Kapitulli 52
Amoroni zë vendin e Amalikias si mbret i Lamanitëve—Moroni, Teankumi dhe Lehi udhëheqin Nefitët në një luftë fitimtare kundër Lamanitëve—Qyteti i Mulekut rimerret dhe Jakob Zoramiti vritet. Rreth 66–64 para K.
1 Dhe tani ndodhi në vitin e njëzetegjashtë të mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit, vini re, kur Lamanitët u zgjuan mëngjesin e parë të muajit të parë, vini re, ata e gjetën Amalikian të vdekur në çadrën e tij; dhe ata panë gjithashtu se Teankumi ishte gati në atë ditë të luftonte kundër tyre.
2 Dhe tani, kur Lamanitët e panë këtë gjë, u frikësuan; dhe hoqën dorë nga vendimi që të marshonin për në tokën në veri dhe u tërhoqën me të gjithë ushtrinë e tyre në qytetin e Mulekut, dhe kërkuan mbrojtje në fortifikatat e tyre.
3 Dhe ndodhi që i vëllai i Amalikias u caktua mbret mbi popullin; dhe emri i tij ishte Amoron; kështu mbreti Amoron, vëllai i mbretit Amalikia, u caktua të mbretëronte në vend të tij.
4 Dhe ndodhi që ai urdhëroi që populli i tij duhej t’i mbante ato qytete që ata kishin marrë duke derdhur gjak; pasi ata nuk kishin marrë ndonjë qytet pa derdhur shumë gjak.
5 Dhe tani, Teankumi pa se Lamanitët ishin të vendosur t’i mbanin ato qytete që kishin marrë dhe ato pjesë të tokës që kishin marrë në zotërim; dhe gjithashtu duke parë numrin shumë të madh të tyre, Teankumi mendoi se nuk ishte e nevojshme që ai të përpiqej t’i sulmonte ata në fortesat e tyre.
6 Por, i mbajti ushtarët e tij rreth e përqark, sikur po bënte përgatitje për luftë; po, dhe në të vërtetë ai po përgatitej që të mbrohej prej tyre, duke ngritur mure rreth e përqark dhe duke përgatitur vende strehimi.
7 Dhe ndodhi që ai vazhdoi të përgatitej për luftë, derisa Moroni dërgoi një numër të madh ushtarësh për të përforcuar ushtrinë e tij.
8 Dhe Moroni i dërgoi gjithashtu urdhra që të mbante të gjithë të burgosurit që ranë në duart e tij; pasi meqë Lamanitët kishin marrë shumë të burgosur, ai duhej të mbante peng të gjithë të burgosurit e Lamanitëve, si shpërblesë për ata që kishin marrë Lamanitët.
9 Dhe ai i dërgoi gjithashtu urdhra atij që të fortifikonte vendin Begati dhe të siguronte shtegun e ngushtë që të çonte në tokën në veri, pasi në qoftë se Lamanitët do të shtinin në dorë atë pikë, do të kishin fuqi t’i sulmonin nga çdo anë.
10 Dhe Moroni gjithashtu i dërgoi fjalë atij, duke dëshiruar prej tij të ruante me besnikëri atë pjesë të vendit dhe se ai do të kërkonte çdo mundësi për t’i dërrmuar Lamanitët në atë pjesë të vendit, aq sa të kishte fuqinë, që ai të mund të merrte ndoshta përsëri me strategji, ose me ndonjë mënyrë tjetër, ato qytete që ishin marrë prej duarve të tyre; dhe se ai do të fortifikonte dhe do të forconte gjithashtu qytetet rreth e përqark, që nuk kishin rënë në duart e Lamanitëve.
11 Dhe ai gjithashtu i tha: unë do të vija te ju, por vër re, Lamanitët janë mbi ne, në kufijtë e vendit pranë detit perëndimor; dhe vër re, unë po shkoj kundër tyre, prandaj nuk mund të vij te ju.
12 Tani, mbreti (Amoron) qe larguar nga toka e Zarahemlës dhe i kishte bërë të ditur mbretëreshës në lidhje me vdekjen e vëllait të tij dhe kishte mbledhur tok një numër të madh ushtarësh, dhe kishte marshuar kundër Nefitëve në kufijtë pranë detit perëndimor.
13 Dhe kështu po përpiqej të sulmonte Nefitët dhe të largonte një pjesë të forcave të tyre nga ajo pjesë e vendit, ndërsa i kishte urdhëruar ata që kishte lënë në kontroll të qyteteve që kishte marrë, që edhe ata të sulmonin Nefitët në kufijtë pranë detit lindor dhe të futnin nën kontroll sa më shumë toka të tyre që të mundnin, sipas fuqisë së ushtrive të tyre.
14 Dhe kështu, Nefitët ndodheshin në ato rrethana të rrezikshme në mbarim të vitit të njëzetegjashtë të mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit.
15 Por vini re, ndodhi që në vitin e njëzeteshtatë të mbretërimit të gjykatësve, që Teankumi, me urdhër të Moronit,—i cili kishte vendosur ushtri për të mbrojtur kufijtë jugorë dhe perëndimorë të vendit dhe kishte filluar marshimin në drejtim të tokës Begati, që të mund të ndihmonte Teankumin dhe ushtarët e tij për të rimarrë qytetet që kishin humbur—
16 Dhe ndodhi që Teankumi kishte marrë urdhër të bënte një sulm kundër qytetit të Mulekut dhe po të ishte e mundur, ta rimerrte atë.
17 Dhe ndodhi që Teankumi bëri përgatitje që të bënte një sulm kundër qytetit Mulek dhe të marshonte me ushtrinë e tij kundër Lamanitëve; por pa se ishte e pamundur t’i mposhtte ata, ndërsa ishin brenda fortifikatave të tyre; prandaj hoqi dorë nga plani i tij dhe u kthye përsëri në qytetin Begati, për të pritur ardhjen e Moronit, që të mund të merrte forcë për ushtrinë e tij.
18 Dhe ndodhi që Moroni arriti me ushtrinë e tij në tokën Begati, në mbarimin e vitit të njëzeteshtatë të mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit.
19 Dhe, në fillim të vitit të njëzetetetë, Moroni dhe Teankumi dhe shumë prej kryekapitenëve mbajtën një këshill lufte—çfarë duhej të bënin për t’i nxjerrë Lamanitët së andejmi, që të luftonin kundër tyre; ose që në ndonjë mënyrë të mund t’i tërhiqnin përjashta fortesave të tyre, që të fitonin epërsi mbi ta dhe të pushtonin përsëri qytetin e Mulekut.
20 Dhe ndodhi që çuan të dërguar tek ushtritë e Lamanitëve, që mbronin qytetin e Mulekut, tek udhëheqësi i tyre, emri i të cilit ishte Jakob, duke dëshiruar që ai të dilte me ushtritë e tij që të ndesheshin me ta në rrafshinat mes dy qyteteve. Por vini re, Jakobi, që ishte një Zoramit, nuk dëgjoi të dilte me ushtrinë e tij që të ndeshej me ta në rrafshinat.
21 Dhe ndodhi që Moroni, ngaqë nuk kishte më shpresa se do të ndeshej me ta në fushë lufte, prandaj bëri një plan, që të mund të tërhiqte Lamanitët përjashta fortesave të tyre.
22 Prandaj, ai bëri që Teankumi të merrte një numër të vogël ushtarësh dhe të marshonte poshtë, afër bregdetit; dhe Moroni dhe ushtria e tij marshuan gjatë natës nëpër vendin e shkretë, në perëndim të qytetit Mulek; dhe kështu të nesërmen, kur rojat Lamanite zbuluan Teankumin, vrapuan t’i tregonin Jakobit, udhëheqësit të tyre.
23 Dhe ndodhi që ushtritë e Lamanitëve marshuan përpara drejt Teankumit, duke menduar, për shkak të numrit të tyre, të mundnin Teankumin për shkak të numrit të vogël të ushtrisë së tij. Dhe kur Teankumi pa ushtritë e Lamanitëve duke dalë kundër tij, ai filloi të tërhiqej poshtë gjatë bregdetit, nga veriu.
24 Dhe ndodhi që kur Lamanitët panë se ai filloi të ikte, morën guxim dhe i ndoqën nga pas me fuqi. Dhe, ndërsa Teankumi po largonte Lamanitët që po e ndiqnin nga pas më kot, vini re, Moroni urdhëroi një pjesë të ushtrisë së tij që ishte me të, të marshonte drejt qytetit dhe ta vinte nën kontroll.
25 Dhe kështu vepruan dhe vranë të gjithë ata që ishin lënë për të mbrojtur qytetin, po, të gjithë ata që nuk deshën të dorëzonin armët e luftës.
26 Dhe kështu, Moroni mori nën kontroll qytetin Mulek me një pjesë të ushtrisë së tij, ndërsa ai marshoi me pjesën tjetër për t’u ndeshur me Lamanitët, kur të ktheheshin nga ndjekja e Teankumit.
27 Dhe ndodhi që Lamanitët ndoqën nga pas Teankumin derisa iu afruan qytetit Begati dhe atëherë u gjetën përballë Lehit dhe një ushtrie të vogël që ishte lënë të mbronte qytetin Begati.
28 Dhe tani, vini re, kur kryekapitenët e Lamanitëve panë Lehin me ushtrinë e tij duke shkuar kundër tyre, ata ia mbathën me shumë hutim nga frika se nuk do të mund të arrinin në qytetin e Mulekut para se Lehi t’i arrinte; meqë ishin lodhur për shkak të marshimit të tyre dhe ushtarët e Lehit ishin të freskët.
29 Tani Lamanitët nuk e dinin se Moroni ishte prapa tyre me ushtrinë e tij; dhe gjithçka që ata kishin frikë ishte Lehi dhe ushtarët e tij.
30 Tani Lehi nuk donte t’i arrinte derisa ata të ishin përballë Moronit dhe ushtrisë së tij.
31 Dhe ndodhi që, para se Lamanitët të ishin tërhequr shumë, u rrethuan nga Nefitët, nga ushtarët e Moronit nga një anë dhe nga ushtarët e Lehit nga tjetra, të gjithë prej të cilëve ishin të freskët dhe plot fuqi; kurse Lamanitët ishin të lodhur për shkak të marshimit të tyre të gjatë.
32 Dhe Moroni urdhëroi ushtarët e tij të binin mbi ta, derisa ata të dorëzonin armët e tyre të luftës.
33 Dhe ndodhi që Jakobi, duke qenë udhëheqësi i tyre dhe duke qenë gjithashtu një Zoramit dhe duke pasur shpirt të paepur, udhëhoqi Lamanitët përpara në luftë me furi të pashembullt kundër Moronit.
34 Moroni ishte në drejtimin e tij të marshimit, kështu që Jakobi ishte i vendosur t’i vriste ata dhe t’i priste atij udhën drejt qytetit të Mulekut. Por vini re, Moroni dhe ushtarët e tij ishin më të fuqishëm; prandaj nuk u dhanë para Lamanitëve.
35 Dhe ndodhi që të dyja palët luftuan me furi të pashembullt; dhe shumë u vranë nga të dyja anët; po, Moroni u plagos dhe Jakobi u vra.
36 Dhe Lehi nga prapa u ra me kaq furi me ushtarët e tij të fortë, sa Lamanitët nga pas dorëzuan armët e tyre të luftës; dhe të mbeturit e tyre, duke qenë të hutuar shumë, nuk dinin të iknin ose të luftonin.
37 Tani Moroni, duke parë hutimin e tyre, u tha atyre: Në qoftë se ju sillni këtu armët e luftës dhe i dorëzoni, vini re, ne nuk do ta derdhim më gjakun tuaj.
38 Dhe ndodhi që kur Lamanitët i dëgjuan këto fjalë, kryekapitenët e tyre, të gjithë ata që nuk ishin vrarë, shkuan para dhe dorëzuan armët e tyre të luftës te këmbët e Moronit dhe gjithashtu urdhëruan ushtarët e tyre të bënin të njëjtën gjë.
39 Por vini re, pati shumë që nuk e bënë dhe ata që nuk dorëzuan shpatat e tyre, u kapën dhe u lidhën dhe iu morën armët e tyre të luftës, dhe u detyruan të marshonin me vëllezërit e tyre për në tokën Begati.
40 Dhe tani, numri i atyre që u morën robër qe shumë më i madh se numri i atyre që u vranë, po, më shumë se ata që u vranë nga të dyja palët.