Kapitulli 47
Amalikia përdor pabesi, vrasje dhe intriga për t’u bërë mbret i Lamanitëve—Të shkëputurit nga Nefitët janë më të këqij dhe më të egër se Lamanitët. Rreth 72 para K.
1 Tani do të kthehemi tek anali ynë, tek Amalikia dhe tek ata që ia mbathën me të në vendin e shkretë; pasi, vini re, ai mori ata që shkuan me të dhe vajtën në tokën e Nefit, mes Lamanitëve dhe i nxiti Lamanitët në zemërim kundër popullit të Nefit, kaq shumë sa mbreti i Lamanitëve dërgoi një shpallje në të gjithë vendin e tij, mes gjithë njerëzve, që të mblidheshin tok përsëri për të vajtur për të luftuar kundër Nefitëve.
2 Dhe ndodhi që kur shpallja shkoi mes tyre ata ishin jashtëzakonisht të frikësuar; po, ata kishin frikë t’i prishnin qejfin mbretit dhe gjithashtu kishin frikë të shkonin dhe të luftonin kundër Nefitëve, pasi mund të humbnin jetën. Dhe ndodhi që ata nuk deshën, ose më mirë pjesa më e madhe e tyre, nuk deshën t’u bindeshin urdhërave të mbretit.
3 Dhe tani ndodhi që mbreti u zemërua për shkak të mosbindjes së tyre; prandaj i dha Amalikias komandën e asaj pjese të ushtrisë që ishte e bindur ndaj urdhërave të tij dhe i dha urdhër që ai të shkonte dhe t’i detyronte të merrnin armët.
4 Tani vini re, kjo ishte dëshira e Amalikias; sepse duke qenë njeri dinak për të bërë keq, prandaj ai bëri plan në zemrën e tij, të rrëzonte nga froni mbretin e Lamanitëve.
5 Dhe tani, ai mori komandën e atyre pjesëve të Lamanitëve që ishin në favor të mbretit; dhe u përpoq të bënte për vete edhe ata që nuk ishin të bindur; prandaj ai shkoi në vendin e quajtur Onida, meqë aty kishin ikur të gjithë Lamanitët; pasi zbuluan ushtrinë duke vajtur dhe duke menduar se po shkonte për t’i shkatërruar ata, kështu ikën në Onida që ishte shesh ushtrish.
6 Dhe ata kishin caktuar një njeri që të ishte mbret dhe udhëheqës mbi ta, pasi kishin caktuar në mendjen e tyre një vendim të prerë që nuk do të pranonin të shkonin kundër Nefitëve.
7 Dhe ndodhi që ata ishin mbledhur tok në majë të malit që quhej Antipas, në përgatitje për të luftuar.
8 Tani, nuk ishte qëllimi i Amalikias të luftonte kundër tyre sipas urdhërave të mbretit; por vini re, ishte qëllimi i tij që të fitonte përkrahjen e ushtrive të Lamanitëve, kështu që të vinte veten në krye të tyre dhe të rrëzonte mbretin nga froni dhe të shtinte në dorë mbretërinë.
9 Dhe vini re, ndodhi që ai bëri që ushtria e tij të ngrinte çadrat në luginën që ishte afër malit Antipas.
10 Dhe ndodhi që kur u bë natë, ai çoi fshehurazi një të dërguar në malin Antipas, duke dashur që udhëheqësi i atyre që ishin në atë mal, emri i të cilit ishte Lehonti, të zbriste rrëzë malit, pasi ai donte të fliste me të.
11 Dhe ndodhi që kur Lehonti mori lajmin, nuk guxoi të zbriste rrëzë malit. Dhe ndodhi që Amalikia dërgoi përsëri, për të dytën herë, lajm se dëshironte që ai të zbriste poshtë. Dhe ndodhi që Lehonti nuk erdhi; dhe ai i dërgoi përsëri fjalë për të tretën herë.
12 Dhe ndodhi që kur Amalikia pa se nuk mund ta bindte Lehontin të zbriste nga mali, ai shkoi vetë në mal, afër kampit të Lehontit; dhe i dërgoi përsëri fjalë për të katërtën herë Lehontit, se dëshironte që ai të zbriste dhe se mund të merrte rojat e tij me vete.
13 Dhe ndodhi që kur Lehonti zbriti me rojat e tij tek Amalikia, Amalikia deshi që ai të zbriste me forcat e tij natën dhe të rrethonte kampin e atyre ushtarëve mbi të cilët mbreti i kishte dhënë komandën dhe se ai do t’ia dorëzonte në dorë të Lehontit, në qoftë se ai do ta bënte atë (Amalikian) udhëheqës të dytë mbi të gjithë ushtrinë.
14 Dhe ndodhi që Lehonti zbriti me njerëzit e tij dhe rrethoi njerëzit e Amalikias, kështu që, para se të zgjoheshin në agim të ditës, ata ishin të rrethuar nga ushtritë e Lehontit.
15 Dhe ndodhi që kur panë se ishin të rrethuar, ata iu lutën Amalikias, që ai t’i lejonte të bashkoheshin me vëllezërit e tyre që të mos shkatërroheshin. Tani, kjo ishte pikërisht gjëja që dëshironte Amalikia.
16 Dhe ndodhi që ai, në kundërshtim me urdhërat e mbretit, i dorëzoi njerëzit e tij. Tani, kjo ishte gjëja që Amalikia dëshironte, që të mund të përmbushte planet e tij për të rrëzuar mbretin nga froni.
17 Tani, ishte zakon mes Lamanitëve se në qoftë se kryekomandanti i tyre vritej, të emërohej komandanti i dytë si kryekomandant.
18 Dhe ndodhi që Amalikia bëri që një nga shërbëtorët e tij t’i jepte pak nga pak helm Lehontit, kështu që ai vdiq.
19 Tani, kur vdiq Lehonti, Lamanitët caktuan Amalikian të ishte udhëheqësi i tyre dhe kryekomandanti i tyre.
20 Dhe ndodhi që Amalikia marshoi me ushtritë e tij (pasi plotësoi dëshirat e tij) për në tokën e Nefit, në qytetin Nefi që ishte qyteti kryesor.
21 Dhe mbreti doli për ta pritur me rojat e tij, pasi kujtoi se Amalikia kishte përmbushur urdhërat e tij, se Amalikia kishte mbledhur së bashku një ushtri kaq të madhe, për të shkuar dhe për të luftuar kundër Nefitëve.
22 Por vini re, pasi mbreti doli përjashta për t’u takuar me të, Amalikia bëri që shërbëtorët e tij të shkonin para që të takonin mbretin. Dhe ata shkuan dhe u përkulën para mbretit në shenjë nderimi për madhështinë e tij.
23 Dhe ndodhi që mbreti zgjati dorën për t’i ngritur, sikurse ishte zakoni mes Lamanitëve, si një shenjë paqeje, zakon që ata e kishin marrë nga Nefitët.
24 Dhe ndodhi që kur ngriti të parin nga toka, vini re, ai i nguli thikën mbretit në zemër dhe ai ra përdhe.
25 Tani, shërbëtorët e mbretit ia mbathën; dhe shërbëtorët e Amalikias thirrën, duke thënë:
26 Vini re, shërbëtorët e mbretit i ngulën atij thikën në zemër dhe ai ra dhe ata ikën; vini re, ejani dhe shikoni.
27 Dhe ndodhi që Amalikia urdhëroi që ushtritë e tij të marshonin përpara dhe të shihnin se ç’i kishte ngjarë mbretit; dhe kur ata erdhën në atë vend dhe e gjetën mbretin të shtrirë në gjakun e tij, Amalikia bëri sikur ishte i zemëruar dhe tha: Kushdo që e deshte mbretin, të shkojë me vrap dhe të ndjekë shërbëtorët e tij, që ata të vriten.
28 Dhe ndodhi që të gjithë ata që e deshën mbretin, kur dëgjuan këto fjalë, dolën para dhe ndoqën shërbëtorët e mbretit.
29 Tani, kur shërbëtorët e mbretit panë një ushtri duke i ndjekur nga pas, u frikësuan përsëri dhe ia mbathën në vendin e shkretë dhe arritën në tokën e Zarahemlës, dhe u bashkuan me popullin e Amonit.
30 Dhe ushtria që i ndiqte nga pas u kthye, pasi ndjekja qe e kotë; dhe kështu, Amalikia me mashtrim fitoi zemrat e popullit.
31 Dhe ndodhi që të nesërmen ai hyri në qytetin e Nefit me ushtritë e tij dhe mori në zotërim qytetin.
32 Dhe tani ndodhi që mbretëresha, kur dëgjoi se mbreti u vra—pasi Amalikia kishte dërguar një të ngarkuar te mbretëresha, duke e njoftuar se mbreti ishte vrarë nga shërbëtorët e tij, se ai i kishte ndjekur ata nga pas me ushtrinë e tij, por më kot, dhe se ata kishin mundur të iknin—
33 Prandaj, kur mbretëresha e mori këtë lajm, i dërgoi fjalë Amalikias, se ajo dëshironte që ai të kursente jetën e popullit të qytetit; dhe se dëshironte edhe që ai të shkonte tek ajo; dhe dëshironte gjithashtu, që të sillte me vete dëshmitarë për të dëshmuar në lidhje me vdekjen e mbretit.
34 Dhe ndodhi që Amalikia mori të njëjtin shërbëtor që vrau mbretin dhe të gjithë ata që ishin me të dhe shkoi te mbretëresha, në pallatin ku ajo rrinte; dhe të gjithë i dëshmuan asaj se mbreti u vra nga shërbëtorët e tij; dhe ata thanë gjithashtu: Ata ikën, a nuk dëshmon kjo kundër tyre? Dhe kështu ata e bindën mbretëreshën në lidhje me vdekjen e mbretit.
35 Dhe ndodhi që Amalikia kërkoi pëlqimin e mbretëreshës dhe e mori për grua; dhe kështu, me anë të mashtrimit dhe me ndihmën e shërbëtorëve të tij dinakë, ai siguroi mbretërinë; po, ai u njoh mbret në të gjithë vendin mes gjithë popullit të Lamanitëve që përbëhej nga Lamanitët dhe nga Lemuelitët dhe nga Ishmaelitët, dhe nga të gjithë të shkëputurit e Nefitëve, që nga mbretërimi i Nefit dhe deri në kohën e sotme.
36 Tani, këta të shkëputur, megjithëse kishin të njëjtat udhëzime dhe të njëjtat dituri të Nefitëve, po, duke qenë të udhëzuar me të njëjtën njohuri mbi Zotin, megjithatë, duket e çuditshme të thuhet, jo shumë kohë pas shkëputjes së tyre, ata u bënë më të ashpër dhe më të papenduar dhe më të egër, më të këqij dhe më mizorë se Lamanitët—duke pirë në traditat e Lamanitëve; duke u bërë përtacë dhe duke u dhënë pas çdo lloj epshi; po, duke harruar krejtësisht Zotin, Perëndinë e tyre.