Kapitulli 51
Njerëzit e mbretit përpiqen të ndërrojnë ligjin dhe të vendosin një mbret—Pahorani dhe njerëzit e lirë përkrahen nga zëri i popullit—Moroni detyron njerëzit e mbretit që të mbrojnë vendin e tyre ose të vriten—Amalikia dhe Lamanitët pushtojnë shumë qytete të fortifikuara—Teankumi zmbraps pushtimin e Lamanitëve dhe vret Amalikian në çadrën e tij. Rreth 67–66 para K.
1 Dhe tani ndodhi që në fillim të vitit të njëzetepestë të mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit, pasi ata vendosën paqe mes popullit të Lehit dhe popullit të Moriantonit në lidhje me tokat e tyre dhe pasi filluan në paqe vitin e njëzetepestë;
2 Megjithatë, ata nuk mbajtën për shumë kohë një paqe të plotë në tokë, pasi filloi një grindje mes njerëzve në lidhje me kryegjykatësin Pahoran; pasi vini re, kishte një pjesë të popullit të cilët dëshironin që disa pika të veçanta të ligjit të ndryshoheshin.
3 Por vini re, Pahorani nuk deshi dhe as nuk lejoi që të ndryshohej ligji; prandaj ai nuk ua vuri veshin atyre që kishin çuar zërin me lutjet e tyre në lidhje me ndryshimin e ligjit.
4 Prandaj, ata që kishin dëshirë që ligji të ndryshonte u zemëruan me të dhe dëshironin që ai të mos ishte më kryegjykatës i tërë vendit; prandaj u krijua një grindje e rreptë në lidhje me këtë çështje, por jo deri në gjakderdhje.
5 Dhe ndodhi që ata të cilët dëshironin që Pahorani të hiqej nga froni i gjykimit u quajtën njerëz të mbretit, pasi dëshironin që të ndryshohej ligji, në mënyrë që të përmbysej qeveria e lirë dhe të vendosej një mbret në tërë vendin.
6 Dhe ata që dëshironin që Pahorani të qëndronte kryegjykatës i vendit, morën emrin njerëz të lirë; dhe kështu qe ndarja mes tyre, pasi njerëzit e lirë ishin betuar ose ishin zotuar të ruanin të drejtat e tyre dhe privilegjet e fesë së tyre, me anë të një qeverie të lirë.
7 Dhe ndodhi që kjo çështje e grindjes së tyre u zgjidh me anë të zërit të popullit. Dhe ndodhi që zëri i popullit erdhi në favor të njerëzve të lirë dhe Pahorani qëndroi në vendin e kryegjykatësit, që shkaktoi gëzim të madh mes vëllezërve të Pahoranit, si dhe mes njerëzve të lirisë, të cilët ua mbyllën gojën njerëzve të mbretit, saqë ata nuk guxuan më të kundërshtonin, por u detyruan të mbanin çështjen e lirisë.
8 Tani, ata që ishin në favor të mbretërve ishin njerëz të familjeve të larta dhe kërkonin të bëheshin mbretër; dhe përkraheshin prej atyre që kërkonin pushtet e autoritet mbi popullin.
9 Por vini re, kjo ishte një kohë kritike për grindje të tilla mes popullit të Nefit; pasi vini re, Amalikia kishte nxitur përsëri zemrat e popullit të Lamanitëve kundër popullit të Nefitëve dhe ai po mblidhte tok ushtarë nga të gjitha anët e tokave të tij dhe po i armatoste, dhe po i përgatiste gjithë zell për luftë; pasi ai qe betuar të pinte gjakun e Moronit.
10 Por vini re, do të shohim se ky premtim që bëri, u bë pa mend; megjithatë, ai përgatiti veten dhe ushtrinë e tij për të luftuar kundër Nefitëve.
11 Tani, ushtritë e tij nuk ishin aq të mëdha sa kishin qenë më parë, për shkak të shumë mijërave që ishin vrarë nga dora e Nefitëve; por me gjithë humbjen e tyre të madhe, Amalikia kishte mbledhur tok një ushtri çuditërisht të madhe, aq sa nuk pati frikë të shkonte në tokën e Zarahemlës.
12 Po, madje edhe Amalikia vetë shkoi në krye të Lamanitëve. Dhe qe në vitin e njëzetepestë të mbretërimit të gjykatësve; dhe ishte në të njëjtën kohë që ata kishin filluar të sheshonin çështjet e grindjeve të tyre në lidhje me kryegjykatësin, Pahoran.
13 Dhe ndodhi që kur njerëzit që quheshin njerëzit e mbretit, dëgjuan se po vinin Lamanitët për të luftuar kundër tyre, u gëzuan në zemrat e tyre; dhe refuzuan të merrnin armët, pasi ishin kaq të zemëruar me kryegjykatësin, si edhe me njerëzit e lirisë, saqë nuk do të merrnin armët për të mbrojtur vendin e tyre.
14 Dhe ndodhi që kur Moroni e pa këtë gjë dhe pa gjithashtu se Lamanitët po hynin brenda kufijve të vendit, ai ishte jashtëzakonish i zemëruar për shkak të kokëfortësisë së atyre njerëzve për të cilët kishte punuar me kaq shumë zell që t’i ruante; po, ai qe jashtëzakonisht i zemëruar; shpirti i tij ishte plot zemërim kundër tyre.
15 Dhe ndodhi që ai i dërgoi guvernatorit të vendit një lutje, me zërin e popullit, duke dëshiruar që ta lexonte dhe t’i jepte atij (Moronit) autoritet, që t’i detyronte ata kundërshtarë të mbronin vendin e tyre ose t’i vriste.
16 Pasi ishte kujdesi i parë i tij për t’u dhënë fund atyre grindjeve dhe përçarjeve mes popullit; pasi vini re, ky kishte qenë deri atëherë një shkak i të gjithë shkatërrimit të tyre. Dhe ndodhi që u dha sipas zërit të popullit.
17 Dhe ndodhi që Moroni urdhëroi që ushtria e tij të shkonte kundër atyre njerëzve të mbretit, që të hiqnin kryelartësinë e tyre dhe madhështinë e tyre dhe t’i rrafshonin me tokën, në qoftë se nuk merrnin armët që të përkrahnin çështjen e lirisë.
18 Dhe ndodhi që ushtritë marshuan kundër tyre; dhe ua hoqën kryelartësinë e tyre dhe madhështinë e tyre, kaq sa, kur ngritën armët e luftës për të luftuar kundër ushtarëve të Moronit, ata u korrën dhe u rrafshuan me tokën.
19 Dhe ndodhi që qenë katër mijë prej atyre kundërshtarëve që u korrën nga shpata; dhe ata nga kryetarët e tyre që nuk u vranë në luftim, u morën dhe u futën në burg, pasi nuk kishte kohë në atë moment për gjyqet e tyre.
20 Dhe mbetja e atyre kundërshtarëve, pranoi më mirë flamurin e lirisë, sesa të korrej përdhe nga shpata dhe ata u detyruan të ngrinin titullin e lirisë mbi kullat e tyre dhe në qytetet e tyre dhe të merrnin armët për të mbrojtur vendin e tyre.
21 Dhe kështu, Moroni u dha fund këtyre njerëzve të mbretit, kështu që nuk kishte më ndonjë që të njihej me emrin e njerëzve të mbretit; dhe kështu i dha fund kokëfortësisë dhe kryelartësisë së atyre njerëzve që thonin se kishin gjak fisnikësh; por ata u detyruan të bëheshin të përvuajtur, sikurse vëllezërit e tyre dhe të luftonin me guxim për lirinë e tyre nga robëria.
22 Vini re, ndodhi që ndërsa Moroni po shtypte luftërat dhe grindjet mes popullit të tij, duke ia nënshtruar ato paqes dhe qytetërimit dhe duke bërë rregulla për përgatitje për luftë kundër Lamanitëve, vini re, Lamanitët kishin hyrë në tokën e Moronit që ishte në kufijtë gjatë bregdetit.
23 Dhe ndodhi që Nefitët nuk ishin mjaft të fortë në qytetin e Moronit; prandaj Amalikia i mundi duke vrarë shumë. Dhe ndodhi që Amalikia mori nën kontroll qytetin, po, mori nën kontroll të gjitha fortifikatat e tyre.
24 Dhe ata që ikën nga qyteti i Moronit, shkuan në qytetin e Nefihës; dhe gjithashtu njerëzit e qytetit të Lehit u mblodhën tok, bënë përgatitje dhe qenë gati për të pritur Lamanitët për luftë.
25 Por, ndodhi që Amalikia nuk lejoi që Lamanitët të shkonin kundër qytetit të Nefihës për të luftuar, por i mbajti gjatë bregdetit, duke lënë ushtarë në çdo qytet për t’i mbajtur dhe për t’i mbrojtur.
26 Dhe kështu ai shkoi, duke futur nën kontroll shumë qytete, qytetin Nefiha dhe qytetin Lehi dhe qytetin Morianton, dhe qytetin Omner, dhe qytetin Gid, dhe qytetin Mulek, të gjithë këta ishin në kufijtë lindorë gjatë bregdetit.
27 Dhe kështu Lamanitët morën me anë të dredhive të Amalikias dhe nga ushtarët e tyre të shumtë, kaq shumë qytete që ishin të gjitha të fortifikuara rëndë, sipas mënyrës së fortifikatave të Moronit; të gjithë prej të cilëve u bënë fortesa të Lamanitëve.
28 Dhe ndodhi që ata marshuan mbi kufijtë e vendit Begati, duke shpartalluar Nefitët para tyre dhe duke vrarë shumë.
29 Por, ndodhi që ata u gjetën përballë Teankumit i cili kishte vrarë Moriantonin dhe kishte ndaluar popullin e tij të ikte.
30 Dhe ndodhi që ai ndaloi gjithashtu Amalikian, ndërsa po marshonte me ushtrinë e tij të madhe, që të merrte në zotërim vendin Begati, si edhe vendin në veri.
31 Por vini re, ai u gjend përballë një zhgënjimi, pasi u detyrua të zmbrapsej nga Teankumi dhe ushtarët e tij, pasi ata ishin luftëtarë të mëdhenj; pasi çdo ushtar i Teankumit ua kalonte Lamanitëve si nga fuqia, ashtu dhe aftësia luftarake e tyre, kaq sa ata fituan epërsi mbi Lamanitët.
32 Dhe ndodhi që i sulmuan kaq shumë, saqë i vranë, madje derisa u bë errësirë. Dhe ndodhi që Teankumi dhe ushtarët e tij ngritën çadrat e tyre në kufijtë e vendit Begati; dhe Amalikia ngriti çadrat e tij në kufijtë e ranishtes në breg të detit dhe sipas kësaj mënyre, ata u zmbrapsën.
33 Dhe ndodhi që kur ra nata, Teankumi dhe shërbëtori i tij u larguan vjedhurazi nëpër errësirë dhe shkuan në kampin e Amalikias; dhe vini re, ata i kishte mundur gjumi për shkak të lodhjes së madhe që u ishte shkaktuar nga mundimet dhe nga vapa e ditës.
34 Dhe ndodhi që Teankumi hyri vjedhurazi në çadrën e mbretit dhe i nguli një shtizë në zemër; dhe shkaktoi vdekjen e menjëhershme të mbretit, kështu që ai nuk i zgjoi shërbëtorët e tij.
35 Dhe u kthye përsëri fshehurazi në kampin e tij dhe vini re, ushtarët e tij ishin në gjumë dhe ai i zgjoi dhe u tregoi të gjitha gjërat që kishte bërë.
36 Dhe bëri që ushtritë e tij të qëndronin gati, në qoftë se Lamanitët do të zgjoheshin dhe do të vinin mbi ta.
37 Dhe kështu mbaroi viti i njëzetepestë i mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit; dhe kështu mbaruan ditët e Amalikias.