Një rrëfim i predikimit të Aaronit dhe Mulokit dhe vëllezërve të tyre, drejtuar Lamanitëve.
Përfshin kapitujt 21 deri në 26, duke përfshirë edhe të fundit.
Kapitulli 21
Aaroni u mëson Amalekitëve mbi Krishtin dhe shlyerjen e tij—Aaroni dhe vëllezërit e tij burgosen në Midoni—Pas çlirimit të tyre, ata japin mësim nëpër sinagoga dhe bëjnë që shumë veta të kthehen në besim—Lamoni u jep liri fetare njerëzve në vendin e Ishmaelit. Rreth 90–77 para K.
1 Tani, kur Amoni dhe vëllezërit e tij u ndanë nga njëri-tjetri në kufijtë e tokës së Lamanitëve, vini re, Aaroni vazhdoi udhëtimin e tij drejt tokës që quhej nga Lamanitët, Jeruzalem, duke e quajtur sipas vendit të lindjes së etërve të tyre; dhe ishte larg, pranë kufijve të Mormonit.
2 Tani Lamanitët dhe Amalekitët dhe populli i Amulonit, kishin ndërtuar një qytet të madh, i cili ishte quajtur Jeruzalem.
3 Tani, Lamanitët qenë nga vetja e tyre mjaft të ashpër; por Amalekitët dhe Amulonitët qenë edhe më të ashpër; prandaj, ata qenë shkak që Lamanitët të ngurtësonin zemrat e tyre edhe më shumë, që ata të forcoheshin në ligësi dhe në neveritë e tyre.
4 Dhe ndodhi që Aaroni erdhi në qytetin e Jeruzalemit dhe së pari filloi t’u predikonte Amalekitëve. Dhe ai filloi t’u predikonte në sinagogat e tyre, pasi ata kishin ndërtuar sinagoga sipas urdhrit të Nehoritëve; pasi shumë nga Amalekitët dhe nga Amulonitët ishin nga urdhri i Nehoritëve.
5 Prandaj, ndërsa Aaroni hyri në një prej sinagogave për t’u predikuar njerëzve dhe ndërsa po u fliste atyre, vini re, u ngrit një Amelekit dhe filloi të grindej me të, duke thënë: Çfarë është ajo që ke dëshmuar? A mos ke parë një engjëll? Pse nuk shfaqen engjëjt te ne? Vër re, a nuk është ky popull po aq i mirë sa populli yt?
6 Ti thua se në qoftë se nuk pendohemi, ne do të mbarojmë. Si e di ti mendimin dhe qëllimin e zemrave tona? Si e di ti se ne kemi shkak për t’u penduar? Si e di ti se ne nuk jemi një popull i drejtë? Vër re, ne kemi ndërtuar vende të shenjta dhe mblidhemi së bashku për të adhuruar Perëndinë. Ne besojmë se Perëndia do t’i shpëtojë të gjithë njerëzit.
7 Tani Aaroni i tha atij: A beson ti se Biri i Perëndisë do të vijë për të shëlbuar njerëzimin nga mëkatet e tij?
8 Dhe njeriu i tha atij: Ne nuk besojmë se ti e di një gjë të tillë. Ne nuk besojmë në këto tradita të marra. Ne nuk besojmë se ti di mbi gjërat që do të vijnë, as nuk besojmë se etërit e tu dhe gjithashtu etërit tanë, dinin në lidhje me gjërat që ata flisnin, për atë që do të vijë.
9 Tani Aaroni filloi t’u shpjegonte shkrimet e shenjta në lidhje me ardhjen e Krishtit dhe gjithashtu në lidhje me ringjalljen e të vdekurve dhe se nuk mund të ketë shëlbim për njerëzimin, veçse nëpërmjet vdekjes dhe vuajtjeve të Krishtit dhe të shlyerjes së gjakut të tij.
10 Dhe ndodhi që ndërsa ai filloi të shtjellonte këto gjëra, ata u zemëruan me të dhe filluan ta tallnin; dhe nuk donin të dëgjonin fjalët që ai foli.
11 Prandaj, kur pa se ata nuk donin të dëgjonin fjalët e tij, ai u largua nga sinagoga e tyre dhe shkoi në një fshat që quhej Ani-Anti dhe aty ai gjeti Mulokin duke u predikuar atyre fjalën; si edhe Amahun dhe vëllezërit e tij. Dhe ata po grindeshin me shumë veta mbi fjalën.
12 Dhe ndodhi që panë se njerëzit po ngurtësonin zemrat e tyre, prandaj ata u nisën dhe arritën në tokën e Midonit. Dhe u predikuan fjalën shumë vetave dhe pak u besuan fjalëve që ata u mësonin.
13 Megjithatë, Aaroni dhe një farë numri prej vëllezërve të tij, u morën dhe u hodhën në burg dhe të tjerët ikën, dhe u larguan nga toka e Midonit për në krahinat rreth e përqark.
14 Dhe ata që u futën në burg vuajtën shumë dhe u çliruan me anë të dorës së Lamonit dhe Amonit dhe u ushqyen, dhe u veshën.
15 Dhe ata shkuan prapë të njoftonin fjalën dhe kështu u çliruan nga burgu për të parën herë; dhe kështu ata kishin vuajtur.
16 Dhe shkuan kudo që u udhëhoqën nga Shpirti i Zotit, duke predikuar fjalën e Perëndisë në çdo sinagogë të Amalekitëve, ose në çdo mbledhje të Lamanitëve ku ata mund të pranoheshin.
17 Dhe ndodhi që Zoti filloi t’i bekonte, aq sa ata sollën shumë veta në njohurinë e së vërtetës; po, ata bindën shumë mbi mëkatet e tyre dhe mbi traditat e etërve të tyre, që nuk ishin të drejta.
18 Dhe ndodhi që Amoni dhe Lamoni u kthyen nga toka e Midonit në tokën e Ishmaelit, që ishte toka e trashëgimit të tyre.
19 Dhe mbreti Lamoni nuk mund të lejonte që Amoni t’i shërbente atij ose të ishte shërbëtori i tij.
20 Por ai bëri që në tokën e Ishmaelit të ndërtoheshin sinagoga dhe bëri që populli i tij, ose njerëzit që kishte nën sundim, duhej të mblidheshin tok së bashku.
21 Dhe ai u gëzua për ta dhe u mësoi atyre shumë gjëra. Dhe ai u shpalli edhe se ata ishin një popull që ishin nën të dhe se ishin një popull i lirë dhe se ata ishin një popull i lirë nga shtypjet e mbretit, atit të tij; pasi i ati i kishte dhënë atij të drejtë të sundonte mbi popullin që ndodhej në tokën e Ishmaelit dhe në të gjithë tokën rreth e përqark.
22 Dhe ai u shpalli atyre edhe se mund të kishin lirinë e adhurimit të Zotit, Perëndisë së tyre, sipas dëshirave të tyre, brenda çfarëdo vendi që të ishin, nëse ishin në tokën që ishte nën mbretërimin e mbretit Lamoni.
23 Dhe Amoni i predikoi popullit të mbretit Lamoni; dhe ndodhi që ai u mësoi të gjitha gjërat në lidhje me gjërat që kishin të bënin me drejtësinë. Dhe ai i nxiti ata çdo ditë, me gjithë zell; dhe ata i vunë veshin fjalës së tij dhe qenë të zellshëm për zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë.