u caktua gjithashtu kryetari i të gjithë kryekapitenëve që ishte kryekomandanti i të gjitha ushtrive të Nefitëve dhe emri i tij ishte Gidgidoni.

19 Tani, ishte zakon mes gjithë Nefitëve, që të caktohej si kryekapiten (veçse në kohët e tyre të ligësisë), një njeri që të kishte shpirtin e zbulesës dhe gjithashtu të profecisë; prandaj, ky Gidgidoni qe një profet i madh mes tyre, siç qe edhe kryegjykatësi.

20 Tani, populli i tha Gidgidonit: Lutju Zotit dhe të shkojmë në male dhe në vendin e shkretë, kështu që t’u biem hajdutëve dhe t’i shkatërrojmë në tokat e tyre.

21 Por, Gidgidoni u tha atyre: Zoti e ndalon; pasi po të shkonim kundër tyre, Zoti do të na dorëzonte në duart e tyre; prandaj, ne do të përgatitemi në mes të tokave tona dhe do të mbledhim tok të gjitha ushtritë tona dhe nuk do të shkojmë kundër tyre, por do të presim derisa ata të vijnë kundër nesh; prandaj, ashtu si Zoti jeton, në qoftë se e bëjmë këtë gjë, ai do të na i dorëzojë ata në duart tona.

22 Dhe ndodhi që në vitin e shtatëmbëdhjetë, aty nga fundi i vitit, shpallja e Lakoneusit kishte vajtur në të gjithë faqen e dheut dhe ata morën kuajt e tyre dhe karrocat e tyre të luftës, dhe grigjat e tyre, dhe të gjitha kopetë e tyre, dhe tufat e tyre, dhe drithin e tyre, dhe të gjithë sa kishin, dhe marshuan me mijëra e me dhjetëra mijëra, derisa të gjithë shkuan në vendin që qe caktuar për t’u mbledhur së bashku, për t’u mbrojtur nga armiqtë e tyre.

23 Dhe vendi që ishte caktuar ishte toka e Zarahemlës, si dhe toka që ishte mes tokës së Zarahemlës dhe tokës Begati, po, vija që ndodhej midis vendit Begati dhe vendit Shkretim.

24 Dhe aty, shumë mijëra njerëz që quheshin Nefitë, u mblodhën tok në këtë vend. Tani, Lakoneusi bëri që ata të mblidheshin tok së bashku, në tokën jugore, për shkak të mallkimit të madh që ishte mbi tokën në veri.

25 Dhe ata u fortifikuan kundër armiqve të tyre; dhe banuan në një zonë dhe në një grup; dhe kishin frikë nga fjalët që kishte thënë Lakoneusi, kaq sa u penduan për të gjitha mëkatet e tyre; dhe ia drejtuan lutjet e tyre Zotit, Perëndisë së tyre, që ai t’i shpëtonte, në kohën kur armiqtë e tyre do të zbritnin për të luftuar kundër tyre.

26 Dhe ata ishin jashtëzakonisht të brengosur për shkak të armiqve të tyre. Dhe Gidgidoni i vuri të bënin armë lufte të çdo lloji dhe ata duhej të ishin të fortë me armatim dhe me parzmore, dhe me mburoja, sipas mënyrës së udhëzimit të tij.