Shkrimet e Shenjta
Alma 23


Kapitulli 23

Shpallet liria fetare—Lamanitët në shtatë toka dhe qytete kthehen në besim—Ata e quajnë veten Anti-Nefi-Lehitë dhe çlirohen nga mallkimi—Amalekitët dhe Amulonitët hedhin poshtë të vërtetën. Rreth 90–77 para K.

1 Vini re, tani ndodhi që mbreti i Lamanitëve dërgoi një shpallje mes të gjithë njerëzve të tij që ata nuk duhej të vinin dorë mbi Amonin, ose Aaronin, ose Omnerin, ose Himnin, as mbi ndonjë prej vëllezërve të tyre që do të shkonin dhe predikonin fjalën e Perëndisë, në çfarëdo vendi që ata do të ishin, në cilëndo pjesë të vendit të tyre.

2 Po, ai dërgoi një dekret mes tyre që ata nuk duhej të vinin dorë mbi ta, t’i lidhnin ose t’i futnin në burg; as nuk duhej të pështynin mbi ta, as t’i qëllonin, as t’i dëbonin nga sinagogat e tyre, as t’i fshikullonin, as t’i zinin me gurë, por që ata të hynin lirisht në shtëpitë e tyre dhe gjithashtu në tempujt e tyre dhe në vendet e tyre të shenjta.

3 Dhe kështu ata mund të shkonin dhe të predikonin fjalën sipas dëshirave të tyre, pasi mbreti dhe e tërë shtëpia e tij ishin kthyer në besim te Zoti; prandaj, ai e dërgoi këtë shpallje në tërë vendin te populli i tij, kështu që fjala e Perëndisë të mos pengohej, por që të mund të shkonte nëpër tërë vendin, që populli i tij të mund të bindej në lidhje me traditat e liga të etërve të tyre dhe që të mund të bindeshin se të gjithë ata ishin vëllezër dhe se ata nuk duhej të vrisnin, as të plaçkitnin, as të vidhnin, as të shkelnin kurorën, as të mos bënin ndonjëlloj ligësie.

4 Dhe tani ndodhi që kur mbreti dërgoi këtë shpallje, Aaroni dhe vëllezërit e tij shkuan nga qyteti në qytet dhe nga një shtëpi adhurimi në tjetrën, duke vendosur kisha dhe duke shenjtëruar priftërinj dhe mësues në të gjithë vendin, mes Lamanitëve, për të predikuar dhe për të mësuar fjalën e Perëndisë mes tyre; dhe kështu ata filluan të kishin sukses të madh.

5 Dhe me mijëra u sollën në njohurinë e Zotit, po, mijëra u sollën që të besonin në traditat e Nefitëve dhe atyre iu mësuan analet dhe profecitë të cilat kaluan nga dora në dorë, madje, deri në kohën e sotme.

6 Dhe me aq siguri sa Zoti jeton, po me kaq siguri të gjithë ata që besonin, ose të gjithë ata që u sollën në njohurinë e së vërtetës, nëpërmjet predikimit të Amonit dhe vëllezërve të tij, sipas shpirtit të zbulesës dhe të profecisë dhe të fuqisë së Perëndisë, që bën mrekulli në ta—po, unë ju them se sikurse Zoti jeton, po kështu të gjithë Lamanitët që besuan në predikimin e tyre dhe që u kthyen në besim te Zoti, nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre.

7 Pasi ata u bënë një popull i drejtë; ata ulën armët e rebelimit të tyre dhe nuk luftuan më kundër Perëndisë, as kundër ndonjërit prej vëllezërve të tyre.

8 Tani, këta ishin ata që u kthyen në besim te Zoti:

9 Populli i Lamanitëve që ishte në tokën e Ishmaelit;

10 Dhe gjithashtu populli i Lamanitëve që ishte në tokën e Midonit;

11 Dhe gjithashtu populli i Lamanitëve që ishte në qytetin e Nefit;

12 Dhe gjithashtu populli i Lamanitëve që ishte në tokën e Shilomit, dhe ata që ishin në tokën e Shemlonit, dhe në qytetin e Lemuelit, dhe në qytetin e Shimnilomit.

13 Dhe këto janë emrat e qyteteve të Lamanitëve që u kthyen në besim te Zoti; dhe këta janë ata që ulën armët e rebelimit të tyre, po, të gjitha armët e tyre të luftës; dhe ata që të gjithë ishin Lamanitë.

14 Dhe Amalekitët nuk u kthyen në besim, vetëm me përjashtim të njërit; as ndonjë nga Amulonitët; por ata ngurtësuan zemrat e tyre dhe gjithashtu zemrat e Lamanitëve në atë pjesë të tokës, kudo që ata banonin, po, dhe në të gjitha fshatrat e tyre dhe të gjitha qytetet e tyre.

15 Prandaj, ne përmendëm të gjitha qytetet e Lamanitëve, në të cilat ata u penduan dhe erdhën në njohurinë e së vërtetës dhe u kthyen në besim.

16 Dhe tani ndodhi që mbreti dhe ata që u kthyen në besim, kishin dëshirë të kishin një emër, me anë të të cilit të mund të dalloheshin nga vëllezërit e tyre; prandaj mbreti u këshillua me Aaronin dhe me shumë nga priftërinjtë e tyre, në lidhje me emrin me të cilin ata do të quheshin, kështu që të mund të dalloheshin.

17 Dhe ndodhi që ata u quajtën me emrin Anti-Nefi-Lehi; dhe ata u quajtën me këtë emër dhe nuk u quajtën më Lamanitë.

18 Dhe ata filluan të ishin një popull shumë punëtor; po, dhe ata qenë miqësor me Nefitët; prandaj, filluan marrëdhënie të mira me ta dhe mallkimi i Perëndisë nuk i ndoqi më.