Kapitulli 55
Moroni nuk pranon të shkëmbejë robërit e luftës—Rojat Lamanite bëhen që të dehen dhe Nefitët që ishin robër lufte, ikin—Qyteti i Gidit merret pa gjakderdhje. Rreth 63–62 para K.
1 Tani ndodhi që kur Moroni e mori këtë letër u zemërua edhe më shumë, sepse e dinte se Amoroni kishte njohuri të plotë të mashtrimit të tij; po, ai e dinte se Amoroni e dinte se nuk ishte një çështje e drejtë që e kishte bërë atë të bënte luftë kundër popullit të Nefit.
2 Dhe tha: Vini re, unë nuk do të shkëmbej robërit e luftës me Amoronin, nëse ai nuk heq dorë nga qëllimi i tij, sikurse kam deklaruar në letrën time; pasi nuk do ta lejoj të ketë pushtet edhe më të madh sesa ka.
3 Vini re, unë e di vendin ku Lamanitët ruajnë njerëzit e mi që i kanë marrë robër; dhe pasi Amoroni nuk do të pranojë kërkesat e mia në letër, vini re, unë do t’i jap sipas fjalëve që i thashë; po, do të mbjell vdekje mes tyre, derisa të kërkojnë paqe.
4 Dhe tani ndodhi që kur Moroni tha këto fjalë, bëri që të kërkohej mes ushtarëve të tij, se ndoshta mund të gjendej mes tyre një njeri që të ishte pasardhës i Lamanit.
5 Dhe ndodhi që u gjet një, emri i të cilit ishte Laman; dhe ai ishte një nga shërbëtorët e mbretit që u vra nga Amalikia.
6 Tani, Moroni dërgoi Lamanin me një numër të vogël nga njerëzit e tij te rojat që ruanin Nefitët.
7 Tani, Nefitët ruheshin në qytetin e Gidit; prandaj Moroni caktoi Lamanin dhe dërgoi edhe një numër të vogël njerëzish me të.
8 Dhe kur qe natë, Lamani shkoi te rojat që ruanin Nefitët dhe vini re, ata e panë duke ardhur dhe i thirrën, por ai u tha: Mos kini frikë, vini re, unë jam një Lamanit. Vini re, ne ikëm nga Nefitët dhe ata po flenë; dhe vini re, ne u morëm verën dhe e sollëm me vete.
9 Tani, kur Lamanitët dëgjuan këto fjalë, e pritën me gëzim; dhe i thanë atij: Na jep ca prej verës suaj që ta pimë; ne gëzohemi që keni marrë verë me vete, pasi jemi të lodhur.
10 Por Lamani u tha atyre: Ta mbajmë verën derisa të shkojmë të luftojmë kundër Nefitëve. Por, këto fjalë vetëm i bënë ata që të dëshironin edhe më shumë të pinin ca prej asaj vere;
11 Pasi ata thanë: Ne jemi të lodhur, prandaj të marrim ca verë dhe më vonë do të marrim edhe verë tjetër në racionet tona, që do të na forcojë të shkojmë kundër Nefitëve.
12 Dhe Lamani u tha atyre: Mund të bëni sipas dëshirave tuaja.
13 Dhe ndodhi që morën verë me shumicë; dhe u pëlqeu për nga shija, prandaj pinë edhe ca më shumë; dhe qe e fortë, pasi qe përgatitur ashtu me qëllim.
14 Dhe ndodhi që ata pinë dhe u gëzuan dhe dalëngadalë u dehën të gjithë.
15 Dhe tani, kur Lamani dhe ushtarët e tij panë se që të gjithë ishin dehur dhe ishin në gjumë të thellë, u kthyen te Moroni dhe i treguan të gjitha gjërat që kishin ndodhur.
16 Dhe tani kjo ishte sipas planit të Moronit. Dhe Moroni i kishte përgatitur njerëzit e tij me armë lufte; dhe shkoi në qytetin e Gidit, ndërsa Lamanitët ishin në një gjumë të thellë dhe të dehur dhe u hodhën armë lufte robërve të luftës, kaq sa të gjithë u armatosën.
17 Po, kështu Moroni armatosi të gjithë robërit, po, madje edhe gratë e tyre dhe të gjithë fëmijët e tyre që ishin në gjendje të përdornin armë lufte; dhe të gjitha këto gjëra u bënë në heshtjen më të madhe.
18 Por edhe sikur t’i kishin zgjuar Lamanitët, vini re, ata ishin të dehur dhe Nefitët mund t’i kishin vrarë.
19 Por, vini re, kjo nuk ishte dëshira e Moronit; ai nuk gëzohej në vrasje ose gjakderdhje, por gëzohej për shpëtimin e popullit të tij nga shkatërrimi; dhe për këtë shkak, ai nuk mund t’i vinte vetes një paudhësi e të binte mbi Lamanitët dhe t’i shkatërronte, ndërsa ishin të dehur.
20 Por, ai i kishte plotësuar dëshirat e tij; pasi ai armatosi ata robër Nefitë që gjendeshin brenda murit të qytetit dhe u dha atyre fuqi, që të shtinin në dorë ato pjesë që ishin brenda mureve.
21 Dhe atëherë bëri që ushtarët që ishin me të, të tërhiqeshin pak prej tyre dhe të rrethonin ushtritë e Lamanitëve.
22 Tani vini re, kjo gjë u bë gjatë natës, kështu që kur u zgjuan Lamanitët në mëngjes, panë se ishin të rrethuar nga Nefitët përjashta dhe se robërit përbrenda ishin të armatosur.
23 Dhe kështu, ata panë se Nefitët kishin fuqi mbi ta; dhe kuptuan në ato rrethana se nuk ishte e arsyeshme të luftonin kundër Nefitëve; prandaj kryekapitenët e tyre u kërkuan armët e tyre të luftës dhe i sollën dhe i lëshuan te këmbët e Nefitëve, duke u përgjëruar për mëshirë.
24 Tani vini re, kjo ishte dëshira e Moronit. Ai i bëri robër lufte dhe mori qytetin në dorë dhe bëri që të gjithë të burgosurit që ishin Nefitë të liroheshin; dhe ata u bashkuan me ushtrinë e Moronit dhe qenë një fuqi e madhe për ushtrinë e tij.
25 Dhe ndodhi që ai i vuri Lamanitët që i zuri robër lufte, të punonin për të përforcuar fortifikatat rreth e përqark qytetit të Gidit.
26 Dhe ndodhi që pasi fortifikoi qytetin e Gidit sipas dëshirave të tij, bëri që robërit të çoheshin në qytetin Begati; dhe ai e ruajti atë qytet gjithashtu me forca jashtëzakonisht të fuqishme.
27 Dhe ndodhi që ata megjithë tërë intrigat e Lamanitëve, mbajtën dhe mbrojtën gjithë robërit e luftës që zunë dhe mbajtën edhe gjithë tokën dhe përfitimin që ata kishin marrë.
28 Dhe ndodhi që Nefitët filluan përsëri të jenë fitimtarë dhe të rifitonin të drejtat e tyre dhe privilegjet e tyre.
29 Shumë herë u përpoqën Lamanitët t’i rrethonin natën, por në këto përpjekje ata humbën shumë robër lufte.
30 Dhe shumë herë ata u përpoqën t’u jepnin Nefitëve nga vera e tyre, që t’i shkatërronin me helm ose me dehje.
31 Por vini re, Nefitët nuk qenë të ngadalshëm që të kujtonin Zotin, Perëndinë e tyre, në kohën e tyre të pikëllimit. Ata nuk mund të ziheshin në kurthet e tyre; po, ata nuk do të pinin nga vera e tyre, vetëm pasi t’u jepnin ca prej saj disa robërve Lamanitë.
32 Dhe ishin kështu të kujdesshëm, që të mos u jepej ndonjë helm atyre; pasi në qoftë se vera e tyre do të helmonte një Lamanit, do të helmonte gjithashtu edhe një Nefit; dhe kështu ata provuan të gjitha pijet e tyre alkoolike.
33 Dhe tani ndodhi që Moroni e pa të arsyeshme të bënte përgatitje që të sulmonte qytetin Morianton; pasi vini re, Lamanitët e kishin fortifikuar me krahët e tyre qytetin Morianton, derisa u bë një fortesë e jashtëzakonshme.
34 Dhe ata sillnin vazhdimisht forca të reja në atë qytet dhe gjithashtu pajisje të reja furnizimesh.
35 Dhe kështu mbaroi viti i njëzetenëntë i mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit.